“Në Beograd, në Beograd!”

redaktor

Eshtë e njohur thirrja e Shvejkut: “Në Beograd, në Beograd!”, duke tundur në ajër një patericë, teksa ulur në një karrocë ulokësh, shtyhej rrugëve të Pragës nga zonja Myler. I tillë po ngjan dhe një afsh mbarëshqiptar për t`ja mësyer kryeqytetit serb, për ndeshjen e 14 Tetorit mes përfaqësueseve të dy vendeve. Deri më tani, Serbia ka bërë presion që mos pranojë tifozë kuqezi, sidomos nga Kosova, por ja që shtetas të saj, shqiptarë e shkuar shqiptarit nga Lugina e Preshevës, thuhet se kanë siguruar 500 bileta për atë natë. E kësaj i thonë që çdo e keqe, e ka një të mirë. E siç Shvejku u udhëhoq nga ndjenja të forta patriotike për ta shpalluar kauzën e një lufte që do e çonte atë dhe bashkëatdhetarët e tij, së bashku me aleatët, drejt Serbisë, aty ku mendohej se ishte gatuar vrasja e Franc Ferdinandit nga Gavrilo Princip, po kështu ne, po rendim të shkojmë atje për t`u “hakmarrë” me top, për çfarë nuk kemi mundur ta bëjmë me mënyra të tjera. Derisa ka ndodhur njëherë, ekziston një bindje që mund të ndodhë përseri: atëherë kur Sokol Kushta ia fshiu merimangat këndit të majtë të portës, mbrojtur nga Omeroviç. Nëse do kishte dy fjalë të vetme dhe të thjeshta, që të ngërthenin krenarinë kombëtare këto ditë, ato do ishin: “Në Beograd, në Beograd!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *