Marrim një rrugë të gjatë në këtë ditë me diell. Largohemi nga kafenetë dhe rrugët kryesore të Tiranës për të shkuar në një realitet tjetër. Prane ish Uzines Autotraktori takojmë disa familje dhe të shohim se në çfarë kushtesh jetojnë ata. Ndalojmë në familjen e parë.
Padyshim që ajo është familja rome më e njohur për të gjithë shqiptarët. E gjithë kjo “famë” i ka ardhur pas fatkeqësisë që pësoi kur fëmija e tyre pak kohë më parë humbi jetën si pasojë e të ftohtit dhe kushteve të vështira në të cilat jetojnë. Por ky nuk është rasti i vetëm pasi kohë më parë po nga e njëjta arsye ka humbur jetën edhe një tjetër fëmijë. “Historia ime” ishte në familjen e Ferdinand Ferhatit. Familja e tij përbëhet nga 5 pjesëtarë.
Janë mikpritës dhe sapo i afrohemi barakës së tyre menjëherë të gjithë afrohen pranë nesh. Na përshëndet Kozeta, Klaudio, Memeti dhe Mikeli. I sapo kthyer nga puna afrohet pranë nesh edhe Ferdinandi i cili mbledh kanaçe dhe fatkeqësisht sot ishte një ditë shumë e keqe për të, nuk kishte gjetur pothuajse asgjë. Në ditë ai fiton 200-400 lekë të reja, por janë të shumta ditët që nuk fiton asgjë. Tashmë nuk po pengon më bashkia në mbledhjen e kanaçeve dhe ky është një lajm i mirë për ta.
Në barakën e tyre e tyre kanë tre krevate, një bufe të sajuar, një stufë të vogël dhe disa rroba të palosura në të djathtë sapo futeshe brenda. Tre djemtë 10, 11 dhe 12 vjeç nuk shkojnë në shkollë. Ferdinandi thotë se nuk mund t’i dërgojë në shkollë pa rroba, të palarë e pa mjete mësimore.
Fati është treguar shumë i ashpër me këtë familje. Ka humbur dy fëmijë nga i ftohti, por edhe Mikeli djali i vogël i shtëpisë ka pësuar një aksident.
“Ishte duke luajtur në xhade dhe një makinë e zuri poshtë. Nuk e pa fare ai por bërtitën komshinjtë. Më pas u kthye dhe e dërgoi në spital. Ishte një polic. Ne ishim në punë dhe kur erdhëm na thanë çfarë kishte ndodhur. Që nga ajo ditë ai nuk është mirë. Trembet gjatë natës, ka shumë temperaturë, dridhet, duket si budalla…”, shpjegon Kozeta.
Më tej Ferdinandi shton se ka vajtur që t’i nxjerrë një pension të birit, në mënyrë që të kujdeset për të, por mjekët i kanë thënë të sjellë dokumentet. “Po ku kam dokumente unë, nuk kam asgjë, kur pësoi aksidentin nuk isha fare me të në spital, ku t’i gjej”, thotë Ferdinandi.
Pas publikimit të vdekjes së djalit të tij para pak kohësh, në shtëpinë e tij kanë vërshuar mediat, gazeta dhe televizione. “Kanë ardhur kanë filmuar, fotografuar, me kamera me kështu që të vënë te goja kur flet, por asnjëri nuk na ka ndihmuar. Ishte dhe Avokati i Popullit, na ngushëlloi dhe kaq”, thotë Kozeta. Më tej shton Ferdinandi, “isha në një emision televiziv, telefonoi Petrit Vasili dhe më tha të shkoj që ta takoj, vajta në bashki kisha takim, por nuk më lanë fare të hy brenda. Asnjë nuk do të ia dijë për ne.”
Të pyetur nëse njihnin ndonjë përfaqësues apo shoqatë që i ka ndihmuar thonë që nuk njohin, madje shtojnë se nuk e njohin dhe nuk e kanë takuar asnjëherë përfaqësuesen e tyre në bashki. “Vijnë nganjëherë, na japin ndonjë pako makarona, oriz, po çi duam këto, ne nuk kemi batanije të mbulohemi ”, thotë Kozeta.
Ecim më tej që të takojmë edhe ndonjë familje tjetër. Takohemi me Arifin, familja e të cilit përbëhet nga 7 pjesëtarë, ndërsa kushtet ku jeton… Ai na tregon edhe një tjetër fakt të çuditshëm. “Bashkia e Tiranës na ka bërë 2 tualete, një para një viti, ndërsa një ka përfunduar para një javë. Ne nuk kemi shpi ku të fusim kokën ata na bëjnë banjo. E kupton ti tani, (na drejtohet ne)”. Njëra nga tualetet është e pajisur me dush, çelësat e së cilës ia mban një zonjë, në fakt çështja e dushit më shumë i ka përçarë se sa i ka ndihmuar. Tregojnë se i kanë çuar letrat në bashki për strehim, por në listën që doli asnjë rom nuk ishte përfitues. Ata nuk shkojnë asnjëherë te mjeku, sepse edhe mjekët i keqtrajtojnë dhe nuk iu japin ndihmën mjekësore. / Marrë nga Historia-ime.com
Votoni saliun prap që tju a bëjë vendin si amerikë, dhe ne që jemi jashtë të vijmë me lugë në brez. Mjer Shqiperia
po i jati pse nuk e le duhanin ,e pika ene slims masi jan ne fukarallik