(Manifest për rithemelimin e Europës prej rrënjëve)
Një e katërta e europianëve nën 25 vjeç është e papunë. Aty ku kanë ngritur kampet e tyre të protestës, kërkohet plotësimi e zbatimi i të drejtës sociale. Si në Spanjë, Portugali, vendet e Afrikës Veriore ashtu edhe në metropolet amerikane ose në Moskë; kjo kërkesë është shumë e pranishme kudo. Zemërimi ndaj një politike që shpëton banka me shuma të mëdha parash, por që lë pas dore të ardhmen e rinisë, është duke u rritur. Çfarë shprese mbetet për një Europë qe është duke u plakur gjithmonë e më shumë? Presidenti amerikan John F. Kennedy dikur habiti botën me idenë e tij të krijojë një Peace Corps. “Mos pyesni se ç’mund të bëjë shteti për ju, pyesni se ç’mund të bëni ju për shtetin tuaj”.
Ne, nënshkruesit e parë, duam t’i japim një “zë” popullit europian. Ky është shkaku përse kërkojmë nga Komisioni Europian dhe qeverive në të, Parlamenti Europian dhe parlamenteve të vendeve anëtare të krijojnë një Europë të shtetasve veprues, si dhe kushtet financiare e ligjore për Një Vit Vullnetar Europian – si kundërmodel ndaj “Europës nga lart”, Europës mbizotëruese të elitave dhe teknokratëve. Europa rrezikon të dështojë prej parimit të patheksuar të politikës Europiane: në rastin më të keq të krijojë “lumturinë” e qytetarit edhe pa vullnetin e tij.
Bëhet fjalë për ndryshimin e demokracive nacionale në demokraci europiane për të rindërtuar në këtë mënyrë një Europë të re, sipas motos: Mos pyet se ç’mund të bëjë Europa për ty, pyet se ç’mund të bësh ti për Europën – Doing Europe! Asnjë ideator – nga Jean-Jacques Rousseau deri te Jürgen Habermas – nuk dëshironte një demokraci që shterohet mes intervalesh. Kriza e borxheve që ka përçarë Europën nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike. Për të zgjidhur këtë situatë na nevojiten bashkësia e qytetarëve europianë dhe vizionet e gjeneratave të reja. Nuk duhet të lejojmë të na krijohet një përfytyrim armiku për Europën, e as të krijohet një lëvizje zemërimi e qytetarëve ndaj një Europe pa europianë. Europa nuk mund të ekzistojë pa europianë të dedikuar, dhe europianët nuk mund të jenë të dedikuar pa provuar ndjesinë e lirisë. Praktika e zhdukjes së kufijve mes nacionaliteteve, etnive dhe feve që dhuron Viti Vullnetar Europian për të gjithë nuk shërben si fajësues i politikave dështuese. Ajo së pari do të ndërtojë hapësira krijuese. Viti Vullnetar Europian për të gjithë është një akt vetëkrijimi, rimëkëmbjeje i popullit europian dhe jo dhënie lëmoshash rinisë së papunë. Është një rikrijim i Europës nga “poshtë” me qëllim ndërtimin e kreativitetit dhe legjitimitetit politik. Liria politike ekziston vetëm aty ku nuk ka frikë, në vende ku njerëzit kanë kokën nën çati dhe dinë se si do financojnë jetesën e tyre sot e në të ardhmen. Prandaj këtij Viti Europian i nevojitet një bazë e fortë ekonomike. I bëjmë thirrje ekonomisë europiane të kontribuojë!
Europa nga poshtë nuk mund të bazohet mbi modele veprimi të përcaktuara. Qytetarët e saj zhvendosen në shtete të ndryshme dhe angazhohen në fusha të problematikave ndërkombëtare të cilat vendlindja e tyre nuk mund t’i zgjidhë: si për shembull ngrohja globale, shkatërrimi i mjedisit, fluksi i refugjatëve, racizmi dhe ekstremizmi i djathtë. Por gjithashtu duan të përdorin skenat e teatrove të ndërlidhura prej një rrjeti në gjithë Europën. Ekziston nevoja për një marrëveshje midis shtetit, BE-së, shoqërisë civile, tregut, sigurisë sociale dhe qëndrueshmërisë ekologjike.
Për çfarë na vlen Europa? Sa e vlerësojmë atë? Cila zgjidhje mund të na sigurojë të ardhmen e Europës në shekullin e 21-të? Përgjigja jonë është: Europa është një laborator i ideve, idealeve politike e shoqërore si asnjë tjetër. Nga se përcaktohet Identiteti Europian? Mund të themi europianja qëndron në dialogun dhe kundërshtimin e politikave te shumta kulturore të “Citoyen-it”, “Citizen-it”, “Staatsbürger-it”, “Burgermatschappij-it”, “Qytetarit”, „Ciudadano-it“, etj., por edhe në ironinë, në qeshjen e Europës me vetveten. Nuk ka asgjë më të mirë se një bashkësi qytetarësh të dedikuar për të mbushur Europën me jetë e lumturi. Do të gëzoheshim për mbështetjen e kësaj thirrjeje me firmën tuaj në këtë adresë: http://www.manifest-europa.eu/
Iniciatorët: Ulrich Beck, sociolog, Daniel Cohn-Bendit, pjesëtar i Parlamentit Europian
Nënshkruesit: Yuri Andrukhovych, shkrimtar; Jerzy Baszynski, gazetar; Zygmunt Bauman, filozof dhe sociolog; Senta Berger, aktore; Patrice Chéreau, regjisor filmi dhe teatri; Rudolf Chmel, studiues i letërsisë dhe ish-ministër i kulturës së Sllovakisë; Jacques Delors, ish-president i Komisionit Europian; (Lista e plotë në gazetadita.al)