Procesi i numërimit të votave në kryeqytet pritet që të jetë më i përqendruar, duke lehtësuar kështu edhe menaxhimin e votave. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme që kanë qenë 11 zona të administrimit zgjedhor, po aq sa dhe numri i minibashkive, për zgjedhjet e 2-15-s është menduar që të jenë tre të tilla.
Ndryshimet pritet të paraqiten nga një grup deputetësh, pas tërheqjes së qeverisë nga drafti që kishte përgatitur, raporton “AS”. Motive ishte shmangia e konflikteve të mëtejshme në politikën tejet të acaruar në vend. Për këtë arsye iu la në dorë KQZ-së të vinte në lëvizje Parlamentin, në rast se haste vështirësi gjatë përgatitjes së zgjedhjeve.
Pas letrës së KQZ-së në 5 shkurt, ku i kërkohej deputetëve të zgjidhnin ngërçin mes kodit zgjedhor dhe hartës territoriale, këta të fundit janë vënë në lëvizje dhe kanë dalë me një seri amendimesh. Sipas tyre numri i zonave të administrimit zgjedhor tkurret dukshëm. Aktualisht ato janë 89. Në këto komisione kryhet numërimi i votave, shpallet rezultati i zgjedhjeve si dhe kryhet pjesa më e madhe e punës për menaxhimin e tyre. Në kod është përcaktuar që për çdo bashki të re, të ketë 1 ZAZ. Përjashtim do të bëjnë vetëm pak bashki të mëdha në të cilat për shkak numrit të zgjedhësve mbi 80 mijë, ZAZ-të do të jenë 2.
