Ndryshimet ligjore të përllogaritjes së taksave në fund të vitit që lamë pas, kanë sjellë ndryshime dhe për biznesin e vogël. Kjo i ka vënë sipërmarrësit e vegjël në vështirësi, pasi tatimet kanë nisur të rillogarisin tatimin mbi fitimin për vitin fiskal 2014 për shkak të ndryshimeve që janë bërë në shkallën tatimore të këtyre bizneseve. Në sportelet e bashkisë së Tiranës janë dyndur këto ditë qindra, biznese ndërkohë që po hasin në vështirësi të sqarohen për ndryshimet e reja. Sipas ndryshimeve në paketën fiskale, subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, aplikohet shkalla tatimore 7,5 %, por dyshemeja e fitimit të deklaruar nuk duhet të jetë më pak se 25 mijë lekë të reja në vit. Duke qenë se bizneset e paguajnë paraprakisht tatimin mbi fitimin, ri përllogaritja me ligjin e ri ka krijuar kosto të shtesë, për të cilat bizneset e vogla janë tërësisht të painformuara.
Po çfarë thotë udhëzimi i ri?
Në udhëzimin nr. 32, datë 31.12.2013 “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”, të ndryshuar, janë bërë disa ndryshime
Shkalla tatimore
Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, aplikohet shkalla tatimore 7,5 % mbi fitimin e tatueshëm. Fitimi i tatueshëm nënkupton fitimin neto, pra diferencën e të ardhurave bruto me shpenzimet e zbritshme të biznesit, siç përcaktohet në ligj dhe në këtë udhëzim. Në çdo rast, për çdo tatimpagues dhe lloj veprimtarie, tatimi i llogaritur për këtë kategori, nuk mund të jetë më i vogël se 25.000 lekë në vit, ose jo më e vogël se pjesa proporcionale e vlerës prej 25.000 lekë për periudhën e kryerjes së veprimtarisë, kur tatimpaguesit regjistrohen, çregjistrohen apo kalojnë në regjistrin pasiv gjatë vitit.
Shembull:
Nëse në fund të vitit fiskal 201X, tatimpaguesi realizon një qarkullim vjetor prej 2.800.000 lekë dhe fitimi i tij i tatueshëm është 200.000 lekë, atëherë detyrimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin është vlera më e lartë midis shumës fikse prej 25.000 lekë dhe shumës së llogaritur të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin prej 15.000 lekë (7.5% x 200.000 lekë).
Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, kuota fikse e tatimit është 25 000 lekë në vit.
Parapagimi i detyrimit tatimor
Parapagimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 8 milion lekë. Gjatë vitit ushtrimor, tatimpaguesit që janë subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me qarkullim vjetor në intervalin nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit, e paguajnë detyrimin tatimor në formë parapagimesh, të ndara në katër këste tremujore gjatë vitit. Katër këstet e detyrimit tatimor të vitit vijues, llogariten duke marrë në konsideratë fitimin e deklaruar dhe tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e llogaritur nga tatimpaguesi për vitin paraardhës. Këstet e parapagimeve të përcaktuara mbi këtë bazë u njoftohen tatimpaguesve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, brenda datës 1 prill të çdo viti.
Shembull:
Tatimpaguesi X, i regjistruar si biznes i vogël me veprimtari në fushën e tregtisë me pakicë të artikujve ushqimore, ka dorëzuar deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2014. Shuma e fitimit neto të deklaruar është 800.000 lekë. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin i llogaritur dhe i deklaruar për vitin 2014 është : 800.000 lekë x 7,5 % = 60.000 lekë.
Periudha për të cilën llogaritet detyrimi tatimor
Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin deklarohet dhe paguhet për periudhën gjatë së cilës tatimpaguesi ka ushtruar veprimtari ekonomike. Në rastet kur veprimtaria e biznesit hapet, mbyllet apo pezullohet gjatë vitit fiskal, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, llogaritet në mënyrë proporcionale me kohën e ushtrimit të veprimtarisë, mbështetur në vetë deklarimin e tatimpaguesit. Në rastin kur tatimpaguesi, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit te vogël, regjistrohet për herë të parë gjatë vitit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin llogaritet në bazë të qarkullimit dhe të fitimit të tatueshëm, të parashikuar nga vetë tatimpaguesi, për periudhën nga data e regjistrimit deri në fund të vitit të parë kalendarik.
Shembull:
Nëse tatimpaguesi X regjistrohet në QKR dhe në administratën tatimore në datën 1 korrik 2014, dhe deklaron se për periudhën e mbetur të vitit do të realizojë një fitim prej 1.200.000 lekë, ai do të llogarisë 1.200.000 x 7,5 % = 90.000 lekë tatim të thjeshtuar mbi fitimin, të ndarë në dy këste për tremujorin e tretë dhe për tremujorin e katërt
