Ceremonia mortore e ish-kryeministres britanike, Margaret Theçer që zhvillohet sot, ka krijuar konflikte dhe përballje verbale të shumta midis dy partive të mëdha britanike. Çështjet kryesore mbi të cilat fokusohet debati janë: kush e ka organizuar, kur dhe sa do të kushtojë
Një ditë pasi vdiq Theçeri, shtypi dhe politikanë të ndryshëm nisën të diskutojnë mbi mundësinë e organizimit të një funerali shtetëror. Në një komunikatë zyrtare, qeveria britanike kishte bërë të ditur se ceremonia nuk do të bënte pjesë në kategorinë e “funeralit shtetëror” por në “funeralin me nderime ushtarake”. Ndryshimi shpjegon “The Economist” është më shumë formal sesa përmbajtësor. Ndërsa ceremonia shtetërore i rezervohet sovranit pasi kalon në fazën e miratimit parlamentar, personaliteteve të tjera që janë shquar në mënyrë të veçantë në jetën e vendit u rezervohet një më i thjeshtë me nderime ushtarake dhe pa ndërhyrjen e parlamentit.
Mohimi i funeraleve shtetërorë nuk mjaftoi për t’i bërë bashkë konservatorët dhe laburistët. Aspektet më të diskutuara të ceremonisë mortore të Theçerit kanë qenë të shumta këto javë, por arsyet e atyre që e kundërshtojnë organizimin “në të madh” janë sintetizuar nga deputeti laburist, Xhon Hil. “Ky është një funeral shteti në të gjitha kuptimet edhe pse pa konsensusin e parlamentit dhe të popullit. Çërçilli, kryeministri i parë të cilit i është rezervuar funerali shtetëror në 100 vitet e fundit, e bashkoi vendin, ndërsa Theçeri e ndau”, u shpreh Hil gjatë një fjalimi para parlamentit. Pikat kryesore në të cilën ndahen laburistët dhe konservatorët janë dy:
Këmbanat e Big Benit
Big Beni është ora e madhe e Uestminsterit, seli e parlamentit britanik në Londër. Polemikat nisën kur zëdhënësi i Dhomës së Komunëve, konservatori Xhon Berkov deklaroi në parlament vendimin e tij për t’i mbajtur në heshtja këmbanat gjatë ceremonisë së Theçerit. Hera e fundit që ato nuk u lejuan të binin ishte në ditën e funeralit të Uinston Çërçillit, në vitin 1965. Berkov shtoi se ky vendim ishte akti më i përshtatshëm për të treguar rëndësinë që ka pasur Theçeri në historinë politike të vendit. Por shumë laburistë mendojnë se nuk është e drejtë që Theçeri të vendoset në të njëjtën pozitë me Çërçillin.
Ben Uallas i Partisë Konservatore shprehet se ceremonia mortore e Theçerit ka qenë e organizuar që në vitin 2008, kur kryeministri britanik ishte laburisti Gordon Braun. Sado i pazakontë të duket planifikimi i parakohshëm, kur janë në linja të mëdha ngjarjet kërkojnë një organizim të madh të burimeve. Uallas dhe anëtarë të tjerë të partisë konservatore akuzuan Braunin se me mashtrim kishte bindur mbretëreshën e Anglisë, se gjoja kishte pasur një konsensus të madh midis konservatorëve dhe laburistëve mbi mënyrën e organizimit të ceremonisë: jo shtetërore dhe me nderime ushtarake. Këta konservatorë “disidentë” mendojnë se funeralet e Theçerit do të kushtojnë shumë dhe se faji ishte i Braunit, i cili kishte bindur mbretëreshën të jepte miratimin për nderimet ushtarake, pavarësisht se Theçeri gjatë qeverisjes së saj e kishte ndarë vendin.
Polemikat mbi kostot
Shumë kritika i janë drejtuar edhe Frensis Maudesë, politikanit konservator, i cili është marrë me organizimin e funeralit të Theçerit dhe që javën e kaluar në një program radiofonik njoftoi se e gjithë ceremonia do të kushtonte 10 milionë sterlina ( rreth 14 milionë euro), por laburistët e akuzojnë Maudenë se po fsheh kostot e vërteta të saj. Përgatiti: Dorina Gjuzi