Nga Elena Xhina
BEFAS
Unë befas nis kuptoj
atë që kurrë s’e dita;
në çdo hap që hodha
dhe hapin tënd e prita.
Unë befas nis kuptoj
sa shumë të kam kërkuar.
Imazhin tënd shikoja
në ëndrra dhe zgjuar.
Unë befas nis kuptoj
sa shumë të paskam pritur.
Me ty paskam jetuar
e nuk e paskam ditur…
Unë tani kuptoj
ti je vetë dashuria,
nga prushi ndjenjës sonë
flakërijnë ditët e mia.
SI NË IMAZHIN TIM
Të shoh në sy e them e njoh
shpirtin kristal që fle tek ti,
po kur kthen shpinën zë dyshoj;
a mund ta njohësh një njeri?
Dua të di çdo emocion,
çdo pështjellim që rri tek ti.
Dua të njoh çdo grimëz ndjenje,
si më mendon dua ta di.
Të shoh në sy e them të njoh,
por jo aq thellë, gjer në amshim.
Sa dua që të jesh vërtet
siç je dhe në imazhin tim!
POETI
Më ndodh që nis e shkruaj,
kujtimet të ringjall,
po vargu nuk më bindet,
më bëhet një rival.
Përhumbur e pyes veten:
“Ç’të jetë vallë poeti,
ç’të fshehë përbrenda vetes,
pse tallazit si deti?!”
Poeti fle tek unë,
tek ti fle një poet
që endet shpirt më shpirt
dhe thur këngën e vet.
Veç duhet t’ia lexosh,
të dish gjuhën sekrete,
se thellë, çdo njeri
poetin ka me vete!
RILIND
Në ëndërr me yjet vallëzoj çdo natë,
hënës i përkëdhel faqen e zbehtë,
hapësirën qiellore e stolis si shtrat,
nëpër të lodroj, vërtitem kometë.
Mëngjesi më gjen në ëndrra përkundur
dhe jeta thërret, bërtet pa mëshirë:
“Zgjohu nga ëndrra, ngrehu nga shtrati,
s’je më fëmijë, harron që ka gdhirë?”
Çdo natë një ëndërr jep shpirt me mua,
çdo ditë me mua lindet një shpresë.
Kështu më ndodh çdo ditë e çdo natë;
lind në mëngjes e në mbrëmje vdes!
E VETME
Sot pashë një fytyrë të trishtuar,
pata dëshirë ta bëj të qeshë zemërplot.
Por fytyra më pa çuditur, mërmëriti:
“Ç’njerëz të çuditshëm mban kjo botë!”
Prej tij çapita ngadalë, e trishtuar,
mes njerëzve kërkova kot buzëqeshje,
përsërisja mërmërimën e çuditshme…
Mes kësaj turme qenkam e vetme!
AJO QË IKU
Mbi ndjenjën tonë borëroi
Çdo gjë që kishim, shkoi kot.
Hirin me grushte po e mbledhim,
Ajo që iku, nuk ngjallet dot!
E ndërsa thërras e lebetitur,
Grimca kujtimesh thërrmoj në duar,
Copëza lumturie që ikën larg,
Ku është kjo jetë, e kam jetuar?
Unë numëroj në heshtje fjalët
Që i mungojnë ditëve të mia,
Tani besoj dhe them e bindur,
Qenka e çmendur dashuria!
FJALËT S’EKZISTOJNË
Ecim në krah të njëri-tjetrit,
edhe nuk themi asnjë fjalë.
E rëndë heshtja, e mundimshme,
asnjë nga ne s’i bën dot ballë.
Ti natyrisht kërkon të flasësh
dhe unë mundimin ta kuptoj.
Po ç’duhen gjestet edhe fjalët
kur edhe heshtja flet njëlloj!
Këtë çast fjalët s’ekzistojnë,
nuk ka pse pëshpëriten emra.
Se për ata që dashurojnë
më mirë flet syri edhe zemra…
NE DHE NATA
Tani s’i ndiej orët e gjata,
se jam e dashuruar.
“Të dua” sikur më flet nata
dhe ti këndon: “Të dua!”
Eh, nata s’flet, ka vetëm heshtje
dhe hapa të ngadaltë.
Ç’magji që ka kjo natë vjeshte
me ndjenjë të pafjaltë!
Në orë të tilla dashuria
çel lule si lofata.
Sa mirë të zënë nga magjia
ti, unë edhe nata!
MOS MË LËR VETËM
A ka ditë pas kësaj nate
pas këtij terri ka agim?
Ëndrra, a ka pas këtij zgjimi
veshur me ankth e me trishtim?
A ka më jetë pas kësaj zie,
a ka më diell të më ngrohë,
a ka më sy të ngazëllyer,
a ka më dritë që të shoh?
Ma zgjat ti dorën, më shpëto,
mos më lër fill në errësirë!
kur jeta e thërret pas vdekjes
njeriu bëhet më i mirë…
ËNDRRA
Fluturake, fluturake,
ëndrra ime endacake.
S’e lash kurrë me krahë të prera,
ajo rend e rend si era…
Unë zgjat krahët ta ndaloj,
po dot syve s’iu besoj.
Ajo më ka marrë me vete
nëpër yje, në planete…
Mos u lodh, vetes i thashë,
ëndrra është më e lashtë.
Edhe ti kur të mos jesh
në jetë ëndrrën do gjesh!
EMRI YT SI NJË BEKIM
– gjyshes Leno Duka –
Netëve të shoh tek buzëqesh
e thurur gërshetin fillargjend.
Të përmallojnë sytë e blertë,
me dorë kërkoj prehrin tënd.
Por ti je vegim dhe më tretesh,
largohesh si fllad në pranverë.
Sa shumë do doja të humbisja
në përqafim dhe një herë!
Gjyshja ime, o margaritar
në shpirt të ruaj të shenjtë!
E shtrenjta ime hyjnore,
emrin tënd bekim kam në jetë!
NËSE
Nëse dridhet e përdridhet
e këputet më nuk lidhet
fati ynë si zinxhiri,
kurrë në dorë s’e mori i miri!
Nëse shkelet e përbuzet,
flaket, hidhet e përulet
shpirti ynë si i marrë,
e kanë lodhur, e kanë vrarë!
Nëse shpresën – dritë qiriu
e lëkund, e fik veriu,
shqiptari kur do kuptojë
prej nga erdhi, ku do shkojë?!
Emri ynë mund të epohet,
po kurrë nuk do rrëzohet!
Shqipja njeh veç lartësi,
ndaj quhemi Shqipëri!
* * *
Pas të vërtetës, o njeri,
gjithë jetën kot mos u mundo!
Ne marrim frymë nga dashuritë
dhe në fund vdesim po nga to…
GJER NË MADHËSHTI
Për xhaxhanë tim Arben Duka
Majat e tua janë të stuhishme,
në to askush s’bëri dot strehë.
I paarritshëm përherë do mbetesh,
veç përjetësinë shpirti yt njeh!
Derdhe kaq dritë në poezi
me mjeshtëri, me penë të hollë.
Lartësuar gjer në madhështi,
i shenjtë si Baba Tomorr…
BRENGË MALLI
Në dhomën tënde tani ka rënë heshtja,
sepse ti shkove për të mos u kthyer kurrë.
Sendet i ruajnë si gjethet e fundit vjeshta,
i lëshon e bien lehtë mbi rrugë, mbi gurë.
Gjurmët e shkëlqimit të dikurshëm,
me majë të gishtave dua të ledhatoj.
Shtrati mjegull të brishtë pluhuri ka zënë,
mbuluar kujtime që ëndrra dot s’i zgjoi.
Mbyll derën dhe menduar largohem
për t’u kthyer sërish zemërthyer nesër.
Shpirti trazohet rëndshëm e trishtohet,
kthehet vjeshta – brengë malli e vjetër…
TË JESH
Në dashuri bëhu si dielli,
zemrën e të dashurit ndrij e ngroh.
Në miqësi të jesh si kristali,
vezullues, i sinqertë me këdo.
Në jetë të jesh si toka,
mba në shpinë çdo ditë që kalon.
Kujtimet dhe mbresat mbi supe
drejt mbarimit kur udhëton…
Në gabime të jesh i përulur,
faljen hyjnore ta quash.
Shpirtin ta kesh letër të bardhë
në të veç mirësi të shkruash…
BUKURITË LINDIN NË MAJ
Për Ornelën
Ditëlindja jote vjen përherë e heshtur,
prangosur nga dhimbja e largët.
Vitet nuk e tretën ikjen tënde,
koha nuk i shëroi dot plagët.
9 maji – peshë e jetëve tona,
kjo ditë prej vitesh ka emrin tënd.
Zbukuruar nga lindja jote,
krisur nga mungesa që dhemb.
Ti more nga kjo stinë blerimin,
ia veshe syve si me magji.
Gonxhe e kishe buzëqeshjen,
me krahë fluturash shkove ti.
Unë të shoh sot, shpirt i përndritur,
në fluturimin që koha dot s’e ndal.
Ti vjen ashtu siç ishe, hyjnore,
se bukuritë lindin veç në maj!
MËSIM
Një plak të moçëm dikur e pyeta
“Jetove gjatë, ç’kuptove nga jeta?”
Ai uli kokën, ndenji pak menduar,
pastaj tha: “Bija ime, shihi këto duar!
Nuk kanë asgjë, as brengë, as gëzim,
bosh e fillikat siç linda në fillim.
Jetova, punova… histori e vjetër;
hyra në një portë, dola nga një tjetër…”
PËR TY
Unë shfletoj kujtimet e jetës
e veten përherë e gjej me ty.
Në çdo hap ke qenë me mua,
shpesh ke ecur për të dy…
Unë qesha, derdha edhe lot
në supin që gati ish për mua.
Me dafina rrugën ma shtrove,
më dhe përherë atë që dua…
Eca mbështetur në krahun tënd,
ndaj udha ish lëndinë përherë.
Pastruar nga ngrica, nga gjemba,
mbuluar me pranverë.
Ti i pari njohe atë dritë
që thellë tek unë kish ndriçuar.
Në vite i dhe jetë e shpirt,
e ngjalle sot për të lulëzuar…
Unë pak fëmijë edhe pak grua
mbeta hapësirash qiellore.
Ti dite të ecësh me mua,
gjithmonë më mbajte për dore…
Në sytë e tu bukur pashë veten,
të hijshme si një perëndi.
Ëndërrimtar shpirti më mbeti
se ti i fal çdo ditë dashuri!
NE DHE ATDHEU
Ne u rritëm me ëndrrën për të shkuar larg,
atje ku grataçielat rroknin qiellin.
Në udhë të tjera të kërkonim fatin,
atje ku oqeani puthte diellin.
Ne u rritëm me flatrat e lirisë
për të fluturuar në vise të tjera.
Shtegtarë të kohës u bëmë
dhe ëndrrat pas na sillte era.
I prekëm qiejt e rinj, edhe diejt
përqafuar me vise, me toka të reja.
Ëndërronjës mbetëm përsëri,
por tani në përmasa të tjera.
Ne u thinjëm duke e ëndërruar
tokën ku shpresat morën jetë.
Të kthehemi atje nga u nisëm,
ku zëri i zemrës shpirtit i flet.
Atdheun e kërkuam nëpër ëndrra
për t’u prehur me sytë përmbi det.
Për t’u çlodhur në malet e larta,
për të puthur duart që na dhanë jetë!
AJO QË LËMË PAS
Një shkulm ere a pluhur yjesh
mbetet nga ne në përjetësi.
Gjurmët që lëmë prapa treten
si një pishtar, si një qiri.
Nëse ke pasur jetën det
me dallgë e qiell pasqyruar,
sa herë mirë bëre në jetë,
aq herë ke për t’u kujtuar.
Por në të pastë bekuar fati
në jetë të jesh për një qëllim,
t’u shërbesh vendit edhe njerëzve
përjetësinë merr shpërblim!
Një gjethe në erë a një flutur
mbetet në fund nga çdo njeri.
Ndaj ndrit çdo ditë si një diell
që rrezaton veç dashuri…
ATA SY
Gjer atë çast s’e kisha parë
zjarrminë që kishin ata sy.
Magji kish brenda dhe mister,
ferr e parajsë kishte aty…
Nuk e kuptoj ende dhe sot
si gjithësia aty strehohej.
Në ata sy ndritur nga lot
dhe vdekja vetë ëmbëlsohej….
VRAPI I JETËS
Kafen rrufis sy përgjumur
humbur vështrimi në mendime,
tingujt e jetës sapo kanë nisur
e ëndrrat tretur janë në agime.
Çdo ditë njësoj, të njëjtë mëngjeset,
veshur nga jeta monotoninë,
jetojmë vrullshëm e veç vrapojmë,
se ku është fundi as vetë se dimë…
Koha përditë nga pak na vret
ndërsa rreh zemra në kraharor,
gjithë kujtimet të bëra bashkë,
sa një grusht hi mbesin në dorë!
VJESHTA IME
Vjeshta qëndisi me ar kopshtin tim,
e gjethet që bien këndojnë simfoni.
Mbi supe rëndon muzgu i hershëm,
me hënën që fshihet lodroj si fëmijë.
Vjeshtake mendimet vërtis nëpër gishta,
të bruzta ëndrrat këtë fillim nëntori.
Harenë e zhurmnajën që ish këtu dikur,
pranvera e këtij viti me vete e mori!
Vjeshta trokiti në kopshtin tim
e u preh mbi lule e u derdh mbi udhë.
Unë para pasqyrës po shoh vjeshtën time,
prehur mbi një thinjë, derdhur mbi një rrudhë!
ARMIKU IM
Armiku më i egër më je ti,
që pabesisht zemrën më sulmon.
Ma njeh mirë çdo skutë e dobësi
E betejat përherë ti i fiton!
Armiku më mizor je për mua,
Prangosur më mban këmbë e duar.
Edhe e lirë të jem, të iki s’dua,
me shpirt e gjitha jam dorëzuar!
Betejat më të ashpra janë çdo herë,
e më të thella bëhen edhe plagët.
Unë di si dimrin ta kthej në pranverë,
se me një puthje ti i dorëzon armët!
Armiku im nga unë adhuruar,
pa të asnjë çast nuk frymoj.
Përjetë të dy ne të bashkuar,
pas çdo beteje më fort të dashuroj!
STUHIA
Unë me qetësi pres stuhinë,
këtu majë malit të heshtjes sime.
Hapësira pa fund shtrihet kudo,
rrethuar nga paqe sublime!
Unë me kureshtje pres stuhinë,
vallëzimin e çmendur për të parë.
Të dëgjoj erërat që ulërijnë,
si shpirtra të etur e të marrë!
Krejt e mjegullt po vjen stuhia,
hap krahët ta pres në përqafim.
E ndiej gjithë botën në duart e mia,
e jeta para syve kalon si një vegim…
Kështu qenka thënë të presim stuhira,
që koha na solli krejt pabesisht.
Në vallëzim të jetës si kjo kohë ka mijëra,
ne jetojmë e vdesim përherë mrekullisht…

Bukur , shume bukur te hecen ne gjurmet e xhaxhait
flas si pasion ,si talent ,si Poete ,pastaj
me e bukura qendron ne te qenit Poete .
Te jesh Poete , (oh cfar ndjenje zjarrte )
do te thot aq shume ne kte jete ,
vec te tjerash ,mos ti lesh Shpirtrat tona Poetike ,
te lotojne Heshtjen tone …
Te jesh Poete , eshte sikur te jetosh ose kesh jetuar disa jete rrethuar nga emocione ,
qe te sherbejn ne jete si ato tabelat e udhetimeve te gjata ,
gure kilometrazhi jete ,
emocione te lidhura pandarshmerishte me
nji vend ,
nji Foto,
X Person,
X Plazhe ,
X Restorant ,
X Kafe,
X Forum ,
X Rruge ,
X Emer ,
X Emocion …
Faleminderit per kto emocione te afruara nga kto Poezi .
Suksese Poetes ne krijimtarine e saj…