Në Boston me shqiptarë, yje dhe politikanë

Ornela

 

 

Fatos Tarifa

Në shtator të vitit 2002, Presidenti Alfred Moisiu vizitoi për herë të parë New York-un për të marë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse vizitat e zyrtarëve më të lartë të shtetit (presidentit, kryeministrit dhe ministrit të jashtëm) në Asamblenë e Përgjithshme dhe qëndrimin e tyre në New York i “administronte” Agim Nesho, në atë kohë shef i Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së, funksioni im si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara më obligonte që të isha i pranishëm dhe t’i shoqëroja ata në çdo qytet dhe në çdo vizitë që bënin në territorin e atij vendi, duke qenë përgjegjësi kryesor për përgatitjen, sigurinë dhe mbarëvajtjen e vizitave dhe të veprimtarive të tyre.

Më 11 shtator, në përvjetorin e parë të tragjedisë amerikane në New York, Presidenti Moisiu iu bashkua mijëra të tjerëve në një ceremoni përkujtimore në Ground Zero, në Manhattan. Nesho u mor me pjesën më të madhe të programit të presidentit gjatë qëndrimit të tij në New York. Unë u mora me vizitën e tij në Boston, një qytet ku jeton komuniteti më i vjetër shqiptar në atë vend, të cilin Presidenti Moisiu do e vizitonte pasi të linte New York-un.

Eva Millona

Për organizimin e vizitës së Presidentit Moisiu në Boston më ndihmuan shumë miku im i vjetër Peter Lucas, gazetar shumë i njohur në Massachussets, me origjinë shqiptare, dhe Eva Millona, një ish-studentja ime në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës në mesin e viteve 1980. Kjo e fundit, në atë kohë punonte me një organizatë, që quhet Massachussets Immigrant and Refugee Advocacy Coaliton dhe, më vonë, u bë Drejtore Ekzekutive e saj. Si një eksperte e njohur në fushën e politikave të emigracionit, disa muaj më parë, në maj të vitit 2021, Millona u emërua nga administrata e Presidentit Joe Biden në postin e Ndihmësekretarit të Departamentit Sigurisë Kombëtare (Department of Homeland Security), duke u bërë shqiptarja e parë që merr një pozicion kaq të lartë në një administratë të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Moisiu dhe delegacioni që e shoqëronte atë mbrritën në Boston më 14 shtator, një ditë e shtunë, rreth orës 18:00 dhe u akomoduam në hotelin Hilton Boston Back Bay, në Dalton Street.

Harrison Salisbury (The New York Times)

Unë kisha mbrritur në Boston mbrëmjen e një dite më parë dhe isha vendosur në të njëjtin hotel. Atë mbrëmje e kalova në shoqërinë e Peter Lucas-it, mikut tim të vjetër, të cilin e kisha njohur në Tiranë në verën e vitit 1985. Në atë kohë, Peter punonte për një prej dy gazetave më të mëdha në Massachusetts, Boston Herald. Në vitin 1980 ai ishte shpallur si gazetari më i mirë politik (the best political columnist) në Boston. Pesë vite më vonë, më 1985, Peter Lucas u bë i pari gazetar amerikan që vizitonte Shqipërinë qysh nga viti 1957, kur në Tiranë kishte ardhur gazetari i njohur i The New York Times, Harrison Salisbury.

Pasi kishte vizituar Bashkimin Sovjetik dhe të gjithë kryeqytetet e vendeve të Europës Lindore dhe kishte intervistuar drejtuesit komunistë kryesorë të atyre vendeve, më 28 gusht 1957, për habinë e të gjithëve, Salisbury u lejua nga regjimi i Enver Hoxhës që të vizitonte Tiranën dhe, po ashtu, për habinë e të gjithëve, u lejua që të intervistonte kryeministrin shqiptar të asaj kohe, Mehmet Shehu.

The New York Times e raportoi intervistën e Salisbury-t me Mehmet Shehun në faqen e parë të saj me këtë titull dhe nëntitull: “Shqipëria kërkon të vendosë lidhje me SHBA, por denoncon politikën e saj; Kryeministri Shehu, në një intervistë të pazakontë, dënon përpjekjet për të rrëzuar regjimin—mohon statusin [e Shqipërisë] si një satelit sovjetik. UDHËHEQËSI SHQIPTAR KËRKON LIDHJE ME AMERIKËN. Përgjigjet me shkrim, akuzon subversonin e Shteteve të Bashkuara. Vë në dukje progresin e vendit. Mohon rolin e ushtrisë sovjetike. Nuk sheh nevojë për ndryshim”.

Në atë intervistë, siç kuptohet edhe nga titulli me të cilin u botua ajo, Mehmet Shehu denoncoi ashpër politikën e administratës së Presidentit Dwight Eisenhower në Europën Lindore dhe rolin e CIA-s, në atë kohë të drejtuar nga Allen Dulles, në këtë rajon. Ajo vizitë në një vend gati të pamundur, si Shqipëria, e njërit prej gazetarëve më të njohur të gazetës më të madhe amerikane dhe intervista që u botua në The New York Times të nesërmen, më 29 gusht 1957, ishin ngjarje që nuk u përsëritën më për afro tri dekada me radhë.

Peter Lucas (Boston Herald)

Peter Lucas, prindërit e të cilit ishin lindur në Korçë dhe në Polenë para Luftës së Parë Botërore dhe kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara, përmes një letre që i shkroi në vitin 1985 Ramiz Alisë, të cilin vdekja e Enver Hoxhës atë vit e bëri të parin e vendit, u lejua të vizitonte Shqipërinë po atë vit. Por jo si gazetar.

Për tridhjetë vite me radhë, Peter Lucas-it i ishte refuzuar viza për të vizituar Shqipërinë, vendlindjen e prindërve të tij, si një njeri “dy herë i rrezikshëm”—si shtetas amerikan dhe, sidomos, si gazetar. Kur, me pëlqimin e Ramiz Alisë, Peter u lejua të vijë për herë të parë në Shqipëri, diplomatët tanë në misionin e Shqipërisë pranë OKB në New York i dhanë vizën shqiptare por me një kusht, që ai, si gazetar, të mos shkruante asgjë për Shqipërinë gjatë ose pas asaj vizite.

Peter kishte pranuar dhe, ditën që ai mbrriti në Tiranë, mua—në atë kohë një pedagog i ri i filozofisë në Universitetin e Tiranës dhe një ndër të paktët intelektualë që flisnim anglisht—m’u kërkua nga Komiteti Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, që ishte në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ta shoqëroja z. Lucas gjatë atyre dy javëve që ai do të qëndronte në Shqipëri. Petraq Pojani, një diplomat karriere i njohur, që sapo kishte lënë postin e ambasadorit të Shqipërisë në Francë dhe kryente funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të atij Komiteti, më kërkoi “të bëja kujdes” dhe të isha “vigjilent” në marrëdhëniet me gazetarin amerikan Peter Lucas, i cili sapo kishte mbrritur në Tiranë. “Nuk i dihet se ç’përfaqëson ky njeri dhe për ç’qëllime vjen”, më tha në atë kohë Pojani.

Pas dy javësh që Peter Lucas dhe unë vizituam së bashku çdo cep të Shqipërisë—nga Butrinti dhe fshatrat e Dropullit deri në Theth dhe në Tropojë—të nesërmen pasi ai u kthye në Boston, Boston Herland publikoi artikullin e tij të parë nga vizita e tij në Shqipëri. Në atë artikull, Peter e cilësonte Shqipërinë “the best kept secret in Europe”. Ai artikull u pasua nga një seri artikujsh të tjerë për Shqipërinë—gjithsejt dhjetë të tillë—që u botuan dhjetë ditë radhazi po në të njëjtën gazetë dhe që mund të thuhet se ishin një sensacion ndërkombëtar në rrethanat e asaj kohe.

Ato dy javë me Peter Lucas-in në Shqipëri në verën e vitit 1985, një javë tjetër me të po në Shqipëri vitin pasaardhës dhe mbi tridhjetë herë të tjera që ai ka vizituar Shqipërinë qysh nga ajo kohë, takimet tona të shpeshta në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë, si dhe udhëtimet tona më Paris, në Normandi dhe në Bastogne (Beligjikë) nga viti 1991 e këtej, na lidhën mua dhe Peter-in me një miqësi të ngushtë personale e familjare. Ai mbetet edhe sot që shkruaj këto radhë një ndër miqtë e mi amerikanë më të mirë. Unë i kujtoj gjithnjë dhe u mbetem përherë mirënjohës Peter-it dhe gruas së tij, Paddy, për miqësinë dhe përkujdesjen që më ofruan në shtëpinë e tyre, në Lexington, Massachusetts, pas një operacioni që bëra në Boston në nëntorin e vitit 1991.

Thomas Menino, kryetari i Bashkisë së Bostonit

Atë mbrëmje shtatori të vitit 2002 në Boston, një ditë para se Presidenti Moisiu ta vizitonte atë qytet për herë të parë, Peter dhe unë folëm për atë vizitë, për të cilën ai, ashtu si Eva Millona, kontribuoi shumë. Peter më ndihmoi të vinim në axhendën e vizitës së Presidentit Moisiu një takim me Kryetarin e Bashkisë së Bostonit, Thomas Menino, një ndër politikanët demokratë më me influencë në Boston dhe kryetari më jetëgjatë i Bashkisë në historinë e atij qytetit.

Menino e drejtoi Bashkinë e Bostonit për 21 vite me radhë, nga viti 1993 deri më 2014, kur edhe vdiq. Në fakt, ai ishte i pari politikan me origjinë italiane në Boston, që mundi të zgjidhej kryetar i Bashkisë në një qytet, politika e të cilit, për dekada me radhë, ishe dominuar nga një klasë politikanësh me origjinë irlandeze. Fushatën e tij të parë në garën për Bashkinë e Bostonit, në vitin 1993, ai kishte fituar me këtë slogan: “I’m Tom Menino. I’m not a fancy talker, but I get things done”.

Unë dhe Arta ishim takuar me z. Menino në verën e vitit 2001, kur vizitova Bostonin për herë të parë si ambasador i Shqipërisë. Në atë kohë më bënë përshtypje miqësia e tij e ngushtë me Peter Lucas-in, me të cilin kishte të njëjtën moshë dhe kishin studiuar në të njëjtin universitet (Boston University), simpatia e tij për komunitetin shqiptaro-amerikan që jeton kryesisht në pjesën jugore të Bostonit dhe, veçanërisht, gjallëria e tij. Mbaj mend që, duke folur për shqiptarët e Bostonit, Menino shprehu konsideratën më të lartë për më të shquarin e tyre, restorantierin e njohur Anthony Athanas.

Një skenar gati surrealist

Atë mbrëmje në Boston, ndërsa flisnim për vizitën e Presidentit Moisiu të nesërmen, Peter më tha se Tom Menino do e priste presidentin shqiptar në zyrën e tij ditën e hënë, më 16 shtator, pasdite. Por Peter Lucas bëri për atë vizitë të Presidentit Moisiu edhe diçka tjetër, më të rëndësishme, për të cilën shkruaj më poshtë. Ai mundi të gjejë kohë në agjendën e ngjeshur të Guvernatores së Komonuelthit të Massachusetts-it, Jane Swift, për ta pritur Presidentin e Shqipërisë në State House. Edhe pse këtë takim Peter ma kishte premtuar paraprakisht, atë mbrëmje ai më surprizoi me diçka tjetër.

Peter e kishte informuar Guvernatoren Swift mbi deklaratat dhe qëndrimet proamerikane të qeverisë shqiptare, si dhe për trupat që Shqipëria kishte dërguar në Afganistan. Ai i kish thënë guvernatores se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë dhe se qeveria shqiptare është një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara.

Në shtator të vitit 2002, kur Moisiu do të vizitonte për herë të parë Bostonin, planet e administratës së Presidentit Bush për të rrëzuar Saddam Hussein-in dhe për të vendosur kontrollin amerikan në Irak, edhe pse ishin ende të fshehta, nuk ishin më sekret për një pjesë të madhe të njerëzve. Pas Afganistanit, radha do i vinte Irakut. Ishte e natyrshme që, në rrethana të tilla, qeveria amerikane do të kishte nevojë për mbështetjen e qeverive të vendeve aleate dhe Peter vuri në dukje se ky subjekt mund të ishte pjesë e bisedës së Governatores Swift me Presidentin Moisiu në takimin e tyre ditën e hënë, pas takimit me Kryetarin e Bashkisë Tom Menino.

“Presidenti Moisiu do të jetë i gatshëm të bisedojë me guvernatores rreth një subjekti të tillë”, i thashë Peter-it.

“Nëse Guvernatorja Swift e pyet Moisiun se ç’qëndrim do të mbajë Shqipëria në rast se Amerika angazhohet ushtarakisht në Irak, a mendon ti se ai do t’i shprehë asaj mbështetjen e qeverisë shqiptare për politikën e Shteteve të Bashkuara?”, më pyeti Peter.

“Pa as më të voglin dyshim”, i thashë.

“Je i sigurt për këtë?” më pyeti sërish ai.

Nuk e dija ku donte të dilte miku im me atë pyetje, por ai, pa dyshim, e kishte një ide në kokën e tij.

“Patjetër, Peter”,

“Atëherë”, më tha Peter Lucas, “do të flas personalisht me Guvernatoren Swift, do i sugjeroj asaj që ta pyesë Presidentin Moisiu nëse Shqipëria do ta mbështesë administratën e Presidentit Bush nëse lufta kundër terrorizmit përshkallëzohet dhe Amerika angazhohet ushtarakisht në Irak. Nëse Moisiu e siguron guvernatoren për mbështetjen e Shqipërisë, do i sugjeroj asaj që t’ia bëjë të njohur qëndrimin e tij Presidentit Bush dhe t’i kërkojë atij që t’i telefonojë Presidentit Moisiu për ta falenderuar atë personalisht për këtë qëndrim”.

E gjitha kjo m’u duk si një skenar gati surrealist. I tillë mund t’u duket edhe shumë prej atyre që i lexojnë këto radhë. Por jo, kështu ka ndodhur vërtet.

“A është e mundur kjo?”, e pyeta Peter-in.

I regjur me politikën dhe me politikanët e Bostonit dhe vetë ai një ndër gazetarët politikë më të shquar të atij qyteti, Peter më tha: “Besoj se po”. Pastaj shtoi:

“Por ti duhet t’ia blesh paraprakisht mendjen Presidentit Moisiu. A do të jetë përgjigjja e tij një “po” e vendosur nëse Guvernatorja e pyet për sa të thashë?”.

“Patjetër që do i marr mendim”, i thashë, “por, edhe pa folur me të, jam i sigurt që Presidenti do të thotë po”.

Moisiu mes shqiptarëve të Bostonit

Këtë bisedë Peter Lucas dhe unë e bëmë mbrëmjen para se Presidenti Moisiu të mbrrinte në Boston. Unë i prita Presidentin dhe njerëzit që e shoqëronin në aeroportin Logan të nesërmen pasdite, më 14 shtator. Kur mbrritëm në Hilton, në hollin e hotelit kreun e shtetit e pritën Peter Lucas, të cilin ai e takonte për herë të parë, dhe një grup shqiptarësh me banim në Boston, që i uruan mirëseardhjen. Eva Millona ishte kujdesur që takimi mes tyre të krijonte një atmosferë të gëzuar.

Të nesërmen, më 15 shtator, një ditë e diel, bashkë me Presidentin Moisiu dhe njerëzit që e shoqëronin, vizituam Kryekishën Orthodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në East Broadway, në pjesën jugore të Bostonit, dhe morëm pjesë në meshën që dha atë paradite Rev. Arthur Liolin. Pas saj, Konsulli i Nderit të Shqipërisë për shtetin Massachusetts, Anthony Athanas, shtroi për nder të Presidentit Moisiu një drekë në restorantin e tij “Anthony’s Pier 4”, restoranti i famshëm buzë detit, në 140 Northern Avenue, të cilin Athanas e kishte çelur rreth dyzet vite më parë, më 1963. Në drekë ishin ftuar edhe një pjesë e komunitetit shqiptar me banim në Boston.

Anthony Athanas, një legjendë shqiptare në Boston

I lindur në Korçë, më 1911, në moshë fare të vogël, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai emigroi bashkë me të jëmën në Shtetet e Bashkuara, ku ishte vendosur më parë i jati i tij. Anthony e ndërpreu shkollimin e tij në një moshë shumë të re dhe, pas një jete të vështirë për të nxjerrë bukën e gojës, arriti, në vitin 1938, të blente restorantin e tij të parë, “Anthony’s Hawthorne Café”, në Lynn, një qytet rreth 6 km larg Bostonit. Në fillim të viteve 1950 ai u bë një ndër restorantet më të suksesshëm në Massachusetts.

“Anthony’s Pier 4” u çel në vitin 1963 dhe, në fillim të viteve 1980 arriti të bëhej një ndër restorantet më të njohur e më të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara. Ai restorant u bë, në fakt, një vend i përsosur për këdo që donte të provonte një shije të atij rajoni të gjerë që quhet New England ndërsa vizitonte Bostonin. Vetë Athanas është cilësuar nga Roger Berkowitz, presidenti i unionit “Legal Sea Foods”, me qendër në Boston, si “one of the great restaurateurs of the 20th century”. Në një ditë të zakonshme, në Anthony’s Pier 4  mund të uleshin për drekë rreth 600 vetë; në darkë mund t’u shërbehej deri 3,000 vetëve.

Unë kisha qenë në atë restorant edhe herë të tjera, për herë të parë në nëntor të vitit 1991, gjatë vizitës sime të parë në Shtetet e Bashkuara (dhe në Boston). Gjatë asaj vizite, Peter Lucas më shprehu dëshirën e tij që të njihesha me shqiptarin më të famshëm të Bostonit, Anthony Athanas, dhe më ftoi një mbrëmje për darkë në “Anthony’s Pier 4”. Si kujtdo që e ka njohur Anthony Athanas-in, ai burrë dhe mikpritja e tij më bënë qysh në fillim shumë përshtypje. Por, në atë kohë, pra në vitin 1991, unë mësova nga Peter Lucas edhe një fakt mjaft interesant për atë njeri, që fliste për imagjinatën dhe talentin e tij si biznesmen.

Kur sapo kishte çelur “Anthony’s Pier 4”, në vitin 1963, Anthony bëri diçka që nuk e kishte bërë askush para tij. Ai ftoi në restorantin e vet shoferët e të gjitha taksive të Bostonit, duke u ofruar atyre kafe dhe sandwich falas. Në këmbim, shoferëve të taksive iu kërkua me mirësjellje që, sa herë që një pasagjer do i pyeste se cili është një restontant në Boston, në të cilin mund të hahet mirë, ata t’i sugjeronin “Anthony’s Pier 4”.

Një vit më vonë, vetë Athanas, ndërsa kthehej me avion nga një udhëtim jashtë Bostonit, mori një taksi në aeroportin Logan dhe i kërkoi shoferit të saj, i cili nuk e njihte, që t’i rekomandonte një restorant të mirë për të ngrënë. Shoferi i tha: “Anthony’s Pier 4”. “Okay, let’s go”, i kishte thënë Athanas. Kur mbrritën në restorantin e tij, Anthony Athanas i dha atij një bakshish të madh duke e falenderuar. Pas asaj ngjarjeje, Athanas vendosi të shtronte një herë në vit një drekë për shoferët e taksive të Bostonit.

Elizabeth Taylor dhe Richard Burton

Që një restorant i ri të bëhet pjesë e hartës së një qyteti duhet të ketë një arsye. Në shumë raste, një arsye e tillë mund të bëhet një “review” pozitive në  një  revistë  të  njohur, ose një  reklamë. “Propaganda” e mirë e shoferëve të taksive të Bostonit kishte bërë punën e vet por, në një kuptim real të fjalës, ai që e bëri “Anthony’s Pier 4” vërtet të njohur dhe, për dekada me radhë, restorantin më të preferuar në Boston për shumë artistë të famshëm dhe për shumë personalitete të shquar të politikës ishte Shekspiri. Po, po. William Shakespeare.

Pa mbushur as një vit nga çelja e tij, në vitin 1964 “Anthony’s Pier 4” e vizituan Elizabeth Taylor dhe Richard Burton. Në atë kohë, Taylor ishte në kulmin e karrierës së saj dhe aktorja më e paguar në historinë e Hollywood-it deri atëherë. Richard Burton, nga ana e vet, konsiderohej në atë kohë si aktori më i famshëm shekspirian dhe si pasuesi i natyrshëm i Laurence Olivier-it. Tre vite më parë, më 1961, ndërsa Taylor dhe Burton luanin në rolet kryesorë në filmin “Kleopatra”, që po xhirohej në Cinecittà, në Romë, studioja kinematografike më e madhe në Europë, lajmi skandaloz i një aferë jashtëmartesore mes tyre u bë “front-page news”. Ata e vazhduan atë marrëdhënie dhe, në vitin 1964, u martuan me njëri-tjettrin. Për Elizabeth Taylor-in, kjo ishte martesa e pestë; për Richard Burton-in, e dyta.

Ky çift i famshëm aktorësh kishin vetëm një javë të martuar kur mbrritën në Boston. Burton do të luante Hamletin në Teatrin Shubert të atij qyteti, ku ulen mbi 1,500 spektatorë, përpara se ta luante atë rol, pak kohë më vonë, po atë vit, në Teatrin “Lunt-Fontanne” në Broadway, Manhattan. Në Boston, Burton-in e shoqëroi bashkëshortja e tij e re, Elizabeth Taylor, dhe është i kuptueshëm interesimi me të cilin u pritën ata nga publiku i atij qytetit. Edhe pse Burton dhe Taylor u ndanë dhjetë vite më vonë, më 1974, për t’u martuar sërish për një periudhë fare të shkurtër (1975-1976) një vit më vonë, më 1964 ata ishin ndër yjet më të shquar të artit skenik dhe atij kinematografik botëror.

Elizabeth Taylor dhe Richard Burton ishin të parët njerëz të famshëm që darkuan në “Anthony’s Pier 4”. Gjatë qëndrimit në Boston, ata do të hanin shpesh në atë restorant, i cili u bë më i preferuari për ta. Madje, kur “Todaw Show”, një emision i mëngjesit që transmetohej nga televizioni NBC, kërkoi që t’i intervistonte çiftin e dashuruar në Boston, Taylor i tha gazetarit se ajo dhe Burton pranonin vetëm nëse intervista do të zhvillohej në “Anthony’s Pier 4”.

John F. Kennedy, Marilyn Monroe et al.

Pas tyre, “Anthony’s Pier 4” do e vizitonin një numër i madh personalitetesh të shquar të politikës amerikane, si presidentët J. F. Kennedy apo Rixhard Nixon, por edhe shumë emra të famshëm të kinematografisë, të muzikës, të skenës dhe të sportit në Shtetet e Bashkuara, si Alfred Hitchcock, Anthony Quinn, Hedy Lamarr, Judy Garland (dhe, më vonë, vajza e saj, Liza Minnelli, që arriti një famë edhe më të madhe se e ëma), Frank Sinatra, Wayne Newton, Deni deVito, Merv Griffin, Johnny Carson apo Joe DiMaggio.

Ky i fundit, një ndër legjendat më të mëdha të bejsbollit amerikan, u bë edhe më i njohur për shkak të martesës së tij me aktoren e famshme “blonde bombshell” dhe “sex symbol” Marilyn Monroe, në vitin 1954. Martesa e tyre zgjati vetëm 9 muaj. Një prej skenave më të famshme në historinë e kinematografisë, ajo në të cilën Marilyn Monroe, në rolin e saj si “The Girl” në komedinë “The Seven Year Itch”, duke ecur në trotuarin përballë “Trans-Lux Theater” në Lexington Avenue, Manhattan, kaloi mbi grilën e metrosë ndërsa presioni i ajrit që dilte prej saj i ngriti furishëm fustanin e bardhë, ajo skenë, pra, të cilën e panë të xhirohej mijëra qytetarë të New Jork-ut dhe e cila e bëri të papërmbajtur xhelozinë e Dimaggio-s, shënoi edhe fundin e martesës së tyre.

Marilyn Monroe vdiq kur ishte vetëm 36 vjeç, në vitin 1962, një vit para se Anthony Athanas të çelte në Boston “Anthony’s Pier 4”. Nëse do të kishte jetuar më gjatë, Monroe mund të kishte qenë edhe ajo—si Elizabeth Taylor, Anthony Quinn, J. F. Kennedy, Joe diMaggio dhe shumë të tjerë—një ndër vizitorët e famshëm të atij restoranti dhe fotografia e saj, më e bukur se e kujtdo tjetër, do të qe vendosur në atë galeri yjesh që dekoronte fuajenë e tij. Marilyn Monroe mund të kishte pasur, ndoshta edhe një bust në atë fuaje, në krah të bustit të Presidentit John F. Kennedy, të cilit, në 45-vjetorin e ditëlindjes së tij, në Madison Square Garden, Manhattan, ajo i këndoi këngën më popullore në të gjithë planetin, “Happy Birthday”, duke e zëvendësuar emrin e tij “John”, apo “Kennedy” me “Mr. President”—“Happy Birthday, Mr. President!”.

Ajo shfaqje në Madison Square Garden ngjiti në skenë disa prej yjeve më të shquar të muzikës dhe të Hollywood-it, si Ella Fitzgerald, Maria Callas, Peggy Lee, Robert Merrill, Diahann Carroll, Henry Fonda, Jimmy Durante, Elaine May etj. Sidoqoftë, ato çka mbahen mend prej asaj shfaqjeje edhe sot, pas 60 vitesh, janë Marilyn Monroe me magnetizmin e saj, ato 60 sekonda në të cilat ajo këndoi “Happy Birthday, Mr. President!” dhe fustani i saj elektrizues, i dizenjuar në atë mënyrë që e tregoi këtë simbol të përbotshëm të bukurisë femërore thuajse lakuriq në sytë e 15,000 spektatorëve që kishin mbushën sallën atë mbrëmje dhe të miliona njerëzve të tjerë që e ndoqën atë shfaqje në televizion. Ato 60 sekonda që Marilyn Monroe i uroi me këngë ditëlindjen Presidentit Kennedy janë përshkruar nga gazetarja amerikane Dorothy Kilgallen si “të bëje dashuri me Presidentin në sytë e dyzet milionë amerikanëve”, ndërsa fustani i saj, i qepur për atë rast, u bë veshja më ikonë e kulturës pop dhe u shit, në vitin 2016, për 4.8 milionë dollarë.

Pas asaj mbrëmje, Marilyn Monroe dhe John F. Kennedy nuk e panë më njëri-tjetrin. Monroe vdiq tre muaj më vonë, në shtëpinë e saj, në Brentwood, Los Angeles, ndërsa Presidenti Kennedy u vra një vit më vonë, në Dallas, Texas. Nëse Marilyn Monroe do të kishte jetuar më gjatë dhe do të kishte pasur rastin të vizitonte “Anthony’s Pier 4”, një bust i saj krahas bustit të Presidentit Kennedy do të kish qenë gjëja më e natyrshme në fuajenë e atij restoranti historik, i cili sot nuk është më.

(vijon nesër)

Share This Article
3 Comments
  • O Fatos!Ja vleka Behluli te shkruaje,365 vetelavderime,,,ama Ate te 366 e kishe qare me lot,,Sikur e kishte shkryar Gogoli.
    Pamfleti jot per Fatmir Mediun duhet te studiohet ne katedrat e Diplomacise,,duhet shkruar Komedi,,duhet te luhet ne Skenat e Teatrove te Botes,se nuk eshte me i mire Revizori Gogolit.
    Qe nga Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo,,penda e nje shkrimtari nuk e ka shkruar nje kryeveper te tille.
    Per me teper qe Personazhi eshte REAL dhe mban mbi supe 26 viktima.
    Per kete te pergezoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *