Parku Kombëtar i Divjakës, ku përfshin pyllin e mrekullueshëm me pisha, lagunën e Karavastasë, pellgjet e vegjël dhe godullat mes pyllit me pisha, grykëderdhjen e Shkumbinit, të ndërthurur me një peisazh të mjedisit të mrekullueshëm dhe mbresëlënës. I harruar ndër vite ky park ka filluar të lulëzojë, të marrë bukuri magjepsëse dhe të vizitohet me shumë ëndje nga shumë dashamirës të vendit, por edhe nga vendet e tjera. Puna për rehabilitimin e tij sapo ka filluar dhe arritjet janë të prekshme. Në këtë shkrim do të trajtojmë një dukuri shumë të veçantë që jo kushdo mund ta kishte vënë re. Lagunat dhe pjesa e parkut të Divjakës jo shumë kohë më parë ishte kthyer në një tokë të djegur, nuk dëgjohej asnjë gjallesë, madje edhe ato pak shpend shtegtar që vinin për të pushuar trembeshin më parë se të uleshin për t’u çlodhur. E gjithë zona “bombardohej” nga armët e shumta si pasojë e një kaosi total të krijuar në vite për gjahun dhe gjuetinë. Fenomen i çuditshëm, por ishte realitet që edhe ato pak shpend që ishin rrinin tej brezit të tretë të detit nga frika e shfaqjes së figurës së njeriut.
Kryeministri z.Edi Rama, ministri z.Lefter Koka, deputeti i zonës z.Erjon Braçe diskutojnë për projektin për rehabilitimin e Parkut Kombëtar të Divjakës
Tani gjërat kanë ndryshuar. Moratoriumi i gjuetisë, në vetëm pak muaj ka dhënë efektet e veta. Shpendët e egra të të gjitha llojeve, janë shumë herë më shumë, të cilat nuk tremben më nga figura e njeriut. Laguna e Karavastasë dhe kënetat përreth, janë zbukuruar me tufat e llojeve të ndryshme të rosave, kojnikeve.
Ta ka ënda kur shikon tufa të pelikanëve kaçurrel, specie kjo e veçantë për Ballkanin. Relaksohesh kur shëtit në Parkun Kombëtar të Divjakës ku rrugët dhe rrugicat janë hapur përsëri, urat lidhëse të këtyre rrugëve janë ndërtuar nga e para. Lepuri i egër, shapka, mëllenja dhe të gjithë llojet e kafshëve dhe shpendëve të pyllit kanë gjetur qetësi. Rosat e egra janë miqësuar me elementin njeri, sa edhe kur kalon fare pranë tyre ato të shikojnë drejt edhe në sy.
Së shpejti do të rishohim edhe drerin brilopatë, kaprollin, fazanin, thëllëzën e fushës, lopët e egra që do ta hijeshojnë më tej këtë park magjepsës.
Po kush e risolli këtë bukuri përrallore që na ka falur natyra?
Vizioni i shtetit Shqiptar për të ardhmen e sigurt të këtyre resurseve me potencial të lartë turistik e prurje të mëdha financiare. Është kjo arsyeja që vetë kryeministri zoti Edi Rama ka hedhur idenë që ky park të qeveriset nga një strukturë e veçantë jashtë DSHP-së dhe të krijohet një qendër për vizitorët. Puna e përkushtuar e punonjësve të shërbimit pyjor të Lushnjës, të drejtorit të saj, z.Ardian Koçi, i cili është prezent në çdo kohë në këtë territor, madje edhe gjatë gjithë orëve të natës për të ruajtur këtë pasuri të jashtëzakonshme që të gjithë do të kishin zili ta kishin. Është përkushtimi i punonjësve të shërbimit pyjor, të inspektoriatit të policisë pyjore por edhe komunitetit të gjuetarëve të zonës që tashmë janë të ndërgjegjësuar më shumë se kurrë për prosperitetin e kësaj zone me vlera të larta ekologjike, turistike, kulturore e ekonomike. Krahas Divjakës e Kune Vainit do të dëshironim shumë të shihnim edhe Velipojën, Fushë Kuqen, Ballovën, Karaburunin, Llogaranë, Bogovën, Streblevë, Qafëmollën, Korabin e shumë e shumë parqe kombëtare e zona të mbrojtura. Në Parkun Kombëtar të Divjakës, por jo vetëm, ka kohë që nuk ndihen krismat e armëve. Kjo fal edhe ndërgjegjësimit mbarë qytetar, pasi më shumë se kurrë ata po e kuptojnë që kjo pasuri është e të gjithëve dhe si rrjedhim të gjithë kanë detyrimin ta mbrojnë dhe zhvillojnë atë.
*Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Gjahut

