Në histori…edhe paralelet “bashkohen”

anazapta

Nuk është as çudi dhe as rastësi, pasi historia njerëzore është e mbushur plot shembuj të tillë, është një luftë për pushtet që zhvillohet me të njëjtën mënyrë dhe me të njëtët mjete, një luftë që s’njeh moral dhe kufi. Perandoritë dhe mbretëritë e kanë patur mbijetesë likujdimin e rivalëve. Dramat e tyre brenda llojit dhe gjakut janë nga më monstruozet dhe nga më të paimagjinueshmet.

Më poshtë po japim dy raste nga historia jonë, rastin e vrasjes së Ceno Bej Kryeziut nga Zogu dhe Bahri Omari nga Enver Hoxha, që në shumë pikpamje janë të ngjashme si dy pika uji. Të dy i kishin kunetër, burra të motrave, por për të dy, asnjërit nuk iu drodh dora kur i vrau. Motivi, pak a shumë i njëjtë, frika dhe terrori: T’u lënë të kuptojnë vartësve se ata s’kanë asnjë skrupull, se deri sa ata u morën jetën të vetëve, s’pyesnin për të tjerët.

Se si ka ndodhur në të vërtetë, le ta shohim më poshtë: 

Ceno bej Kryeziu

Ceno bej Kryeziu, kunati i Mbretit Zog (burri i motrës) vritet në moshën 32-vjeçare në Pragë. Kryeziu ishte figurë e debatueshme politike, lindur në Gjakovë në një familje nga më të pasurat. Më 1912, gjatë Luftës Ballkanike, ai udhëhoqi forcat shqiptare kundër trupave të Malit te Zi; dhe shërbeu si nënprefekt i Krumës dhe komandant i forcave të kufirit në zone deri më 1914. Pastaj luftoi kundër austro-hungarezëve dhe kapet rob. Kryeziu ishte i ri, i pashëm, i arsimuar, i pasur. Më 1922, ai martohet me Nafijen, princeshë e ardhëshme,  motër e Ahmet Zogut, mbreti i ardhshëm. Çifti Kryeziu pati një fëmijë, djalë, Tati (Esad) Kryeziun – princi i ardhshëm i Kosovës, kur daja i tij u bë mbret. Në qershor 1924, Ceno bej ndihmoi Zogun të ikte në Jugosllavi. Në dhjetor të atij viti, trupat e tij përleshen me ato të Bajram bej Currit, dhe i ndjekin ato derisa Curri vritet. Në janar 1925, Ahmet Zogu bëhet president dhe nga prilli në korrik, Kryeziu shërben si ministër i Brendshëm  Largimi i papritur pas disa muajsh nga ky post krijon dyshimet e para se midis tij dhe Zogut kishin lindur mosmarrëveshje. Kryeziu ikën në Paris, në dukje i vetëmërguar. Me ndërhyrjen e nënës së Zogut, ai thirret në Tiranë dhe më 1926 caktohet ambasador i Shqiperise në Beograd. Ishte kjo periudhë që zgjoi dyshimet se Kryeziu po komplotonte me jugosllavët kundër Zogut, ndërsa ky kishte filluar të forconte lidhjet me Italinë. Por në korrik 1927, krahas detyrës që mbante, Kryeziu u caktua ambasador në Çekoslovaki. Pak ditë më vonë, ambasadori Ceno bej Kryeziu vritet në një kafene të Pragës.

Atentati

Është thënë se vrasësi ishte një agjent i Zogut, por Zogu vetë nuk e pranoi kurrë, madje që nga ajo ditë e derisa vdiq, Ahmet Zogu u kujdes për djalin e Kryeziut, Tatin, si për birin e vet, Lekën. Vrasësi i Ceno Bej Kryeziut ishte një student shqiptar.  Ai u arrestua në vendin ngjarjes, në Pragë, dhe vdiq po në Pragë, i vrarë nga një tjetër person në sallën e gjyqit, gjë që ka ndodhur edhe me vrasje të tjera të Zogut, ku është zhdukur dëshmitari kryesor.

Bahri Omari

Bahri Omari (1888 – 1945) ishte deputet, botues, publicist, ministër dhe veprimtar i Ballit Kombëtar.

Bahri Omari ishte kunati i Enver Hoxhës.  Lindi në 1888 në Gjirokastër. U shkollua në në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative. Në moshën 25 vjeçare u emërua prefekt i Himarës. Organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër andarteve greke gjatë pushtimit grek të Shqipërisë së Jugut gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1914 Omari shkoi në SHBA, ku ai u bë drejtor i gazetës Dielli të shoqatës panshqiptare Vatra. Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, duke përfaqësuar partinë e Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Në vitin 1924, gjatë Qeverisë së Fan Nolit, ai u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Kombëtare dhe kryeredaktor i organit të saj, Shekulli. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Omari u ngulit në Bari, ku qëndroi deri më 1939. Ndërhyri ndër miqtë e mbetur në Shqipëri për t’i siguruar bursë studimi kunatit në Toulouse, Francë. Në 1942 ai u bë anëtar i organizatës Balli Kombëtar. Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë që ia kishte marrë me qera Qazim Mulletit, i cili e paralajmëronte Bahriun. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës më 5 nëntor 1943-16 qershor 1944.

 

Ekzekutimi

Për këtë pozicion që ai mbajti u burgos.  Në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special. Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë. Para pushkatimit u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.

 

paralele

Share This Article
2 Comments
  • Nuk eshte mire qe autori i shkrimit ben paralele te siperfaqshme midis dy rasteve. Ceno bej Kryeziu u vra ne nje atentat ndersa Bahri Omari u denua nga nje gjykate, jo thjeshte si bashkepunetor i pushtuesve ( e gjithe bota perendimore i pati denuar njerez te tille ) por edhe per planifikimin per te kryer akte terroriste ne Durres ne sherbim te pushtuesve etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *