Në festivalin folklorik burimor “Presheva jehon”

Ornela

Fitim Çaushi

Të ftuar prej Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Kashnica”, Preshevë për të marrë pjesë në festivalin folklorik, kaluam “Qafë Thanën” dhe po udhëtonim pranë liqenit të Ohrit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Shkupit, Tetovës, Kumanovës dhe mbërritëm në kufirin serb.

Terreni fushor-kodrinor mbuluar me pyje e gjelbërim, e thyente peizazhin, duke  e bërë më të këndshëm udhëtimin tonë në atë festival  mbarkombëtar, ku do të takoheshin vëllezërit e një gjaku dhe do të shkëmbeheshin  vlerat kulturore të një kombi të lashtë.

Me gëzimin e madh, se do të shkonim atje, ku ëndrra jonë përvëluese na kishte shoqëruar prej vitesh, pa dalë akoma prej mallëngjimit dhe lodhjes prej  530 km udhëtim, punonjësit e Shtëpisë së Kulturës që kishin dalë të na prisnin në doganë, na prinë drejt Preshevës.

Natyrshëm  përjetonim atë padrejtësi historike, e  cila ia preu degët trungut të lashtë shqiptar, ku ende në rrugë, në lokale, trotuare, flitet gjuha  shqipe, ndjehej aroma, tingujt dhe shpirti shqiptar.  Për ironi të fatit, ende këto troje  mbeteshin jashtë trungut amtar!

Banderolat “Mirsevini në festivalin “Presheva  jehon”, krijonin atmosferën festive dhe mikpritëse. Pas urimeve vëllazërore nga  drejtori i shtëpisë së kulturës Gani Veseli dhe stafi i tij,  (të gjithë të rinj të talentuar, të preokupuar maksimalisht për suksesin e festivalit), emocionet u larguan dhe biseda  vazhdoi si midis vëllezërve. Filluam të komunikojmë natyrshëm, sikur të ishim njohur prej vitesh dhe kënaqësia se ishin midis vëllezërve, na hoqi lodhjen.

Një kujtim i bukur do të mbetet në jetën tonë edhe nga pritja dashamirëse e Kryetares së Komunës Ardita Sinani në zyrën e saj.  Ishte një zonjë e  thjeshtë, e çiltër, një intelektuale e kompletuar, aq sa edhe e përkushtuar për veprimtari kulturore të etnisë shqiptare. Na uroi mirëseardhjen dhe na falënderoi që mundësuam realizimin e këtij festivali mbarëkombëtar.

Biseda përfshinte trashëgiminë artistike popullore, (ky ishte festivali i parë i këtij lloji), dhe mundësitë për ta përcjellë atë edhe më të zgjeruar në vitet e tjera. Mbrëmja ishte e hareshme, plot gëzim e ngrohtësi vëllazërore, sa që njeriu rrallëherë ndjehet aq i lumturuar.

Para festivalit,  filloi parada e kostumeve nëpër qytetin e Preshevës. Ishte një fillim spektakolar dhe shumë impresionues, artistët popullorë të shoqëruar nga instrumentet popullore: zurleve, daulleve dhe tupanave, elektrizuan rrugët e qytetit, çka sillte ndjesinë e krenarisë  dhe gjallërisë së jetës.

Jehona e melodive zotëronte tërë luginën, hynte brenda shtëpive dhe futej në zemrat e njerëzve, aq sa të krijohej ndjesia se kënga dhe meloditë shqiptare kishin  mbirë natyrshëm nga ky truall. Nga të dy anët e trotuareve njerëzit fotografonin dhe përshëndetnin.

Pas përshëndetjes në skenën e ndërtuar para shtëpisë së kulturës u ngjitën artistët e ansamblit të Preshevës,  një ansambël kompakt, me talente artistike që na emocionuan estetikisht.

Krahas epikës, sikundër ka qenë jeta e popullit, u prezantuan edhe krijimet lirike nga çifte valltarësh ekspresiv: një lirizëm i thellë, bashkëbisedim shpirtëror.

Në vazhdim vallzuan artistët e rinj të Tiranës e pas tyre grupi polifonik i Lunxhërisë, i cili solli larmi emocionesh me këngët tradicionale lunxhote dhe kostumet e bukura.

Pritja e këngës polifonike ishte e ngrohtë dhe artistët popullorë të Jugut afirmuan edhe një herë lidhjet e forta shpirtërore me malsorët e  Preshevës. Duartrokitjet treguan se ky folklor konsiderohej si një unitet shpirtëror Jug-Veri.

Këto festivale janë momente të papërsëritshme që e pasurojnë, e fisnikërojnë dhe e lartësojnë jetën shpirtërore të njeriut.

Artistët popullorë nëpër shkuj e kanë shkruar historinë e tyre me artin magjepës të këngës dhe valles, sikundër e pamë edhe te Ansambli artistik i Shoqërisë Kulturore Artistike “Emin Duraku”i Shkupit.

Koncerti i tyre plot epizëm, elegancë, optimizëm, shpalosi thesare shpirtërore si pjesë e jetës shqiptare. Prezantimi i folklorit burimor, dëshmoi se populli ynë i ka  trasmetuar nëpër shekuj  këto thesare si dëshmi e identitetit kulturor e kombëtar të tij.

Gjeneratat shqiptare  kanë zëvëndësuar njëra-tjetrën, por kurrë s’kanë harruar të përcjellin si një amanet historik, krijimtarinë dhe pasurinë e tyre artistike.

Kjo u evidentu edhe tek koncerti i Shoqërisë kulturore “Minatori i ri”, i Prishtinës, i cili përmes një dekori magjepsës koreografik, shpalosi shpirtin e populit në këngë e valle.

Koncerti filloi në mënyrë festive duke krijuar një atmosferë epike, brenda së cilës ishte e përligjur artistikisht vallja me motive për flamurin kombëtar si një amanet i shenjtë Brenda emocioneve plot figura koreografike valltarët me një interpretim perfekt dhe plastikë dekoratrive që vjen nga thellësia e shpirtit, sollën optimizëm, ritëm, gëzim.

Një koncert me vlera artistike,  dha edhe grupi folklorik i Kaçanikut. Ata ndiheshin krenar për artin e tyre të përcjellë  brez pas brezi në shekuj,  si ushqim shpirtëror.

Në këtë festival e gjithë Presheva u pushtua nga kënga,vallja, ngjyrat, nga shpirti shekullor i popullit. Festivali  folklorik “Presheva jehon”, u kthye në një manifestim kulturor mbarkombëtar, në qendër të të cilit qëndrojnë thesaret kulturorë të  trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.

Me artin e vet populli ka përcjellë nëpër breza mesazhin e madh, se këngët gjatë kohës janë drita ku ndizen zemrat e trimave, simbol i popullit, flamur i nderit, dhiata e gjyshërve.

Në festivalin folklorik burimor “Presheva jehon”,valltarët popullor i qëndronin besnikë shpirtit artistik të popullit si dëshmi e identitetit tonë kombëtar. Gjëja e parë që na ra në sy në festivalin “Presheva  jehon”, ishte mosha rinore, pjesmarrja e gjeneratës së re në artin e stërgjyshërve të tyre.

Ata po ja përcjellin traditën njëri-tjetrit.  Përvetësimi i elementëve artistikë  të kulturës popullore shqiptare nga brezi i ri, dëshmon për vlerësimin e pasurisë kulturore të kombit.

Kostumet e bukura dhe të larmishme, falë duarve të arta të stërgjysheve tona, të cilat me shijen e hollë dhe ndjenjën estetike të zhvilluar, i kanë lënë kulturës kombëtare një pasuri të madhe etnografike dhe artistike.

 

Share This Article
2 Comments
  • Kultura dhe arti shqiptar-paraprires i atdhetarizmit.

    Faleminderi velleze artiste sa organizatoreve dhe popullit prites ne Presheve,me-SHQIPTARIZEM pritur e zhvilluar ata aktivitet mbarekombetar..
    ***
    Nje atdhetar i vertete Festim Caushi, me sa na perciell ate manifestim te shkelqyer atdhetar mbare shqiptar, ne “PRESHEVA JONE”. Faleminderit dhe te prifte ajo pene profesionale,me zemer atdhetare si ajo e artisteve qe na perciell.
    Nje shkrim i persosur per kete aktivitet te PERSOSUR atdhetar, nga perfaqesues nga mbare trevat shqiptare.
    Faleminderi mikpritesve Te Presheves,qe thyejne “barikada”. Pene”Top”i miri yne Fitim Caushi,atdhetar i atdhetareve.
    Nje jete fansar i veprimtarive te tilla.sa brenda dhe jashte kufijve shteterore,me rinove.
    Pasuesi veteren 82 vjecar.

    Toronto 19-08-2017 Guri Naimit D.

  • Shoku autor. Pse mbeti Presheva dhe trojet e tjera jasht trunut shqiptar duhej te kishe pyetur tradhetarin kriminel Enver Hoxha, Aleksander Rankovicin, Titon, Dushan Mugoshen, Miladin Popovicin, Hysni Kapo Terbacin, Stalinin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *