Koha e vrenjtur e me shi nuk e ka penguar aspak atmosferën festive që ka shoqëruar nisjen e vitit të ri mësimor 2013-2014, në qindra shkolla të arsimit parauniversitar në vend. Rreth 645 mijë nxënës janë rikthyer gjatë ditës së djeshme në bankat e shkollës, ku janë takuar më bashkëmoshatarët e tyre, si dhe janë njohur me planin mësimor që do t’i udhëheqë gjatë vitit shkollor. Natyrisht që emocionet më të veçanta janë vënë re tek nxënësit e klasave të para, të cilët më buzëqeshjen rrezëllitëse dhe buqetat e luleve nëpër duar u janë drejtuar klasave ku kanë njohur shokët e rinj, si dhe kanë takuar mësuesen që do t’u qëndrojë pranë përgjatë katër viteve të para të arsimit fillor. Sipas të dhënave të bëra publike nga drejtuesit e dikastereve arsimore, (referuar regjistrimeve të kryera) thuhet se për herë të parë në bankat e shkollës gjatë këtij viti janë sistemuar rreth 40 mijë nxënës të rinj. Ndonëse të vegjël në trup, nxënësit e klasave të para nuk i kanë shpëtuar dot vështirësisë në mbajtjen e çantës së shpinës, rëndesa e të cilës shkaktohet nga librat dhe mjetet e punës që nxënësi duhet të mbajë për zhvillimin e procesit mësimor. Ndryshe nga përjetimet e nxënësve të klasave të para, më të rriturit i janë drejtuar klasave të tyre normalisht, ku janë njohur me planin mësimor që do të shoqërojë ditën e dytë të shkollës. Emocionet kanë mbërthyer edhe nxënësit e viteve të treta në gjimnaz, të cilët janë përfshirë që në ditën e parë nga ethet e provimeve të Maturës Shtetërore dhe zgjedhjeve që duhet të bëjnë për vijimin më pas të studimeve të larta. Si rrjedhojë e fluksit të lartë të regjistrimeve mësimi në pjesën dërrmuese të shkollave të mesme dhe atyre 9-vjeçare, do vijojë të zhvillohet me turne, sipas kalendarit të detajuar nga drejtoritë e shkollave. Sa i takon shifrave zyrtare për numrin e nxënësve që do të zhvillojnë mësimin gjatë vitit të ri shkollor rezulton se rreth 385 mijë nxënës do të ndjekin mësimin në arsimin bazë dhe 146 mijë në atë të mesëm, ndërsa rreth 40 mijë është numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë. Gjatë këtij viti është vënë re edhe një numër i lartë regjistrimesh të kryera në radhët e fëmijëve emigrantë të kthyer në vend.
Mbështetje dhe transport falas për nxënësit në nevojë
Sikundër është bërë traditë tashmë, nxënësit kanë marrë urime të shumta edhe nga drejtuesit e dikastereve shtetërore. Urimi më i veçantë ka shkuar tek nxënësit që janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës. Ditën e parë të punës si Ministrie e Arsimit, Lindita Nikolla ka preferuar ta ndajë me nxënësit e Liceut artistik “Jordan Misja“ në Tiranë, ku ka deklaruar se arritja e objektivave cilësore, si dhe mbështetja e nxënësve që klasifikohen si kategori në nevojë, do të jenë prioriteti kryesor i dikasterit që ajo drejton. Ministria Nikolli është ndalur dhe në detaje konkrete lidhur me mbështetjen që do të sigurohet për këtë kategori nxënësish. Sigurimi i transportit falas për nxënësit që banojnë larg shkollës është dhe një ndër premtimet e para të dhëna nga ministria Nikolla. “Do të realizojmë premtimin tonë për të gjithë ato nxënës që kanë largësi të shkollës së tyre dhe që duhet të lëvizin me orë e orë larg, për të cilët ne do sigurojmë transportin falas. Do të zbatojmë politika specifike për familjet me nivel të ulët ekonomik, program specifik për fëmijët e komunitetit rom, program specifik për fëmijët me nevoja të veçanta”, ka deklaruar gjatë vizitës së zhvilluar pranë Liceut artistik Lindita Nikolla. Pasi mbërriti në Ministrinë e Arsimit ministria Nikolla kërkoi të informohej menjëherë mbi mbarëvajtjen dhe problematikat e fillimit të vitit të ri shkollorë në mbarë vendin. Gjatë mesditës, Nikolla priti në një takim këshilltarët e Ministrit të Arsimit të Republikës së Kosovës Ramë Buja, për të filluar menjëherë bashkërendimin e planit të masave të dakorduara në vizitën e Kryeministrit në Kosovë javën e shkuar. Urimi për nisjen e një viti të mbarë shkollor për nxënësit e kësaj shkolle, ka ardhur edhe nga Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ka ritheksuar bashkëpunimin institucional në të mirë të zhvillimit të cilësisë në arsim. Ajo u shpreh se shpërndarja e dijeve kulturore që nga bankat e shkollës, përfshirja e tyre në kurrikulat mësimore është një nga sfidat e ministrisë që ajo do të drejtojë .”Kultivimi me artin, kultivimi me shijen artistike, edhe si edukim, edhe si zbavitje, edhe si oksigjen do të jetë pjesë e të gjitha programeve kulturore e vetë ministrisë së kulturës që do vijë me këtë filozofi të re, të fortë. Edukim artistik, edukimi përmes kulturës do të jetë një ndër motorët tanë të fuqishëm dhe të gjithë do të jemi të bashkuar më ministrinë e arsimit, jo vetëm për ta futur në programet shkollore, por për ta përhapur në të gjitha grupmoshat e popullsisë”, ka deklaruar Kumbaro. Ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha është ndalur në shkollën e mesme “Sami Frashëri” për të ndarë urimet për vitin e ri shkollor 2013-2014, ku dhe ka garantuar mbështetjen e bashkisë në përmirësimin e infrastrukturës dhe bazës didaktike për të gjitha shkollat e kryeqytetit.
Lindita Nikolla
“Do të realizojmë premtimin tonë për të gjithë ato nxënës që kanë largësi të shkollës së tyre dhe që duhet të lëvizin me orë e orë larg dhe ne do sigurojmë transportin falas. Do të zbatojmë politika specifike për familjet me nivel të ulët ekonomik, program specifik për fëmijët e komunitetit rom, program specifik për fëmijët me nevoja të veçanta”
Mirela Kumbaro
“Edukim artistik, edukimi përmes kulturës do të jetë një ndër motorët tanë të fuqishëm dhe të gjithë do të jemi të bashkuar më ministrinë e arsimit, jo vetëm për ta futur në programet shkollore, por për ta përhapur në të gjitha grupmoshat e popullsisë”
Shkolla “Hasan Tahsim” mbetet sërish pa një klasë të parë
Ndryshe nga sa ka ndodhur me bashkëmoshatarët e tyre, dita e parë e shkollës nuk ka rezultuar e gëzueshme për nxënësit e klasës së parë, të regjistruar në shkollën “Hasan Tahsim” në kryeqytet. Mosplotësimi i numrit të duhur të nxënësve për formimin e një klase, ka lënë edhe këtë vit të ri mësimor shkollën pa një klasë të parë. Pavarësisht këtij fakti drejtoria e shkollës është kujtuar vetëm dje, që të njoftojë nxënësit dhe prindërit e tyre se nuk do të zhvillojnë procesin mësimor pranë kësaj shkolle, por në shkolla të tjera. Nxënësit kanë mbërritur në ambientet e shkollës, por janë kthyer mbrapsht pas njoftimit të marrë nga drejtoria se edhe këtë vit nuk është plotësuar numri i nevojshëm i nxënësve për të hapur klasën e parë. Të revoltuar prindërit konfirmojnë se ky është i treti vit radhazi që në këtë shkollë nuk hapet klasa e para me argumentin se nuk plotësohet numri i nevojshëm i nxënësve për të çelur një klasë. Kundrejt kësaj situate prindërit akuzojnë drejtorinë arsimore për veprime të paracaktuara me qëllim mbylljen përfundimtare të kësaj shkolle. “Unë e kam regjistruar djalin në shkollë dhe mësuesja më tha që klasa ka 22 nxënës dhe do të zhvillohet mësimi normalisht. Ndërkohë dje kur mbërritëm në shkollë na u tha se djali duhet të shkojë në një shkollë tjetër”, deklaron një nga prindërit që kishte regjistruar fëmijën për të vijuar klasën e parë pranë kësaj shkolle. Kjo problematikë në shkollën ‘Hasan Tahsim’ është shfaqur edhe gjatë dy viteve të shkuara, ku nuk është lejuar vijimi i mësimit për klasat e para çka sipas prindërve bëhet qëllimisht. “Më duket se këtë shkollë duan ta shembin dhe ta bëjnë pallat se ndryshe kjo gjë nuk shpjegohet. Këtu ka ambiente të mjaftueshme dhe nuk e kuptoj pse duhet të dynden fëmijët në shkolla të tjera”, shton një tjetër prind. Kundrejt pretendimeve dhe akuzave të ngritura nga prindërit, drejtori i shkollës ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim se nuk është plotësuar numri i nxënësve për të hapur klasë të parë. Për këtë problem prindërit janë ankuar edhe pranë Ministrisë së Arsimit, të cilëve u është premtuar gjetja e një zgjidhje të shpejtë. Në vazhdën e kësaj situate, Ministria e Arsimit Lindita Nikolla dje ka pritur edhe një grup prindërish të nxënësve të shkollës “Hasan Tahsini”, për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre në lidhje me gjendjen me problematiken në këtë shkollë. Me probleme nisja e vitit të ri shkollor është shoqëruar edhe për fëmijët e familjeve rome tek “Pallati me Shigjeta”. Fëmijët e këtij komuniteti nuk e kanë nisur gjatë ditës së djeshme procesin mësimor, pasi prindërit e tyre nuk kanë mundur tu sigurojnë dot tekstet shkollore si rrjedhojë e kushteve të vështira të jetesës në të cilat jetojnë.
Mësimi me turne, i pashmangshëm
Mbingarkesa e lartë e shfaqur si rrjedhojë e regjistrimeve të reja për vitin e ri mësimor detyron pjesën dërrmuese të shkollave që mësimin t’a zhvillojnë me turne. Megjithatë kjo problematikë shfaqet më e theksuar në shkollat e kryeqytetit, ku numri i nxënësve të regjistruar për vijimin e mësimit në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. Drejtuesit e shkollave të mesme bëjnë me dije se për shumë shkolla numri i viteve të para ka kapërcyer shifrën e 16 klasave, të cilat gjithashtu janë të mbingarkuara nga një numër i madh nxënësish. Mësimit me turne nuk do t’i shpëtojnë as shkollat e arsimit 9 vjeçar.
Kur blerja e librave lihet për ditën e parë të shkollës
Ndonëse shitja e teksteve mësimore ka nisur prej më se dy javësh, shumë nxënës e kanë lënë blerjen e librave për ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor 2013-2014. Sikundër janë udhëzuar nga Drejtoria Arsimore dhe Ministria e Arsimit, shtëpitë botuese do të vijojnë shitjen e librave në shkolla, deri në plotësimin e të gjitha nevojave të nxënësve. Çka do të thotë se shtëpitë botuese të përzgjedhura janë të detyruara që të qëndrojnë në ambientet e shkollave për shitjen e teksteve mësimore, në të kundërt do të përballen me penalitete. Drejtuesit e këtyre pikave konfirmojnë se një pjesë e konsiderueshme e nxënësve gjatë këtyre dy ditëve janë pajisur edhe me librat që u mungonin në paketën e tyre mësimore. Një pjesë e nxënësve të arsimit parauniversitar do mund të përfitojnë edhe gjatë këtij viti rimbursimin e çmimit të teksteve mësimore. Konkretisht bëhet fjalë për kategoritë me të ardhura të ulëta, jetimët, nxënësit me aftësi të kufizuara, si dhe fëmijët e komunitetit rom. Nxënësit e këtyre shtresave janë detyruar që tekstet mësimore fillimisht t’i blejnë me lekët e tyre, ndërkohë që rimbursimin do mund t’a tërheqin gjatë muajve pasardhës, vetëm nëse disponojnë faturën përkatëse të marrë në momentin e blerjes së librave.
Kaos dhe trafik i rënduar në rrugët e Tiranës
Rikthehet trafiku i rënduar në kryeqytet. E hëna ka rikthyer vështirësinë në qarkullimin e automjeteve, të cilat nuk kanë mundur që t’i shpëtojë kaosit dhe trafikut të rënduar. Shkak për këtë situatë është bërë nisja e vitit të ri shkollor, si dhe reshjet e shiut që kanë shoqëruar mëngjesin e ditës së djeshme. Si rrjedhojë e trafikut të rënduar qytetarëve u është dashur që të humbasin shumë kohë për mbërritjen në destinacionet e tyre. Madje me këtë problematikë janë përballur edhe frekuentuesit e transportit publik, për të cilët ekziston korisa e veçantë e lëvizjes. Por, siç ndodh rëndom, kjo korsi është bllokuar nga automjetet e tjera private. Ndër pikat më të rënduara nga trafiku kanë rezultuar rruga “Kombinat-Shkolla teknologjike”, “Myslym Shyri”, “Rruga e Dibrës”, e shumë të tjera, të cilat kanë qenë totalisht të bllokuara deri në orët e mesditës.

Urime gjithe vogelushve qe ulen per here te pare ne bankat e shkolles. Suksese ne shkolle dhe ne jete!