Prof. Hamit Boriçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Samiu përmbyll veprimtarinë gazetareske jo me fletore turke, por me të paren revistë didaktiko-pedagogjike shqiptare “Drita”-“Dituria” (“Skronjmësime e përherçme”). Ai ishte ideuesi, orientuesi dhe drejtuesi i saj. Prof. dr. Nasho Jorgaqi saktëson: “Samiu ishte kryeredaktor. (Artikulli “Detaje nga jeta pivate e intelektuale e enciklopedistit Sami Frashëri” – “Shqiptarja.com” Online, Tiranë, 18 maj 2014, 7:20 ) Ndërsa historiania Nina Smirnova, pasi e afirmon Sami Frashërin si “personaliteti më i spikatur” i ideologëve të Rilindjes” argumenton: “Me nismën e tij, filloi të botohet në Stamboll më 1884 “e para gazetë e shqiptarëve, “Drita”-“’Dituria”…”. ( Nina Smirnova “Historia e Shqipërisë pergjate shekullit XX, Moskë, 1992, Botim i SHB “Ideart”,Tirane, 3004, f. 29 )
Samiu.e merrte këtë nismë me atributet e kryetarit të Shoqërisë së të Shtypur Shkronja Shqip. ( Kjo Shoqëri e shqiptarëve të Stamboll u krijua në Stamboll në tmuajin tetor të vitit 1879 ) Revista doli në Stamboll rregullisht nga muaji gusht 1884 deri në korrik të vitit 1885.
Leja e botimit nga Porta e Lartë zyrtarisht iu dha shqiptarëve ortodoksë Petro Poga (“Drita” -nr. 1-3) dhe Pandeli Sotirit (“Dituria:, nr. 4-12), që të dy anëtarë të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.
Misioni zyrtar, miratuar nga Qeveria në lejen e botimit të “Dritës” është “ndritja e mendjes me çdo farë diturie”. Duket prirja e redaksisë për të ushqyer lëvizjen kombëtare me dashurinë për gjuhën shqipe, për të mësuarit dhe edukatën në gjuhën amtare, detyrë kryesore e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Ndihmesë të shumëvlertë për mbarëvajtjen dhanë veçanërisht Naim Frashëri, Jani Vreto dhe Koto Hoxhi.
Revista ishte e profilit pedagogjik, por edhe si një organ kulturor shkencor, letrar e më tej, me synime të dukëshme, me përmbajtje e prirje të kombëtare. Me një përkujdesje të admirueshme gjuhësore janë hartuar shkrimet, duke ndikuar kështu te lexuesit në të mësuarit e të edukuarit për një shqipe të shkruar, një toskërishte e punuar për atë kohë. Drejtimi letrar “merr vlera të veçanta, parë në dritën e kohës. Numri i parë hapej me vjershën e mirënjohur të Naim Frashërit “Fjalët e qiririt“..
Me artikuj shkencorë, shkruar në gjuhë të kuptueshme për fëmijë dhe të rritur, motivohet orientimi kulturor-shkencor. Në rubrikat e shtyllat e revistës janë botuar disa shkrime me karakter studimor, me arsyetime e meditime filosofike të Sami Frashërit, Naim Frashërit, Jani Vretos e Pandeli Sotirit.
Edukimi qytetar është një nga tiparet e këtij organi shtypi dritdhënës. Sami Frashëri botoi disa shkrime didaktike për edukimin dhe formimin qytetar të lexuesëve; mësohej se “Qytetaria është rrojtje e njeriut mbi dhetë me dituri, me urtësi, me butësi, me pasje e me çfarëdo lehtësije”. Me këto synime, Sami Frashëri botoi një cikël shkrimesh-ligjërata: Qytetari e grekëve, Qytetari e Arabisë dhe Qytetari e Europianëvet. Naim Frashëri me “Fjalë për të vegjëlitë” ushqenyt dashurinë për “mëmën e atënë, motrën e vëllanë, miqtë e fqinjët, farë e fisnë dhe gjithë njerëzinë”.
Atdhetarizmi ishte tipari themelor i përmbajtjes. Shquhej Naim Frashëri për kurajo qytetare tek dilte jashtë kornizave të përcaktuara nga Qeveria e Stambollit në lejen e botimit. Në poezinë alegorike “Shkëndij’ e diellit manushaqes“, poeti l këndon Shqipërisë, rrezaton të ardhmen e saj, shpreh realitetin, por inkurajon, zgjon shpresën dhe orienton për ardhmeninë. Në vargjet e Koto Hoxhit ndërthuret dëshira për dituri e mjeshtëri me atë të dashurisë e të bashkimit kombëtar. Në dritë të diellit pohohet në një shkrim diturak se “shqiptarët sot gjithë janë një komp…kanë një gjuhë, një gjak, një zemër e një fis“.
Trashëgimia publicistike e Sami Frashërit është e begatë. Ajo ka të bëjë edhe me njohjen dhe studimin e proceseve e dukurive të zhvillimit të gazetarisë shqiptare, me rolin e madh të shtypit në të gjithë jetën e shoqërisë, veçanërisht në atë periudhë të rëndësishme për kombin e vendin tonë.
Samiu “gazetarinë e bëri mjeshtëri të dytë” (Shih- Histori e Letërsisë shqipe – tekst për shkollat e mesme, T. 1960, f. 10 ) si nevojë e domosdoshmëri, ashtu si edhe rilindasit tjerë, për të ushqyer nga ana ideologjike dhe politike lëvizjen për çlirimin kombëtar dhe, për ato kohë, autonominë e Shqipërisë.
Ai lëvroi kryesisht zhanret analtike të gazetarisë. Më së shumti shfrytëzonte kryeartikullin (editorialin) si lloj shkrimi orientues që shpreh mendimin e qëndrimin e redaksisë për çështjen e shtruar, Ishte edhe mjeshtër i artikullit me strukturë pamfleti, “…me stil polemik, mbështetur në argumenta të pakundërshurueshme”. (Profesor Hasan Kaleshi Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, l968, nr.l. f. l04 )
Samiu ka dhënë kontribut me vlerë edhe për parimet, ligjësitë dhe organizimin e shtypit. Ai formulon pikëpamjet e veta për gazetarine. Së pari, thekson se: “gazeta duhet të jetë e dobishme për të gjithë dhe shërbimi që do të kryejë të jetë për të gjithë”; “Të shkruhet shkurt, me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë” dhe gazeta “ të kushtojë lirë që gjithsecili të ketë mundësi ta blejë”. Me tej lartëson figurën e gazetarit, si njeri që i përkushtohet idealeve shoqërore” Dhe i këshillon: “Gazetari interesin personal duhet ta vërë nën interesin e dobinë e shoqërisë”. ( Artikulli “Në vend te programit” – Gazeta “Sabah”, 9 janar 1876)
“Samiu ka qenë gjithmonë përkrahës i së resë, përparimit, i ideve të reja, larg nga metoda e atëhershme.që prej kurrgjaje me shpikë probleme, nuk përzihej në diskutime të kota”. ( Profesor Hasan Kaleshi -Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, l968, nr.l , f. 111 ).
Pas një veshtrimi sado të shkurtër të veprimtarisë publicistike të Samiut mund të arrinet në tre përfundime: së pari, gazetaria ishte pjesë e tërë qenies së tij shoqërore, kulturore, politike; së dyti, Samiu shfrytëzoi publicistikën për interesa thellësisht kombëtare në momentet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët; së treti ai ishte mjeshtër ipolemikës me mediat e kohës.
