Në gjurmët e Dervish Iljasit

J L

Enver Kushi

 

Kur mbaron së lexuari librin më të ri të Nuri Çunit “Gjurmët e Dervish Iljasit”, duket se edhe ti si lexues ke bërë një rrugëtim të gjatë në kohë dhe hapësirë me Dervish Iljasin. Jo vetëm kaq: ke dëshirë të shkosh në viset ku ai ka lindur dhe është madhuar, të ngjitesh në Kulmak, ndoshta në një natë dimri me dëborë e suferinë, ku nga larg sheh një fener të ndezur, që të drejton për në teqenë e famshme e ku Dervish Iljasi të pret me fjalët: “Edhe gurët, edhe drurët ju falenderojnë që erdhët…” Dhe pastaj të ecësh e të ecësh në gjurmët e tij, që janë sa shpirtërore, aq dhe lëndore e të prekshme. Me të drejtë, në mesazhin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Dede Baba Edmond Brahimaj, për këtë libër, shkruhet : “Është thirrje brenda nesh, që gjurmët e ndritura, jo vetëm mos t’i lemë të pluhurosen, por përkundrazi, të ecim mbi to, të frymëzohemi prej tyre, duke i dhënë jetë e gjallëri bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Ky libër përcjell nga fillimi në fund veprën e Dervish Iljasit, mesazhin bektashian të pafikur çirakun e Haxhi Bektash Veliut”.

Autori i këtij libri, Nuri Çuni, është nga njohësit më të mirë të historisë, kulturës dhe mistikës bektashiane. Ky njeri me shpirt të madh e i palodhur, me një përkushtim të veçantë shpirtëror, nëpërmjet shumë botimeve, ka shkruar për historinë e teqeve bektashiane në Shqipëri, ndihmesën e bektashinjve në Lëvizjen Komëtare Shqiptare, figurat e shquara të klerit bektashian etj.etj. Kjo nuk është e rastit. Ai ka lindur në Sevran, një fshat që ndodhet në jug-perëndim të malit Tomorr dhe që i vogël, ka marrë shumë nga mistika dhe drita që vjen nga ai mal “i shenjteruar i shqiptarëve”, siç thonë rilindasit tanë të ndritur. Trekëndëshi i shenjtë( nëse do shprehesha kështu), Mekami i Abas Aliut, teqeja e Kulmakut dhe teqeja historike e Prishtës, kanë rrezatuar në shekuj dritë jo vetëm për ato treva, por për tërë kombin shqiptar, ndërsa në vetëvete, Tomorri ka përshfaqur në thellësi të tij e në sipërfaqe, mite, legjenda, rrëfenja nga më të çuditshmet, këngë etj.etj. atë që do ta quaja Tomorriada. Me të drejtë Mit’hat Frashëri në një nga rrëfenjat e tij më të bukura të titulluar “Ay mal”, shkruar në vitin 1914, mes të tjerash shprehet për Tomorrin: “Edhe shpesi i malevet këtu vjen dhe kërkon fuqi për krahët; shqiponja këtu e mpreh sqepin, kaprolli këtu u jep ujë këmbëvet të çelikta, ret ‘e qiellit këtu vinë dhe mbushen me shi, dëbora këtu zbardhet, rrufeja këtu e merr zjarrin. Rri e patundur kjo majë. Ruan Shqipërinë. E ka pushtuar me shikimin  e saj”.

Eposi Tomorrian ose Tomorriada ka qenë dhe mbetet i lakmuar për historianë, studiues të fushave të ndryshme, poetë e prozatorë, piktorë, kompozitorë…Mali i shenjtë i Tomorrit, veçanërisht tek bektashinjtë ka simbolikën e malit baba, që jep dashuri, mirësi, paqe e mbrojtës të Shqipërisë.

Jeta dhe vepra e Nuri Çunit janë të lidhura pazgjidhmërisht me frymën dhe dritën që vjen nga ai mal, me eposin dhe lirikën e Tomorriadës, gjurmët e thella të bektashizmit dhe klerikët e këtij tarikati, që kanë shërbyer në ato vise “kubektashizmi ka shtëpinë e vet”, siç shkruan poeti Xhevahir Spahiu.

Vite më parë, në fillimqershorin e vitit 2015, kur kishin nisur xhirimet për filmin dokumentar “Teqetë e Shqipërisë”, pas natës që bujtëm në Bogovë, si të ftuar të Zalo Qatos, nuk do ta harroj kurrë mëngjesin, kur po ngjiteshim në shpatet perëndimore të Tomorrit. Shkoja për herë të parë në ato vise nga më të bukurat e Shqipërisë, ku përshfaqej kudo aureola e shenjtërisë dhe drita e atij mali. Operatori i mirënjohur Spartak Papadhimitri dhe skenaristi e regjisori pasionant Kreshnik Hashorva, ndaleshin për të fiksuar në kamera dhe aparatin fotografik bokërrimat, luginat e thepisura, korijet me lisa, retë që uleshin e ngriheshin mbi shpatet e thepisura e majat e larta. Nuri Çuni, që njihte çdo pëllëmbë të atyre viseve, fliste pa pushim, ndërsa makina ngjitej me vështirësi në rrugën malore. Dhe teksa ndiqja rrëfimin e tij, më dukej si kur prekja legjendat dhe historinë apo takoja baballarët dhe dervishët bektashinj, që ecnin atyre rrugëve me heshtjen e thjeshtë si më karakteristike. E mes tyre herë-herë më shfaqej, si i zbritur nga retë, Dervish Iljasi, një nga klerikët bektashinj më të njohur e gjurmëlënës në ato hapësira e vise. Mbaj mend që Nuriu i tha shoferit që të ndalte makinën. Përpara nesh ishte një korije me lisa të mëdhenj dhe duke ndjekur nga pas Nuriun, u befasuam nga ai vend i mrekullueshëm dhe dy lisa të veçantë, monumente të rralla natyrore. Vendi quhej Pirogosh dhe mes korijeve me lisa ishte pusi ndertuar nga Dervish Iljasi, 13 metra i thellë. Kur përfundoi pusi,  dervishi mori dy fidana lisi, i fërkoi pas shpatullave të tij, i bekoi dhe  tha fjalët. “Lisat do të rriten për hije, që të pushojnë udhëtarët e lodhur, pranë pusit me ujë”. Ne dëgjonim me vëmendje rrëfimin e Nuriut, duke parë lisat madhështore mbi një shekull, trungu i të cilëve ka diametrin 130–140 cm. Nuri Çuni na foli gjatë për veprimtarinë ndertonjëse të Dervish Iljasit, si rrugë, ura, puse, çezme… Në të folurën e tij dhe rrëfimet  me një kolor të veçantë, m’u duk sikur lexoja librin e tij të ardhshëm për Dervish Iljasin, këtij kleriku emblematik të bektashizmit shqiptar e më gjerë.

Tashmë ky libër është në duart e lexuesit, shoqëruar në hyrje me fjalën e ngrohtë dhe vlerësuese të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Autori i librit më besoi korrektimin dhe redaktimin letrar,pra në një farë kuptimi isha lexuesi i parë, ku nga faqja në faqe e deri në fund, kam patur fatin të jem në “shoqërinë” e Dervish Iljasit, duke ndjerë dhe fituar shumë shpirtërisht, nga jeta dhe vepra  gjurmëlënëse e tij. Lexuesi njihet me një jetë që përtej të zakonshmes apo normales, përfshin ndodhira nga më të çuditshmet, që ruhen të gjalla në kujtesën popullore, në poezi, këngë, rrëfime nga më befasueset, të trashëguara brez pas brezi, shoqëruar me aureolën mistike bektashiane, që i japin kësaj figure një dimension shumëplanësh sa njerëzor, aq edhe të shenjtëruar.

Studiuesi John Birge, në librin “ Urdhëri Bektashian i Dervishëve”, duke cituar prof. Fuad Koprulu shkruan se sipas tij “pjesa më e madhe e dervishëve të ardhur nga Azia e Vogël ishin të sektit kalander dhe këtë lëvizje kalandere ai e quan një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e islamit. Këta dervishë i ishin përkushtuar jetës së udhëtimeve të vazhdueshme dhe të pandërprerë”.

Dervish Iljasi në librin e Nuri Çunit ose dervishi kalander, nuk ka ardhur nga Azia e Vogël, por jeta e tij është një udhëtim i pandërprerë në viset shqiptare dhe veçmas në ato që i mbulon hija e malit të shenjtë të Tomorrit. Ai i përket atij brezi të rrallë të personaliteteve të historisë së bektashizmit shqiptar, që të udhëhequr nga çiragu i Haxhi Bektash Veliut, me fjalën, veprën, jetën e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme kudo që kanë shërbyer. Autori nuk e ka patur të lehtë të ndjekë rrugëtimin e gjatë dhe të hedhë në letër gjurmët e lëna nga dervishi kalander, kudo që ai ka shkelur. Nuri Çunit i është dashur të prekë vetë gjurmët e Dervish Iljasit si ato lëndore, pra veprat ndërtonjëse të tij, por edhe ato shpirtërore, mistike. Kjo e dyta ka qenë më e vështirë, por ai, falë pasionit, punës së palodhur, depërton edhe në dimension mistik të Dervish Iljasit. Siç e theksuam edhe më lartë, dervishi kalender, por edhe autori i këtij libri, janë lindur e madhuar nën hijen dhe madhështinë e Baba Tomorrit, sepse siç shkruan ai : “Besimi në këtë mal dhe dashurinë për bektashizmin e mori gradualisht në rritje e sipër. Më pas, kur qëndroi për një periudhë kohe në Qendrën Botërore Bektashiane në Haxhi Bektash, krahas njohurive të plota për tarikatin Bektashian, mori dorë e u vesh dervish”. Po të lexoni me vëmendje këtë libër, do të gjeni në të dhjetëra ndodhi, ku shpaloset mistika e Dervish Iljasit. “Jeta e Dervish Iljasit, nënvizon Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndonëse ishte e shkurtër, ka mbetur gjallë në kujtesën e shekullit që lamë pas, si dhe në kujtesën e brezave të besimtarëve, pikerisht përmes mistikës së shfaqur prej tij…Kështu Kalanderi i vërtetë u bë sinonim i kuptimit “sufizëm”, që me të drejtë quhet rruga drejt Zotit. Urat dhe rrugët që bënte, ai i bashkonte njerëzit të udhëtonin bashkë me njeri-tjetrin…”

Veprimtaria ndërtonjëse e Dervish Iljasit, përbën një nga shtyllat kryesore të këtij libri. Ndërtimi i urave, referuar shtypit të kohës, veçmas gazetës “Lirija”, ku jepen fakte mbresëlënëse nga puna e palodhur e tij, i cili, siç shkruan ajo: “ Shpirtmir punonjës i palodhur Varfa Iljas ka tre vjet me kazëm në dorë katund më katund, ku janë prishur udhët i ndreq, duke u a lehtësuar banorëve të shumtë komunikimin mes njeri-tjetrit”. Lexuesi jo vetëm ndjen dhe prek këtë veprimtari ndërtonjëse të Dervish Iljasit, por edhe emocionohet apo bie në mendime për forcën e karakterit të tij, largpamësinë e mbi të gjitha punën në shërbim të njerëzve, që u bë moto e këtij kleriku bektashian.

“Dervish Iljasi, shkruan autori, ishte një organizator i shkelqyer, sepse dinte t’u fitonte zemrat besimtarëve dhe dashamirësve. Në popull kishte krijuar besim të plotë dhe me autoritetin e tij fjala nuk i bëhej dysh asnjëherë”. Ky është çelësi i suksesit dhe i punës së palodhur të tij, që arriti kulmin me ngritjen e Teqesë së Kulmakut, më 28 qershor të vitit 1916 dhe mori bekimin e Dervish Iljasit. “ O Abas Ali! O Abas Ali! Bekuar qoftë kjo teqe!”. Nuri Çuni u përcjell lexuesve emocionet e asaj dite të paharruar për besimtarët e dashamirësit e ardhur nga Tomorrica, Gramshi, Skrapari, Berati, Përmeti, Tepelena. Në lartësinë l,700 metra, në këmbet e Tyrbes së Abas Aliut, ajo u bë shtëpia e mijëra besimtarëve bektashinj, ku u falen dhe i luten Zotit, Muhamet Aliut, Haxhi Bektash Veliut… Në atë  Teqe ata marrin bekimet e Abas Aliut dhe qindra shenjëtorëve të tjerë, si dhe nga drita e pashuar e bekimeve të Dervish Iljasit. Ai e drejtoi pë 7 vite këtë teqe, ku netëve të dimrave të egër e me dëborë të madhe e stuhi, nxirte një njeri me fener në dorë, për t’i orientuar udhëtarët që të shkoni në teqe për t’u ngrohur e shplodhur dhe gjetur prehje, nën shoqërinë e Dervishit, që u jepte njerëzve dashuri, urtësi e vëllazëri.

Si atdhetar e arsimdashës, ai jetoi në një periudhë, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte në kulmin e saj. Ky dimension tjetër i Dervish Iljasit, dhënë bukur në këtë libër, e bën më të plotë figurën e tij. Dervish Iljasi i përket brezit të shquar të klerikëve bektashinj, që moto të tyre bënë shprehjen lapidare “Pa Atdhe, nuk ka fe”. Nuri Çuni, si në të gjithë librin, edhe në këtë kapitull, mbështetet dhe citon dokumente të shumta arkivore, gazeta të kohës apo botime të ndryshme. Nuk është e rastit, që në kremtimet e 25 vjetorit të vetëqeverimit, Dervish Iljasi u vlerësua si përkrahës i nxehtë i arsimit kombëtar dhe që në çdo rast ka dhënë kontributin e tij patriotik për Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Në vitin 1937, shkollës së Verzhezhës iu vu emri “Dervish Iljasi”.

Këngët dhe vargjet për Dervish Iljasin, secila më vete dhe tërësia e tyre, tingëllojnë në kapitullin përmbledhës të këtij libri, si shumësi zerash sa tokësor, aq edhe qiellor. Disa prej tyre janë perla të gurrës popullore të trevës ku janë ngjizur.

Kujtesa popullore në këto vargje është me shumë se përjetësi e monument i gjallë për Dervish Iljasin, ku me saktësi përmenden emra vendesh, qytetesh, fshatrash, stinë të ndryshme me gjelbërim, erëra, shira të rrëmbyeshëm vjeshte, deborëra e suferina, apo dritë e bekime që vijnë nga shenjtëria e Dervishit të palodhur e të pavdekshëm. Këto këngë e vargje tingëllojnë si zëri magjepës e tronditës i këngëtarit Demir Zyko, apo shumëzërësia që vjen prej kohërave antike nga mali i Shenjtë i Tomorrit.

Studiuesja Iren Melikoff në librin “Pir Haxhi Bektash Veliu”, shkruan edhe për një baba me emrin Iljas, që në shek.13, ishte prijës fetar popullor, shërues dhe zotërues i një  kali të mrekullueshëm gri, me të cilin mund  të fluturoje drejt qiellit dhe të zhdukeshe si Mehdiu, për të ardhur përsëri në fund të kohërave. Evla Çelebiu, në disa vargje e paraqet kështu atë :

“Sheiku në fronin qiellor dhe me flamur të gjelbër,

Sheiku me kal gri dhe me çallmën e dritës”.

 Dervish Iljasi ynë, dervish Iljasi i librit të Nuri Çunit, shfaqet e rishfaqet jo vetëm në kujtesën popullore shqiptare, por veçanërisht ai ka lënë gjurmë në historinë e bektashizmit tonë, jo “i hipur mbi kalin gri” apo “me çallmën e dritës”, por mbi ca kuaj të tjerë mistikë, ku taxhi i dritës dhe harkaja e bardhë, vazhdojnë të ndriçojnë ende, duke lënë gjurmë kudo që ai ka shkelur. Këto gjurmë na i rizbulon në librin e tij Nuri Çuni, për të na risjellë amanetin e Dervish Iljasit, që të ecim nëpër to, duke rrugëtuar të ndriçuar nga drita e pavdekshme e bektashizmit.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Emfaze,,Patetizem pa vlere.
    Te kishte pasur kaq punetore me kazem e lopate Skrapari dhe Gramshi,rruga per ne Teqene e Kulmakut do te ishte shtruar me kalldrem,nuk do ishte ajo qe ndertoi Ushtria Popullore per nevojat e saj.
    Te kishte pasur kaq veneracion per baballarret dhe dervishet Skrapari,nuk do hidhej gjithe katundaria te rrembente mekamet e teqese se Prishtes dhe t`i hidhte ne perrua.
    Qe keto lloqe emfatoike jane edhe hypokrite shikoi mire ato dokumentaret e kinostudios,ku fshataret e Skraparit rrembejne Mekamet nga tyrbet per ti gremisur ne humnere.Shikoi mire ata fshatare qe dalin deshmitare ne gjyqet popullore kunder dervisheve dhe baballareve rreaksionare.
    Patetika dhe emfaza jane mbulesa e Hypokrizise.
    Populli shqiptar eshte nje besimtar fals,sipas interesit te castit.
    Beri mire Enver Hoxha qe i vuri kasmen Fe-se.

  • E di ti, Demo, aresyen pse Skraparlinjte dhe gramshiotet nuk e hapen dote rrugen me kazma e lopata me pare se ta hapte ushtria popullore per nevojat e saj ? Po se dite po ta them une . S’paten nje udheheqes si Ju ,o Demo . Ja qe kur linde Ti u be edhe rruga nga ushtria popullore. Sa bukur sikur te kesh qene oficer ? Ma do mendja se do t’u kete marr mendim Enveri kur prishi fene. Edhe ne skraparlinjte u degjuam JU ,ndaj i cuam ne lume guret e mekameve dhe teqeve…..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *