Në mars nis shlyerja e borxhit ndaj biznesit

anazapta

Shlyerja e detyrimeve që qeveria i ka sipërmarrjes është një çështje e shumë diskutuar dhe e mezi pritur nga biznesi. Kjo jo vetëm për dhënien frymë të tregut, por dhe për vetë humbjen e besimit se do të shlyheshin ndonjëherë faturat për punët e kryera. Në një prononcim, numri dy i financave, Erjon Luci ka shpjeguar kohën e nisjes së shlyerjes së detyrimeve si dhe mënyrën se si do të kryhet ajo. “Për këtë vit, siç e keni parë edhe nga buxheti vjetor, është parashikuar një shumë gati 37 miliardë lekë që është një shumë relativisht e madhe për t’u disbursuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Kështu që do të ketë një shpërndarje sa më homogjene të asaj shume, për pjesën e mbetur të vitit.

Nëse nuk arrihet të disbursohet brenda vitit, ajo shumë do të vazhdojë në vitin që vjen”, tha Luçi. Ministria e Financave ka hartuar një strategji të posaçme sipas të cilës do të administrohet gjithë procesi. Në dokument përcaktohet edhe se cilat fatura do të shlyhen të parat.  “Faturat, që kanë një datë më të vjetër ekzekutive ose janë ekzekutuar më përpara do të paguhen më herët. Rradha do të kalohet vetëm për raste shumë të veçanta që mund të kenë ndikime të drejtpërdrejta në ofrimin e shërbimeve publike të rëndësishme. Në përgjithësi rastet do të ndiqen në bazë të datës”, tha Luçi. Në total borxhet e prapambetura, sipas Qeverisë, vlerësohen 72.6 miliardë lekë dhe janë parashikuar të shlyhen brenda tre vjetëve.

Qeveria shpreson që pagesat e këtyre borxheve të zhbllokojnë procesin e kreditimit. “Bankave do t’u bëhet e ditur, sic do t’i bëhet lista e detyrimeve që do të paguhen dhe kjo do t’i japë një mundësi më të madhe në koordinim me njëra-tjetrën për të mbajtur nën sistem, ose për të maksimizuar likuiditetin e injektuar në sistem të ndihmojë si në uljen e kredive të këqija,po ashtu edhe në dhënien e kredive të reja”, tha Luçi. Në buxhetin e shtetit është parashikuar një shumë prej 39 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit, që do të mbulohet përmes mbështetjes buxhetore. Në relacionin e projektbuxhetit 2014 financat shpjegojnë si do të kryhen pagesat.

Nga raporti i kompanisë Deloitte për detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit ndaj biznesit privat vendas dhe të huaj për punime e shërbime publike, e cila kap vlerën 24.6 miliardë lekë. Sipas këtij raporti rreth 65% të këtij detyrimi apo në vlerën rreth 16 miliardë lekë buxheti i shtetit i detyrohet projekteve të infrastrukturës, 17% të tij e ka ndaj kompanive të farmaceutikës dhe pajisjeve mjekësore, 8.42% ndaj ndërtimit të shkollave. 

Ndërkohë që, nga administrata tatimore deri tani është evidentuar dhe kontrolluar një detyrim në masën 22.8 miliard lekë për zërat që kërkojne rimbursimi të TVSH si dhe tatim fitimit.  Ministria e Financave  tashme ka përfunduar Strategjinë e Pagesës së këtyre detyrimeve, proçes i cili jo vetëm do të auditohet dhe certifikohet nga ministritë e linjës, por do të auditohet mbi bazë risku edhe nga një kompani audituese me eksperiencë ndërkombëtare e cila do të rekrutohet me një proçes të hapur tenderimi.  Vendimarrja si dhe raportimi mujor mbi kontratat që do të paguhen do të jetë kompetencë e një Komiteti ndërministror i cili do të mbikëqyr të gjithë procesin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *