Në Maminas, aty ku bujqësia “mbjell” edhe dituri

Ornela

Nga Bashkim Koçi

Kam lexuar një thënie të presidentit të 32-të të SHBA-ve, Franklin D. Roosevelt për bujqësinë, të cilën po e citoj: “Një komb që shkatërron tokën e vet, shkatërron veten.” Dihet se presidenti  Roosevelt njihet edhe si reformator i bujqësisë amerikane.

Po në vendin tonë ç’po ndodh me të bekuarën bujqësi? Këto ditë me një grup gazetarësh, të inkuadruar në Shoqatën e Gazetarëve të Bujqësisë, Skënder Sina, Nuri Dragoi, Jani Gusho, Ali Coka dhe kryetari i shoqatës Xhevdet Bashllari, të cilët zbresin herë pas here pranë fermerëve për t’u njohur, për t’i parë hallet e shqetësimet e tyre në vend dhe për të shkruar e diskutuar rreth problemeve që kërkojnë zgjidhje, shkuam në Maminas, fshat-qytetin që qëndron në kufirin midis Tiranës e Durrësit.  Por për ta bërë ekipin më të kompletuar aty erdhi edhe grupi i xhirimit  të Televizionit Shqiptar, gazetari Marash Mirashi dhe operatori Esat Çuçllari, të cilët përgatisin emisionin aq të mirëpritur për fermerët, atë të “Hapësira e Blertë”. Përse në Maminas? Shkuam aty për të qëndruar disa orë në mjediset e kompanisë  tashmë me një emër të mirë, “Arli International”, menaxhuesi i së cilës është specialisti i mirënjohur Agim Rameta. Por shkuam aty edhe për faktin se ajo është një ndër kompanitë e para, e themeluar  qysh në vitin 1992 e që i është përkushtuar veprimtarisë për bujqësinë në vend dhe në të gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal i Zi.

Edhe “qumësht dallëndyshe”…

Bujqësia është një nga sektorët më të vështirë, nga ata që njeriut që merret me të i duhet të punojë 13 muaj nga 12 që ka viti. Ca më e komplikuar bëhet ajo kur je pozicionuar në sektorin më delikat të saj siç është ai i tregtimit të shumëllojshmërisë të artikujve bujqësorë dhe përgatitjes të specialistëve për bujqësinë dhe blegtorinë. Në një farë mënyre duhet të punosh me atë “të padukshmen” e saj që quhet “industri” e bujqësisë ku futen pesticidet, plehrat industrialë, fidanët e pemëve frutore, të agrumeve, të hardhive  e deri tek ata të bimëve dekorative.  Tjetra pastaj, hapja dhe menaxhimi i shkollës së mesme bujqësorë, është sektor më delikat, më me përgjegjësi dhe mund të ndodhë që të të nxijë faqen.

Si i është përshtatur dhe a e ka “kapur” Evropën “Arli Internacional”, a ka mundur t’i rezistojë vështirësive, e cila ishte dhe mbetet ende e panjohur për fermerin shqiptar? Një vizitor i zakonshëm, e që nuk ka haber nga produktet industriale që përdoren në bujqësi, do të ndjehet i hutuar dhe krejt i pa orientuar për çka shikon në mjediset-farmaci të kompanisë që drejtohet nga Agim Rameta dhe dy djemtë e tij, Armeli dhe Lulzimi,  të cilët, pra edhe djemtë e Agimit, kanë përfunduar studimet për agronomi. Aty ka gjithçka që i duhen bimës për t’u rritur shëndetshëm dhe për të dhënë rendimentin më të lartë të mundshëm. Çdo porcion fare, plehu apo pesticidi është e ambalazhuar, e etiketuar dhe e ekspozuar në ndarje të veçanta, ashtu si mund ta gjesh në një farmaci për njerëzit, jo në Tiranë, por në një vend të zhvilluar të Evropës. E eksploruam tej e tej e cep më cep “magazinën” nga ku tregtohen e shpërndahen në të gjithë vendin mallrat që ajo mban brenda dhe na u krijua mendimi i mirë, madje edhe bindja se fermeri shqiptar e ka intelektin dhe guximin që mund të bëjë gjithçka që e kërkon një bujqësi e përparuar dhe intensive. Qoftë edhe në bujqësinë shqiptare, aty ku në të gjitha kohërat ajo është konsideruar “industri pa çati”. Ndoshta dikush mund ta marrë informacionin tonë si njoftim për të shkuar aty, pra si një reklamë që i bëhet kompanisë “Arli Internacional” për të shitur e tregtuar produktet që disponon. Po le ta marrin si të tillë, le t’i bëhet reklamë kësaj kompanie e cila kontribuon në një fushë të vështirë dhe me probleme siç është bujqësia. A nuk kemi thënë se bujqësia është çështje e të gjithë popullit? Nisur nga kjo, prapë dëshiroj ta përsëris: Në Maminas, tek kompania “Arli Internacional” gjen atë që i duhet dhe e kërkon bujqësia moderne shqiptare, që i duhet fermerit për të konkurruar në treg në sasi e cilësi, por edhe me shumëllojshmëri. Shkurt, ashtu si thamë pak më sipër, aty fermeri vendas gjen edhe “qumësht dallëndyshe”.

Dëshirë e madhe e krijuar nga nevoja të mëdha

Në Maminas, pranë kompanisë që bëjmë fjalë, është një godinë e re e cila i jep qytezës një nur të veçantë, që e bën atë më të fisshme, duke ia ngritur vlerat mjaftueshëm për ta konsideruar si qendër të asaj zone e të profilizuar për prodhime bujqësore. Kjo ndërtesë e projektuar bukur është shkolla e mesme profesionale (jo publike), e licencuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, e cila përgatit specialistë, agronomë  e zooveterinerë, por edhe disa dhjetëra fermerë për t’i specializuar si mjeshtra prodhimi në profile të caktuara siç është bima e ullirit, vreshtaria, trajtimin e bagëtive dhe për përdorimin e pesticideve. Sigurisht sipas nevojës që ka tregu i punës.

Të gjitha gjërat e mrekullueshme janë arritur nga ata që guxojnë të besojnë se diçka mund të bëjnë në drejtime të caktuara, aty ku e shikojnë të aftë veten se mund të jenë superior ndaj rrethanave negative që mund t’u krijohen për të arritur atë çka synojnë të arrijnë. Si në rastin në fjalë. Nuk ishte e lehtë, madje dikush mund ta konsideronte marrëzi, si t’i futeshe detit në këmbë, ngritja e shkollës së mesme bujqësore në Maminas. Duhet dish dhe të jesh kompetent për atë çka ke menduar bësh, por të duhen edhe ca para për të përballuar kostot që kërkon ngritja e një shkolle. Ca më të vështirë e bënte fakti që nisma vinte nga një individ i pak “i huaj” për sektorin e arsimit, nga agronomi i të lartë Agim Rameta, i cili vetëm besimin tek vetja e konsideroi “investimin” më të madh që do t’i sillte suksesin. Dhe realisht ai ia ka arritur qëllimit final dhe, sipas meje, e ka shtruar bukur trasenë për të hedhur hapa të tjerë cilësorë në përgatitjen e specialistëve me arsim të mesëm të bujqësisë, të cilët mbeten pasuri e madhe, si më produktivët për menaxhimin e punëve në bujqësi.

Gatishmëria nuk mjafton, por duhet edhe të veprohet. Një shkollë, e çdo kategorie apo profili qoftë, kërkon shumë preokupim e mendje krijuese për të qenë si e tillë. Pra shkolla nuk përfaqëson thjesht godinën, disa mjedise për të sistemuar nxënësit. Kjo po se po, por kërkohen edhe ca gjëra më të kushtueshme, por të domosdoshme siç mund të përmendim  personelin mësimdhënës, laboratorë të ndryshëm për të bërë kombinim sa më real të teorisë me praktikën. Aty këto kërkesa janë realizuar mirë dhe, për çka konstatuam, mund të thuhet se kjo shkollë konkurron me dinjitet me të gjitha shkollat e tjera në shkallë vendi, publike apo jo publike, të cilat përgatisin specialistë të mesëm për bujqësinë, agronomë dhe zooveterinerë. Fjala vjen, aty janë punësuar shtatë specialistë të lartë si mësimdhënës. Që të gjithë vijnë nga prodhimi, nga ekonomi apo institucione ku kanë shkëlqyer në fushat ku kanë punuar. Dy nga mësimdhënësit që takuam aty në mjediset e shkollës janë Muharrem Domi e Vlash Lazri, që të dy me stazh të admirueshëm pune, por edhe profesionistë të zotë, lektorë që kanë treguar kompetencë si mësimdhënës. Nga Tirana vjen një pedagog tjetër i  fushës së zooveterinarisë, Xhevdet Bashllari, i cili me dijet dhe përvojën e tij ka arritur të dominojë auditorin e më pas të bëhet pjesë e një bashkëbisedimi të frytshëm. Po ka edhe diçka tjetër që e bën model shkollën Bujqësore të kompanisë “Arli Internacional” të Maminasit. Infrastruktura është e kohës, moderne dhe është arritur të punohet me teknologji dhe mjete bashkëkohore.  Të gjitha këto e kanë bërë atë një nga shkollat më të kërkuara, duke afruar kontigjente jo vetëm nga fshatrat e zonës së Maminasit, por edhe nga Kryeqyteti, Tirana.

“Gurë dhe drurë në rrota” nga administrata e korruptuar

Kjo zonë është nga më të njohurat në shkallë vendi për punët dhe rezultatet e mira në bujqësi. Ndoshta edhe për faktin se fermerët kanë arritur të vlerësojnë bashkëpunimin, t’ja shikojnë hajrin, si i thonë fjalës, vënies në zbatim të teknologjive të përparuara, kryesisht në përdorimin e farërave e fidanëve cilësorë dhe të preparateve kimikë. Edhe në këtë rast na del në skenë kompania “Arlis Internacional”, bashkëpunimi i saj me fermerët. Ajo tashmë ka krijuar autoritet të padiskutueshëm, ka krijuar bindjen tek kultivuesit e bimëve bujqësore se është kompani serioze dhe e garantuar për çka të afron. Po pse? Sepse partnerët e saj në botë vijnë nga Franca, Italia, Anglia, Gjermania e deri nga Kina e largët.

Rasti e solli të shkojmë pranë fermerit Hamdi Osmani, i cili merret kryesisht me mbarështimin e vreshtave dhe prodhimin e verërave të cilësisë së lartë. Kantina moderne, me emrin e bukur “Herta”, është ngritur, siç thonë aty në Maminas, “për qejf të Hamdiut dhe djalit të tij, Rozanit”, është e kompletuar me makineri e pajisje të fjalës së fundit, të importuara që të gjitha nga Italia. Ai ka në pronësi dhe një pjesë në përdorim, mbi 8 hektarë vreshta të mbjellë me varietete nga më të mirët për përgatitjen e verërave, si Trebiana, Merloti, Sheshi i Zi dhe disa lloje të tjerë të përzgjedhur  jashtë vendit. Vreshtat janë mbjellë në toka inproduktive, të thata dhe me tregues jo të mirë pedologjikë. Por puna dhe pasioni për të investuar në vreshtari ka bërë që Hamdiu të gjitha lekët e fituara me dy djemtë në Itali, t’i hidhte në një sektor jo shumë të njohur nga ana e tij, vreshtaria. Ai ka punuar vitet e shkuara si tankist, madje edhe në hekurudhë si makinist, por siç na tha vetë me gojën e tij, “mizat” për t’u marrë me vreshtari dhe prodhimin e verërave ia kishte hedhur një italian tek i cili kishte punuar për një kohë të gjatë. Por nga biseda me këtë fermer serioz dhe të vendosur për t’ja dalë deri në fund asaj çka kish nisur, mësuam se ai nuk ndjehej mirë dhe ish bërë disi pishman përse i ishte futur një pune me kaq të papritura e telashe që të shumtat i vinin nga administrata e qeverisjes vendore. Ai, p.sh, e ndjente veten të goditur për vdekje nga taksat e larta, aq sa e kishte kuptuar tashmë se “thesi me para” i fituar me djersë e me mundim të madh në migrim si familje, dhe të hedhura në sektorin e vreshtarisë, po i pakësohej nga viti në vit. Një gjë e tillë po i ndodhte edhe me prodhimin e verës. Ndërsa e ka filluar me shumë pasion prodhimin e verërave, duke synuar që të lërë emër të mirë dhe jo sa për të fituar ca para, shumë gurë e drurë që i kanë dalë përpara, po ia presin në mes rrugën e nisur. Edhe emrat me të cilët i ka pagëzuar verërat, autoktonë,  si “Bukuroshja e Maminasit” dhe “Shën Pjetri”, tregojnë se pasioni i Hamdi Osmanit dhe familjes së tij i ka rrënjët më të thella sesa mendohet. Ai ka e ngritur zërin për trajtimin që u është bërë prodhuesve të verës si “ca të nënës e ca të njerkës”, por sipas tij “këtu është rrumpallë e nuk të dëgjon kush”. Tha se në zonën e Maminasit prodhohen çdo vit rreth 4 mijë hektolitra verë. Hamdi Osmani prodhon mbi 300 hektolitra. Ajo që atë e shqetëson dhe e bën të flasë “përçart” nga inati e sedra e njeriut punëtor e të drejtë, fanatik i zbatimit të ligjit, është tregtimi i verës në mënyrë të pandershme, të paligjshme dhe të pasigurt për konsumatorin. Sasia që prodhonte ky fermer ishte e licencuar dhe e standardit, sipas rregullave që kërkon konsumatori e ligji, ndërsa të tjerët e tregtonin ku të mundnin, rrugëve apo në tregje informalë, duke u goditur kështu me një konkurrencë alla shqiptarçe, por ehe me zarar të madh për të marrë atë që të takon, fitim që e merr kufijt që e ke nga djersa e ballit.

Në bisedë e sipër fjala nxjerr fjalën dhe, sigurisht, gjuha vete aty ku të dhemb dhëmbi. Është tamam koha kur rrushi është pjekur teknikisht dhe tani e ka radhën vjelja e tij. Shumë mirë, ku është e keqja këtu. Hamdi Osmani e thotë shkurt, me dy fjalë sikletin që e ka zënë. Keq të mos kesh prodhim, por qenka më keq akoma kur prodhimi është i mbarë, thotë ai. Dhe kjo e keqe sipas tij qëndron tek mungesa e fuqisë punëtore për të vjelë prodhimin e rrushit. Këtu në Maminas, shtyn ai bisedën, kanë ikur të gjithë jashtë. Nuk gjen njeri të të afrohet për ta punësuar, edhe pse pagesën e kam shumë të mirë në raport me punë të tjera në bujqësi. Jam shumë i shqetësuar, thotë ai, po më mbetet rrushi në vreshta kur ndërkohë kam marrë masat për të filluar proceset për përpunimin e rrushit dhe fillimin e prodhimit të verës në fabrikë.

Po të qëndrosh gjatë në bisedë dhe ta ngacmosh për hallet dhe problemet që i dalin ditë pas dite e stinë pas stine, fermeri Hamdi Osmani të pret e të përcjell me dhimbje koke. Aty e merr vesh realisht ç’është bujqësia, sa e vështirë qenkërka e sa punë u dashka të të duket e ëmbël kokrra e rrushit.

Një ekran TV-je a gazetë për të dëgjuar zërin e fermerit

Në takime me fermerët dalin aq shumë probleme sa herë-herë mendja të shkon tek “borxhi” që u kemi të gjithë, pa përjashtim, ne si gazetarë të bujqësisë, por në mënyrë të veçantë dhe të drejtpërdrejtë qeveria, dikasteri përkatës, i cili i ndjek sistematikisht problemet që dalin dhe që duhet të ndërhyjë, duke menduar e vepruar për t’i ndihmuar sadopak,  për t’ua lehtësuar barrën e rëndë që u ka rënë për pjesë për ta mbajtur.

Çfarë kërkojnë veç fondeve monetare dhe materiale fermerët tanë? Kur i dëgjon me vemendje dhe kur vë re se ata vlerësojnë shumë ekranin e televizorit apo një artikull gazete ku zë vend problemi që ata i shqetëson, merr vesh se kemi të bëjmë jo me punonjës dosido, që dinë vetëm të ujisin e të prashisin, por me njerëz të emancipuar, që e kërkojnë dhe e vlerësojnë të përparuarën e cila vjen tek ata nëpërmjet medias. Po çfarë doli në bisedat që u bënë në Maminas dhe jo vetëm midis gazetarëve? Është një problem i cili është bërë një nga borxhet më të vonuar e më i turpshëm që ka qeveria ndaj bujqësisë dhe fermerin shqiptar. Sepse i gjithë ky sektor, nga më të rëndësishmit dhe të vështirët e ekonomisë, nuk i është vënë në dispozicion qoftë një revistë apo gazetë e vetme. Ato ishin dhe u mbyllën ashtu si iu vu kyçi dhjetëra instituteve e institucioneve shkencorë, të cilët shërbenin si krah i djathtë për intensifikimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit bujqësor. Për fermerin shqiptar qëndron hapur vetëm një dritare, emisioni “Hapësira e blertë” i televizionit Shqiptar, i cili ka shikueshmëri  të lartë e të admirueshme dhe, mesa i ndjek këta lloj emisionesh, di që ka një të tillë edhe Report TV. Nuk flitet fare për bujqësinë dhe fermerin, madje edhe kur trajtohet ndonjë problem, kamera dhe shkrimet që bëhen më shumë shikojnë të keqen dhe çuditërisht mania është për t’i nxirë gjërat. Nëse “çahet” ekrani dhe nuk ka gazetë të mos shkruaj përditë për drogën, për mbjellje, shërbimin, përpunim e shitje, për trafikantët që e tregtojnë etj., për bujqësinë, për perimet, pemët frutore, drithërat, për bagëti e të ushqyerit e tyre, as që  bëhet fjalë. Nuk interesohet a t’i bjerë në mendje kujt për një gjë të tillë. Ishte një gazetë për qarkun e Lezhës e që shtrihej në trajtimin e problemeve deri në veri të vendit, gazeta “Drini”, të cilën e nxirrte merakliu dhe specialisti i mençëm Gjovalin Gjeloshi. Por edhe ajo falimentoi për shkak se nuk iu ndodh kush pranë kur po jepte shpirt. Një organ, e cila po “jep shpirt”, ashtu si gazeta “Drini”, është edhe gazeta “Kurora”, e cila trajton problemet e pyjeve. Këtë të fundit e mban ende gjallë inxhinieri pasionant i pyjeve Zef Ymeri dhe specialisti-gazetar Veli Hoxha. Por edhe këta do japin e do japin, por mesa duket po dorëzohen. Ja kjo është situata që u trajtua mes fermerëve  e gazetarëve, si midis miqsh, aty në Maminas.

E çfarë duan fermerët që të mund të dëgjohet sadopak zëri i tyre? Diçka fare minimale, një gazetë apo revistë e asgjë më tepër. Të paktën t’u kthehen ato që ua kanë marrë, që ua kanë mbyllur në mënyrën më idjoteske të mundshme. Aty në mjediset e kompanisë “Arli Internacional” doli ky problem dhe u hodh ideja për të trokitur në Ministrinë e Bujqësisë e të Ushqimit, aty ku propagandën dhe informacionin  për bujqësinë e identifikojnë me një kronikë bajate apo lajm që nuk i sjell asnjë informacion fermerit të zakonshëm. Sigurisht nuk është hera e parë që është bërë një kërkesë si kjo, por për të qenë të vërtetë asnjë nga Ministrat e këtij dikasteri, që nga viti 1990, nuk ka gjetur kohë për t’u ulur, për të biseduar dhe për të bërë diçka për çka kërkojnë fermerët, specialistët dhe gazetarët e sektorit të bujqësisë. Menaxheri i “Arli Internacional”  ka guximin dhe merr iniciativën të financojë dhe të marrë përsipër botimin e një gazete a reviste, duke gjetur përkrahjen dhe pëlqimin e shoqatës së Gazetarëve të Bujqësisë për përgatitjen e materialeve, për botim e tyre pa asnjë lloj shpërblimi. Pra vullnetarisht. Po a ka dhe a mund të bëjë më shumë se kaq një intelektual i ndershëm, nga ata që i përjetojnë me zemër hallet që vuan e përjeton fermeri shqiptar? Propagandën dhe informacionin, sidomos atë në fushën e bujqësisë, e bën veç punës edhe fjala. Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim, ka thënë Aristoteli. Ndoshta është koha për të kthyer kokën nga disa gjëra që, me dashje apo nga injoranca, i hodhëm tutje si të padobishme, në mos i konsideruan sektorë “parazitë” të indoktrinuar nga ideologjia komuniste. Le të kishte ide dhe ideologji komuniste në ata dhjetëra institute, them unë, nëse aty bëhej punë e jo dokrra, nëse aty bëhej shkencë në dobi të njerëzve dhe rritjes së cilësisë e rendimentit të prodhimeve bujqësore e blegtorale.

Në Maminas, fermerët dhe të gjithë ata që punojnë për modernizimin dhe intensifikimin e bujqësisë, e dinë çka kërkojnë, por edhe janë të bindur se e kanë gjetur rrugën për të ngjitur maja, duke menduar e vepruar me bindjen se mendja është pjellore ashtu si toka. Çështja shtrohet për të mos e vënë në pikëpyetje atë që ata meritojnë: kujdesin pa asnjë kusht të shtetit, i cili duhet t’i mbrojë me çdo çmim, pa arrogancë e shtrëngesa  të zyrtarit “të fortë”, të cilat shpesh fantazohen nga administrata e papërgjegjshme dhe e korruptuar.

 

Share This Article
2 Comments
  • Do te ishte mire qe kete shkrim te mund ta lexonte vet ministri i Bujqesise, zoti Çuçi. Sa shume probleme ka bujqesia! Urime, Bashkim, proze poetike e ke shkrimin. Nderime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *