Ashtu si Shkalla e Parë, edhe gjykata e Apelit e ka lënë në burg ish-Drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, Albana Llazanin.
Ajo nuk u paraqit fizikisht në gjyqin e zhvilluar ndaj saj, por përmes avokatit mbrojtës paraqiti edhe një deklaratë ku thekson se është e pafajshme ndaj akuzave të ngritura në drejtim të saj.
Pavarësisht pretendimeve të Llazanit dhe fakteve të paraqitura nga avokati mbrojtës lidhur me pafajësinë e saj, gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e lënë në burg Llazanin.
E kundërta ndodhi me dy punonjëset e Qendrës, Najada Ramollin dhe Rafaela Camajn, për të cilat gjykata vendosi ndryshimin e shkallës së parë nga arrest me burg në arrest shtepie.
Arrestimi i 5 punonjësve të Shtëpisë së Fëmijës Shkodër u bë pasi Prokuroria ngriti mbi to akuzën e shpërdorimit të detyrës nga pakujdesia dhe ushtrimit të dhunës ndaj të miturve.
Po ashtu sipas Prokurorisë ndaj 3 femijëve është abuzuar seksualisht, kjo bazuar në raportin mjekësor por edhe dëshmitë e marra.
Gjithçka nisi pasi Avokati i Popullit kishte inspektuar këtë qendër, duke zbuluar edhe faktet tronditëse të abuzimit me këto të mitur.
Menjëherë më pas, Prokuroria veproi me lëshimin e urdhër ndalimet për 5 punonjëset.
