Në gjurmët e Fan Nolit në Diasporë

Leda Hysa

Figura të kulturës së Diasporës Shqiptare

Nga Prof Nasho Jorgaqi

Atë fund pranvere, duke kaluar nga Athina për të shkuar në Trakë te njerëzit e Fan Nolit, nuk mund të mos ndaleshe në këtë qytet, qoftë dhe për pak kohë. Athina e ka vendin e saj në rininë e Nolit.

Kisha rënë rastësisht në hotel “Afroditi”, në rrugën “Apollon”, përbri lagjes “Plaka”. Nga dritaret e hotelit dukej një pjesë e shtyllave antike dhe shkëmbinjve të Akropolit e nën to shtëpitë e ulëta të lagjes arvanitase. Kjo ishte pamja e parë e Athinës. Një pamje që më hapej këtij mëngjesi të kthjellët helen, e cila lidhej krejt padashur me rravgimet e lashta shqiptare në këtë qytet. Vështroja ashtu i përhumbur qytetin, që rrëzëllente nga bardhësia, nën diellin e fortë, dhe mendja më shkonte vetiu te Noli. Mendoja për atë kohë të largët të rinisë së tij, kur ai pat ardhur pat jetuar këtu. Athina ishte vendqëndrimi i parë i djalosharit pasi doli nga Turqia, po dhe qyteti i ëndrrave të bukura, që i vlonin prej vitesh. Ai kishte arritur këtu me dëshirën e madhe për të studiuar, më synime të guximshme për të hyrë në lidhje me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe për t’u bërë kalorës i Skënderbeut. Djaloshi nga Ibrik-Tepeja donte, medoemos, që duke zbritur në Athinë, ti jepte jetës së tij një kthesë vendimtare. Shumë vjet më vonë, në një bisedë me gazetarin grek A. Manastiriotis, duke e kujtuar me nostalgji, ai do ta quante këtë qytet “dashurinë e tij të vjetër”.

Te kjo “dashuri e vjetër” e Nolit kisha ardhur dhe unë pas afro një shekulli, për ta parë e soditur Athinën nga harku kohor i rinisë së poetit. Shkoja këtë nëpër mend dhe përpiqesha të thurja “hartën” e jetës së tij këtu, vijat e lëvizjes në kohë e në hapësirë, vendet që lidheshin me të. Natyrisht ishte një ndërmarrje tepër e vështirë, sidomos kur kujtoja synimet që ai i kishte vënë vetes. Po si do që ;harta’ e Nolit më dilte gjithnjë e mjegulluar dhe e mangët, shpirti i kërkimit s’më linte të qetë. Ai më rrinte vazhdimisht zgjuar dhe më shtynte të guxoja.

Dola nga hoteli dhe zura të ec nëpër rrugën e vjetër ‘Apollon’, me dyqane karakteristike, që më nxori në ca rrugica të kalldrëmta. Çapitesha dhe shikoja sa nga një anë në tjetrën, kur kuptova se kisha hyrë në lagjen ‘Plaka”. Nuk e kisha menduar që ishte kaq afër hotelit dhe kjo më gëzoi e më dha zemër. Gjendesha në lagjen e njohur të arbëreshëve të Greqisë, një nga zonat më të vjetra të kryeqytetit. S’ka të huaj, aq më tepër shqiptarë, që të vijnë në Athinë e të mos shkelin këtu. ‘Plaka’ i është qepur shkëmbinjve nën Akropol dhe sado që koha ka bërë të sajën, ajo e ruan fytyrën e vet, me shtëpitë e ulëta, rrethuar me kangjella që vetëtijnë nga muret e bardha të hijeshuara nga lulet, me rrugicat gjarpëruese dhe shkallët që ngjiten e zbresin. Ky kënd i Athinës ka historinë e tij dhe ngërthen një atmosferë disi të veçantë. Fan Noli, sa herë do të fliste me miqtë për Athinën, do të kujtonte plot mall “Plakën”. Që herët kjo lagje popullore do të ishte vendi më i dashur për të. Vinte ai këtu, jo aq për t’u dëfryer nëpër kafenetë e tavernat e saj të parapëlqyera, se sa për t’u çmallur midis vëllezërve të një gjaku, për të dëgjuar këngë shqiptare, për të folur shqip, se atje ku flitet shqip, ishte një copëz Shqipëri!.

Tek endem nëpër rrugicat e «Plakës» kujtohem se diku këndej, njëherë një kohë, kanë qenë zyrat e universitetit Kombëtar. Zë e kërkoj dhe s’e kam te vështirë ta gjej. Një arbëresh që e pyes më tregon dhe më shoqëron për atje. Është një ndërtesë e madhe dhe e vjetër, mbi shtëpitë e ulëta të «Plakës». Arbëreshi më thotë se me rastin e 150-vjetorit të Universitetit, ajo është meremetuar dhe është kthyer në muze. Por dikur te kjo godinë ishin zyrat qendrore të rektoratit dhe ma merr mendja se këtu duhet të ketë ardhur Theofan Stilian Mavromati për t’u regjistruar në fakultetin e filozofisë, në degën e letërsisë. Faktin e regjistrimit në universitet, ai e përmend qartë në autobiografi, por sa i ndoqi mësimet dhe sa i kreu detyrimet shkollore, për këto nuk thotë asgjë. Duke qëndruar para sheshit të vogël të muzeut, pyes me vete: A mund të gjenden këto të dhëna në arkivin e Universitetit, që është këtu në «Plakë»? Me «Plakën» m’u desh të ndahesha shpejt,sepse kohën të kursyer dhe ekskursioni që më priste nëpër Athinë s’ishte i lehtë. Në radhë të parë, duhej të mbahesha fort pas Nolit, të mos shpërndahesha e të mos hallakatesha. Duhej t’i përvidhesha magjisë së Athinës, t’u shpëtoja në njëfarë mënyre joshjeve të saj, monumenteve mitike e moderne, me të cilat ajo të befason.

Në të vërtetë, këtë qytet, tërë ato ditë përpiqesha ta përfytyroja si teatër të jetës së Nolit. Por, sido që ta ktheje, Athina mbetej Athinë, madhështore dhe enigmatike, e këndshme dhe hijerëndë, si në fillim dhe në mbarim të shekullit. I mendoja këto duke kundruar qytetin nga shtyllat e lashta të Akropolit dhe nga ballkonet e kodrës së Likavitosë. Me siguri sytë e djaloshit që vinte nga Ibrik-Tepeja janë mahnitur para kësaj pamjeje, nga tri krahët shtrihet deri rrëzë maleve të Parnonit, të Parnithosit, të Pandolit e Himitosit dhe vetëm në një anë hapet e merr dritë nga ujërat e gjirit të Saronikut. Një qytet krejt i bardhë, tipik mesdhetar, nën një qiell thellësisht të kaltër.

Vetëm në çastet e perëndimit të diellit ai shfaqet nën një ngjyrë të purpurtë, malet sikur mbushen me vjollca dhe ujërat e detit furfurijnë. Duke u shtyrë thellë në mendime përpiqesha të përfytyroja gjendjen e Nolit të ri, kur erdhi dhe jetoi në këtë qytet. S’ka dyshim që pas atyre që kishte lexuar e kishte mësuar në shkollë për Athinën, ajo do t’i kthehej në një libër të hapur të historisë e të kulturës së lashtësisë. Djaloshin do ta vështronte nga mijëvjeçarët e kohës jo vetëm Akropoli, por edhe teatri i Dionisit, dhe Odeoni dhe faltorja e Hefestit dhe harku i Adrianës. Këto monumente të botës antike do t’i flisnin  përditë mendjes e zemrës së tij të etur për dije e bukuri.

Një udhëpërshkrues ka lënë këtë shënim për Athinën: Nuk ekziston këtu asnjë pëllëmbë toke ku s’ka shkelur një perëndi, s’gjen një shkëmb ku të mos ketë pushuar një mendimtar, as edhe një pikë horizonti, ku s’kanë rënë në mendime sytë e ndonjë poeti, as rrugë ku s’ka rendur asnjë hero për të marrë kurorën ngadhënjimtare të ullirit, as edhe një breg prej nga s’janë dëgjuar fjalët shkëlqimplotë të oratorëve… Edhe Noli i ri do t’i ketë përjetuar  të gjitha këto. Ai ishte i ndërgjegjshëm se ndodhej në trevat e poezisë e të filozofisë së lashtë greke, të cilat kishin lulëzuar për dyqind e ca vjet e pastaj kishte përfshirë plot zulm botën e të gjitha kohërave. Nënë këtë qiell kishte sunduar jo vetëm skeptri i pushtetit të Perikliut dhe të Themistokliut, por kishin dalë në dritë edhe mendimet e Aristotelit, të Platonit, të Sokratit, qenë shqiptuar fjalët e oratorëve si të Demostenit me shokë, kishte marrë krah poezia e Homerit e Safos e Pindarit; këtu kishte shpërthyer gazi i Aristofanit; ishte shkruar historia nga Plutarku e Tukididi; mermeri dhe guri këtu kishin marrë jetë nga dora e Fidias dhe Praktistelit. Me siguri, mendoja un, duke shëtitur nëpër Athinë, të gjitha këto Nolin e ri e kanë mrekulluar, por nuk e kanë bërë rob të tyre; i nipi i Nol kapedanit  nuk ishte dorëzuar, përkundrazi, duke u mbajtur fort pas identitetit të vet, e ruajti individualitetin me të cilin qe gatuar në Qytezën shqiptare.

Meditoja për interesat intelektuale në sferën shpirtërore të Nolit të ri në këtë qytet dhe mend po harroja jetën që kishte bërë këtu. Një jetë të vështirë, plot halle, larg poezisë dhe ëndërrimeve djaloshare, Për çfarë ishte nisur dhe ku kishte përfunduar. Jeta e kishte zhgënjyer keq. Athina nuk e kishte pritur aspak mirë. Imazhi i tij i trëndafiltë për këtë qytet sikur u davarit, sapo zbriti këtu për herë të parë, atë ditë vjeshte të vitit 1901. Iu duk një qytet plot pluhur e vapë, pa shkëlqim, mospërfillës e gati armiqësor. Në vend që të ulen në bankat e universitetit, jeta e detyroi të bëhej karrocier trolejbusi. Kjo ishte një ironi e hidhur për këtë djalë krenar, mik kapedanësh, nxënësin më të mirë të gjimnazit të Adiranopojës!

Vetë Noli do ta kujtoj kur rrihte me kamzhik kuajt, që tërhiqnin trolejbusin nga një cep i qytetit në tjetrin, si një punë tepër të lodhshme, që zgjaste 12 orë në ditë.

Trolejbusi atëherë përshkonte nëpër rrugën kryesore të Athinës. Në ditët tona, sado që qyteti ka ndryshuar shumë, itinerari është po ai dhe këtë e vë re kur shkon në vend. Së pari, rruga Panepestimu, një nga arteret kryesore të qytetit, ndërtesa qendrore e universitetit, e akademisë, e bibliotekës kombëtare pas poshtë sheshi i njohur Omonia. Sigurisht, rruga s’është më ajo para afro 100 vjetëve, por ndërtesat e mëdha të kohës, statujat, monumentet e njerëzve të shquar janë aty ku kanë qenë, aty ku i ka lënë Noli djalosh.

Noli do të kalonte çdo ditë nëpër këto rrugë, ku ngriheshin disa nga tempet e kulturës greke. Sigurisht nuk do ta kishte të lehtë sidomos në fillim, se pastaj ai do ta braktiste punën e karrocierit dhe do ta përmirësonte deri diku pozitë e tij. Atëherë do të ngjiste dhe shkallët e këtyre tempujve që rrinë krah njëri-tjetrit, në rrugën Panepestimiu.

Ndërtesa qendrore e universitetit është një ngrehinë e madhe e stilit neoklasik, me shtylla jonike të larta përpara. Në të dy krahët e hyrjes qëndrojnë përballë njëri tjetrit busti i Platonit dhe i Aristotelit. Pas tyre, në ballë, vjen salla e madhe e ceremonive, e cila nga planimetria, orenditë e zbukurimet i ngjajnë një mjedisi kult,. përreth lëvizjet janë të rralla dhe kudo zotëron një heshtje e rëndë. Këtë e bëjnë më të theksuar bustet e shtatorit të mermerta, portretet e dijetarëve, që vështrojnë nga të katërta anët. Është historia e lashtë dhe kultura e pasur e këtij vendi mik që duket sikur të flet këtu e çdo çast.

Si braktisi punën e karrocierit, Noli për disa kohë u bë sekretar i dramaturgut Kamburollu. Punonte në shtëpinë  e tij, kopjonte komeditë, shkruante çfarë i diktonte ai. Tani nuk i binte më pash më pash Athinës, por ishte i detyruar të mbyllej brenda shtëpisë së shkrimtarit.

Vallë ku do ketë qënë kjo shtëpi? Sjell ndër mend se Nolit Kamburollu i pëlqente, i dukej i këndshëm, kurse komeditë të mërzitshme. Ka mundësi që shkrimtari ta ketë kuptuar natyrën liridashëse të djaloshit dhe, duke i çmuar së tepërmi aftësitë e tij, e ndihmoi të futet në një shoqëri, teatrore të Athinës. Hyri në fillim si kopist e pastaj u bë sufler dhe aktor.

Shoqërisë teatrore të kryeqytetit grek, ku punoi Noli atëherë, ishin nga trupat më të njohura artistike të kohës, si ajo e Pantopullisit, e Laladunisit, e Tavullaristit. Ato jepnin shfaqje në Athinë në qytetet të ndryshme të Greqisë, po dhe nëpër kolonitë greke të Turqisë dhe Egjiptit.

Duke u sjellë rrugëve të Athinës duke kujtuar këto më shkonte mendja te lokalet ku kanë dhënë shfaqje trupat e tyre. Më ngacmonte kureshtja për të ditur se ku mund të kenë qenë këto. Por më kot. Ato egzistojnë vetëm në kujtimet e Nolit dhe kjo mjafton për jetën e tij artistike në Athinë. Prej kësaj kohe për djaloshin shqiptar do të mbeten të paharruara dhe dy miqtë e tij të ngushtë, athinjoti Apostoli, që më vonë do të hiqte dorë nga teatri e do të bëhej gazetar i shquar, dhe Venerisi nga Kreta, i cili i qëndroi besnik deri në fund skenës. Në shenjë të kësaj miqësie Noli do të përkthente në greqisht dramën “Armiku i popullit” të H.Ibsenit dhe do t’ua dhuronte shokëve grekë.

Ndarja e Nolit me Athinën qe krejt e papritur. Ashtu si me vendlindjen. dhe me të, do të ndahej për të mos u kthyer më kurrë. Ndodhi që kur ishin për në turne në Egjipt, grupi teatror, ngaqë s’kishte të holla, u shpërnda. Noli u gjend në mes të katër rrugëve të Aleksandrisë dhe atëherë vendosi ta braktisë Athinën. Por Athina mbeti një kapitull i rinisë së tij. Këtu, qysh 18 vjeç, kishte hedhur hapat e parë në shkollën e jetës. Në luftë të përditshme për bukën e gojës, ai  ishte bërë zot i vetes dhe kishte arritur të krijojë njëfarë pozite shoqërore. Kudo ku kishte punuar ia kishin çmuar aftësitë dhe vullnetin, mençurinë dhe cilësitë intelektuale.

Në Athinë Noli asnjëherë nuk do ta kishte të lehtë të tregonte shqiptarësinë e tij. Çdo përpjekje për tu lidhur në  njëfarë mënyre me lëvizjen kombëtare s’kishte pasur sukses. Diku, në librarinë “Beck” këtu në kryeqytet, ai kishte gjetur rastësisht revistën “Albania”. Kjo e kishte gëzuar qa fort sa nga entuziazmi, menjëherë i kishte shkruar letër kryeredaktorit. Faik Konica, duke i propozuar të bëhej korrespodent i revistës. Por më kot, sepse jo vetëm dëshira nuk i qe plotësuar, por nuk kishte marrë sa përgjigje. Vetëm dy vjet më vonë ai e kishte parë përgjigjen, që i jepte posta e kryeredaktorit të “Albanias”, në faqet e saj!

Në qoftë se në Athinë Nolisi shqiptar do ta ndiente veten të huaj, si njeri i kulturës e i artit  do të ishte në terrenin e tij. Ai nuk desh t’ia dinte nga kukuvajkat e megaliidhesë. Qytetërimi i madh grek do të kthehej për të në  një gurrë të pashtershme. Kjo do të jetë koha e zotërimit dhe e përsosjes së greqishtes, të cilën ai do ta flasë e do ta shkruaj në mënyrë të shkëlqyer.

Tamam në Athinë Noli do të provonte të hynte për të parën herë në rrugën e letërsisë. Këtu ai shkroi dramën e parë në greqisht “Zgjimi”, pastaj në shqip ” Izraelitë dhe filistinë”, “Zgjimi”, madje, i patë  nxjerr shumë telashe se aludonte për hallet e atdheut të robëruar. Shokët e tij grekë ia patën vënë dhe në skenë e qenë gati ta shfaqin në Pirgos, kur autoritetet ia ndaluan. Kësaj here megaliidhea e kishte hequr maskën. Djaloshi e kishte  kuptuar atëherë se nuk mund t’i kundërvihej ballzai armiqve  të atdheut. Drama ishte kambanë dhe ai nuk donte t’i binte kambanës në shtëpi të huaj. E la mënjanë dramaturgjinë dhe nisi të merret me prozë.

Vallë, ku do të kenë qenë zyrat e redaksisë  së revistës “Numas”, ku Theofan Mavromati botoi njërën pas tjetrës tri skica verën e vitit 1903? “Numasi” ishte një revistë letrare me emër, të cilën e drejtonte arbëreshi nga Hidra, Dhimitër Tangopullosi.

Kjo ndoshta shpjegon faktin se nuk ishte e rastit që djaloshi nga Qyteza  shqiptare e filloi rrugën e letërsisë nga faqet e kësaj reviste. Ka shumë mundësi ta ketë ndihmuar arbëreshi i Hidrës. Pastaj sjell nëpër mend se debutimi i tij letrar ngjau muajt e fundit të qëndrimit në Athinë. Pas daljes në dritë të skicave. Theofan Mavromati do të largohej nga ky qytet njëherë e përgjithmonë. Ai nuk do të kthehej më dhe në qoftë se do të kthehej, do të kthehej emri i tij. Dy-tri vjet më vonë emri i Theofan Mavromatit do të lakohej nëpër gazetat e Athinës. në “To kratosi”, “Akropolis”, “Agon” etj. Mbi të do të lëshonin anatema priftërinjtë e dhespotët. Edhe profesorë të kadedrave të Univeristetit  do të derdhnin vrerin e tyre. Ky shqiptar ortodoks, “bukëshkalë e i pabesë”, do t’u nxirrte telashe të mëdha idhtarëve të “Greqisë së Madhe”.

Por Noli kurrë nuk do të ngatërronte Athinën me megaliidhenë. Në dhjetëvjeçarë të ngarkuar të jetës së tij që erdhën më pas, Noli Athinën jo vetëm nuk do ta harronte por do ta sillte nëpër mend me mall si “dashurinë e tij të vjetër”. Mos ishte kjo dashuria e parë në vargun e qyteteve të dëgjuara të botës ku ai do të jetonte? Në këtë dashuri ai nuk do të fuste as Adrianopojën e as Stambollin megjithëse edhe ato u takojnë fillimeve të jetës. Athina për të ishte më shumë, prandaj në vitet ’20 do të gjente rastin t’i dërgonte me anë të gazetës “Politea” dhe shoqeve të saj, mesazhe miqësie e mirëdashjeje. Theofan Mavromatitani ishte Fan Noli kryeministër i Shqipërisë dhe përfaqësues i popullit shqiptar në frontin e luftës kundër fashizmit për vëllazërimin e popujve të Ballkanit. Në këto vite Athina do t’i drejtohej me respekt këtij qytetari të përkohshëm të saj, por edhe adhuruesit të vet.

Te kjo dashuri e vjetër e Theofan Mavromatit kisha ardhur dhe unë, kisha zbritur nga kujtimet e tij dhe kisha dalë nëpër rrugët e sheshet e Athinës për t’i rënë në gjurmë. E kaluara më qe përftuar me një kthjelltësi të çuditshme. Ishte po ai diell mesdhetar, që ngrihej mbi kodrën e lartë të Likatovisë, po ajo dritë e butë që vinte nga deti, ishte bota helene që gjallonte përqark dhe lidhte të sotmen me një të kaluar të largët. Dhe kur e arrita këtë lidhje nuk e kisha të lehtë të shkëputesha, por njerëzit e Fan Nolit që më kishin ftuar, më prisnin. Duhet të nisesha sa më parë për në veri, në viset e Trakës së largët.

**

Aeroplani ka fluturuar mbi Atikë e mbi ujërat e pellgut verior të Egjeut dhe po bën rrotullimet e fundit sipër aeroportit të vogël të Aleksandropulit. Unë qëndroj pas dritares dhe shoh konturet e qytetit bregdetar, relievin e rrafshët, rrugët, sheshet dhe pistën e aerodromit të panjohur. Kam udhëtuar vetëm dhe gjatë tërë kohës nga Athina nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë. Është një aeroplan i linjës së brendshme, mbushur plot me vendës. Tërë rrugës ka zier muhabeti, kështu që e ndiej frymën e Ballkanit.

 

Aeroplani ka fluturuar mbi Atikë e mbi ujërat e pellgut verior të Egjeut dhe po bën rrotullimet e fundit sipër aeroportit të vogël të Aleksandropulit. Unë qëndroj pas dritares dhe shoh konturet e qytetit bregdetar, relievin e rrafshët, rrugët, sheshet dhe pistën e aerodromit të panjohur. Kam udhëtuar vetëm dhe gjatë tërë kohës nga Athina nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë.          Është një aeroplan i linjës së brendshme, mbushur plot me vendës. Tërë rrugës ka zier muhabeti, kështu që e ndiej frymën e Ballkanit. Gjendja ime shpirtërore është disi e veçantë, jo aq sa nga se ndodhem në mes të huajve, sesa nga takimet që më presin. Emocionet vijnë e më rriten, kur aeroplani kryen zbritjen e fundit. Është ndoshta, udhëtimi më i çuditshëm që kam bërë në jetën time. Po zbres i vetëm në këtë aeroport krejt të panjohur, te njerëz që nuk i kam takuar ndonjëherë.

Në çastet e fundit rikujtoj zanafillën e këtij udhëtimi. Si erdhi ky çast po më zbriste në këtë cep të Trakës? M’u kujtua takimi me xha Janin në Shqipëri. Para se të ndaheshin, në kufi, ai do të më thoshte:

Ju nuk mund të thoni se e keni njohur siç lipset jetën e dajës sonë, në qoftë se nuk vini në Trakë, të takoni farën e tij, farefisin, qytezallinjtë, gjithë shqiptarët që rrojnë atyre anëve. Ato do t’ju rrëfejnë ç’dinë e kanë dëgjuar për Nolin. Të na urdhëroni.

Më vonë e kuptova se njohja e vërtetë e Nolit e kërkonte një udhëtim në mesin e bashkëfshatarëve të tij. Do të kalonin disa muaj, kur një ditë arriti ftesa që i Nolit më dërgonte nga Feresi i Trakës. Por papritmas xha Jani vdiq dhe lidhjet me njerëzit e Nolit sikur humbën.

Mirëpo një vit më vonë, ftesa u përsërit. Kësaj here e dërgonin i biri i xha Janit, Thanasi, e bija Ksanthipi, dhe i kushëriri, Panajoti. Pa dashur m’u kujtuan fjalët e xha Janit: «Qytezallinitë, si të gjithë shqiptarët, janë besali. “Mirë thonë, – thashë me vete i mallëngjyer, — besën nuk e tret dheu”.

Dhe ja, tani, unë po shkoja dhe ndërsa zbrisja shkallët metalike të aeroplanit më doli përpara pamja burrërore e xha Janit, ne ata sytë plot mirësi, ndjeva zërin e ngrohtë dhe për pak desh u pengova. Por shpejt e mora veten, sepse përtej kangjellave të aeroportit vura re fytyrën mjekroshe të Panajotit, një grup njerëzish që më prisnin dhe dikush që ma bënte me dorë. Kalova nëpër pistë dhe nxitova hapat. S’mbaj mend me sa veta u takova e u përqafova, veç në rrethin e gjatë të tyre ndjeva vështrimin e ngrohtë të Panajotit e të Thanasit dhe të një vajze që i ngjante këtij të fundit.

– Mirë se erdhët, Mirë se erdhët!

Ky urim i shqiptuar qartë dhe saktë nuk di sa herë m’u dëgjua dhe më bëri t’a marr veten shpejt e t’i vështroj njerëzit përqark pa druajtje. Në mes atyre që flisnin vura re dhe disa që më shihnin gjithë mirëdashje e kureshtje, por heshtnin. Këta, siç do ta merrja vesh më vonë, nuk dinin shqip dhe s’ndiheshin mirë. Një skenë të tillë unë e kisha provuar sa e sa herë në mes të arbëreshëve e që të më sëmbonte përbrenda. Këtë po nisja ta provoja dhe këtu.

Dhe prova e parë qe pak e dhimbshme dhe se papritur. Vajza që më vështronte dhe i ngjante Thanasit ishte Ksanthipi, e bija e xha Janit. Ajo e fliste pak shqipen dhe kjo e bënte të druajtur, krejt në kundërshtim me natyrën e saj tepër të gjallë e komunikuese. Unë ende nuk e dija se do të qe Ksanthipi ajo që do të më shoqëronte gjatë tërë ditëve të ardhshme”. Kur dolëm nga aeroporti me makinën që ngiste Panajoti, ishin me ne dhe Ksanthipi e Paskali, që fliste shqipen aq bukur sa ta kishte ënda ta dëgjoje. Prej tij mora vesh se fshati i tyre nuk ishte shumë larg prej këndej.

Atë kohë po binte muzgu i një mbrëmjeje të freskët maji. Nga xhami shikoje fushat e bregoret e buta në të dyja anët e rrugës. Bisedën e bënte Panajoti, jo vetëm se me të qemë njohur Shqipëri, por duke qenë dhe Kryetar i Bashkisë së Feresit ai ishte dhe në rolin e mikpritësit kryesor. Për herë i sjellshëm e i mençur, ai kishte pamjen e intelektuali,   me mjekrën e zezë dhe syzet e trasha. Panajoti kujtonte me mall udhëtimin në Shqipëri dhe përmendte hollësi që unë si mbaja mend.

Kur u kthyem prej andej në Feres,- tregonte ai, na u duk sikur qemë kthyer nga Meka. Ishim të parët që kishim shkelur në vendin tënë, prandaj dhe njerëzia donin të dinin çdo gjë. Barba Jani i shkretë ligjëronte, veç ta dëgjoje..,

Papritur ra një heshtje sikur me këtë të nderonin kujtimin e xha Janit, e këtij shqiptari të urtë që s’jetonte më, por që ishte i pari që i hapi rrugën shqiptarëve të Trakës për në Shqipëri. Pas tij erdhën të tjerë prej këndej. Nuk ishte e rastit, do të më thonë më vonë, që në krye u ndodh nipi i Nolit. Ju kemi pritur, dëgjoj nga prapa zërin e plotë të Paskalit, një fshatar i ri, plot temperament, me fytyrë të djegur nga dielli, me flokë të kreshpëruar, që është çiltër e gazmor. Në mos ju, një tjetër mjafton të vinte nga Shqipëria, ta prisnim, sikundër i keni pritur ju atje barba Janin, Panajotin, e Thanasin. Gjiri s’jemi  po jemi farë. Fara shqiptare, që në çdo cep të dheut të bjerë nuk humbet…

Ai ia përkthen pastaj këto fjalë vajzës. Ajo tund kokën dhe hesht. Unë e vështroj me kujdes nga “pasqyra e makinës tek qëndron në sediljen e pasme. Ajo sikur flet me sytë plot dritë e depërtues, me hundën e drejtë e flokët e verdha të gjata, lëvizjet e gjalla të kokës e të duarve. Duket menjëherë sikur ka diçka nga Nolët kjo vajzë në këndet e syve, në ballin e gjerë, në vizat e fytyrës në trajtën e nofullës. Marr vesh se Ksanthia, siç e thërrisnin, është intelektuale, ka kryer studimet e larta për ekonomi politike dhe punon në zyrat e Bashkisë.

Babai një natë para se të vdiste, zu të tregojë greqisht Ksaritha -tha se kishte parë në ëndërr Shqipërinë.

Sikur ishte atje, sikur gjendej mes jush. Nuk e di se për ç’qytet e vend e kishte fjalën. Po me këtë dua t’ju them se vizioni i atdheut tonë të parë ia lehtësoi në çastet e fundit mendimet që sjell vdekja. Këtë e them me bindje sepse dhe kur erdhi prej andej, erdhi i përtërirë dhe nga kjo kuptoj se ç’forcë të fshehur ruajnë rrugët e prejardhjes në jetën e njeriut!

Më trondisin këto fjalë. Siç më prek dhe arsyetimi që dëgjoj për lidhjet e thella që mbajnë bashkësitë etnike kudoqofshin me vendin e te parëve. E njëjta dramë, drama e përjetshme e diasporës, që shfaqet në një mënyrë a në një tjetër edhe këtu në Trakë. Megjithëse kanë kaluar sa e sa breza dhe jeta e bashkësisë është bërë pjesë e rrjedhave në vende të huaja, ajo s’jepet, përpiqet të mbetet vuan e sfilitet që të mos hedhë rrënjë. Rrënjët e saj i ndien se i ka gjetkë atje nga erdhën të parët e të parëve të tyre. Muzika gazmore në valët e radios nuk arrin të shpërndajë në atmosferën disi të trishtuar që u krijua papritur. Jashtë makinës kishte rënë errësira e natës. Në nuk folëm një kohë derisa nga larg u duk në horizonte një kordon dritash.

– Janë dritat e Feresit. Është fshati dhe qyteti ynë, — thotë me të qeshur Panajoti. — Bëhemi mbi tetëmijë banorë. Gjysma jemi ne shqiptarët e ardhur. Siç do ta shikosh, gjendemi afër kufirit me Turqinë. Vetëm lumi Evro na ndan. Përtej vijnë fshatrat tona të dikurshme,

-E dini se ç’kanë qenë fshatrat tona të njëhershme? më pyet Paskali me zë të lartë dhe kruan kokën si pa të keq.

– E di – i them ndërsa ndiej një lloj pezmi në zërin e lëvizjet e tij.

– Kush e njeh historinë tonë- vazhdon Paskali.

gjithë duf, – e kupton se sa i rëndë ka qenë fati ynë. Tërë jetën në dhe të huaj, tërë jetën të shpërngulur. Kemi kaluar nëpër tri ekzile dhe prapë ekzilet vazhdojnë në mënyra të tjera. U ngritëm nga vendet tona dhe ardhme në Turqi, na dëbuan nga Turqia, dhe u gjendëm në Greqi dhe përsëri ikin edhe prej këndej e shkojnë në kurbet të ri në të katër anët e dheut. Ç’të jetë kjo farë e jona, kështu? Shpërndahet dhe nuk humbet..

-Humbet, humbet, – ia ktheu Panajoti me një ton pak të prerë, paçka se mundohemi të qëndrojmë. Pleqtë tanë ishin më shumë shqiptarë se ç’jemi ne. Ja, do ta vreni vetë, — shton duke kthyer kokën e më shikon me sy të menduar, në gjysmë errësirën e kabinës. Megjithatë, shpresoj se do ta ndjeni veten si në shtëpinë tuaj në, mes të vëllezërve dhe motrave të një gjaku…

-… të farës së Nolit,- ngre zërin Paskali dhe zgjat njërën dorë përpara. — Mua, më bie fjala, më ke nga Qyteza. Panajoti është nga Alltëntashi, një fshat ngjitur, por të gjithë, dhe ato të fshatrave të tjera, na bashkon e na tregon shqiptarë para botës Theofani i Nolëve. Ai është bajraku i shqiptarëve të Trakës.

Unë tund kokën, diçka mërmëris i prekur dhe kthej kokën riga Ksanthia që rri e nemitur dhe dëgjon përkthimin e bisedës.

Pastaj ajo thotë diçka greqisht, me një zë që mua më tingëllon pak i trishtuar. Nga fjalët e Panajotit marr vesh se Ksanthia i ka treguar që i ati, xha Jani, e paska lënë me testament që ftesa për ardhjen time të bëhej patjetër, sido që të vinte puna, pasi fjala është fjalë dhe duhet mbajtur medoemos. Për këtë, bile, ai kishte caktuar dhe një shumë të hollash që do të përdoreshin për udhëtimin dhe qëndrimin tim në Feres.

– Ksanthia thotë, gjithashtu, – plotëson Panajoti, —se ju do të zbrisni në shtëpinë e saj. Prapë dhe kjo dëshirë është amaneti i tij. Për aq sa do të qëndroni, do të jeni mik i Qerkuseve. Vetëm i huaji zbret në hotel, vëllai jo. Ne të tjerët, me sa duket, vetëm do të përfitojmë nga rasti për të na, nderuar në shtëpitë tona përderisa në këtë mes gjendet një amanet. Amaneti i barba Janit.

Gjithë sa dëgjova më erdhën krejt papritur. Nuk e mendoja që bujaria e mikut tim të paharruar të arrinte deri këtu.

Përpara u dukën krahët e një ure guri dhe pasi hymë në Feres. Qyteti i vogël llamburiste nga dritat.

Në rrugën kryesore njerëzit bënin shëtitjen e mbrëmjes. Makina jonë hyri dhe doli në disa rrugë derisa u ndal në njërën prej tyre. Ishte një shesh i veçuar, ku anash dukeshin ca shtëpi me oborre.

Zbritëm dhe nëpër gjysmëerrësirë drejtohemi nga një shtëpi e vogël, njëkatëshe, rrethuar me kangjella hekuri. Prej shtëpisë dëgjohen zëra, pastaj hapet drita e jashtme dhe një qen i madh qëndron te porta. Te shkallët del e zonja e shtëpisë, një mesogrua, që i qeshet fytyra nga larg. Ajo nxiton drejt meje dhe më hidhet në qafë. Është e shoqja e xha Janit, Marika, e cila më kap për krahu dhe flet sikur të njiheshim prej kohësh. Takohem dhe me të bijën Sulltanën, që mban emrin e gjyshes.

Hymë brenda në shtëpi dhe papritur nga muret e këndet e sallonit të vogël, sikur na përshëndet Fan Noli. Portreti i tij bën ballë nga fotografitë e ndryshme, nga busti dhe një bazoreliev i bardhë. Ndihet menjëherë mjedisi intim i njerëzve të afërt të poetit. Më në fund kam ardhur mes tyre.

E zonja e shtëpisë, e cila di pak shqip, në vend që të flasë, më shumë buzëqesh, më vështron, me sy të njomur. Pastaj më vjen e më rri pranë dhe më shtrëngon nga duart.

— Ta dije zotrote se sa të ka pritur, do të kishe ardhur më parë, — thotë ajo për të shoqin me një zë të dridhur.

— Po nuk qe e thënë….

Fjala e saj sikur këputet në mes dhe pllakos heshtja. Vajzat vështrojnë nga e ëma.

— E di si më tha kur u kthye nga Shqipëria? Marika, ta dish se po vij nga tjetër botë. Atje daja nuk ka vdekur, rron, dhe përderisa rron ai, dhe ne këtu nuk kemi humbur!

Gjithë sa erdhi më pas, rrodhi si të gjendesha në Shqipëri, te farefisi im. Po ato pyetje për shëndetin, për njerëzit e shtëpisë, për rrugën që kisha bërë e për çudinë dhe njohjen me mend të njëri-tjetrit. Pastaj gostitja me gliko e llokume dhe urimet e përshëndetjet e rastit, që tingëllonin aq të afërta e të përzemërta.

Aty ku je ulur zotrote, ulej ime vjehrrë, Sulltana, ndjesë pastë, — merr të flasë rishtas zonja Marika, me atë gazin e saj në buzë e në sy. – Kemi shkuar si mëmë e bijë dhe kur vdiq e qava si të ishte mëma ime. Vdiq njëzet vjet pas të vëllait dhe tre vjet para të birit.

– Ka qenë një grua me një barrë mend, si të gjithë Nolërit hidhet Panajoti. Pleqëria sikur i mençuron dhe fisnikëron. E kam njohur se, veç të tjerash, ishim dhe tanët, po dhe më pëlqente të rrija e të bisedoja me të. Ishte kryelartë për fisin nga vinte, sido që nuk dinte të mburrej e të mbahej me të madh. Kishte shumë dinjitet, ishte zonjë grua: të bënte, jo vetëm ta respektoje, por dhe të mateshe para se të flisje. Të vëllanë, peshkop Nolin, e desh shumë, e kujtonte me mall sa herë vinte rasti. Po dhe ai, me sa duket, e desh veçanërisht këtë motër,  jo se ishte më vogla, por dhe më varfra. U martua te Qerkusët, që rronin me punën e krahëve. Prandaj dhe i vëllai e ndihmonte, duke i çuar ndonjë para herë pas here.

– Letrat që i ka çuar i vëllai i kemi të gjitha, thotë zonja Marika. Çdo gjë të tij, ajo e ruante si dritën e syve, ishte nevojtare, nuk i ra në qafë të vëllait. Bënte si bënte se ishte nikoqire e madhe.

Po sa e pastër që ishte, i ndrisnin rrobat në trup!

Ndërkaq Ksanthia vjen nga njëra dhomë e shtëpisë dhe na sjell një album me fotografi. Mblidhemi dhe i shikojmë të gjithë bashkë. Vajzat i dinë mirë dhe i shpjegojnë një për një. Janë fotografi të kohëve të ndryshme. E para është ajo kur Sulltana qe vajzë dhe shkoi në Sofje e takoi për të fundit herë të vëllanë. Ishte veshur allafrënga, kurse e ëma me rrobat e fshatit. I vëllai, megjithëse prift, qe civil. Ksanthia thotë se për këtë takim të largët, gjyshja kishte nostalgji të madhe dhe gjithnjë i dukej se  kishte nostalgji të madhe dhe gjithnjë i dukej se e kishte takuar të djeshmen e asaj dite që tregonte.

Fotografitë e tjera ishin nga koha pas martesës, kur qe bërë me fëmijë. Dukej që jetën nuk e kishte pasur të lehtë, një jetë me halle e varfëri, me sëmundje të vazhdueshme dhe vdekje. Po ajo fytyrë e ligur dhe e menduar. Fytyra e një gruaje fshatare, të ngulimeve shqiptare në Trakë, veshur me rroba të rënda leshi, me anteri e cibun dhe ngaherë me fëmijë të vegjël në prehër.

Të fundit ishin fotografitë e pleqërisë, nënë Sulltana e mpakur dhe disi e kërrusur, me duart shpesh të kryqëzuara përpara. Në këtë moshë, ajo sa vjen e i ngjan më shumë të vëllait, sidomos nga balli i gjerë, sytë e menduar e vetullat trasha. Edhe i biri, Jani  do t’i trashëgonte këto tipare të Nolëve. Kur rashë për të fjetur atë natë në orët e vona dhe qëndroja i vetëm në dhomën e nënë Sulitanës, megjithëse i lodhur, nuk më vinte gjumë. Më dukej si çudi që gjendesha aty dhe tek vështroja përqark dollapin e vjetër, perdet e punuara me grep, qilimin e shtruar prej leshi, pasurën me kornizë ovale, tabakanë prej bronzi me gotën e ujit, më zgjohej një ndjenjë e ngrohtë intimiteti. Më bëhej sikur kisha ardhur te gjyshja, që jetonte diku tepër larg, dhe më ishte kthyer fëmijëria. Kjo gjendje krejt e veçantë më prekte në shpirt.

Share This Article
3 Comments
  • Faleminderit i nderuar Pr.Nasho Jorgaqi sa na ofroni per njohur e ndritur kete figure te rralle shkencore sa udheheqese te vendit tone, te Madhin FS Noli..
    Me konsiderate;
    Nga Toronto; 83 vjecari-“Pasues Veterani”.
    Dhimiter Xhoga

  • Ditet 1000-je Pr. Nasho Jorgaqi…
    PERJETESI; te madhit F’S.NOLI !

    (Me preket ne zemer,mbresa skalitur,mes Athines).

    Me fal i nderuar Pr.Nasho Jorgaqi, po vazhdoj komentin “-Falenderim”- te djeshem,per shkrimin tuaj sa sot,qe me roberoi,me te shquarin,F S Nolin e Madh e te ralle, Sot,ne vijim te shkrimit,qe me preket shume,une perjetuar vite shkuar ne Athine e rrethet e saj,si emigrant i viteve pas 90tes ne Athine,mare kujtime,qe ju me shkrimin tuaj me beni te jetoj me to, pas 25 vite ne rruget e emigracionit tej Oqeani,Aty dhe skruar tregimin e gjate ne vargje, per kete figure te shquar Titulluar:”VERTET kaluan kaqe vite pa Nolin?!” Jam ne Toronton e Kanadase.(Ate shkrim sa Ditarin e atyre viteve,i kam si hajmali te atyre viteve:krenar per vepren e te Madheit Noli sa kujtime te mbrapshta mes 90tes,perjetuar eksodin e kthimit te famshem “FSHESA”,bere autoritet greke,per emigrante shqiptare . Ju sa shkruani,me beni te kujtoj mbresat marre mes Athines,sidomos aty ne Akropol me lagjen qe e rrethon .(Femijte e mij strehuar si emigrante ne nje pallat shume katesh ne rrugen”Kaliroi” poshte atyre kodrave historike te Akropolit). Po nuk pata fatin ta shijoj si shkruani Ju se, autoritete greke,dhe mua gjysh mbi 60 vjet,(sot 83,) me kthyen ne atdhe si rrefugjat,ani se shkuar me vize te regullt.Te shkuara po te pa harruara..
    Ne ato rrugica pas vizites ne Akropolin Historik, kam perjetuar si shkruani Ju momente te shkelqyera, kontaktuar me shume arvanitas,qe krenoheshin si te tille,ne takimet me ne shqiptaret autoltone.shkuar ne nje shkrim te gjate 24 faqesh me titull:
    “24 ore ne burgun e Athines” -provuar “fshesen”.
    Faleminderit Pr dhe nje here me bere te plotesoj ate nostalgjine per Athinen e Lashte me keto intimitete Tuajat, une perjetuar ato vite qofte largu “Fshasa”,qe do me shoqerojne dhe ne boten tjeter.
    Miresite ju shoqerofshin Profesor i nderuar Nasho Jorgaqi sa,ata pasardhes te denje te Stiliani tone te Madh,aty ne vendlindie,ruajtur vijimesine atdhetare.
    Me konsiderate 83 vjecari.
    Toronto 24-09-2018 Guri Naimit D.

  • Shkrim shume njerezor per Nolin e madh dhe njerezit e tij, per athinen, jeten e thjeshte e te vertet. Njerezit ikin po kujtimet mbesin te te pasmit. Me pelqeu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *