Në kamping me tri “sirenat e Jonit”

anazapta

Në këtë fillim sezoni veror, Blerina, Ira dhe Jora, vendosën të ngrenë një kamping, në një nga vendet më të bukura të bregdetit jugor, Drimadhes. Sa herë që bëhet fjalë për iniciativa të tilla, gjithmonë janë djemtë ata që i marrin përsipër. Ndërkohë, është hera e parë në vendin tonë që tri vajza ngrenë dhe menaxhojnë një kamp veror. Ato, ndryshe i quajnë “sirenat e Jonit”. Është një iniciativë që ka ardhur krejt spontanisht, të trija kanë “jetët” e tyre pas kësaj. U gjendëm përballë tyre këtë fundjavë dhe kërkuam të mësonim më shumë për këtë “punë qejfi” që sapo kanë nisur.

Teksa kërkojmë t’i njohim pak më shumë në fillim të bisedës, Blerina, njëra nga vajzat, na bën një përmbledhje të qartë: “Jemi tri vajza të ngjashme, por edhe shumë ndryshe nga njëra-tjetra. Atë çka kemi të përbashkët është dëshira për të provuar eksperienca të reja në jetë, si edhe vetëbesimin për të marrë projekte të tilla përsipër. Kemi krijuar shoqëri dhe besim te njëra-tjetra dhe tashmë edhe biznes, relativisht shpejt. Jemi të hapura kundrejt risisë dhe kjo vlen sa për shoqërinë tonë, aq dhe për këtë projekt të përbashkët. Secila sjell bakgroundin dhe eksperiencën e vet të fituar në vende të ndryshme si Itali (Blerina), Shqipëri (Ira) dhe Amerikë (Jora). Kemi mbaruar fakultetet në gazetari, letërsi, dhe advertising, si dhe master në biznes ndërkombëtar me plane për të vazhduar doktoraturën. Për momentin u gjendëm në pauzë dhe koincidenca deshi që ta bashkojmë punën me kënaqësinë. Besojmë që është një kombinim perfekt për të jetuar bukur”.  Janë në kulmin e punës e të sistemimit të vendqëndrimit, me rroba të spërkatura nga boja, i bëjmë bashkë në këtë bisedë për “Dita-n”.

 

 Vajza, sa kohë keni që jeni në Drimadhes?

 Blerina: Ka vetëm 10 ditë në fakt, por tashmë ndihemi si në shtëpinë tonë, ose si në çadrën tonë, për të qëndruar në temë.

Është hera e parë që ju menaxhoni një kamping?

Jora: Po dhe që tani jemi duke menduar se çfarë mund të bëjmë për verën tjetër.

 

gocatNa ka ndodhur të shohim shpesh djem në organizime të tilla, ju jeni vajzat e para që merrni përsipër organizimin e pushimeve të atyre që zgjedhin kampingun?

Ira: Me aq sa kemi informacion, jemi të parat. Ishte e vetmja gjë të cilës nuk i vumë rëndësi në fillim, por që shumë shpejt kuptuam që mund të ishte një ndër pikat tona të forta.

 

Është e vështirë kjo punë për një vajzë?

Jora: Është shumë e vështirë sepse në shumicën e rasteve kërkohet forcë krahu. Kur erdhëm këtu ishte çdo gjë për t’u organizuar: çadrat për t’u ngritur, bari për t’u prerë, gardhi për t’u lyer, etj. Gjithë kësaj shtoji edhe gjithë dyshimin dhe, le të themi, argëtimin e meshkujve të zonës, të cilëve u pëlqen të shohin tri vajza me mëngët e përveshura, të ngulin kunja, të përdorin kosën/krehrin, të përlyhen me bojë vaji, apo të ngrenë arkat e birrës. Por, duhet theksuar se pa ndihmën e tyre nuk mund t’ia kishim dalë!

 

Ju do të thoni që ka dhe gjëra të bukura në këtë punë, cilat janë ato momente që ju nervozoheni?

Blerina: Është ende shumë herët për t’u nervozuar. Sipas parashikimeve, nervozizmi mund të fillojë me fluksin e klientëve të kampingut dhe të barit, kur me një dorë do të të duhet të vësh makinën e ekspresit në punë dhe me tjetrën t’i përgjigjesh telefonatës për prenotim që ke në linjë. Për momentin, gjërat që shkaktojnë tension lidhen me ngjarje që për një aspekt shkaktojnë edhe humor. P.sh. nuk ka mbetur njeri që nuk na ka vizituar, mik apo i afërm, që të mos na këtë dhënë sugjerime sesi do të bëhej më mirë kjo që jemi duke bërë.

 

Pse keni zgjedhur Drimadhes për të ngritur këtë kamp?

kamp Jora: Do të thoshim se Drimadhes na zgjodhi ne! Erdhëm në kompleksin “Altea” si pushuese dhe nga atmosfera këtu na pëlqeu jashtë mase. Zona e kampingut është e veçantë, buzë detit dhe e freskët, sepse është plot me gjelbërim…

U frymëzuam nga vendi dhe potenciali që ka, dhe të tria ramë dakord të kapnim momentin. Është një projekt që duhej marrë përsipër!

 

Kultura e kampingut në Shqipëri ka ardhur relativisht vonë dhe ka njohur kulmin e vet përpara tre katër vitesh, mendoni se vazhdon akoma të jetë i preferuar?

Blerina: Mendojmë se preferenca për kamping është në rritje e sipër. Një nga synimet tona është që me kushtet dhe atmosferën që ofrojmë të joshim edhe ata të cilët nuk e kanë konsideruar kampingun si alternativë. Një film buzë detit, në perëndim të diellit, është vetëm një nga aktivitetet që do të ofrojmë.

 

Cilat grupmosha e preferojnë më shumë kampin dhe cilët sugjeroni ju që të vijnë në kamp?

Ira: Studimi i tregut sugjeron se grupmoshat 18-35 frekuentojnë më shumë kampingun. Në Shqipëri duket se më shumë 18-vjeçarët se 35-vjeçarët! Klientët tanë më të mirë ishin një çift zvicerian, rreth të 70-ave, të cilët për të arritur këtu kishin udhëtuar me biçikletë në vende të ndryshme të Ballkanit.

 

Ju vetë keni bërë ndonjëherë pushim në kampingje dhe ku?

Ira: Unë lidhjen me natyrën e kam të hershme dhe shumë të fortë falë tim eti që e ka pasion të kultivuar në vite. Bregdetin e jugut e kam frekuentuar atëherë kur ishte vërtet i virgjër dhe kur një fije bari ishte pothuajse më e gjatë se unë 🙂

 Blerina: Për mua është hera e parë që e provoj në Shqipëri. Kur jetoja në Itali, ndodhte shpesh të niseshim me makinë me shoqërinë pa një destinacion të përcaktuar. Hapësirat për kamping në Itali ofrojnë shërbime dhe kushte shumë të mira. Kështu që ishte gjithmonë e lehtë të zgjidhje vendin për t’u bërë një me natyrën.:)

 Jora: Edhe unë për herë të parë e provoj në Shqipëri si edhe në plazh! Unë kam qenë një nga ata njerëzit që nuk e konsideronte kampingun si alternativë në plazh sepse në Amerikë është më i përhapur kampingu në mal ose pyll. Ky në plazh është një lloj kënaqësie tjetër.

 

Kemi dëgjuar që kampi është një vend ku të rinjtë argëtohen me alternativa nga më të ndryshmet, po në kampin tuaj çfarë gjejmë?

Ira: Kemi hartuar një kalendar të pasur aktivitetesh, ku do të na pëlqente të përfshiheshin sa më shumë turistë. Kinemaja verore që përmendëm, aktivitetet sportive dhe lojërat shoqërore, dhe një kënd për të pasionuarit e “vintage market” dhe në fund, një konkurs me temë ‘kush u kënaq më shumë’” 🙂

 

A ka siguri aty (nënkupto, policinë, qendër shëndetësore, etj)?

Blerina: Kampingu është pjesë e një resorti të mirëorganizuar nga të gjitha anët. Qendra shëndetësore më e afërt është ajo e Dhërmiut, por ndërkohë kemi çdo gjë të nevojshme për ndihmën e shpejtë.

 

 

Për t’u socializuar

Ndërsa në këtë stinë të nxehtë, të gjithë planifikojnë se ku do të kalojnë pushimet e tyre, një zgjedhje e mirë për të pasionuarit pas natyrës dhe aventurës janë kampingjet e ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Gjithmonë e më popullorë, kampingjet janë gjithashtu një zgjidhje e mirë ekonomike për shumë e shumë të rinj, që nuk duan të kalojnë pushime pasive e duan t’i mbushin ato me aktivitete dhe njohje sociale. Vitet e fundit, është futur masivisht kultura e kampit, dhe për të rinjtë është një mundësi e mirë edhe ekonomike. Megjithatë, çështje zgjedhjesh është edhe kjo punë.

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Kampingu ka qene praktikuar prej vitesh.Keto vajza kane bere krejt mire.Une kampingun e pare,vete i katert e kam bere pas provimeve te matures,1976,Velipoje.Nuk ka me bukur.Me kushtet e sotme do ish e mire te rritej numri kampingjeve,krahas nje sigurie me te madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *