Ndryshimet në buxhet, Berisha: Ky është skenari i Papandreut

anazapta

Ish-kryetari i PD-së e ka cilësuar aktin normative për ndryshimet në buxhetin e vitit 2013 si një veprim që do ta çojë vendin drejt krizës greke. Në një fjalë të shkurtër para deputetëve, Berisha akuzoi maxhorancën se po ndjek skenarin e Papandreut.

“Rënia e të ardhurave është vetëm 2 për qind, ndërkohë në vitin e tyre elektoral rënia e të ardhurave ka qenë deri sa ne erdhëm në pushtet 35 për qind. Dhe kjo 2 për qind përdoret tani si motiv për të katërfishuar borxhin dhe se këta zotërinjtë që bërtitën 4 vite rresht kundër borxhit 60 për qind, dhe me një të rënë të lapsit u vendosin shqiptarëve një barrë borxhi prej 72 për qind. E tëro kjo shkon për dieta, për orgjira, për shpenzime personale, për pritje e përcjellje dhe asnjë qindarkë nuk shkon për investime për qytetarët e vendit. Ky është mekanizmit i sigurt i thirrjes me shpejtësi të recensionit, është një pseudo model të krijuar nga shifrat fallco mbi të cilin operohet, edhe njëherë, ajo çka mund tu them shqiptarëve me shqetësim dhe keqardhjen më të madhe është se kjo është faza e dytë e skenarit absolutisht shumë të papërshtatshëm i cili do të penalizojë ekonominë, punën e çdo shqiptari dhe ky është skenari- faza e dytë e Papandreut”.

 

Ndryshimet në buxhet, sot në Kuvend akti normativ

Kuvendi po shqyrton në seancën e sotme aktin normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e buxhetit 2013. Ndryshimet në ligj pritet të miratohen me votat e maxhorancës, ndërsa opozita e ka shprehur qëndrimin e saj kundër në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Pak ditë më parë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ftoi opozitën të bëhet pjesë e procesit, por kreu i PD-së i ka cilësuar ndryshimet në ligj një “minë me sahat për financat e vendit”. Me miratimin e këtij akti, sipas Ministrisë së Financave, një prej prioriteteve kryesore është shlyerja e borxhit që shteti u ka bizneseve.

“Akti normativ vjen me ulje të të ardhurave, me rritje defiçiti dhe për pasojë edhe rritje borxhi. Buxheti reflekton një situatë të pakëndshme, shkurtohen me 38.8 miliardë lekë të ardhurat e këtij viti. Kemi më pak se të ardhurat nominale të vitit 2010. Gjendja në thesar është keq dhe 9 miliardë lekë në pritje për t’u bërë pagesat. Ftoj deputetët e opozitës të jenë pjesë e procesit, është një borxh që qeveria u ka bizneseve. Nuk është hera e parë që jemi në situatë të tillë, edhe në 1997 ishte një situatë e vështirë ”, ka pohuar Cani. Borxhi në fund të vitit, sipas Canit mund të arrijë në 69 për qind të PBB-së, edhe ky një parashikim në rritje, pas deklarimeve fillestare për një nivel borxhi prej 68 për qind. Këtu nuk llogariten detyrimet e pashlyera të biznesit, që mund ta çonin nivelin në rreth 73 për qind të PBB-së”, është shprehur Cani.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *