Në gjyq trafikantët e marijuanës shqiptare e kokainës kolumbiane

anazapta

Në kryeqytetin italian nisi rishtaz një proces gjyqësor për një rrjet trafikantësh droge, ku mplekseshin me radhë shqiptarët, amerikano-jugorët, spanjollët dhe 2 bandat më famëkeqe mafioze në botë, Kamorra dhe Ndrageta. Në operacionin “Paquetes”, të vitit të kaluar u arrestuan 50 persona, mes tyre 4 shqiptarë dhe disa mafiozë të tjerë, ndërsa bëhej fjalë për dërgesa marramendëse marijuane dhe kokaine. Një shqiptar u vra, teksa mbronte drogën e tij. Sakaq, orët e fundit, togat e zeza italiane po gjykojnë 48-vjeçarin italian Gennaro Amato, i arrestuar gjatë atij operacioni. Grupet vepronin në Itali dhe ishujt Kanarie dhe operonin me kriminelët e lidhur me Kamorrën dhe Ndragetën, përveç Amerikës së Jugut dhe krimit të organizuar shqiptar. Katër organizatat kriminale importonin nga Amerika e Jugut dhe Shqipëria ngarkesa të mëdha kokaine, hashashi dhe marihuane, të cilën e sillnin në kryeqytetin italian. Shumica e të dyshuarve shqiptarë ndodheshin jashtë Italisë, në kohën që po kryhej operacioni. Gjatë përgjimeve u dokumentuan negociatat në Kolumbi të trafikantit të njohur të drogës, italianin Roberto Pannunzi (i njohur si Pablo Eskobari i Italisë), i cili është arratisur, pasi u furnizua me më shumë se 200 kg kokainë që ishte menduar që do të futej në Itali, e fshehur një anije që do të shkarkohej në portin e Napolit.

Kërcënimi

Në një përgjim telefonik, dallohej kërcënimi i nënës të njërit prej anëtarëve të grupit, ku përmendeshin fjalët “Doja t’i qëlloja në gojë. Dola dje për ta pritur, por përpara më doli e ëma e tij dhe më thoshte që do lajmëronte policinë. Ia futa tytën e pistoletës në gojë dhe i thashë, po ti çdo, put…do të ta zbraz plumbin në gojë. Nëse deri të shtnën djali yt nuk m’i jep paratë, do të ta dërgoj në karrige me rrota”

“Besa” me shqiptarët

Marijuana vinte nga Shqipëria, e fshehur në pjesët e sipërme të kamionëve, ndërsa kokaina mbërrinte nga Kolumbia, ku nga kontenierët shkarkohej në portin e Napolit, me ndihmën e klanit Mazzarella, nëndegë e Kamorrës. Më tej vendoseshin në pako të vogla, ndaj operacioni u kodua “Paquetes”. Banda drejtohej nga Franco Lasi, i cili ishte në gjendje të importonte në Itali ngarkesat përkatëse të drogës, pasi furnizohej direkt në zonat e prodhimit. Nga hetimet rezultoi se bënte biznes me përfaqësuesit e organizatave të huaja kriminale (shqiptarët, bolivianët, kolumbianët dhe venezuelianët, si dhe ishte i lidhur me përfaqësuesit e organizatave mafioze, Kamorra e Ndrageta. Marrëdhëniet e privilegjuara me krimin e organizuar shqiptar janë provuar nga sekuestrimi në tetor 2011 i një peshe prej më shumë se 200 kilogramë marihuanë, e fshehur në një kamion që po e sillte vetë dhëndrri i Lasit, shqiptari Mikel Blushaj. Ai u vra më 28 shkurt me 4 plumba pistoletë, teksa po dilte nga shtëpia e shefit.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *