Ndryshon udhëzimi për regjistrimin e diplomave të studentëve

redaktor

E ndërsa studentët vijojnë të ndjekin procesin mësimor online për shkak të situatës së krijuar nga shpërthimi pandemik i Covid-19, dikasteri i arsimit ka rishikuar procedurat që universitetet duhet të ndjekin për regjistrimin e çdo diplome dhe certifikate që do të lëshojnë për studentët në mbyllje të vitit akademik.

Udhëzimi i ndryshuar së fundmi nga MASR (miratuar në 30 mars), përcakton elementët përbërës, formën e diplomës ose certifikatës që do të lëshojnë institucionet e arsimit të lartë në vend, qofshin këto publike apo private. Këto institucione janë informuar edhe me procedurën që duhet të ndjekin për regjistrimin e diplomës në Regjistrin Shtetëror të Diplomave dhe Certifikatave për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Që diplomat dhe certifikatat e lëshuara të jenë të vlefshme, para se të lëshohen nga universiteti, duhet që të regjistrohen në Regjistrin Shtetëror pranë QSHA-së. Për të bërë këtë procedurë universitetet duhet të bëjnë aplikimin përkatës me dokumentet e përcaktuara. QSHA kryen shqyrtimin dhe verifikimin e dokumenteve të paraqitura në dosjen e aplikimit brenda një afati 45 ditor nga data e depozitimit të aplikimit. Pasi i gjen të rregullta konfirmon edhe regjistrimin e diplomës, e cila konsiderohet e vlefshme për t’u shpërndarë më pas tek studentët.

Sipas afateve të përcaktuara, vërtetimi i regjistrimit të diplomës lëshohet dy muaj nga data e paraqitjes së aplikimit. Ndërsa në rastet kur dosja e aplikimit që dorëzojnë universitetet nuk konsiderohet e plotë, ajo pezullohet dhe informohet më tej institucioni përkatës për rishikimin e saj dhe nisjen e procedurave nga e para, në rastet kur kjo është e mundur. Tarifa që universitetet duhet të shlyejnë për regjistrimin e diplomës do të jetë 3,000 lekë.

Diploma ose certifikata lëshohet si rregull në gjuhën shqipe. Përjashtimisht në rastin e diplomave të përbashkëta, të dyfishta, ose të shumëfishta me një ose disa institucione të huaja të arsimit të lartë, si dhe në rastin e programeve të hapura në gjuhë të huaj, ose të diplomave dhe certifikatave të huaja që do të lëshohen në një nga pesë gjuhët e huaja të BE-së.

Nëse nuk bëjnë këtë procedurë regjistrimi pranë QSHA-së, diplomat e lëshuara nga universitetet do të konsiderohen të pavlefshme, duke vënë kështu në rrezik njohjen e ciklit të studimeve që kandidati i pajisur me këtë dokument ka kryer.

Po sipas kushteve të diktuara në udhëzim, diplomat që lëshohen në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, të ciklit të dytë, si dhe ato “Master ekzekutiv” të ciklit të tretë duhet të shoqërohen detyrimisht me suplementin e diplomës që është pjesë e pandashme e saj. Në fund të diplomës vendoset shënimi që kjo diplomë shoqërohet edhe nga suplementi i saj.

Diplomat duhet të lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë brenda një afati 3-mujor, por në çdo rast jo më vonë se sa 6 muaj nga koha që studenti ka përfunduar studimet në ciklin përkatës.

Universitetet nuk mund të lëshojnë dublikatë diplome, por mund të lëshojnë një dokument të barazvlefshëm me diplomën në formën e vërtetimit , i cili duhet të përmbajë emrin e institucionit që e ka lëshuar, numrin e diplomës origjinale, datën e lëshimit të saj, ciklin dhe programin e studimit.

Çdo formë diplome ose certifikate e regjistruar në regjistrin shtetëror do të pajiset me një numër unik identifikimi, i cili më pas duhet të shënohet në çdo diplomë që fakulteti i jep studentit.

21 elementët që duhet të përmbajë çdo diplomë ose certifikatë janë:

  • Stema dhe emërtimi Republika e Shqipërisë, që duhen shënuar me germa kapitale.
  • Stema e institucionit të arsimit të lartë që e lëshon këtë diplomë, po në germa kapitale.
  • Lloji dhe emri i universitetit .
  • Emri i njësisë kryesore që ofron programin e studimit dhe stemën përkatëse nëse ka. Në rastin e një Kolegji Profesional të Lartë, ose kur organizohet si njësi kryesore vendoset emri i njësisë bazë që ofron programin e studimit.
  • Emërtimi i diplomës ose certifikatës sipas përcaktimit në aktin e hapjes\riorganizimit të programit të studimit, të cilat duhet të jenë të gjitha me germa të mëdha.
  • Numrin e krediteve në përputhje me përcaktimet e aktit të hapjes dhe riorganizimit të programit të studimeve. Për certifikatat e lëshuara në përfundim të programit të studimit të formimit të vazhduar të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë për të nxënit gjatë gjithë jetës, kreditet shënohen vetëm në rastin kur në dokumentin e hapjes dhe akreditimit janë përcaktuar kredite dhe kur këto kualifikime janë përfshirë në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve. Për programet e studimit të formimit të vazhduar mund të shënohet edhe numri i krediteve të formimit në vazhdim sipas provimit përkatës nga institucioni i arsimit të lartë.
  • Niveli i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, i shprehur në shifra arabe dhe sigla e saj.
  • Emri atësia (në rastet kur nuk ka atësi në certifikatën e lindjes, ajo lihet bosh) dhe mbiemri i studentit para martesës, si dhe në kllapa mbiemri që mban në momentin e diplomimit nëse është i ndryshëm.
  • Vendi dhe data e lindjes.
  • Data e lëshimit të diplomës ose certifikatës
  • Emri, mbiemri, firma e rektorit dhe e të drejtuesit të njësisë kryesore që plotësohen me shkrim dore.
  • Numri i matrikullimit të studentit. Kjo pikë nuk aplikohet në programet e studimit të formimit të vazhduar për të nxënit gjatë gjithë jetës të ofruara nga universitetet përkatëse
  • Data e regjistrimit të studentit në institucionin që lëshon diplomën për programin përkatës të studimit.
  • Data e përfundimit të studimeve (të shlyerjes së detyrimeve akademike, mbrojtje diplome dhe provim përfundimtar).
  • Tema e tezës së diplomës vetëm për studimet e “Doktoratës”.
  • Forma e studimeve.
  • Numri unik i identifikimit të diplomës së lëshuar nga QSHA\MASR në momentin e regjistrimit të diplomës.
  • Numri i matrikullimit të ciklit pasardhës të studimeve në diplomat e ciklit të dytë dhe të tretë, si dhe ID e Maturës Shtetërore (numri i veçantë për studentët që kanë përfunduar arsimin e mesme të larta para vitit 2006) në diplomat ”bachelor”, diplomat ose certifikatat profesionale dhe diplomat “Master i shkencave” të programeve të integruara të studimeve.
  • Numri i diplomës së studimeve universitare të përfunduara më parë për diplomat e ciklit të dytë dhe të tretë.
  • Numri dhe data e vendimit të komisionit për dhënien e gradës shkencore “Doktor”.
  • Numri në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë për diplomën përkatëse të gradës shkencore “Doktor”.

 

p.k\Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *