Në ‘gjueti’ të gjyqtarëve; S’ka konsensus për magjistratët

Dita

Shkolla e Magjistraturës është bllokuar nga mungesa e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi koha e dispozitave kalimtare ka mbaruar dhe askush nuk mund të emërojë magjistratët që përfundojnë studimet në qershor.

Për t’i gjetur një zgjidhje ngërcit të krijuar, maxhoranca sheh vetëm ndryshimin e ligjit si rrugë, duke ia lënë emërimet në dorë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

I vetmi opozitar në Komisionin e Ligjeve ishte deputeti i LSI-së, Nasip Naço, i cili e quajti të papranueshme që KLD-ja të rimerret me emërimet e magjistratëve.

“13 studentë magjistratë do të shkojnë të kërkojnë votën tek anëtarët e KLD. Do t’i mësoni që ditën e parë me ryshfetin. Do t’i mësoni që ditën e parë të jenë borxh, qoftë edhe politikisht. Kjo është kazma që po i vini Reformës, mos i përzini këta magjistratë me një pjesë të llumit të KLD”, u shpreh Naço.

Rezervat ndaj KLD-së nuk munguan as nga radhët e socialistëve.

“Ne u themi këtyre, meqë nuk e ngrita dot akoma KLGJ dhe KLP unë, hajde mi emëro pak këta”, tha Bashkim Fino.

Që Ligji për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit të ndryshojë, duhen 84 vota, ndaj socialistëve u duhet ndihma e LSI-së, me të cilën e miratoi këtë ligj në legjislaturën e kaluar. Përveç apelit për bashkëpunim, socialistët hodhën edhe idenë e një shorti, në mënyrë që të shmanget arbitrariteti i KLD-së, por propozimi u kundërshtua nga Shkolla e Magjistraturës.

“Ligji për qeverisjen dhe statusin përcakton rregulla si bëhet emërimi i kandidatëve dhe shortin nuk e pranon. Pranon renditjen, sepse pranon cilësinë”, u shpreh Sokol Sadushi.

Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve e miratoi nismën vetëm në parim, derisa të gjejë një mënyrë për të zgjidhur ngërçin juridik e atë politik.

s.a/dita

Share This Article
1 Comment
  • Arsyetimi i Naços dhe i Finos eshte i drejte . Te gjenden mekanizmat ligjore dhe emerimi i tyre sipas merites, ndryshe bejme hapa pas. Politika larg duart nga drejtesia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *