Ndalohet nga efektivët e policisë të Tropojës një 31-vjeçar, pasi ishte shpallur person në kërkim për disa vepra penale. Burime zyrtare njoftuan dje se është ndaluar i kërkuari Shkëlzen Bajri, banues në fshatin Buçaj të Tropojës. Gjykata e Rrethit Bajram Curri, më datë 7 qershor të këtij viti, kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “vjedhje në bashkëpunim” dhe “kalim të paligjshëm të kufirit”. Pas arrestimit, Bajri është izoluar në paraburgim, në pritje të masës së sigurisë nga gjykata dhe vijimit të hetimeve për akuzat e ngritura ndaj tij.
