Një vëzhgim i buletinit të prokurimeve publike të Shqipërisë zbulon se të paktën që prej muajit Mars 2012 qeveria shqiptare thuajse ka “zhdukur” të gjitha investimet në infrastrukturë që zhvilloheshin periodikisht çdo vit. Mbi 90 për qind e tenderëve janë prokurime që bëhen nga bashkitë dhe komunat dhe pjesa tjetër që bëhet nga ministritë nuk janë tjetër veçse tenderë për blerjen e medikamenteve spitalore, blerjen e pakove me letër format A4 dhe pajisjeve kancelarike për ministritë dhe drejtoritë, prokurimet për ruajtjen fizike të objekteve dhe për blerjen e naftës pa të cilën nuk lëvizin dot automjetet e burokracisë shtetërore. Pra thënë thjesht dhe shkurt qeveria shqiptare shpenzon në mënyrë strikte dhe bën prokurime vetëm për të siguruar bazën minimale të materialeve dhe shërbimeve që administrata e saj të vazhdojë punën. Ministria e Ekonomisë për shembull njofton prokurime të tjera vetëm në ndonjë rast të shitjes së skrapit, ministria e Bujqësisë në tre muajt e fundit ka shpallur disa njoftime por që nuk janë gjë tjetër vetëm pjesë e një projekti ndërkombëtar për mbështetjen e fermerëve. Ministria e Transporteve ka nisur të shfaqet në dy muajt e fundit në buletinet e prokurimeve pasi ka lëvruar disa fonde për shtrime rrugësh në prag fushate. I vetmi institucion që bën prokurime të mëdha në mënyrë periodike është Albpetroli, që siç dihet është një minierë të ardhurash, pavarësisht se menaxhimi i tij është thuajse jashtë kontrollit. Por buletinët e prokurimeve nuk janë i vetmi tregues i zbrazjes totale të arkës së shtetit dhe shpalljes publike të paaftësisë për të investuar.
Buxheti
Buxheti i shtetit shqiptar, gjatë vitit 2012, shënoi për herë të parë rënie neto te të ardhurat në krahasim me vitin 2011, fakt që flet për ashpërsinë e krizës ekonomike me të cilën po përballen shqiptarët. Qeveria mund të lavdërojë veten me rritjen ekonomike të vlerësuar me rreth 2 për qind për vitin e kaluar, por kjo rritje nuk ekziston dhe nuk ka sjellë asnjë lek shtesë në të ardhurat e buxhetit. Përkundrazi, pavarësisht taksës shtesë për përdoruesit e makinave, të cilat sollën mbi 50 milionë euro shtesë, qeveria doli me humbje te të gjitha taksat e rëndësishme, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin apo Akcizat. Kjo zbrazëti është reflektuar madje edhe në ditët e para të janarit të këtij viti në udhëzimin e ministrit të Financave Ridvan Bode, që mbetet ende në fuqi. Ky udhëzim shtrëngonte qeverinë që përveç pagesës së kësteve të borxheve(të cilat kanë arritur në shifra stratosferike) dhe shpenzimeve jetike për medikamente, paga e pensione të gjitha lëvrimet e tjera të fondeve duhej të kryheshin vetëm pas një supervizimi direkt të kësaj ministrie. Në fakt Bode ka pasur arsye të forta për të ndërmarrë një kufizim të tillë, pasi viti 2012 ishte një thatësirë e vërtetë për arkën e shtetit.
Investimet
Për të përballuar rënien e të ardhurave, qeveria u detyrua që gjatë vitit të kaluar të shkurtojë shpenzimet në krahasim me vitin 2011. Shpenzimet totale qenë 375 miliardë lekë, (2.7 miliardë euro), shumë larg planit fillestar të vitit prej mbi 400 miliardë lekë, për të cilin qeveria mburrej se qe “buxheti më i madh në histori”. Shpenzimet e zakonshme të qeverisë, përfshirë, paga e pensione, vijuan të rriten me shpejtësi, ndërsa ato që u ulën, qenë investimet publike. Deficiti buxhetor i vitit të kaluar ishte 45 miliardë lekë, pothuajse i pandryshuar me vitin 2011. Rreth një e katërta e këtij deficiti është shkaktuar nga faturat për importimin e energjisë elektrike nga KESH. Situata nuk duket shumë premtuese për këtë vit. Megjithëse shpresat janë që kriza sovrane në Eurozonë është kapërcyer dhe emigrantët shqiptarë do të vuajnë më pak, zgjedhjet në përgjithësi shkaktojnë shkrehje të shtetit dhe sjell rënie taksash. Qeveria duket se thjesht nuk e ka të mundur të kryejë shpenzime paraelektorale, siç ka bërë në të shkuarën dhe pavarësisht premtimeve për ulje taksash, duket se i ka të lidhura duart nga mungesa e vullnetit të bankave për të dhënë borxhe shtesë, gjë që u vërejt në ankandet e bonove të thesarit këtë fillim viti.
Borxhi shkon në stratosferë, të ardhurat bien
Të ardhurat e buxhetit për vitin 2012 ngecën në 329.8 miliardë lekë (2.39 miliardë euro), me rënie 0.2 për qind në krahasim me vitin 2011. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ranë me 2.2 për qind, duke dëshmuar për rënien e konsiderueshme të konsumit final të popullatës. Duke marrë parasysh edhe inflacionin, shqiptarët duket se kanë konsumuar 4 për qind më pak mallra dhe shërbime sesa në vitin 2011. Në të njëjtën kohë, qeveria pretendon se vendi ynë ka pasur rritje ekonomike prej 1 deri në 2 për qind në terma reale, gjë që nënkupton që të ardhurat e qeverisë do të duhej të rriteshin më së paku 4-5 për qind dhe e njëjta gjë duhej të kishte ndodhur edhe me konsumin e popullatës. Në fakt kjo gjë nuk ka ndodhur. Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin ranë me 14 për qind, duke reflektuar vështirësitë në rritje për biznesin, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale qëndroi në të njëjtin nivel me vitin 2011, gjë që tregon se për shqiptarët e punësuar në sektorin privat ka pasur rënie të pagave. Por paralelisht me këtë rënie ka pasur dhe një rritje të borxhit të vendit. Në fund të muajit mars 2013, Shqipëria rezulton se kishte një borxh të jashtëm në vlerën e 2.6 miliardë eurove. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, borxhi është rritur me rreth 1.9 për qind që nga fundi i vitit 2012. Pjesën dërmuese të strukturës së borxhit e zë borxhi shumëpalësh, i marrë nga institucionet ndërkombëtare dhe bankat e zhvillimit, që është afërsisht 1.5 miliardë euro apo 56% të totalit. Kreditori kryesor i Shqipërisë është Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit, IDA, pjesë e grupit të Bankës Botërore, që ka për qëllim uljen e varfërisë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, vlera e borxhit të IDA-s është 665 milionë euro. Nëse përfshijmë edhe huanë e marrë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, detyrimi total ndaj grupit të Bankës Botërore shkon në 711 milionë euro ose 27 për qind e borxhit të jashtëm.
Mbajtesit e borxhit te jashtem 2012 (milione Euro) | ||
Institucionet | 2012 | Pesha |
Banka Boterore | 810.64 | 23.57% |
Banka Europiane e Investimeve | 278.72 | 8.10% |
Qeveria Gjermane | 203.96 | 5.93% |
Qeveria Italiane | 268.41 | 7.80% |
Banka Europiane Rindertim dhe Zhvillim | 241.10 | 7.01% |
Banka Europiane Qendrore | 110.74 | 3.22% |
Banka Islamike per Zhvillim | 186.28 | 5.42% |
OPEC | 81.23 | 2.36% |
Kreditore Private | 422.60 | 12.29% |
Bleresit e Eurobond-it | 298.49 | 8.68% |
Te tjeret | 537.08 | 15.62% |
Totali | 3,439.25 | 100.00% |
Burimi: Ministria e Financave | ||
Komente dhe Analiza: ODA |
Mbajtesit e borxhit te jashtem 2008-2012 (milione Euro) | |||||
Institucionet | 2008 | 2009 | 2010 | 2011 | 2012 |
Banka Boterore | 779.51 | 720.50 | 742.42 | 780.19 | 810.64 |
Banka Europiane e Investimeve | 198.87 | 190.28 | 217.55 | 247.20 | 278.72 |
Qeveria Gjermane | 165.67 | 161.16 | 176.20 | 198.00 | 203.96 |
Qeveria Italiane | 183.55 | 181.77 | 220.86 | 250.29 | 268.41 |
Banka Europiane Rindertim dhe Zhvillim | 150.99 | 152.78 | 157.17 | 203.22 | 241.10 |
Banka Europiane Qendrore | 46.49 | 55.61 | 76.92 | 102.06 | 110.74 |
Banka Islamike per Zhvillim | 59.62 | 63.26 | 76.63 | 107.07 | 186.28 |
OPEC | 29.68 | 34.88 | 45.65 | 50.28 | 81.23 |
Kreditore Private | – | 422.60 | 422.60 | 721.09 | 422.60 |
Bleresit e Eurobond-it | – | – | 300.00 | 298.49 | 298.49 |
Te tjeret | 759.08 | 464.66 | 485.89 | 190.38 | 537.08 |
Burimi: Ministria e Financave | |||||
Komente dhe Analiza: ODA | |||||