Në kujtim të poetit lirik Nexhat Hakiu

redaktor

Prof. Nasho Jorgaqi

Një poet që mbeti deri në fund poet. Lirik në shpirt. Lirik në këngët që këndoi. Nexhat Hakiu debutoi në letërsinë tonë nga mesi i viteve ’30 të shekullit të kaluar. E nisi me atë grup vjershëtarësh të rinj që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së Lasgush Poradecit. Të gjithë pothuaj u bënë lasgushianë, epigonë të tij dhe askush nuk arriti të krijojë individualitetin e vet. Përjashtim do të bënte vetëm Nexhat Hakiu, i vetmi nga shokët që do të fitonte emër në poezinë shqipe të kohës me zërin e tij origjinal.

Nexhat Hakiu kish lindur në Vlorë në 1917, ku kish kryer dhe shkollën tregtare, prej nga dolën dhe shkrimtarët e ardhshëm Shefqet Musaraj, Petro Marko e Andrea Varfi. Pasi studioi në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut, punoi si gazetar e më vonë si mësues i shkëlqyer i letërsisë në shkollat e Tiranës. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve  letrare-kulturore të kohës: “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj.

Përmbledhja e tij e parë me poezi dhe ndoshta më e mira është libri “Këngët e Zambares” (1939). Pesë vjet më vonë poezisë së tij i shtohet poema “Kënga e gjakut” (1944), një vepër me frymë antifashiste. Pas çlirimit, vjershat e reja që shkroi i përmblodhi në vëllimet “Këndoj”, “Zëri i pyllit”, “Një lule mbolla” etj. Ai do t’i paguante kështu haraç të pamerituar një kohe në të cilën nuk u inkuadrua asnjëherë si këngëtar i saj i vërtetë.

Nexhat Hakiu me poezinë më të mirë na paraqitet një poet i ngrohtë lirik, këngëtar i dashurisë, i botës dhe natyrës shqiptare. Kënga e tij frymëzohet dhe buron në radhë të parë nga gazet e dertet e fshatit, nga jeta zakonore. Ajo është një poezi e mirëfilltë rustike, plot kolorit e frymë fshatarake, brenda së cilës gjallojnë personazhe dhe ndihen shqetësimet e kohës. Poeti shfrytëzoi në mënyrë krijuese modelet e lirikës popullore, duke pasur si model dhe përvojën e suksesshme të poetit Ali Asllani sidomos asaj labe. Disa nga vjershat e tij më të bukura morën trajtën e idileve, të cilat dhe sot i kanë qëndruar kohës. Ato të bëjnë për vete me hovet lirike dhe situatat psikologjike, me tonet optimiste dhe reflekset e gjalla jetësore. Të gjitha këto përcillen me një shprehje spontane, me varg të harmonishëm e gjuhë të rrjedhshme, që i bëjnë të denja për çdo antologji të poezisë shqipe.

Brezat e rinj të lexuesve vështirë se i njohin këto vlera të çmuara të poetit Nexhat Hakiu. Vëllimi i postum që u botua para disa vjetësh është një përmbledhje e krijimtarisë së tij të para çlirimit, ku përfshihet në radhë të parë poezia, për t’u ndjekur nga proza dhe mendimi kritik. Një vend të veçantë zë vlerësimi i kritikës së kohës së vet dhe i kohës sonë për të, si një individualitet artistik i admirueshëm.

Por krijimtaria e Nexhat Hakiut nuk u mjaftua vetëm brenda kufijve të poezisë. Talenti i tij u shtri dhe në fusha të tjera të letërsisë. Ai botoi një varg tregimesh të suksesshme me tema patriotike-sociale si “Lulja”, “Një shokut”, “Mbrëmja e fundit” etj. që dëshmojnë një prirje realiste dhe mjeshtri artistike. Pena e Nexhat Hakiut dha prova të çmuara dhe në fushën e përkthimeve, me shqipërime nga veprat e L. Pirandelos, R. Tagorës, E. Petrarkës, G. Karduci etj. Mendimi kritik letrar është një tjetër vlerë e trashëgimisë së Nexhatit, me një varg artikujsh problemor e studimor që botoi në shtypin e kohës si “Naimi si poet i dashurisë”, “Shkrimtarët dhe populli”, “Degjenerimi i shtypit”, “Librat që na duhen”, “Shkrimtari, frymëzimi dhe origjinaliteti”, “Talentet femërore”, pa harruar komentet e bukura estetike mbi Ferrin e Dantes dhe Milosaon e De Radës.

Personaliteti intelektual i Nexhat Hakiut nuk mund të kuptohet pa kontributet cilësore që ai dha në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës. Që i ri ai u tregua një gazetar i talentuar letrar duke punuar si redaktor në revistën  “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, në gazetën “Tomori i vogël”, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi i kombit”. Puna e tij drejtuese në shtyp u shoqërua me një publicistikë të pasur, një pjesë e të cilës i ka qëndruar kohës.

Në vitet e pas çlirimit Nexhati, krahas poezisë, iu përkushtua  mësuesisë, duke u bërë një shëmbëlltyrë e rrallë si ligjërues i letërsisë në shkollat e mesme të kryeqytetit. Një ligjërues artist, për nga përgatitja profesionale, për nga interpretimi dhe komentimi, për nga fjala e goditur dhe emocionet fisnike që zgjonte tek nxënësit. Artikujt e tij të botuar në shtypin pedagogjik si dhe librat e botuara, si “Antologji e komentuar”, “Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit”, “Edukimi ideo-estetik përmes letërsisë”, “Studimet për poezinë e Lasgushit e A. Asllanit” mbeten një model dhe sot e kësaj dite për shkollën shqiptare.

Vepra letrare dhe trashëgimia që N. Hakiu la pas, njohën vlerësime të merituara nga kritika dhe opinioni si punë serioze e origjinale. Kështu, që në krye, talenti i tij do të mirëpritet. “Te poeti i ri vërejmë një fantazi të gjallë, talent të mprehtë të vrojtimit, sentiment të ndjeshëm, spontan e të natyrshëm” shkruan kritiku Qemal Dracini. Kritika e krahason me Lasgushin, Migjenin, Koliqin. Për kritikun Kolë Ashta, “Nexhat Hakiu sjell një ndjeshmëri të re lirike në poezinë shqipe”. Për Rinush Idrizin, lirika e N. Hakiut “është e ëmbël dhe e dhimbshme, kurse në orën e mësimit ai tregohet virtuoz, derdh dashuri të madhe, kryefjala e tij është humanizmi”. Ndërsa për P. Jorgonin, “Nexhat Hakiu është një poet me vokacion krejt origjinal, me një fizionomi të vetën, me shpirt të thellë e të brishtë.”

Në 18 qershor të vitit 1978, poeti u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare. Iku siç kish jetuar, i qetë dhe pa u ndjerë. Dhe siç shkruan studiuesi Kristaq Shtëmbari “Për të nuk ra asnjë kambanë”. Veçse me këtë rast mund të kujtojmë fjalët e Nexhatit se “Historia e letërsisë dhe e artit njeh shembuj të tillë, por nga ana tjetër, – thoshte ai, – ajo rezervon dhe vende në panteon për ata që duke u djegur vetë, të tjerëve u falin dritë dhe jetë.”

 

O bilbil çapkëni!

 

I

Po ia thua me psherëtimë,

O bilbili im mbi degë!

Vallë mos do mikeshën time?

Po ia thua me psherëtime

 

Symushqerrës me vajtime

Pse ti zemrën po ja djeg?

Po ia thua me psherëtimë

O bilbili im mbi degë!

 

II

Këngë e fundit kjo të jetë

O bilbili i kopshtit timë

Larg nga sytë qofsh për jetë,

Këngë e fundit kjo të jetë;

 

Engjëllushen mos ma tret

Ik të vraft’ një vetëtimë

Kënga e fundit kjo të jetë

O bilbil i kopshtit timë.

 

III

Do ta prish me gurë folenë

Ik çapkën se benë bëra!

Zëri yt të gënjenë

Do të prish me gurë folenë;

 

Gjeraqina s’ta ka ngenë

Shoqja ime është e tëra,

Do ta prish me gurë folenë

Ik çapkën se benë bëra!

 

 

 

Nusja mbi govatë lante

 

Nusja mbi govatë lane,

Lante rrobat edhe qante.

 

Nuse ç’ke që qan e lan?

 

Nusja rrobat po paloste

edhe zemrën po brengoste.

 

Ç’ke ti nuse që po qan?

 

Rrinte nusja mu te porta,

Nxirrte lot nga sytë e shkruar

Dhe shikonte e mestuar.

 

Ç’ke ti nuse që po qan?

 

-Qaje laj, laj e thaj

Iku burri tërë vaj

Iku burri në kurbet!

Qyqja unë mbeç e shkretë!

 

Si lindi kështu kjo bukuri

Në flokë, në gushë e gji

Ç’i merr në qafë djemtë e ri

Një bukuri pa dashuri!

Si ndrit kështu kjo bukuri

Pa fjalë e ndjenj’ pa dhembshuri,

Si tret kështu kjo djalëri

Pa flok, pa sy, pa gush e gji!

 

 

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Nje “Emblemw” MESUESI e poeti -Nexhat Hakiu- ndjeswpastw !
    .
    Si njw vetwtimw, ruaj kujtimin e Pr Tw paharuar Nexhat Hakiu,njw orw mwsimi nw gjimnazin “Qemal Stafa “,nw vitwt 58-60-t. Njw jetw me diksionin dhe harizontin e tij dhe kur u bwra koleg,po jo Nexhat Hakiu.Ai ishte i rallw.
    Showt dhe miqtw e mij, mbaruar shkollwn me tw mwsues ma kanw mbajtur nw goje,si shkruani ju i nderuar Nasho Jorgaqi, qw mw falni tiu quaj njw binjak i tij nw krijimtari e njerzillwk.
    Kam pwrjetuar dhe ndarjen e tij nga jeta , ato vite,unw drejtor shkolle e mwsues, nw “Katund tw Ri e YRSHEK, Dhimbie ndjemw, gjithsa kontaktuar me tw, si nxwnws apo lexues tw veprave tw tij. Mbi tw gjitha ,sa e njoha unw ishtw njerzor.
    Faleminderit Pr. Nasho Jorgaqi, binjak do ju quaja me tw,qw na bwtw tw jetojmw me tw dhe trashwgimine e tij edhe sot nw mwrgim e nw moshw kaluar tw 8o- vite jetw, atw emblemw …
    .
    Guri Naimit D.(Dh.Xh)

  • E kisha profesor te letersise se huaj ne Qemal Stafa,i mrekullueshem,asnje nuk krahasohej me te.
    Me respektin me te madh per Nexhat Hakiun dhe familjen e tij.
    ish nxenesi i tij.
    M

  • Nexhat Hakiu ishte mesuesi yne ne 8 vjecare “Ylli i Kuq” ne Laprake per pak kohe.I talentuar ,i perkryer ne spiegim,shume i vecante nga mesuesit e tjere.Mbaj mend qe kur spiegonte ai degjohej miza kur fluturonte,ishte e vetmja ore mesimi qe kur binte zilja habiteshim si kalonte aqe shpejt.Natyrisht ai ishte per profesor universiteti por jeta te dergon edhe ne tetevjecare.I thjeshte,i madh,i paharuar,i vecante do te mbetet per ne qe e njohem dhe e respektuam gjithmone.

  • Nexhat Hakiu! Mesuesi yne me i dashur i matures 1964- 65 ne gjimnazin Q.Stafa. Ishte i qeshur, i thjeshte, modest, zemergjere ne vleresimin e nxenesve. Shpjegonte me qetesi dhe ne te njejten kohe me ndjenja te holla mesimin dhe ne e degjonim ne heshtje, te perpire ne figuren e tij fisnike. Falenderoj shkrimtarin dhe biografin me te madh fanolist z.Nasho Jorgaqi qe e kujtoi mesuesin tone Nexhat Haki. Nxenesi M.V.

  • Nexhat Hakiun nuk e kam njohur dhe nuk e ve ne dyshim qe mund te kete qene njeri me vyrtyte, sic shprehet edhe Nashua, por vargjet qe ai ka zgjedhur per te ilustruar kete ide, jane te tilla qe as bashkekohesit e Naimit s’do i pranonin, pasi jane arkaik ku s’ka ku shkon me tej. Me sa duket Jorgaqi po vazhdon te njejten taktike te fyerjes duke i mburrur, sic beri me Maleshoven e me sbhume te tjere.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *