Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara: kategoritë që përfitojnë nga legjislacioni shqiptar
Pranvera Kola
Ndryshon pagesa që shkon në favor të personave me aftësi të kufizuara. Udhëzimi më i fundit detajon dhe pagesat e reja që Shërbimi Social duhet të japë për këtë kategori në nevojë. Kështu, pagesa e paaftësisë nga 9300 lekë, duke filluar nga një shtatori i këtij viti, shkon në masën e 9500 lekëve. Po kaq do të jetë edhe pagesa që do të përfitojnë kujdestarët e tyre. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Kozeta Mesiti, deklaron më tej se ndryshimet ligjore bëjnë të mundur për personat me aftësi të kufizuara që sipas vendimit të KMCAP-së (vërtetimi mjekësor që fakton aftësinë e kufizuar), kanë nevojë për shërbimin e një kujdestari, përfitojnë një kujdestar me pagesë edhe në rastet kur familja nuk është në skemën e Ndihmës Ekonomike. “Pra çdo person me aftësi të kufizuara që ka nevojë për përkujdesje përfiton tashmë një kujdestar me pagesë. Nga kjo masë kanë përfituar rreth 10 mijë persona me aftësi të kufizuara. “Për personat e verbër pagesa nga 10600 lekë në muaj me ndryshimet e bëra shkon në 10850 lekë në muaj”, shton Mesiti.
Më tej ndryshimet e bëra në ligjin “Për statusin e invalidit para e tetraplegjik” bëjnë përfitues edhe ata persona që janë bërë të tillë jo vetëm si pasojë e dëmtimeve të shtyllës kurrizore, por edhe nga shkaqe të tjera që vijnë nga dëmtime të tjera. Personat me aftësi të kufizuara që ndjekin arsimin e mesëm, të lartë, si dhe kualifikime pasuniversitare mbështeten respektivisht me 200 dhe 300 për qind të pagesës së aftësisë së kufizuar, gjatë vazhdimit të studimeve.
Tendenca e numrit të përfituesve të pagesës së paaftësisë gjatë tetëmujorit të vitit 2012 shfaqet në rritje. Për këtë hark kohor numri i përfituesve në skemë është rritur me 5183 persona ose me 3,6 për qind më shumë (nga 144 209 individë në 149 392 individë). Rritja ka qenë më e lartë në personat para e tetraplegjikë.
Katër kategoritë që përfitojnë statusin e personave me aftësi të kufizuara
Persona që kanë si shkak të aftësisë së kufizuar diagnoza të ndryshme dhe që përfshihen në kriteret mjekësore dhe ligjore. Një pjesë të konsiderueshme në këtë kategori e zënë të sëmurët mendorë. Këta persona me aftësi të kufizuar kanë dëmtime dhe aftësi të kufizuara të shkallëve të ndryshme. Në këtë grup social të personave me aftësi të kufizuara, që nuk kanë probleme mendore dhe që kanë mundësi dhe dëshirë të ingranohen në jetën normale, që duan të vazhdojnë arsimin e mesëm apo edhe të lartë, legjislacioni përcakton se mbështetja financiare është 200 për qind kur ai ndjek arsimin e mesëm dhe 300 për qind kur është në arsimin e lartë.
Një tjetër kategori që përfiton nga ligji janë përfituesit e statusit të të verbrit, të cilët kanë mbështetje specifike ligjore. Përfituesit janë të kategorizuar në dy grupe. Grupi i parë janë ata që kanë humbur plotësisht shikimin dhe kanë nevojë për kujdesin e një personi tjetër. Grupi i dytë janë personat që kanë humbur pjesërisht shikimin në të dy sytë.
Në grupin e personave që përfitojnë shërbime në “kesh”, nga buxheti i shtetit janë dhe personat me statusin e invalidit paraplegjik-tetraplegjik. Mbështetja e tyre bëhet mbi bazën e detyrimeve që burojnë nga ligji që merret me trajtimin specifik të tyre
Në grupin e personave me aftësi të kufizuar në skemën tonë bëjnë pjesë edhe invalidët e punës që përfitojnë shtesë, përveç pensionit të invaliditetit.
Numri i përfituesve të pagesës së PAK kap shifrën 149.392 individë, prej të cilëve:
Të verbër 11.843
Paraplegjik dhe tetraplegjik 6.022
PAK mendor e fizik 51.010
Nr. i kujdestarëve është 18.303
Nr. i invalidëve të punës 62.214
Shpërndarja e përfituesve në Bashki-Komuna
Numri i përfituesve gjithsej 149.392 persona
Në Bashki (55,8 %) 83.502 “
Në Komuna (44,2%) 65.890 “