Në fushën e minuar të Berishës

anazapta

Dukja e gjersotme për Qeverinë Rama është ndër më të sikletshmet. Kemi ndjekur këto shfaqje të para, Ligj Financiar për borxhin e brendshëm, shlyerja e borxhit ndaj biznesit, reformat në Policinë e Shtetit, risi ideore e ligjore për administratën publike, strategji e re ndaj ndërtimeve antiligjore, bashkëshoqërim të strategjive në Ballkan e më gjerë për aleatë, klimë të re reale me FMN e Bankën Botërore, hetim koncesionesh, ndriçim rrugëkalimi të Doganave me “Crown Agents”… dhe Lojrat e Fatit… fatkob ngrirë e mbyllur, më tej. Vetëm disa që po përmendim për të rrëfyer se është herët që të flasim për rezultate. Jemi ende në “Uverturë” e cila është shpresëdhënëse, në aktet e tjera që do të vijojnë.

Qeveria Rama i ngjan një Minakërkuesi. Është një proces në ecje, një shfaqje, reshperim në gjeohapësirën shqiptare e mbjellë nga Paraardhësi, ky projektues minash. Të gjithë janë me gjak të ngrirë. Votuesit e ndryshimit dhe Rilindjes presin që të kryhen punë mbrothësie ashtu si ata ëndërrojnë Rilindjen. Mirëpo në të gjithë shtigjet e dyert që hapen, të del krimi, projektimi i ngërçit i antishtetit shtrirja e tij shoqërore dhe ekonomike në të gjithë ngrehinën.

 

1. Përfytyrimi ynë shkon në Vlorë. Ndërtimi antiligjor afër Skelës, si një pjesë e fundme e bishtit të gjatë të krimit urban, është aq i vogël po të përqaset me atë gjëmë ndërtimore antiligjore që e ka kthetruar Shqipërinë. Hedhja në erë e pengesës së Projektit të “Lungomare”-s është vetëm një “minë” në fushën e antiveprës së Berishës. Në të vërtetë shëmbjen që ndodhi nuk e kanë bërë xhenjerët e mundimshëm të shkatërrimit por minat e futura nën dhé dhe të mbira mbi dhé, të Qeverisjes që shkoi. Pengesat duhen shëmbur, minat duhen çminosur. Por kjo, kurrë, nuk është e lehtë.

Nuk gjen asnjë hapësirë, e cila të merret në dorëzim siç ndodh në shtete demokratike e të çohet më tej si një stafetë ndryshimesh që priten nga populli. U trondit trualli. U ngrit tymi. Pësuan ankth dhe po kështu janë në makth të vërtetë antiligjorët, anekënd; mandej u shfaq një Kryebashkiak i thirrur në dyer të Drejtësisë dhe gjithandej trazimi sapo ka filluar. E shihni?! Nuk është kaq e lehtë, kur ka punuar dhe ka hedhur rrënjë një gjallesë tjetër antijetë dhe antimbrothësi, ajo që kundërshton jetën dhe zhvillimin.

 

2. Ti cek paretin apo traun e Doganës dhe të ikën kapaku i kokës, me telefona kërcënime, me zëra netësh të bosëve të epërm dhe “gjeneralëve”, të vjedhjes, mashtrimit dhe vërshimit të evazionit fiskal, ku antiligji antishteti e ka kryer. Si do të veprohet? Është gjetur një hulli përvoje tek “Crown AGENTS” dhe po veprohet me përpjekje të brendshme për të parë gjëmën që është shkaktuar. Faktet janë tronditëse. Ndërkaq, Berisha shkumëzon për fushën e tij të minuar.

Sërish në udhë të menaxhimit troket në derë të Tatimtaksave, po e njëjta pikturë abstraksioniste, në një rrjet kapilarësh që nuk ushqejnë trupin e shtetit, por të shtresës oligarke, personazhet janë po të njëtët, sikur të kenë dalë nga e njëjta mitër dhe nga e njëjta inxhineri gjenetike, e shformimit kriminal antishqiptar. Berisha në post-roje të trafikut kapilar çirret me zërin tanimë të njohur të minahedhësit dhe minavënësit

Hartat dhe fotografitë dixhitale siç mësojmë nga termat e ministres Gjermeni po vijnë në ndihmë të masakrës së madhe pronësore dhe ndërtimore si në asnjë vend tjetër në botë. Është fotografimi që ka porositur vetë Sali Berisha në vitin 2007. Ai ka qenë viti “zero” relativ, për të matur se çdo të bëhej më vonë. Ndodhi e kundërta. Fotografimi shërbeu për një gjetje të re për vijimin e ndërtimeve antiligjore të cilat e kanë mbërthyer shtatin qytetor të Shqipërisë e që nuk mund t’iu bëhet kaq shpejt një kirurgji e plotë. Vija bregore e Detit të Illirisë është shndërruar në një gardh fatal më keq se sa bunkerët e dikurshëm, kryeurë që nuk treks as turizëm dhe as begati.

Me hartat e Berishës po ecën tani Qeveria Rama. Ato harta duhet të përtërihen se autorët janë berishianë prandaj nuk do të gjeni realitet. Jeni akoma në periferi, e po iu pengojnë të shkoni drejt qëndrës së saj. Një GIS (Sistem gjeografik i Informacionit) i Ri do t’u sjellë menaxhuesve një lloj ndriçimi. Task-Force e ngritur nuk është gjë tjetër veçse një mizë mbi trupin e Ariut të shpellës Arkitektit dhe Urbanistit me mina të mbjella në fushë të zhvillimit të Shqipërisë.

Në ç’gjendje janë sot burimet natyrore të shqiptarëve? Përherë kemi folur për to, për koncensionet e naftës të kromit të bakrit, hidroenergjitikës, etj dhe para nesh shfaqet një evazion tjetër, një rrymë që e çon atë jashtë Shqipërisë. Qeveria Rama nuk duhet të stepet, ajo duhet të jetë e vendosur për një sakrificë historike. Pasiguritë që po shfaqen duhet të tejkalohen.

 

3. Ndërkohë që beteja ka filluar dhe janë shkrepur armët e para, brenda në Parlamentin e sotëm të dyja projektet hahen e grihen njëra me tjetrën, si një shfaqje e mallkimit antikombëtar, kur përditë dalin të njëjtët gjyqtarë dhe të njëjtët avokatë të vetvetes, që këndojnë himnet e minave që kanë mbjellë. Ditën e pardjeshme Berisha ishte përfytyrimi qëndror i kopshtit të vdekjes që ai e ka kultivuar, dhe e mbrojtjes së sendërgjisë së tij. Opozita e sotme është ashtu sikundër e thosh Arbnori i paharruar, për socialistët e atëhershëm: “opozezë”. Asnjë lloj shëlbimi nuk mund ta shpëtojë shpirtin e urrejtjes dhe të konfliktit që prodhon Sali Berisha. Kjo është prova e Dukjes që po bëhet. Përballë: zvetënimi i qeverisjes së djeshme e cila edhe pse ka rënë nuk të lë që të bësh hap përpara. Sfida është e madhe. Dhe mitet ballkanike janë të jashtëzakonshëm. Ulisi do të kthehet në Itakë. Domosdo. Qeveria është futur, në shestimin e një Republike të Re të ndryshimeve të mëdha.

Share This Article
4 Comments
  • Si shoku ENVER je Mysllym efendi,mer vesh nga te gjitha ti edhe nga deti,nga doganat ,nga planet regulluese.Kuader i rendesishem na dole ashtu sic i donte PARTIA.

  • Te pershendes per shkrimet ,por me mire do te ishte qe dijet e Juaja tia afroni qeverise qe drejtusit e rinj te punojne me mire.Pavarsisht se ndoshta nuk te kerkon njeri ndihme por si atdhetar une mendoj qe duhet ti ndihmosh.

  • Shumë mirë!Me një vrejtje qe po e ndesh shpesh në vendin tim dhe nuk e dua italisht dhe pse jam pothuaj italian me dokumenta: “LUNGO MARE”..Perse kështu?Fjale e huaj kur kemi bukur gjuhën shqipe:”Shetitore e detit! ” Ka me bukur?Nuk është moderne, ta quash “lungo Mare”(Gjatësi deti) Edhe kështu mund të quhet dhe është moderne,shqiptare! Kuptoni c’beni?Mua me dhemb,ketu në Itali nese do quhet “Lungo Mare!” Sprapsem vetem nëse Italia e nderton falas me parate e saj, per ne…Ndryshe,jo! Eshtë fyerje kombëtare! Ju lutem,mua nuk më pëlqen Vlora me këtë emërtim italian! Pse jo dhe në anglisht, kur gjuha zyrtare europiane është anglishtja! Por në shqip,mor vëllezër,në shqip:SHETITORJA E DETIT! Ju lutem!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *