Një banesë është përfshirë nga flakët mesditën e djeshme, në një nga godinat e Qytetit Studenti në Tiranë. Zjarri ka rënë në katin e katërt të “Godinës numër 18” që ndodhet pranë rajonit të policisë. Në këtë godinë jetojnë vetëm familjarë. Në momentin që ka rënë zjarri, familjarët nuk ndodheshin aty. Të njoftuar për ngjarjen, zjarrfikësit janë nisur drejt godinës në flakë, por në fillim kanë ngatërruar rrugën deri sa e kanë gjetur. Dëmet materiale kanë qenë shumë të mëdha, ndërsa nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet ndonjë shkëndijë elektrike, ose ndonjë pajisje elektro-shtëpiake.
