Ndryshimi i kompensimit të pronave kalon në Kuvend

redaktor

Fondit për kompensimin financiar të pronarëve pritet t’i shkojnë më pak para. Ndërhyrja e fundit e qeverisë në ligjin për fondin special për kompensimin e pronave, e miratuar tashmë edhe nga komisionet kuvendore, parashikon që përqindja e të ardhurave që vijnë nga shitja e pasurive shtetërore të jetë jo më e fiksuar në 65 për qind të të ardhurave por e variueshme nga 20 deri në 65 për qind. Fondi special për kompensimin e pronarëve, përveç të ardhurave nga buxheti i shtetit apo transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, ka si zë tjetër të ardhurash edhe paratë që merren nga shitja në ankand e pasurive shtetërore. Me ligjin aktual, nëse shitet një pasuri shtetërore, rreth 65 për qind e vlerës shkon si fond për kompensim, për rastet e privatizimeve jostrategjike. Ndërkohë që me vendimin e fundit të miratuar në qeveri bëhet edhe ndryshimi ku përqindja që mund të shkojë në fondin e kompensimit fillon nga 20 për qind në 65 për qind të vlerës së shitjes së objektit, në varësi të shlyerjes që bëhet me lekë. Ky ndryshim vjen në një kohë kur qeveria ka shtyrë afatin e përdorimit të bonove të privatizimit deri në fund të vitit 2014, që do të thotë se privatizimet apo shitjet e pasurive publike mund të bëhet në një masë të caktuar edhe me bono privatizimi. Nga ana tjetër, me ndërtimin e regjistrit elektronik të tokave, qeveria ka deklaruar si prioritet kompensimin fizik të pronarëve kundrejt kompensimit financiar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *