Në kujtim të Skënderbegasit Arben Kitani

DITA Online

 

Nga Tatjana ALIMEMAJ & Sali  ONUZI

“Kur veshi rrobat ushtarake për t’u kthyer përsëri në Hidrocentralin e Fierzës, nga kapela e tij u shkëput ylli dhe fluturoi në mes të dhomës”. Këto kujton Qiriaca, nëna e Arben Kitanit, afro dyzet vjet pasi djaloshi nëntëmbëdhjetë vjeçar ra në krye të detyrës. Duket sikur kjo metaforë ishte fatthënia e heroit të ardhshëm, i cili do të fluturonte si ylli i kuq i uniformës së tij, për të mos u kthyer më kurrë në tokë.

Arben Kitani lindi më 6 tetor 1959 në Fier. Ishte djali i parë i familjes që u rrit plot ëndrra dhe u edukua me frymën e kohës për t’u bërë i dobishëm për familjen, shoqërinë dhe atdheun. Me dëshirat dhe planet që ia diktonte vrulli i moshës, me dashurinë për jetën dhe me synimin për të arritur një qëllim në jetë, ai u nis për të vazhduar studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”.

Shumë nga ata që kanë ndjekur dhe kanë mbaruar studimet në shkollën ushtarake, veç të tjerave vënë në dukje faktin që ajo shkollë të mësonte shumë gjëra dhe përveç artit ushtarak të ushqente edhe me dashurinë për atdheun. Shkolla e mesme “Skënderbej” të kaliste vullnetin, të bënte njeri të rregullt e serioz e të përgatiste për jetën. Arben Kitani është shembulli më i mirë i vlerave të pamohueshme që kishte kjo shkollë, vlera të cilat ai i manifestoi në karakterin e tij. Kush e ka njohur flet me superlativa për djaloshin nga Fieri, të riun syçelët e largpamës që shihte nga e ardhmja. Shokët e tij thonë se përveç karakterit të fortë dhe rezultateve të shkëlqyera, Arbeni ishte duarartë. Mësonte në degën e Radios dhe mendja e duart e tij punonin me këmbëngulje e bindje për të krijuar diçka të dobishme. I rrëmbyer nga skemat e ndërlikuara të radios, me ato fije që lidhnin zemrat e njerëzve me njëra tjetrën, me atë, siç quhej ndërlidhja ,gjuha e ushtrisë, Arbeni spikati me talentin dhe inteligjencën e tij. I kujdesshëm dhe i aftë, ai premtonte të bëhej një inxhinier, një specialist i shkëlqyer në fushën e radiokomunikacionit.

Aftësitë e tij dhe talenti, të cilat ia vinin në dukje shokët, mësuesit dhe oficerët eprorë e ngritën atë moralisht duke e kthyer në një figurë e simbol për t’u marrë shembull, por nuk ia rritën kurrë mendjen dhe nuk bënë kurrë që ai t’i shihte të tjerët nga lart. Thjeshtësia e tij bëri që ai të mos kishte pretendime për punën që do të bënte në ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës. Me specialitetin që kishte dhe aftësitë që zotëronte mund të kishte zgjedhur ndonjë pozicion më të mirë dhe një qoshe të ngrohtë. Por, jo duke qenë gjithmonë shembull për të tjerët ai zgjodhi profesionin e elektricistit, i cili siç dihet ka mjaft vështirësi sidomos në ato kushte të terrenit dhe të dimrit të egër. Por këmbëngulja bashkë me fatin bënë që Arbeni të endej shtyllave elektrike, mes fijesh të rrezikshme, se siç thuhet elektricisti gabon vetëm njëherë. Por nuk gaboi ai, gabuan të tjerë. Ai ishte sa i kujdesshëm, aq edhe korrekt. Dikush gaboi dhe i mori jetën. Ishte një çast, shtypja e një çelësi, a lëvizja e një leve, ishte një veprim fatal i një dore të panjohur që e shoi dritën në sytë e skënderbegasit ëndërrimtar. Jeta e tij u pre në mes, siç këputet një filiz. Jetë e ndërprerë, dëshira të pa përmbushura, ëndrra të pa realizuara.

Arben Kitani ishte një yll, si ai ylli i uniformës që kujton nëna e tij zemërplagosur. Ishte një yll që u ngjit lart në qiell. Ai yll iu bashkua yjeve të tjerë që përbëjnë konstelacionin e madh të të vetmohuarve, të të sakrifikuarve, të atyre që u flijuan në altarin e atdheut dhe që meritojnë emrin e shenjtë dëshmor.

Arben Kitani nuk ra në luftë, se nuk erdhi në jetë në atë kohë. Ai pati ardhur në këtë botë në një tjetër kohë të ashpër, kur ndonëse nuk kishte luftë, rreziku ishte kudo i pranishëm.

Ai do jepte jetën e tij te re në plasjen masive në Fierzë, pikërisht në ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1979, dhe me 29 nëntor do merrte fluturimin e përhershëm nga kjo tokë. Ishte dita kur në Fierzë festohej për inaugurimin e kësaj vepre të re. Në këto dy ditë kur të gjithë festojnë, familja e Arben Kitanit ndalet në kujtimet e tij.

Arbeni është nderuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me « Urdhrin e Punës të Klasit të I », me motivacionin : “Për punë me frymë të lartë revolucionare dhe për ndihmë shumë të çmueshme që ka dhënë për plotësimin në kohë dhe me cilësi të detyrave të ngarkuara për ndërtimin e Hidrocentralit ”Drita e Partisë”, Fierzë. Duke punuar me ndergjegje të lartë dhe me qendrimin që mbajti ndaj punës dhe shoqërisë, u bë shembull për të gjithë kolektivin ku ka punuar, duke dhënë jetën në plasjen e 10 masive”.

Po këtë vit,2017, u kujtua dhe u nderua edhe nga Kryesia e Shoqatës  “Skenderbegasi” me çertifikatë mirënjohjeje me motivacionin :  “Skenderbegas shëmbullor, rënë në krye të detyrës në ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës”.

Familjarët e Arbenit do ishin më të respektuar e të nderuar që Arbeni të shpallej  “Dëshmor i Atdheut”, për kontributin që ka dhënë dhe rininë e tij .Shpresojmë shumë që ky amanet të realizohet.

Të gjithë ata që e njohën, kujtojnë me mall portretin e tij, fytyrën e tij të qeshur, shikimin e qartë, syrin plot dritë. Ata që e patën pranë u ngrohën nga zjarri i zemrës së tij. Por zjarri ishte i madh, ishte i skajshëm. Dikush e shndërroi në një  zjarr përvëlues që dogji zemrën e nënës, të babait, të vëllait e të gjithë atyre që e përqafuan më pas ,para se ta çonin në banesën e fundit.

A kishte Arben Kitani një fjalë të fundit, a kishte një dëshirë, një porosi, një amanet. Askush nuk e di. Sepse ai nuk vdiq në shtrat, ai nuk lëngoi e nuk rënkoi. Ai fluturoi lart në qiell. Ai u tret në ajër. I tillë ishte ai dhe si i tillë u nis në fluturimin e tij të fundit, për t’u prehur përjetë në gjirin e tokës mëmë.

Duke shkruar për Arben Kitanin dhe për fluturimin e tij në përjetësi, na vijnë ndërmend vargjet e poetit Drago Siliqi i cili humbi jetën në një fluturim ajror:

“Ka zogj që fluturojnë dhe vdesin duke fluturuar” ;                                                                      apo poema që poeti ynë i madh Arben Duka ia ka kushtuar dëshmorit tonë, Arben Kitani :

Si një zog i shkruar,                                                                                                                         Me zë të pafikur,                                                                                                                                   Dhe i thua Nënë,                                                                                                                                               Jam këtu, s’kam ikur!..

Jam këtu, s’kam ikur,                                                                                                                        vitet dot s’më tretin,                                                                                                                                         Mbeta për ty Nënë,                                                                                                              Njëzet vjeç gjithë jetën!,,

 

Share This Article
1 Comment
  • “Por nuk gaboi ai, gabuan të tjerë. Ai ishte sa i kujdesshëm, aq edhe korrekt. Dikush gaboi dhe i mori jetën. Ishte një çast, shtypja e një çelësi, a lëvizja e një leve, ishte një veprim fatal”———si çdo aksident që ka pas ndodhur ,që ndodh dhe ka për të ndodhur në tërë historinë e njerzimit!!
    më vjen keq për personin që ka humbur jetën,për familjen që e vuan dhimbjen,por në fund të fundit ka qënë një aksident!!
    përse i duhet dhënë”Familjarët e Arbenit do ishin më të respektuar e të nderuar që Arbeni të shpallej “Dëshmor i Atdheut”, për kontributin që ka dhënë dhe rininë e tij .Shpresojmë shumë që ky amanet të realizohet.”-kur ne nuk respektojmë ata që me të vërtetë kanë dhënë jetën,aspak aksidentalisht,por me pushkë në dorë!
    mos vallë si dëshmor do të kishte më pak dhimbje në zëmrën e një nëne??
    dëshmor a hero!?
    dhimbja është dhimbje!!nuk e ndryshojnë titujt!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *