Bizneset që krijojnë vende të reja pune, si dhe u japin rëndësi prodhimeve cilësore vendase do të marrin mbështetjen maksimale të dikastereve shtetërore. Për këtë në mars do të çelet konkursi për të gjitha bizneset që do të përfitojnë nga fondet publike. Kompanitë do të marrin fondet e para në pranverë, por në konkurse do të hyjnë edhe në bazë të disa kritereve të vendosura. Kompanitë që do të punësojnë sa më shumë njerëz, do të kenë dhe përfitimet më të mëdha. “Qeveria duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje bizneseve që punësojnë njerëz dhe që ofrojnë produkte dinjitoze shqiptare “Made In Albania”, – me këtë mesazh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u është drejtuar gjatë ditës së djeshme punonjësve dhe drejtuesve të njërës nga kompanive më të mëdha të prodhimit të sallamit në vend siç është ajo EHV. Pasi inspektoi fabrikën dhe kushtet e punës, ministri Veliaj vuri në dukje faktin se do të bëhen më shumë përpjekje për promovimin dhe mbështetjen e të gjitha atyre kompanive, dhe subjekteve të biznesit që paguajnë në kohë pagat, sigurimet shoqërore dhe respektojnë rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë. “Duam që zyrat e punës të jetë në funksion të zonës midis Durrësit dhe Tiranës, ku janë ngritur bizneset më të mëdha të vendit, për të ndihmuar bizneset të ulin kostot e rekrutimit të burimeve njerëzore, duke përdorur më shumë zyrat e punës, në mënyrë që këto biznese të përfitojnë edhe nga paketat e qeverisë për nxitjen e punësimit. Sot kemi marka shumë dinjitoze “Made in Albania”, ka pohuar ministri Veliaj gjatë inspektimit të kësaj kompanie. Nga ana tjetër, ai u shpreh se duhet të këmbëngulim që produktet vendase të marrin një certifikim edhe për tregje të tjera, pasi bizneset shqiptare prodhojnë produkte shumë cilësore, ekonomike dhe të konkurrueshme. “Jemi në një kohë kur të gjithë preferojnë të bëhen drejtorë, por të punosh në fabrikë është një punë e nderuar, nëpërmjet të cilës mund të bësh një jetë të mirë dhe dinjitoze”, theksoi me tëj ministri Veliaj. Aktualisht kjo kompani numëron rreth 700 punonjës në fabrikë dhe rrjetin tregtar në të gjithë Shqipërinë.
