Ndryshimet rrezikojnë hyrjen e barnave të falsifikuara

anazapta

Shtohen pakënaqësitë në radhët e distributorëve farmaceutikë, të cilët kanë dalë kundër ndryshimeve më të fundit të diktuara nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me procesin e zhvillimit të tenderëve për barnat. Në një dalje publike të bërë gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e Shoqatës Farmaceutike Shqiptare kanë pohuar se ndryshimi i këtyre procedurave, me urdhrin e fundit të dikasterit të shëndetësisë po nxit hyrjen në treg të barnave të falsifikuara, të cilat mund të mbartin rrezikshmëri të madhe për shëndetin e pacientëve. E gjithë kjo sepse me ndryshimet e bëra për procedurat e hyrjes së barnave nëpërmjet importit, janë hequr disa hallka të rëndësishme, si regjistrimi i barit apo dhe shmangia e distributorëve të autorizuar nga kompanitë farmaceutike. Sipas tyre, heqja e disa kritereve për tenderimin e barnave, rrezikon të fusë në treg medikamente të pakontrolluara dhe të rrezikshme për pacientët, teksa shkojnë edhe më tej duke pohuar se urdhri i ministrit të Shëndetësisë ka qëllime për favorizime klienteliste që mund të sjellin pasoja katastrofike të shërbimit farmaceutik në vend, pasi lejon përdorimin e disa  barnave që nuk janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Po sipas drejtuesve të shoqatës, një tjetër shkelje është fakti se ndryshimet e reflektuara në procedurat e tenderimit të barnave nuk janë konsultuar në asnjë rast me grupet e interesit, çka po shton edhe më shumë pakënaqësitë dhe kaosin në tregun e farmaceutik në vend. Ata kanë hedhur kritika të shumta edhe ndaj draftit të ri që po përgatitet për barnat, hartimi i të cilit gjithashtu nuk është diskutuar me grupet e interesit, ndërkohë që shtojnë se projektligj nuk i plotëson standardet e Bashkimit Evropian. “Nëse kjo situatë nuk menaxhohet në mënyrën e duhur nga Ministria e Shëndetësisë, vihet në pikëpyetje siguria, cilësia e barnave që do të importohen për tenderin e vitit 2014 në Shqipëri, dhe në fund nga kjo gjë do të dëmtohet pacienti shqiptar. Aktualisht grupet e interesit janë jashtë çdo lloj vendimmarrje dhe ndryshimesh që merren në sistemin farmaceutik apo shëndetësor. Kjo dëmton sistemin se vendimet që merren, janë të pamenduara mirë dhe me kosto shumë të lartë për sistemin dhe për pacientët”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme përfaqësuesi i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë Roland Xhafa. Pretendime, këto që janë kundërshtuar menjëherë nga autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Në reagimin e menjëhershëm të këtij institucioni citohet se masat e marra janë në ndihmë të pacientit dhe përmirësimit të sistemit farmaceutik në vend. “Shëndeti nuk është biznes dhe se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë përkujdesje shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë, jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë, dhe se reforma e nisur ka në qendër pacientin pavarësisht prishjes së disa interesave klienteliste. Sot në spitale ka filluar furnizimi dhe falë uljes së çmimit, furnizimi është më i gjerë. Vitin e kaluar buxheti për barnat dhe materialet mjekësore i miratuar ka qenë 1.7 miliardë lekë, ndërkohë që sivjet është bërë 2.2 miliardë lekë, duke u rritur 29.4%.”, sqarohet nga ky institucion. Po në njoftim e Ministrisë së Shëndetësisë citohet se importi dhe regjistrimi i barnave ka qenë deri para pak kohësh një proces tërësisht i kompromentuar dhe i mbyllur, me një mungesë të theksuar transparence, duke lënë, kështu, shteg për praktika abuzive dhe klienteliste në treg. Ndërkohë sa i takon projektligjit të barnave Ministria e Shëndetësisë sqaron se grupet e interesit dhe aktorët e fushës së farmaceutikës janë ftuar qysh në muajin nëntor të kontribuojnë me vërejtjet, komentet apo sugjerimet e tyre, dhe përgjatë dy muajve të parë nuk patëm asnjë prurje. “I ftuam përsëri në një diskutim të dytë, dhe tashmë që projektligjet janë në diskutim me ministritë e linjës,kërkojmë nga aktorët dhe grupet e interesit të vijnë me propozime konkrete për nenin apo pikën që ata mendojnë se duhet përmirësuar”, thuhet nga burimet zyrtare të MSH-së.

Akuzat për ndryshimet në tenderat e barnave

Subjektet farmaceutike sqarojnë se Ministria e Shëndetësisë vetëm pak ditë para zhvillimit të trenderit për ilaçe ka nxjerrë një urdhër për të shtyrë datën e tenderave, por duke hequr edhe autorizimin e prodhuesve dhe vërtetimin e regjistrimit të barit, e thënë më thjeshtë pasiguri për qytetarët e pacientët se çfarë medikamentesh blejnë. “Barnat që të importohen në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara. Gjatë procesit të regjistrimit dorëzohen një sërë dokumentacionesh, është një poçes që zgjat me muaj dhe në këtë mënyrë kontrollohet ky bar. Dorëzohen një sërë certifikatash që janë të standardizuara ndërkombëtarisht. Nëse t’i e heq këtë proces dhe lejon të futet një bar i paregjistruar, atëherë t’i ke hequr çdo element sigurie. Ligji dhe VKM parashikon që kjo mund të ndodhë në dy raste të vetme, në rastin e katastrofave natyrore dhe në rastin e alternativave të vetme”, konfirmojnë subjektet farmaceutike.

 

Ndryshimet lidhur me barnat e përdorimit spitalor

Ministria e Shëndetësisë sqaron se importi dhe regjistrimi i barnave ka qenë deri para pak kohësh një proces tërësisht i kompromentuar dhe i mbyllur, me një mungesë të theksuar transparence, duke lënë, kështu, shteg për praktika abuzive dhe klienteliste në treg. Interesi i MSH për barnat për përdorim spitalor, ka qenë që, pa cenuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët, si dhe me të njëjtën sasi parash të mund të blejë më shumë barna, për t’ja lënë njëherë e përgjithmonë të kaluarës, dukurinë e mungesës kronike të barnave në shërbimet tona spitalore”. Sipas këtij institucioni lista spitalore e vitit 2014 përmban 525 barna, përkundrejt 327 që përfshiheshin në listën e vitit 2013, pra rreth 19 për qind më shumë. Gjithashtu, “kemi një rritje të ndjeshme të fondit limit në total për 2014 me 200,912,338 lekë (ose 13,2 % më të lartë), dhe rrjedhimisht një ulje të ndjeshme të çmimeve që konkurrojnë. Ndërkohë, 28 prej këtyre barnave janë alternativë e vetme, të cilat s’kanë asnjë konkurrent. Vetëm për një nga këto barna, discount-i është 56 për qind, një vlerë që e përfiton vetëm distributori. Për barnat për përdorim spitalor, nuk ka as shpenzime marketingu, konferenca, seminare, të cilat do të ndikonin në rritjen e kostos së tyre. Gjithashtu, për tre procedurat e para të tenderimit të realizuara deri tani, nëse krahasojmë çmimet e ofertuara në këto procedura me çmimet e kontraktuara në vitin 2013, për 32 barna rezulton një  ulje në vlerën prej 84,890,000 lekë”, sqaron Ministria e Shëndetësisë.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *