Kërkimet për të gjetur armën, me të cilën dyshohet se është vrarë 53-vjeçari Agim Buci, vazhdojnë akoma.
Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me RENEA-n dhe forcat zjarrfikëse po vijojnë kërkimet me mjete speciale në lumin e Tërkuzit tek ura e “Zgafnorit”.
Autori që ka shkrepur armën në drejtim të Agim Bucit dhe bashkëshortes së tij Merita, ka pohuar se e ka hedhur armën pikërisht në këtë zonë.
Policia po punon me fadroma dhe motopompa për të gjetur pistoletën në këtë lumë, por përgjatë kërkimit, janë gjetur edhe prova të tjera materiale.
Sipas policisë, këto prova materiale implikojnë dy personat e ndaluar për krimin në fjalë.

Më 25 prill, 28-vjeçari Vladimir Kurti dhe 25-vjeçari Ruzhdi Hode, që të dy banues në Tiranë dhe fqinj me viktimën Agim Buci hynë në minimarketin e tij me qëllim grabitjen. 53-vjeçari Bruci dhe bashkëshortja e tij janë përleshur me grabitësit, të cilët kanë shtënë më pas me armë përkundrejt tyre.
Për pasojë, Agim Buci ka gjetur vdekjen dhe bashkëshortja e tij, Merita është plagosur në këmbë.
s.a/dita
