Kjo verë te Kukësi duhej të ishte një “muaj mjalti” i gjatë i festimit të titullit, por po ndodh krejtësisht e kundërta. Sikur të mos mjaftonte hetimi në Austri për tolerim ndeshjesh, skualifikimi nga kupat e Evropës, largimi i çuditshëm i trajnerit Ernest Gjoka dhe problemet me disa lojtarë në lidhje me kontratat, te kampionët e Kategorisë Superiore ka edhe një precedent pagash.
Nuk është çudi, sigurisht. Po flasim për Shqipërinë dhe ngjarje tipike shqiptare, në një kampionat problematik dhe me ngjarje absolutisht qesharake për vitin 2017.
Sipas gazetës “Sport Ekspres”, stafi teknik i Kukësit pretendon se nuk është paguar për punën e kryer gjatë verës dhe ka gati ankimimin në FSHF. Verilindorëve u zgjatet automatikisht kontrata, kur skuadra luan në ndeshjet kualifikuese për në kupat e Evropës, që do të thotë se secili anëtar i saj duhet të paguhet, por kjo nuk ka ndodhur.
“Ne paguajmë sipas kontratës dhe jo sipas kërkesave”, – ka qenë reagimi i shkurtër i menaxherit të klubit, Naim Halili. Aspak bindës, apo jo? Trajneri Gjoka dhe ndihmësit e tij padiskutim që nuk do të ndalen me kaq, por a do të gjejnë zgjidhje? Urojmë, por me Kukësin historia ka treguar të kundërtën.
