Në një fushatë të pazakontë mediatike, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur në luftë partinë e tij, gjithë qendrat e pushtetit, figurinat e partisë së tij, mediat e tij dhe vetë stemën zyrtare të partisë në mbrojtje të fitimeve dhe veprimtarive të paligjshme të vajzës së tij. Zëdhënëset e PD ndërrohen rregullisht para ekranit, pasi u vjen turp të lexojnë çdo ditë trakte në mbrojtje të pareve të vajzës së tij, ndërsa figurat kryesore të PD-së po përpiqen t’u shmangen kamerave dhe mediave që u kërkojnë deklarata rreth këtij skandali.
Një parti me histori 22- vjeçare, që katandiset në vitin 2013 në një zyrë të marrëdhënieve me publikun e vajzës së kryeministrit, është ndoshta partia me fatin më të shëmtuar dhe banal në historinë e këtij vendi. Në kulmin e këtij keqpërdormi historik të Partisë Demokratike në mbrojte të fytyrës së vajzës së tij, Sali Berisha shpalli dhe sloganin e kësaj partie, që sipas tij do të jetë “Ne jemi ndryshimi, përpara!”.
Në përmbajtjen e tij mediokre, fjalia “ne jemi ndryshimi…”, e thënë në këtë situatë të raporteve publike të PD me elektoratin shqiptar, ai slogan tingëllon qartazi “Argita është ndryshimi…”. Nëse në vitin 1992 kjo parti u premtoi shqiptarëve Evropën dhe pas marrjes së pushtetit e futi vendin në Konferencën Islamike dhe në rrugën e aturitarizmit, në vitin 1996 u premtoi mirëqenie dhe u ofroi piramidat, në vitin 2005 u premtoi “Duart e Pastra” dhe u tregoi duart e përgjakura të Familjes në Gërdec, në vitin 2009 u premtoi statusin e BE dhe po u ofron izolimin ndërkombëtar, gjithçka ka ndodhur vetëm për një shkak. Shkaku është se ky pushtet nuk ka funksionuar si aspiratë e Partisë Demokratike, por si mekanizëm biznesi dhe pushteti i Familjes, ku e bija e kryeministrit ka thelën kryesore.
Në këtë bilanc të hidhur dështimesh dhe regresi që kjo parti i ka sjellë vendit, t’u thuash shqiptarëve që pikërisht këto dështime janë ndryshimi, është e qartë se je duke u thënë që Argita, pikërisht shkaku i këtij dështimi spektakolar të PD-së, është ndryshimi.
Vetëm kështu dhe këtu Sali Berisha është i sinqertë. Ai është njeriu më i motivuar dhe i angazhuar për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit jo për shkak të arritjeve, por pikërisht për shkak të problemeve që ka krijuar pushteti i të bijës së tij në politikën e partisë, në menaxhimin e qeverisjes, në ndërhyrjet brutale klienteliste në emërime në poste kyçe të njerëzve të saj, për të mundësuar kapjen e shtetit, dhe në diktimin e politikave të kuadrit brenda PD-së. Mjafton të shikosh prurjet e saj brenda PD-së dhe në administratë dhe kupton që ke të bësh jo vetëm me kualitetet më mediokre, por dhe me njerëz të frustruar ose të marrë nga bota e nëntokës së Tiranës, të cilët janë të gatshëm të bëhen kamikazë në përpjekje për t’u rehabilituar dhe për të pasuruar në emrin e saj.
Pashë dje një kronikë televizive ku në kryesi të PD zgërdhiheshin dy idiotë, njëri hajdut i Tiranës, ordiner i klubeve të drogës, tjetri hajdut hipotekash, ordiner i klubeve të PD-së dhe tentova të krahasoj kryesinë e parë të PD-së, që filloi jetën e asaj partie, me këtë nivel ordiner që e ka katandisur pushteti i Familjes këtë celulë kamikazësh idiotë që janë si të punësuar të bizneseve të Familjes.
Ky degradim është pikërisht ndryshimi real i PD dhe fytyra reale e pushtetit të Argitës në atë parti. Kjo parti e sotme, që ka 8 vjet që nuk ka mundur të bëjë ende zgjedhjet e ekipit drejtues të saj, kjo parti që nuk guxon të zgjedhë nënkryetarët dhe sekretarët pasi nuk i dalin llogaritë Argitës dhe nuk janë të gatshëm të hidhen në luftë për të, është ndryshimi real i asaj partie. Kjo parti, që mbahet kyçur nga një injorant që shëtit me çelësat e saj në qafë rrugëve, shoqëruar me policë, dhe mbush xhepat natë e ditë në emër të pushtetit të saj, është ndryshimi real që u prodhua nga pushteti i Familjes.
Kjo është një parti, ku të gjithë janë të pafuqishëm të urrejnë pushtetin e Familjes, pasi janë të pafuqishëm të duan vetveten, personalitetin e tyre dhe dinjitetin njerëzor. Si të tillë ata janë ndryshimi real i një parti që nisi si frymë perëndimore dhe ka përfunduar në duart e një familje hipokrite që dhe kur bën sikur beson tek Allahu, mendjen e ka tek Fazlliçi.
Kjo është një parti, e cila nuk i duhet më vendit, nuk i duhet Shqipërisë, nuk u duhet shqiptarëve, por i duhet për imunitet politik një familje, e cila sakrificën më të madhe që ka bërë këto tetë vite është se ka vrarë baxhanakun e kryeministrit për të fituar pare i biri i tij.
Është një parti që diferencën me ish- Partinë Demokratike e bën nga fakti se nëse ajo lindi për t’i nderuar faqen Shqipërisë së turpëruar dhe degraduar nga komunizmi, sot është kthyer në një parti me burra dhe gra të vënë në rresht për t’i zbardhur Argitës, faqen e skuqur dhe të nxirë nga korrupsioni. Argita është ndryshimi!