Teksa bisedon me Zamirën, mendon se jeta e kësaj gruaje ecën me qindra kilometra në orë. Ajo është pasionante dhe pozitive, efekt të cilin ta përcjell dashje pa dashje. Ka ide dhe përpiqet me të gjitha format t’i realizojë ato, e çuditërisht, i del koha për të gjitha.
Zamira Kita, prej nëntë vitesh mban postin e drejtoreshës në teatrin “Andon Zako Çajupi”, Korçë. Ky qytet është ndër më aktivët në vend për sa i përket jetës kulturore. Në këtë intervistë për “Dita”, ajo tregon mbi aktivitetet e realizuara dhe atyre që pret t’i vendosë në jetë.
Rrëfehet edhe për tekat apo dobësitë e saj…“Unë jam gjaknxehtë dhe grindem vazhdimisht. Jam e bezdisshme, e mërzitshme, grindavece e keqe, por kam një të mirë; më kalon menjëherë dhe kërkoj falje edhe kur s’kam faj, ulem, toleroj, i përqafoj njerëzit më të cilët jam grindur. Sot e them me kënaqësi: Nuk kam asnjë njeri në gjithë jetën time që të mos i flas apo të kem mëri”-tregon Zamira.
Më poshtë, rrëfimi i Kitës.
Zonja Kita, sapo jemi futur në muajin dhjetor, si kanë qenë 11 muajt e parë të këtij viti për ju dhe çfarë prisni nga i 12-ti?
Viti 2015 ka qenë një vit i mbarë për mua, si nga ana profesionale dhe nga ajo personale e familjare. Për sa i takon profesionit, kam patur fatin të realizoj 3 role shumë të bukura e të veçanta, si dhe kam mundur të kandidoj në kategorinë “Aktorja më e mirë në çmimet Kult”. Kam punuar me regjisorë shumë të mirë si, Spiro Duni, Qendrim Rijani dhe me kolegun tim të Korçës Guri Koço. Shfaqjet kanë qenë shumë cilësore, të këndshme dhe argëtuese për publikun. Janë ndjekur mjaft mirë dhe kjo më ka dhënë shumë kënaqësi. Gjithashtu, këtë vit, ne realizuam Festivalin e Komedisë KoKoFEST i cili solli shumë artistë në Korçë dhe shumë shfaqje të bukura. Ishte një festë e vërtetë. Dua të theksoj dhe atë që është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, rikonstruksionin e teatrit. Ne do të kemi një teatër të ri shumë të mirë, të bukur, komod dhe shumë funksional. Do të kemi shumë ambiente, shumë salla, 2 skena, kabina, muzeum, bibliotekë, ambiente të përshtatshme për gardërobën dhe rekuizitën, etj. Në tërësi, jam e kënaqur nga ky vit dhe shpresoj që kështu të jetë dhe viti që vjen.
Korça është një nga qytetet, që pas Tiranës, ka një jetë të pasur kulturore, çfarë bëni ju për ta mbajtur të tillë?
Korça ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krye sepse ka traditë dhe dëshirë. Jo vetëm unë, por gjithë stafi i bashkisë që merret me artin dhe kulturën dhe Qendra e Artit dhe Kulturës që unë drejtoj, janë kreative dhe artistë të vërtetë. Ne, së bashku ideojmë dhe realizojmë mjaft aktivitete artistike, kulturore, historike,për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ku përfshijmë gjithë komunitetin. Gjithashtu, ne bashkëpunojmë me artistët më të mirë të Shqipërisë dhe më gjerë. Kjo gjë na bën të kemi cilësi në aktivitetet tona dhe të tërheqim vëmendjen jo vetëm të korçarëve, por edhe të gjithë shqiptarëve.
Keni 9 vite që drejtoni teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin tuaj. Sa e vështirë është për një grua drejtoreshë të mbajë këtë post?
Për mua nuk është e vështirë, sepse tani jam në vitin e 9 të drejtimit dhe duket se jam mësuar. Kam ndihmë nga të gjithë kolegët dhe eprorët njëkohësisht. Fillimi ka qenë i vështirë. Kam pasur edhe ndihmën e familjes sime.
Keni patur ndonjëherë dilema apo jeni ndjerë ndonjëherë e lodhur nga puna juaj…?
Dilema? Nuk di ç’të them …Jo! Jo! Ndërsa e lodhur jam ndjerë shumë. Ka patur raste që jam sëmurur, jam tërhequr, kam pushuar, jam lodhur sërish. Nuk është e lehtë të drejtosh, të merresh me anën administrative dhe njëkohësisht të krijosh e të falësh nga shpirti yt.
Ndodh shpesh që femrat e suksesshme i “akuzojnë”, duke thënë se pas tyre qëndron një burrë që i ndihmon të ecin përpara. Ju jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar në këtë drejtim?
Nuk e di se çfarë thonë për mua. Në krah kam pasur bashkëshortin tim si edhe të tjerë miq që kanë patur besim tek puna ime dhe më kanë dhënë të drejtën të drejtoj. Unë kam punuar me pasion për të përligjur besimin e tyre, këtu e kam fjalën për 2 kryetarët e bashkisë Korçë, më të cilët kam bashkëpunuar.
Gjatë muajit Nëntor, në Teatrin “Andon Zako Çajupi” është vënë në skenë shfaqja “Femrat”, si u prit, dhe nga ana tjetër, si e vlerësoni rolin e femrës në shoqërinë tonë?
“Femrat” ishte një realizim i një grupi të rinjsh të talentuar që u bënë bashkë për të treguar se sa e nevojshme është të ndihmosh në emancipimin e femrës, se sa e rëndësishme është të dish të sillesh me të, të ndihmosh në realizimin e dëshirave të saj, t’i krijosh hapësira për të krijuar, punuar dhe jetuar. Unë mendoj se femra është faktori kryesor në ecjen përpara të shoqërisë, sepse ajo merret me edukimin e brezit të ri që e çon përpara shoqërinë.
Folëm vetëm për profesionin, po në shtëpi, si është Zamira? Jeni ju një amvisë, apo nuk ju del koha edhe për këtë?
Mua më del koha për çdo gjë. Unë merrem me punët e shtëpisë, merrem me vajzën, kujdesem edhe për gatimin dhe për çdo gjë të bukur që ka nevojë shtëpia, por më duhet ta them, kam ndihmë shumë të madhe vjehrrën time. Mua më pëlqen të gatuaj gjëra të veçanta, më pëlqen të rregulloj bukur gjithçka, sidomos në raste festash, shtëpia ime është e zbukuruar si vitrinat më të bukura. E them këtë meqë jemi në prag festash. Kohën e gjej gjithmonë.
Tek shfaqja “Karnavalet e Korçës”, thuhet një shprehje: “Jeta është llogari Olimbi”, sa llogari është për ju jeta, znj. Zamira?
Aspak! Jeta për mua nuk është llogari dhe ky është gabimi më i madh që kam. Nuk mendohem gjatë, më pëlqen të jetoj mirë brenda mundësive të mia, kursej shumë pak, kur kam dëshirë të shpenzoj, të kënaqem vetë dhe të dashurit e mi. Duhen bërë llogari, por unë jam natyrë emocionale, jo racionale.
Keni bërë kompromise?
Sigurisht, kam bërë kompromise, ndonjëherë edhe me mediokritetin dhe me paaftësinë. Kjo ndodh se jam e ndjeshme, më vjen keq për njerëzit, dua t’i ndihmoj, dhe gaboj. Kompromise që të lëndoj veten, jo!
Dukeni një grua energjike dhe që nuk dorëzoheni kurrë, por a ka ndonjë moment që nervozoheni dhe mërziteni…ankoheni?
Ka shumë momente që unë mërzitem, ankohem dhe më e keqja, grindem. Unë jam gjaknxehtë dhe grindem vazhdimisht. Jam e bezdisshme, e mërzitshme, grindavece e keqe, por kam një të mirë, më kalon menjëherë dhe kërkoj falje edhe kur s’kam faj, ulem, toleroj, i përqafoj njerëzit me të cilët jam grindur. Duhet të dini që në një mosmarrëveshje të dy palët kanë faj, gabojnë, por unë i marr të gjitha mbi vete që punët të ecin mirë. Sot e them me kënaqësi: Nuk kam asnjë njeri në gjithë jetën time që të mos i flas apo të kem mëri. Njerëzit më duan, më respektojnë, më vlerësojnë. Këtë shikoj unë, se çfarë bëjnë pas krahëve nuk më intereson.
Cila është terapia juaj për të qenë e tillë?
Jam vërtet natyrë energjike dhe ja dal për çdo gjë. Them se është emri që kam krijuar, të gjithë më ndihmojnë dhe më mbështesin, është karakteri im korrekt dhe sanguin (qesh) dhe shëndeti i mirë (Lavdi Zotit)
A mund të na tregoni ditën tuaj më të keqe?
Dita ime më e keqe? Nuk është vetëm një. Ka disa ditë kur kam pasur vajzën të sëmurë (herë pas here), sëmundje të vështira për të cilat më është dashur të udhëtoj jashtë shtetit. Por tani ajo gëzon shëndet të plotë, në dt 28 nëntor festoi 13 vjetorin, quhet Enira. Ditë të keqe do veçoja edhe vdekjen e babait tim.
Po atë më të bukur?
Ditë të bukura ka plot; lindja e vajzës, martesa, vlerësimi me titullin e lartë “Mjeshtre e madhe” etj, udhëtimet, rolet, miqësitë e bukura, të gjitha më kanë dhuruar ditë të bukura.
Sot që flasim, a jeni ju grua e lumtur?
Unë jam shumë e lumtur sepse edhe në momente të vështira di të gjej forcën dhe kurajën për të vazhduar. Unë jam shumë optimiste dhe siç kam lexuar tek libri “Sekreti”, atë që ndjen dhe do të ndodhë ajo do të ndodhë. Unë besoj se do jem mirë dhe e lumtur për një kohë të gjatë.

Mua me ka pelqyer kjo femer jo vetem si aktore ,por edhe si nji femer me Temperament e zjarrt , qe di cfar kerkon nga jeta .
Shume suxsese ne pozicionin e Drejtorit te Teatrit te Korces .