(Faik Konica për gjuhët artificiale)
Nga Moikom Zeqo
Sinops romani: dialogët e Faik Konicës dhe Gijom Apolinerit.
Viti 1903.
Në Monparnas.
Kafeneja “Sarapis”.
Në një kënd të kafenesë, dy burra po pijnë gotat me absinth.
Tymosin cigare.
Njëri është shqiptari Faik Konica dhe tjetri francezi Gijon Apolineri.
Kafeneja është e vjetër dhe e famshme.
Frekuentohet nga shkrimtarët dhe endacakët.
Këtu janë dehur poetët Artur Rembo, Pol Varleni, Sharl Bodleri, madje dhe Malarmeja.
Janë bërë debate të pafundme dhe të egra.
Pronari i kafenesë, një farë Zhyl Burzhe, kuptohet, qe dhe vetë poet.
Ai adhuronte kultet e lashta fetare egjiptiane të Isisit dhe të Ozirisit, të Budës dhe të Zarathustrës.
Ai në fillim e quajti lokalin e tij “Taverna e Vdekjes”, dhe kishte ndërtuar disa tryeza në formë varresh, ku pihej birrë me anën e disa kafkave prej bronzi, që loznin rolin e gotave.
Një miku i tij, Sar Pelladani, një nga figurat më të çuditshme dhe ekstravagante të bohemës letrare, diskutonte me klithma dhe duke e parodizuar Neronin, mbeti i famshëm për thënien “nëqoftëse e gjithë bota do të kishte një kokë të vetme, unë do të derdhja në trurin e saj helmin e marrëzisë”.
Shpesh kafenenë e bastisnin policët, që i arrestonin të dehurit që thyenin gjithçka.
Më pasi zoti i kafenesë e ndryshoi emrin dhe e quajti “Sarapis”.
Është fjala për hyun e shekujve të fundit të perandorisë romake, që nderohej në Romë, Sarapisin, një figurë ekuivalente e Zeusit në Greqi, ose e Amonit në Egjipt.
Emri Sarapis është egjiptian.
Ky hyj kishte fuqi kozmike, sipas poetëve të çmendur dhe revolucionarë, mbi të gjitha vargjet dhe metaforat.
Por kishte kaluar shumë kohë dhe gjërat kishin ndryshuar. Banorët e Parisit ende e donin poezinë, por ishin neveritur nga spektaklet verbale dhe pafundësisht revolucionare.
Gijom Apolineri në 1903 konsiderohej si poeti më i madh francez. Fuqia e tij poetike ishte në zenit.
Kudo atë e shoqëronte një famë mistike.
Por, për habi, Apolineri vlerësonte më shumë se veten një intelektual shqiptar, ende të panjohur, Faik Konicën.
Ai ishte njohur me Konicën në rrethana të çuditshme.
Në fillim kishte nisur midis tyre një letërkëmbim eruditësh.Në letrat e tyre lëviznin kulturat dhe letërsitë e krejt botës.
Më vonë, Gijom Apolineri vendosi t’a takonte drejtpërdrejt Faik Konicën, i cili në atë lak kohor jetonte në Londër.
Gijom Apolineri kishte rënë dakord me Faik Konicën që ky i fundit t’a priste në stacionin e trenit në Londër.
U morrën vesh që Faiku të mbante një lule orkide në thilenë e xhaketës.
Treni arriti me vonesë dhe në perorin e stacionit Viktori Apolineri vuri re se të gjithë zotërinj që ishin aty kishin nga një orkide në thile.
Si t’a njihte shqiptarin?
Po ishte Faiku ai që e njohu Apolinerin dhe i foli i pari. -Është koha e fotografive që na mundëson njohjet pa u takuar më parë, – i tha shqiptari.
Faiku e ftoi Apolinerin të rrinte në apartamentin e tij. Shqipatri kishte në sallonin e vetë një koleksion me shumë instrumenta muzikorë.
Ai i binte klarinetës, obojës dhe bririt anglez.
Apolineri dëgjonte tingujt dhe binte në mendime.
Atë e habiti mënyra e veçantë dhe ekzotike e mikpritjes së shqiptarit.
Sapo ngriheshin nga gjumi shtroheshin të hanin mëngjes, por ngrënia vazhdonte gjatë, pas tyre vinin drekat që vazhdonin derisa errej.
Kështu që Apolineri nuk kishte kohë të shikonte muzetë e Londrës, sepse, së bashku me shqiptarin, mbërrinin gjithmonë në çastin kur mbylleshin dyert.
Megjithatë bënin shëtitje peripapetike bashkë.
Gjatë bisedave, francezi mahnitej nga dituria e pafundme dhe përherë befasuese e shqiptarit.
Faik Konica kishte huqe.
Nëse rastiste të hynte në ndonjë dyqan për të blerë diçka, dilte menjëherë shpejt me frikën se mos shitësi e ndiqte nga pas dhe i thoshte se e kishte vjedhur.
Dhe me të vërtetë, – shtonte Faiku – si do t’a provoja që s’e kam vjedhur?
Shqiptari mbante në apartament një kafaz me pula të gjalla, për vezë të freskëta.
Por nuk i hante vezët, sepse qe e pamundur t’i haje vezët e pulave që i njeh dhe i ushqen vetë.
Atëherë pulat nuk vonuan t’i hanin vetë vezët e tyre, duke e llahtarisur Faik Konicën, që pa sesi pulat nga uria shqyen dhe njëra tjetrën, përveç njërës, që duke qenë se doli fitimtare, jetoi edhe ca në vetmi.
Apolineri e kishte parë me sytë e tij këtë pulë përbindësh të mbyllur në kafaz.
Por miqësia me Faik Konicën qe e fortë, për shkak të lidhjeve intelektuale, enciklopedike dhe të sofistikuara.
Në vitin 1902 qe zhvilluar një polemikë e madhe midis dijetarëve për gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale dhe rolin e tyre në të ardhmen e njerëzimit.
Shumë pena akademike dhe shkrimtarë të famshëm bënë një betejë të zhurmshme dhe pa kompromis.
Në atë kohë kishin lindur disa gjuhë artificiale, që mëtonin të zëvendësonin gjuhët natyrore të popujve.
Ngaqë gjuhët natyrore përcaktonin dhe identitetin e popujve, atëherë komunikimi midis tyre qe vetëm përkthimi. Por çdo përkthim është i përafërt.
Në çdo përkthim humbet diçka nga origjinaliteti i gjuhëve, madje ka shtrembërime dhe pasaktësira.
Fakti që disa dijetarë kishin shpikur gjuhë të reja, si psh. gjuhën Esperanto, gjuhën Bolak, gjuhën Blu, tregonte se kishte një prirje utopike për të krijuar gjuhën e vetme, për të zhdukur rrëmujën babilonike të gjuhëve ekzistuese.
Krijuesit e gjuhëve artificiale kishin fantazi të pakufishme.
Ata krijonin gjuhë, duke përcaktuar një leksik me fjalë reale të gjuhëve reale, por duke shpikur një gramatikë që nuk ekzistonte.
Pati nga ata që krijuan edhe gjuhë, duke u bazuar mbi solfezhin muzikor, thjesht me anë të kombinimit të shtatë notave muzikore.
Ose dhe gjuhë që kishin në vend të shenjave ekuacionet algjebrike.
Për një kohë të shkurtër u krijuan afro 90 gjuhë të tilla të stisura.
Ky qe dhe thelbi i polemikës.
Pikërisht, mes kësaj katrahure, Faik Konica u ul dhe e shkroi një traktat që e quajti “Ese mbi Gjuhët Natyrore dhe Artificiale”.
E shtypi në një libër të vogël në formë broshure me pseudonimin Pirro Bardhyli.
Kishte dashur të qëndronte i panjohur.
Nuk kishte rëndësi emri i tij i vërtetë.
Por koncepti i tij për polemikën e stuhishme.
Ky libër e mahniti Apolinerin.
Madje një autoritet tjetër i madh francez, Rëmi D’Gurmon, i mbiquajtur si Papa i simbolizmit, shkruajti një recension të jashtëzakonshëm për librin marramendës të shqiptarit.
Ai shkroi se ky dijetar shqiptar është i familjarizuar me shumicën e gjuhëve të mëdha të Europës dhe Azisë dhe shkruan shkëlqyeshëm si pak vetë në frëngjisht.
Reçensioni i Remi d’Gurmonit tërhoqi vëmendjen e të gjithëve por të panjohurin Pirro Bardhyli nuk e dinte askush se ku ishte dhe çfarë bënte.
Apolineri e dinte.
Tani, të ulur përballë njëri tjetrit, nisën të flasin për tema të ndryshme, për politikën, për çmendurinë, për vdekjen, poezinë, monumentet e Babilonisë së largët, muzikën dhe vrasjet politike.
Pastaj, u përqendruan përsëri tek problemi i polemikës që vazhdonte ende.
-Zoti, – tha Apolineri, – e bëri me qëllim ngatërrimin e gjuhëve, duke ndaluar dhe mohuar gjuhën e vetme që ekzistonte në kohën e Nembrotit, dhe duke krijuar 72 gjuhë, që njerëzit mos të komunikonin më me njëri tjetrin lirisht.
-Dënim i logjikshëm, – ia ktheu Faiku.
Njerëzit po ndërtonin Kullën e Babilonisë për të arritur në lartësi vetë Zotin.
Kjo Zotit nuk i pëlqeu.
Në vend që t’a shkatërronte kullën me rrufe, bëri që njerëzit t’a harronin në çast gjuhën e vetme që dinin deri atëherë, dhe u dha gjuhë të reja.
Kjo është forma e dënimit hyjnor linguistik.
Nga ky dënim nuk kemi shpëtuar kurrë.
Por a qe vërtet një dënim?
Askush nuk mund t’a thotë me siguri se qe një veprim negativ apo pozitiv.
-Teologjia ka ngulitur tek ne dogmën e poliglosisë hyjnore. Kjo strukturë mendore është e shumëfishtë.
Fonetikisht e pafundme.
Gramatikat e ndryshme dhe fjalët e ndryshme janë si natyra.
Mund t’a vëmë në dyshim faktin se Zoti i krijoi gjuhët. Gjuhët kanë qenë gjithmonë.
Kuptimi biblik i dënimit lidhet me parimin e marrëveshjes për të realizuar një rebelim ndaj Zotit.
Rebelime të tilla ndodhin edhe në kohëra moderne. Rebelimet janë më tepër ide dhe jo thjesht artikulime fonetike. Koncentrimi i ideve në një pikë mund të bëhet pa qenë e nevojshme një gjuhë e vetme.
-Kjo është shumë e qartë dhe e vërtetë.
Nuk janë gjuhët e ndryshme që ngatërrojnë.
Mospërputhja e ideve i shkatërron qëllimet.
Ky është procesi i zhvillimit.
Më habit fakti që në ditët e sotme disa njerëz mendojnë se mund të arrijnë një rebelim sui generis, që lidhet me atapën para Kullës së Babilonisë, pra të rindërtojnë diçka që nuk ka ekzistuar kurrë.
Ata mund të shpallen si pinjollë të mbretit Nembrot, që Dantja e ka futur në Ferrin e tij.
Dhe mirë ka bërë.
Të krijosh një gjuhë artificiale për të gjithë është kundër natyrës.
Esperantoja është një trillim bizar.
Të përdorësh Esperanton është njësoj si një kalorës i gjallë t’i hipi një kali prej kartoni.
Idea, që të gjitha kombet të nxiten të flasin në një gjuhë të vetme, është njësoj si të tubosh kuaj, gomarë, buaj dhe dele, dhe me fuqinë e shkopit t’i detyrosh të gjithë së bashku në një farë ulërime, pa patur parasysh zërat e tyre.
I vetmi dallim është që apostujt e Esperantos, në vend të goditjeve me shkop, përdorin fuqinë e mendjes.
Kjo është një marrëzi e frikshme.
-Megjithatë ekziston një logjikë më universale e komunikimit. Përkthyesit janë ndërmjetës të gjuhëve dhe popujve.
Dikur, disa gjuhë si latinishtja dhe greqishtja e vjetër, u bënë gjuhë perandorake dhe universale.
Pastaj u shuan,.
Në kohën e stome thuhet se këtë rol mund t’a luajnë frëngjishtja ose anglishtja, ndoshta dhe kinezçja.
-Ndoshta për të vdekur në të ardhmen. Nuk ka gjuhë universale. Ka situata universale të autoritetit komunikues të një gjuhe.
Janë dy koncepte të ndryshme.
-Por ne nuk e dimë se ç’do të ndodhi në të ardhmen. Mund të ketë të papritura që nuk i i dimë, sepse është e pamundur që t’i dimë. Ju nuk besoni fare tek një gjuhë e vetme e së ardhmes?
-Ç’kuptim do të kishte një gjuhë e vetme? Përse duhet një unifikim linguistik? Më lejo, i dashur Gijom Apoliner, të të tregoj diçka që më ka ndodhur kohët e fundit. Sot skandalet nuk kanë fund. Shikoj që janë çmendur edhe orientalistët. Kush mund t’a besonte? Ata ishin aq të qetë dhe dinjitoz. Tani ata dehen nga fjalët, mbyllen në rregulla dhe janë të vetmuar dhe ëndërrues si oshenarët.
Ata kanë nisur të bëjnë deshifrime fantastike.
Disa deshifrojnë gjuhët lindore me gjuhët e veriut, ato të dy Indive me ato të dy poleve, gjuhët afrikane me gjuhët e actekëve.
Kërkojnë të bëjnë etimologji, merren me leksikun, gramatikën, ashtu si kabalistët që merreshin me magjinë e germave dhe të numrave.
Shumë orientalistë botojnë libra, duke krijuar një lloj shkence hibride, të ngjashme me gjuhët artificiale.
Kam lexuar një nga këta libra me titullin “Santalis Reading Book”.
Çfarë?
Një libër santali?
Nga na mbiu kjo gjuhë e re?
Ka humbur çdo skrupull.
Pasi idiomës santali, do të na pjellin padyshim edh gjuhën e zhivës, mbase dhe të fekaleve.
Këto marrëzi më shumë na ndjellin mëshirë sesa na habisin.
-Deri këtu ka arritur puna? E pabesueshme.
-Është e kotë të zgjatemi me këtë polemikë. Ka gjëra të tjera në botë që i bashkojnë njerëzit, psh. poezia.
Çdo poet rindërton gjuhën universale të shpirtit. Nuk ka rëndësi nëse ju, i dashur Apoliner, i shkruani vargjet në frëngjisht, ose të tjerët që i shkruajnë në gjuhët e tyre.
Homeri është gjuha e parë universale e poezisë.
Kjo gjuhë i ka ndërlidhur të gjithë.
Është vërtetuar që ky universalizim ka qenë përherë konstruktiv dhe ndërlidhës.
Kjo shëmbëlltyrë na qetëson dhe na saktëson.
Besoj se dhe e ardhmja nuk do t’a shmangi dot komunikimin e poezisë.
Artikulimet gjuhësore janë një tjetër gjë, ato nuk janë vetë poezia.
Artikulimet shpirtërore janë më të rëndësishmet sesa fjalët.
Pak a shumë ky ishte thelbi i dialogëve midis të dyve.
Një roman, ku do të jenë dy personazhe të pashmangshëm, Faik Konica dhe Gijom Apolineri, është një grishje e pafund.
Mundësia operuese krijon hapësirë.
Dituria krahasimtare jo vetëm që i jep liri fantazisë por edhe e disiplinon estetikisht.
Ky sinops mund të shpërdorohet dhe të bëhet spekulativ.
Por përse të mos besojmë me qetësi në një subjekt të guximshëm intelektual për të ringjallur fuqinë e zbehur të dialogë sokratikë edhe në kohërat moderne? (1999)
