Sot bëhen 7 ditë nga humbja e fëmijës së mitur Julian Cela, vetëm 10 vjeç. Familjarët vijojnë apelin për ndihmë në gjetjen e të miturit, i cili për herë të fundit është parë në një qendër interneti në rrugën “Pandi Dardha”.
“Nuk kemi pasur asnjë hasmëri, asnjë konflikt me ndonjë njeri, gëzojmë respekt nga kush na njeh. Por ne kemi dyshime vetëm tek ata persona që e kanë thirrur djalin. E ka thirrur një fëmijë i vogël dhe thuhet se Juliani nuk kishte dëshirë të dilte jashtë. Thonë që e kemi parë këtu e kemi parë atje, por ka asnjë gjë të saktë. Kërkojmë që instanca më të larta të ndërhyjnë dhe të na gjejnë djalin”, thotë një i afërm i fëmijës, ndërsa prindërit ndodhen në gjendje shoku.
Pronarja e qendrës së internetit rrëfen se dikush i kishte kërkuar Julianit të dilte nga interneti.
“Ka ardhur këtu rreth orës 3:00 të pasdites, dhe shkoi në fund të kompjuterëve. Ndenji nja 2 minuta por spo lirohej ndonjë vend. E thirri dikush jashtë dhe Juliani doli. Nuk e mbaj mend, nuk e pashë kush e thirri. Nuk erdhi me shokë dhe u largua pa shokët e tij”, tha pronarja e qendrës së internetit.
Sipas të atit të fëmijës, punonjës në Shërbimin Informativ Kombëtar, Juliani ështe mjaft i qetë dhe pa probleme, ndaj dhe largimi i tij nga banesa ka shqetësuar së tepërmi prindërit dhe familjarët e tij.
Policia e Tiranës nga ana tjetër bën me dije se janë mbledhur të gjitha dëshmitë e shokëve dhe familjarëve të tij, por nga hetimet nuk ka asnjë rezultat konkret.
Ndërsa fotoja e Julianit vijon të shpërndahet në çdo komisariat dhe pikë kufitare në gjithë vendin.
(Balkanweb)