Ndryshon procedura për librezën e shëndetit

Leda Hysa

Nëse jeni të punësuar, me siguri ju është dashur të tërhiqni një librezë shëndetësore.

Deri më tani, libreza merrej në Drejtoritë e Shëndetit Publik ose Drejtoritë e Higjienës. Që sot, procedura ka ndryshuar.

Sipas një vendimi të marrë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tani e tutje, libreza do të merret pranë mjekut të familjes i cili ka në dorëzim edhe kartelën që shfaq ecurinë shëndetësore të pacientit të tij. Gjithashtu edhe çmimi për këtë dokument është ulur në 100 lek nga 500 lek.

“Të ulet me 5 herë tarifa administrative për librezat shëndetësore. Tarifa simbolike do të jetë 100 lek. Mbi 100,000 libreza shëndetësore në të gjithë vendin, tashmë do të merren tek mjeku i familjes, aty ku gjendet dhe kartela shëndetësore, duke eliminuar kështu sorollatjet dhe radhët nëpër zyrat e drejtorive të higjienës,” tha Manastirliu.

Më herët, për të marrë librezën e shëndetit nevojiteshin tre ekzaminime, koprokulturë, vizitë me dermatologun dhe grafi pulmonare. Tashmë, këto ekzaminime janë në dorë të mjekut të familjes, pasi ai përcakton nëse janë të nevojshme për pacientin e tij.

Ndërsa fëmijët që regjistrohen në kopshte do të mund ta bëjnë këtë vetëm me librezën e vaksinave dhe pa nevojën e dokumenteve shtesë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *