Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur procesi gjyqësor ndaj Almir Dacit, imam i xhamisë së Leshnicës në Pogradec. Megjithëse ka nisur procesi gjyqësor, nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Thuhet se ndodhet në Siri dhe i është bashkuara Shtetit Islamik atje.
Dy janë veprat për të cilat akuzohet; “nxitje dhe thirrje publike për kryerjen e akteve terroriste” dhe “rekrutim i personave me qëllim kryerjen e akteve terroriste”.
Prokuroria thotë se ky shtetas ka rekrutuar dhe dërguar drejt Sirisë besimtarë myslimanë shqiptarë, të cilët janë bërë pjesë e luftimeve përkrah organizatave terroriste.
Hetimet ndaj Dacit kanë nisur prej dy vitesh, ndërsa për të njëjtat akuza janë arrestuar edhe disa imamë të tjerë dhe besimtarë, procesi për të cilët vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Daci i quajtur Ebu Belkisa po hetohet në veçanti. Ai u shfaq pak muaj më parë në një video, ku kërcënonte në emër të ISIS-t. /Dita/