Skandali i “Panama Papers” sa vjen e zgjerohet. Kompania e përfshirë në të, “Mossack Fonseca” mohoi tërthorazi të ketë shkelur ligjet ndërkombëtare, por dokumentat tregojnë të kundërtën.
Sipas tyre, duket se zotimi i kompanisë ligjore se nuk u ka ofruar shërbimet e veta në ato që njihen si parajsa fiskale personave nën sanksione apo bizneseve me të ardhura të dyshimta rrëzohet.
Nga ato që janë publikuar deri më tani janë të paktën 22 individë që kanë përfituar nga shërbimet e kësaj kompanie, pavarësisht se ndodheshin nën sanksionet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Në listë janë emra si Rober Mugabe, presidenti i Zimbabves, Kim Jong-un i Koresë së Veriut e deri tek Mahmoud Ahmadinejad i Iranit.
E pyetur nga “The Guardian” për këtë listë, kompania me zyra qendrore në Panama i mohoi.
“Nuk kemi lejuar asnjëherë me vetëdije përdorimin e kompanive dhe shërbimeve tona për individë që kanë qenë subjekt i sanksioneve ndërkombëare, për individë që kanë lidhje me Korenë e Veriut, Sirinë, Zimbabven apo vende apo individë që janë subjekt i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Sapo të tilla raste zbulohen, ne shkëpusim bashkëpunimin me këta individë apo kompani”, thotë kompania.
