“Plani u përgatit nga Kadri Hazbiu e funksionarë të KGB-së. Shpërthimi do bëhej në momentin kur në godinë zhvillohej Asambleja e Vendeve të Robëruara Evropiane”
(Vijon nga numri i kaluar)
Deponimet e Kadri Hazbiut dhe ish-zëvendësave të tij Peçini e Ziçishti në seancën e tetë të gjyqit ndaj ‘grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’, hedhin dritë mbi një ngjarje të rëndë e të pa njohur, përgatitjen e Sigurimit Shqiptar e KGB-së ruse për të hedhur në erë në vitin 1956 godinën e ACEN-it (Asambleja e Vendeve të Robëruara Evropiane) në Strasburg të Francës. Akti, sipas deponimeve të të akuzuarve do të bëhej në momentin që përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse (Shqipëria, Bullgaria, Çekosllovakia, Estonia, Hungaria, Letoni, Lituania Polonia dhe Rumania) ishin në një mbledhje të paralajmëruar…..
(Vazhdon seanca e tetë)
Kryetari (Aranit Çela):- Mirë, në arkivin e Ministrisë së Brendshme, nuk gjendet.
Llambi:- Po çfarë lidhje kam unë për këtë?
Prokurori:- Jo, jo, nuk ke përgjegjësi ti. Po të pyes tani që ti ja jep rrugën me anë të Zoi Themelit, pra, që dosja vajti tek ministri. Tani, nga ministria nuk doli më.
Llambi:- Po nuk di gjë unë.
Prokurori:- Nuk po të them ty, nuk të kërkojmë llogari, po të pyes tani, që dosja nuk doli më nga ministri!?
Kadriu:- S’është e mundur të mos jetë dosja e Sadik Premtes!
Kryetari:- Kadri, mos bisedo me mendjen tënde, po me atë që kërkohet. Nuk është gjendur.
Llambi:- Ka një gjë këtu kryetari i gjykatës. Ka mundësi kjo të jetë vënë në dosjen e Sadik Premtes, ka mundësi, të kontrollohet një herë.
Kryetari:- Dosjen e Sadik Premtes e kanë kontrolluar, çfarë do ti kontrollojnë më?
Llambi:- Jo, jo, se rregullisht, kontrollohen dosjet e agjentëve, domethënë ka detyra të tilla agjenti për këtë punë, apo s’ka detyrë të tillë. Në qoftë se nuk gjendet dosja e agjentit, duhet ta ketë zhdukur Mehmet Shehu.
Kryetari:- Deri tani, kjo dosje mungon. Tani, ti thua që mund të jetë në dosjen e atij….
Llambi:- Unë nuk them mund të jetë, unë them po qe për të verifikuar.
Kryetari:- Sadik Premte qëllohet. Këshilltari të thotë, domethënë që këtë e ka bërë Mehmet Shehu. Kadriu thotë e bëra unë.
Prokurori:- Zoi Themeli thotë se dosjen e ka ministri.
Llambi:- Hetuesia duhet ti sqaronte këto. Ja ç’ka marrë hetuesia nga Zoi Themeli një deklaratë për mua. Që në vitin 1945, Koçi Xoxe, Nesti Kerenxhi, Kadri Hazbiu dhe Llambi Peçini, kanë organizuar Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit. Këtë kanë marrë, nuk kanë marrë këtë që është më e rëndësishme për mua. Këtë që thotë Zoi, që kam organizuar unë Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit. Këtë e kanë marrë, me Koçi Xoxen e Nesti Kerenxhin. Unë isha një oficer i Mbrojtjes së Popullit në Divizionin e Tetë në Peshkopi atëherë….
Kryetari:- Mirë. Tani në hetuesi, gjithashtu ka thënë se në mars të vitit 1972, në klinikë erdhi një person. Është fjala për në Paris. U paraqit si mjek. Me vete kishte një çantë të zezë. Më tha emrin-thua ti. Ti thua, se ai, domethënë ai person, donte të takonte Mehmet Shehun.
Llambi:- E di unë, e kam.
Kryetari:- Mor po dëgjoje!
Llambi:- Urdhëro!
Kryetari:- Mirë. Tani kjo është e vërtetë.
Llambi:- Nuk është kështu.
Kryetari:- Nuk është kështu, apo nuk është e vërtetë?
Llambi:- Nuk është e vërtetë. Kjo që kam thënë, unë, nuk është e vërtetë.
Kryetari:- Kjo s’është e vërtetë, kjo është e shpifur nga ti fund e krye….
Llambi:- Kjo është e shpifur nga hetuesia.
Kryetari:- Po hetuesi, ku do ta gjente?
Llambi:- Si?
Kryetari:- Ku do ta gjente hetuesi këtë?
Llambi:- Hetuesi ku ma gjeti? Hetuesi, bile më tregoi bile mua. Hetuesi më vuri incizimin e Fiqret Shehut. Më vuri dhe incizimin e Skënder Shehut. Më vuri dhe incizimin e Gani Kodrës, edhe incizimet e Llambi Ziçishtit.
Kryetari:- Ato more ti dhe i vure këtu?
Llambi:- Po.
Kryetari:- Mirë. S’është e vërtetë. Tani, këtë fakt këtu, e thotë edhe Llambi Ziçishti, edhe Gani kodra. Tani, ç’kanë Llambi Ziçishti e Gani Kodra?
Llambi:- Atë le ta thonë ata se ç’kanë. Unë them një gjë, shikojeni një çikë këtë, domethënë çështjen e këtij personazhi, domethënë enigmatik.
Kryetari:- Të cilit?
Llambi:- Të personit të agjenturës amerikane?
Kryetari:- Ku e di unë, ju e keni thënë.
Llambi:- Ta shikojmë një çikë me radhë. Gani Kodra thotë e pruri llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, kështu….
Kryetari:- Po, ti e dëgjove çfarë tha ai?
Llambi:- Po, po. Kështu tha këtu, kështu më tha dhe në ballafaqim. Unë e kam pranuar në ballafaqim se nuk doja të ishte gjithnjë në dorën e hetuesisë. Tani jam në dorën e drejtësisë, tani po them të vërtetën….
Kryetari:- Dhe kjo nuk është e vërtetë, thua ti.
Llambi:- Nuk është e vërtetë. Me dijeninë time dhe në praninë time, Mehmet Shehu nuk ka takuar agjent.
Kryetari:- Çështje tjetër. Në procesverbalin e 11 tetorit 1982, faqja 6, dosja 16, këtu, tregon se së bashku me ne në vaporin ‘Kuein Elisabet’ udhëtonte Tito me Çërçillin, e ku di unë, i cili, ku di unë, ky i fundit, pra, kërkoi të takonte Mehmet Shehun. Refuzoi Mehmet Shehu, pastaj të nesërmen në mëngjez, Mehmet Shehu kërkoi të dilnin në verandë, dhe u takua. Kjo është e vërtetë. Kaq të them, është e vërtetë?
Llambi:- T’ua shpjegoj një çikë?
Kryetari:- Lidhur me këto thëniet, njërën e tjetrën që thua ti, këtu janë disa thënie që kryqëzohen. Në këtë kuptim, domethënë që i thonë dhe të tjerët. Si shpjegohet që po këto gjëra, i dëgjojmë dhe nga njëri dhe nga tjetri. Edhe këta të tjerët i pyesim atje dhe nuk pretendon njeri as për keqtrajtim, as për gjë. Në qoftë se ka ndonjë, le të na e tregoj tani. Doni ti pyes?
Llambi:- Unë nuk kërkoj të pyesni të tjerët.
Kryetari:- Në një procesverbal këtu, domethënë procesverbali i 6 nëntorit 1982, gjithmonë në faqen 22, dosja 6, ke thënë: Më ka thënë Mehmet Shehu në mars 1979 në Vlorë se Kadri Hazbiun e kam timin, e kam shumë besnik…
Llambi:- Nuk di asgjë, ju thashë kryetar i gjykatës. Unë po të dija kaq gjë rreth veprimtarisë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu, do ta kisha denoncuar.
Kryetari:- Mirë, nuk është e vërtetë dhe kjo….
Llambi:- Nuk më ka thënë, këto i ka shkruar hetuesi….
Kryetari:- Mirë, i ka shkruar hetuesi, ti këtë pretendim ke.
Llambi:- Këtë kam.
Kryetari:- Në një vend tjetër thua, domethënë, lidhur me furnizimin e këshilltarëve jugosllavë me materiale të sigurimit tonë. Çfarë porosish ka dhënë Kadri Hazbiu? Kadriu është porositur që të jepej gjithçka që kërkonin ata….?
Llambi:- Kam ca shpjegime. Në vitin 1947, erdhën këshilltarët jugosllavë, jo sovjetikët. Porosia për këta nga Kadri Hazbiu ishte që të trajtoheshin mirë dhe t’u jepej gjithçka që kërkonin. Dhe këshilltarët jugosllavë, domethënë, merrnin probleme për agjenturën, mbi agjenturën informoheshin, mbi përpunimet deri në biografitë dhe karakteristikat e kuadrit të Sigurimit të Ushtrisë. Kadriu ka shkuar mirë me ‘ta. Dhe unë, dhe gjithë të tjerët kemi shkuar mirë me këshilltarët jugosllavë. Kryekëshilltar ishte një nënkolonel, Peshiç e quanin. Ishte një kapiten me emrin Sveto. Mos është ky, se ai erdhi më 56 më thanë. E mora vesh kur erdha nga Franca. Më thanë që ky Svetua paska ardhur në ambasadën jugosllave dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në minimin e Konferencës së Tiranës. Pra, ky Sveto ka qenë dhe në Sigurimin e Ushtrisë. Kështu që ne kemi shkuar mirë…. Edhe porosia kjo ka qenë…
Kryetari:- Gjithçka që kërkonin…
Llambi:- Po.
Kryetari:- Domethënë, asnjë sekret nuk mbanit?
Llambi:- Asnjë absolutisht, asnjë sekret absolutisht. Po kjo ndodhi edhe me këshilltarët sovjetikë më vonë. Asnjë kufizim dhe këshilltarëve sovjetikë. Para se të vija në Francë në vitin 1951 kur u caktova në zbulim, se nuk ishte Sigurimi i Ushtrisë atëherë, para se të vija në Bashkimin Sovjetik këshilltar, kur u ktheva unë, hyra në degën e Sigurimit, dhe ishte Sahapovi. Ai merrte gjithçka. Çfarë donte i merrte dhe i jepeshin nga të tërë kuadrot, nga kryetari i degës e shefat e seksioneve dhe nga unë që isha zëvendëskryetar dege. Kisha disa shpjegime për këtë. Jo vetëm që shkonte mirë Kadriu, dhe unë, dhe oficerët e tjerë, por kur do iknin, se ata ikën para se të largoheshin këshilltarët e tjerë jugosllavë, ne nuk e dinim. Unë nuk dija të paktën pse largoheshin ata, nuk e dija. Pastaj doli urdhri i shokut Enver të hiqej fotografia e Titos si antishqiptar. Në ballafaqim Kadriu, tha se nuk ka shkuar mirë. Kadriu i dha dhe një çifte kryekëshilltarit, i dhuroi një çifte me rastin e largimit. Pastaj në Pleniumin e 8-të të Komitetit Qendror të Partisë ku u dënua Koçi Xoxe, ku u dënua Mehmet Shehu, u bënë këto konferencat e aktivet e Partisë. Në një nga këto aktive, apo në organizatën bazë, nuk më kujtohet se ku, Kadriu është ngritur dhe ka kritikuar Mehmet Shehun për karrierizëm dhe shpjegonte se kishte pasur një bisedë personale me Mehmet Shehun…
Kryetari:- Kush?
Llambi:- Kadri Hazbiu, edhe Mehmet Shehut i kishte thënë se çfarë do të bëhej këtu. Më shumë se nënkryeministër nuk mund të bëhesh, i kishte thënë. Se kryeministër, ishte Udhëheqësi i Partisë atëherë. Domethënë e kritikoi për karrierizëm dhe bisedë konfidenciale që kishte bërë bashkërisht Mehmet Shehu me këtë. Ndërsa në Plenumin e 11-të, Mehmet Shehu u rehabilitua dhe u dënua Koçi Xoxe. Kadriun e mori Mehmeti nga Dega e Sigurimit të Ushtrisë, e mori kryetar dege në ministri dhe pastaj u bë zëvendësministër i parë. Tani, unë them të drejtën, u çudita atëherë në fillim, por thash se i ka sqaruar Partia këto…. Kadri Hazbiu këtu tha se u dënua veprimi kundër Sadik Premtes, u dënua si veprim terrorist nga Udhëheqësi i Partisë…. (Vijon nesër)
Llambi: Mirëpo unë dua t’i them trupit gjykues se në vitin 1956, jam thirrur nga Franca isha rezident në Francë, përgjegjës i zbulimit tonë. Edhe më thirri Zoi Themeli me urdhër të Kadri Hazbiut dhe vajtëm tek Kadri Hazbiu. Atje ishte kryekëshilltari sovjetik. Nuk më kujtohet se si e kishte emrin, po ishte një i gjatë…
Në vitin 1956 bëhej ajo Mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Robëruara, siç quanin ata vendet socialiste në atë kohë, ACEN. Edhe bëhej në Strasburg të Francës. Ne kishim një agjent që na ndihmoi për këtë punë. Na informoi dhe për rendin e ditës që do të kishte Konferenca e ACEN-it. Edhe njoftuam ne lart. Pasi njoftova unë lart për këtë, domethënë datën e Mbledhjes së Konferencës së ACEN-it, atëherë më thërrasin që të vij shpejt. Kishte kohë dy muaj, se agjenti ynë e kishte marrë që përpara. Vij këtu dhe më thotë: Është një mendim që ta hedhim në erë Konferencën e ACEN-it në Francë, kemi mundësi ne? I thashë, kemi, kemi një agjent të mirë që jo vetëm njihet në Strasburg por njihet edhe me krerët e emigracioneve të tjerë reaksionarë. Midis krerëve të tjerë reaksionarë që njihej, njihesh dhe me një Cemeto Dimitrov, që ishte një nga krerët e emigracionit reaksionar bullgar. Po mund ta bëjë, tha!?. Ta pyesim një herë- thashë. Studioje dhe një herë dosjen e agjentit se e ke këtu, tha, edhe hajde të na informosh, nesër, të na raportosh. Vajta e studiova edhe një herë dosjen e agjentit. Të nesërmen raportova para Kadri Hazbiut, kryekëshilltarit dhe Zoi Themelit. U thash cili ishte ky agjent, nga ishte, nga s’ishte, si kishte ardhur në Francë, e të gjitha këto. Edhe i thashë se ka mundësi që ta bëjë ky. Mirë tha, të shkosh. Mirë i thashë unë, por duhet një eksploziv i fortë, për këtë, unë nuk kam se ku ta gjej. Do vijnë dy sovjetikë, tha Kadriu ose këshilltari, nuk më kujtohet, në ambasadën tonë në Paris edhe do të sjellin atë, lëndën eksplozive. Është lëndë e fortë dhe e paketuar pak, domethënë me volum të vogël, por me efektivitet të madh, dhe do të ta japin. Por më parë, tha, duhet biseduar me agjentin. Atëherë unë i propozova vetë Kadri Hazbiut, Zoi Themelit e kryekëshilltarit, që unë do ti propozoj atij, agjentit. Por do t’ia propozoj si mendimin tim personal. Mirë, tha, kështu bëje. E pëlqyen këta, që të mos dalë këtu, domethënë që interesohet Partia jonë për këtë, por kam unë një mendim të tillë. Edhe kështu e bëra unë. U nisa për në Francë, mora kontakt me agjentin. Ia thashë si mendimin tim personal këtë, për ta hedhur në erë këtë Konferencën e ACEN-it. Dhe ai ishte dakord. Por tha, me një kusht: Që të kthehem sa më parë me gruan e fëmijët në Shqipëri. Domethënë, e bëra tani këtë, ti kem gati pasaportat. T’i bëjmë, i thash unë, por megjithatë, i thashë unë, do të pyes qendrën një herë e pastaj do të të lajmëroj. Do të të them, duhet ta bëjmë ose jo, se do të marrim dhe materialin eksploziv. Më vonë erdhi telegrami nga, u thashë këtyre, i njoftova që agjenti është gati ta bëjë, por me një kusht. Atëherë këta më kthyen përgjigjen që të lihet kjo….
Kryetari:- Pse u la kjo…?
Llambi:- Nuk e di, nuk u interesova më. Në vitin 1959, i është dërguar një shkresë KGB-së Sovjetike, shkollës, për drejtorin e shkollës…..
Kryetari:- Për atë materialin e ke fjalën?
Llambi:- Po.
(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)
SOM 1
“Planin për hedhjen në erë të godinës ku zhvillohej mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Robëruara në Strasburg të Francës, e dinte Kadri Hazbiu, dy vartësit e tij, agjenti shqiptar në Paris që do kryente aktin dhe funksionari i KGB-së në Tiranë. Agjenti që do bënte aktin terrorist kërkoi vetëm një kusht: Me ta kryer shpërthimin, të vinte familjarisht në Shqipëri. Gjë e cila iu premtua”
DETAJ
Ç’ËSHTË ACEN
ACEN është Asambleja e Vendeve të Robëruara Evropiane, një organizatë e themeluar më 20 Shtator 1954 si një koalicion që përfaqësohej nga 9 shtete të Evropës Qendrore dhe Evropës Lindore, ndërsa të gjitha këto shtete ishin nën dominancën sovjetike pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Antare në ACEN ishin Shqipëria, Bullgaria, Çekosllovakia, Estonia, Hungaria, Letoni, Lituania Polonia dhe Rumania. Zyrat qendrore te organizatës ishin ne New York ndërsa kjo organizatë ka pasur dhe degë në Bon, Londër dhe Paris.
NESËR DO TË LEXONI:
-Roli i agjentëve të KGB-së, agjentit bullgar Dimitrov dhe si do dërgohej lënda plasëse nga Bashkimi Sovjetik në Francë.
-Firmosja nga Mehmet Shehut e faturës 8000 dollarë për agjentët e Sigurimit të Shtetit që do të siguronin informacione e materiale ‘Tepër sekret’ për përgatitjen e bombës atomike nga francezët.
-Si iu dorëzuan KGB-së me urdhër të Kadri Hazbiut Platforma e Sigurimit të Shtetit dhe të gjithë dokumentet ‘Tepër sekret’.