Faqe nga historia dhe jeta e diasporës shqiptare
Prof. Nasho Jorgaqi
Nisemi për në vendlindjen e poetit tonë të madh. Kush e ka lexuar “Milosaon” dhe nuk ka shtegtuar me kalin e fantazisë për në Maqi, atje ku lindën këngët e tij! Një botë e tërë plot ëndrra e vizione, që rri në kufijtë e legjendës. Tani që po shkojmë drejt Maqit, sikur po dalim prej tyre.
Makina lë prapa rrugën kryesore dhe merr në të djathtë, duke u ngjitur në të përpjetë. Sipër në faqen e një kodre , zbardhëllojnë shtëpitë e Shën-Mitrit, kryeqendrës arbëreshe të krahinës së Kozencës. Kalojmë përmes katundit, nëpër ca rrugica të shtruara me kalldrëm, dhe kthehemi majtas. Shën-Mitri me Maqin janë fare afër, sikur të ishin lagje të një katundi. Ndërmjet tyre shtrihen ullishta, vreshta dhe hone të vogla, që zverdhojnë nga lulet e gjineshtrës. Natyra mesdhetare këtej harliset nga gjelbërimi e hijeshia, Maqin e kemi përballë, tek rri majë kodrës si një kurorë e blertë me dritaret që vështrojnë horizontet. Kalojmë nëpër një urë, poshtë së cilës rrjedh një lumë. Mos është lumi i Rakundelit? Kemi hyrë tani në viset e dashura të poetit tonë. Është gjeografia deradiane.
Zbresim nga makina dhe ecim në këmbë. Vetëm kështu mund t’i qasesh vendlindjes së De Radës. Na duket sikur e njohim prej kohësh pozicionin e katundit, kur sjellim ndër mend kangjelet që na e pikturojnë diku në hapësirën plot dritë, midis vargut të kodrave dhe detit. Silueta e tij e blertë lakohet nën qiellin e kaltër në vija të brishta e plot hijeshi. Është një pamje e butë e qetësindjellëse, që nuk arrin ta prekë hija e rëndë e maleve të Polinit. Në mes tyre shtrihet fusha e bukur e Sibarit, që laget në lindje nga ujërat e detit Jon. Pikërisht andej hapet një grykë në mes maleve të Polinit e atyre të Silës, prej nga vezullon deti. Për Maqin dhe katundet arbëreshe të këtyre anëve kjo grykë shkëmbore ka qenë përherë si një dritare madhështore që shikonte nga Arbëria, përtej horizontit. Ishte ky vizion plot dritë që e zgjoi dhe e mbrujti frymëzimin e De Radës. Pa këtë shteg që të çonte në Arbëri ndoshta nuk mund të lindte “Milosaoja”.
Jemi në Vinçens Minishin, kryetarin e bashkisë së Mbusatit, njeri i njohur në lëvizjen e sotme arbëreshe. Ai s’është poet, po ka shpirt poeti dhe e ndien veten të prekur si dhe ne, megjithëse nga Maqi kalon çdo ditë.
– Maqi është Meka e arbëreshëve, po me sa duket, pjesërisht dhe e shqiptarëve, – thotë me një zë të qetë Vinçensi. – Pa De Radën, mendoni sa të varfër do të ishim ne këtu në dhe të huaj.
Hyjmë në Maqi dhe shkelim nëpër udhën kryesore. Katundi ka gjallëri dhe lëvizje, ndryshe nga ç’e mendonim nga larg. Lëvizin makina dhe kafshë, dëgjohen zëra, zërat e Maqit. Vëmë veshin mirë dhe dëgjojmë të kumbojnë fjalët e para arbërisht. Pa dashur na gufon gjoksi. Maqi vazhdon të flasë në gjuhën e poetit të vet. E kundërta do të ishte një ironi e hidhur, fyerja më e madhe që do t’i bëhej kujtimit të De Radës. Pas kësaj mund të ecim pa asnjë druajtje nëpër katund. Është po ajo pamje intime arbëreshe, po ajo atmosferë karakteristike, thuajse po ata njerëz. Burra mbledhur nëpër sheshe, pleq ulur në sofate, gra para portave, fëmijë që luajnë. Ngrenë kokën dhe na shikojnë. Diçka pëshpëritin, disa përshëndetin. Maqi është mësuar me miq, sidomos me vëllezër nga Shqipëria.
Njeriu i parë që takojmë është një burrë shtatlartë, me trup të drejtë, plak i thinjur. Ai ndahet nga shokët dhe na afrohet. Vinçensi na njeh. Është një nga stërnipat e De Radës, që rron në fshat Kamilo de Rada
Burri i Radenjve na përqafon fort dhe, edhe pse s’është hera e parë që pret miq si ne, është i mallëngjyer. Ai ecën përpara dhe na prin drejt shtëpisë. Lëmë rrugën e asfaltuar dhe futemi në një rrugicë me kalldrëm, në mes shtëpive të vjetra prej guri. Ndoshta jemi në Maqin e hershëm, sepse shihen qartë gjurmët e kohës. Përkrah shtëpive me tjegulla qëndrojnë ato me plloça të përhime, që janë më të lashtat. Mure të rrëzuara a të shtrembra, trarë të vjetër a të dalë si dhëmballë të kalbura, dritare të vogla, porta të stileve të shkuara… Është dekori tipik i katundeve arbëreshe, po që këtu në Maqi merr një kuptim të veçantë.
Shtëpia e De Radës
Po përjetojmë një gjendje shpirtërore të çuditshme; ndjenjat e mendimet e bukura që na ka falur poeti, tani sikur zgjohen me vrull e dalin prej nesh, për t’u përzier me përshtypjet e gjalla që na jep katundi.
– Ja dhe shtëpia e De Radës, – dëgjoj zërin e Vinçensit. Ai më shtrëngon për krahu dhe unë përmendem.
Kemi ardhur para portës së lashtë të shtëpisë së poetit. Një portë e madhe, me hark guri, ku është skalitur stema e vjetër e Radenjve: një degë lisi me dy yje. Mosha e saj u afrohet pesëqind vjetëve, dëshmi e prejardhjes shekullore të fisit. Ndoshta, porta është pjesa më e fortë nga tërë relika e shtëpisë së Radenjve. Koha, e mundur, është skalitur në gur.
Kapërcejmë pragun dhe gjendemi në oborrin e vogël. Në qetësinë e gurëve të vjetër dëgjojmë hapat tanë të druajtur.
Përballë, një gur i madh mulliri në këmbë, sipër, në krah të majtë, emri i poetit në një pllakë të bardhë mermeri. Më tutje, strehët e lëshuara të shtëpisë. Qëndrojmë një çast në heshtje të thellë. Këtu pushon koha, koha e poetit. Të vjen të përsëritësh këto fjalë nga “Fausti”. Çdo gjë përreth ndjell jetën e tij.
Ngjitim shkallët prej guri të shtëpisë dykatëshe. Një shtëpi shumë e vjetër, e ronitur, me mure të plasaritura, të irnosura. Poshtë, ku kanë qenë ahuret, jeshilojnë myshqet. Sepse më shtrëngon diçka në gjoks. Vinçensi qëndron i menduar.
Stërnipi na prin në krye të shkallëve. Kokulur, hyjmë në shtëpi. Një korridor i ngushtë, gjysmë i errët dhe disa të ndara të çrregullta me dërrasa. Nuk dimë nga të shkojmë, kur nga dera përballë del një plakë që na zgjat dorën:
– Mirësenaerdhtit!
Është nënë Nikolina, gruaja e Josifit, nipit të De Radës, djali i të birit, Rodrigos. Ajo i pret e i përcjell tani miqtë në këtë shtëpi. Plaka rron fill vetëm. E kërrusur dhe e rrudhur, ajo ka një pamje shumë të pikëlluar. Marrim vesh se i kanë ndodhur disa fatkeqësi, të ngjashme deri diku me fatkeqësitë e poetit. Prandaj flet pak dhe, kur flet, nuk rri pa u ankuar. Kalojmë nga korridori në një dhomë me dritë. Ajo na thotë se ka mbetur fillikat, se nipërit e mbesat i ka larg…
Atmosfera ndryshoi sapo u hap biseda për Josif de Radën. I thashë plakës se e kisha takuar dhe e kisha njohur të shoqin, kur kishte ardhur në Shqipëri. Madje, i tregova dhe një fotografi që kishim dalë me të në Shkodër.
– Ja ku jemi në një rrugë të Shkodrës… Kemi ndenjur disa ditë bashkë; kemi biseduar arbërisht e kemi pirë verë shqiptare. Ja, kemi folur sy më sy, siç po flasim unë e ti, nënë Nikolinë.
Plaka më dëgjonte e përqendruar dhe mundohej t’i hapte sytë fort tek shikonte fotografinë. Gati sa s’m’u hodh në qafë, u bë tjetër njeri. Mori fotografinë në dorë dhe dridhej e tëra, thua se atë çast i qe ngjallur i shoqi. Tani nuk dinte si të na nderonte e ç’të thoshte më parë.
– Pati ardhur për 50-vjetorin e Pavarësisë, më duket…
– Po, po, – ma ktheu plaka, e gjallëruar. – E mbaj mend fort mirë… Hoqi i mjeri shumë dhe prapë nuk arriti në festën e madhe shqiptare… I nxori pengesa guverna jonë këtu. Nuk ia dha menjëherë pasaportën. Atëherë Josifi i qëndisi një letër president të Republikës. I kujtoj se ç’kanë bërë arbëreshët dhe de Rada për lirinë e Italisë, i tha sa gjak kishin derdhur, sa njerëz të mirë i kishin dhënë historisë italiane… I tregoi plot e plot… dhe në fund e mbylli me këtë pyetje: “E, si është e mundur, që nipit të Gerolamo de Radës, bir i atyre që kishin luftuar nën drejtimin e Garibaldit, të mos i jepej e drejta të shkonte në Shqipëri, kur Shqipëria kremtonte 50-vjetorin e Pavarësisë së saj? Arbëreshët e italianët që kishin derdhur gjakun së bashku për liri do të ngriheshin nga varri…”
Plaka tani fliste shtruar, i kujtoheshin të gjitha një për një: – E, ndodhi ajo që pritej. Pas pak ditëve, erdhi drejt në shtëpi një i dërguar i prefektit të Kozencës dhe i dorëzoi Josifit pasaportën. I lypi madje dhe të falur. Atëherë Josifi s’priti më dhe u nis për te Shqipëria. Ishte shumë i gëzuar, se asnjë nga Radenjtë nuk e kishte pasur këtë fat të madh. Gerolamoja e mbylli jetën e gjatë me dëshirë të paplotësuar. Edhe i biri, Zefi, po kështu, megjithëse i ati e përgatiti për ta çuar e s’e çoi dot. Shkoi Zefi tjetër, i nipi…
Ai e pati këtë nder të shenjtë…
Zëri i nënë Nikolinës papritur u mpak dhe ne vumë re se atë grua, në dukje të rreptë, e kishte mposhtur mallëngjimi. Pas një heshtjeje të shkurtër nisi rishtas të tregonte:
– Kur u kthye, mbaj mend që solli me vete verë, verë të kuqe nga Arbëria. E ruante dhe nuk ia nxirrte kujtdo. E mbante atje sipër, në mes fotografisë së gjyshit dhe ikonës. Kur gostiste, ngrinte qelqen dhe thoshte: “Si kjo verë është gjaku im i shprishur, e kuqe e gjithë zjarr”. Pastaj Josifi pati një gëzim tjetër të madh. Mori letër nga Presidenti i Shqipërisë Enver Hoxha. Cili arbëresh tjetër ka pasur këtë nder?
Tani na dukej se ishim në shtëpinë tonë. E zonja e saj s’na lëshonte dorën dhe mori të na rrëfente çdo gjë që ndodhej rreth e qark.
– Vreni, – tha, – kjo është dhoma e Gerolamos…
Kishim hyrë në një dhomë që binte në pjesën e pasme të shtëpisë. Një dhomë tipike arbëreshe qysh në pamje të parë: vatra në mes të murit, krevati i hekurt në krye, një raft e një tavolinë, të dyja të vjetra e krejt të zakonshme, dhe llamba e vajgurit mbi oxhak. Muret në të katër qoshet qenë të mbushura me fotografi të panumërta nga kohë të ndryshme. Sheh në to poetin e të bijtë, nipërit e mbesat, tërë brezat e Radenjve prej më se një shekulli.

Çdo gjë në këtë dhomë të tërheq. Dalëngadalë humbet në botën deradiane. Të duket për një çast sikur përtërihet aty koha e tij, njerëzit e ngjarjet. Sikur në mes heshtjes së mureve të ronitura kumbojnë tingujt e harpës së poetit, buçima e trompetës së tij…
Sytë nuk të ndahen nga ai shtrat hekuri, ku u preh kurmi i poetit, nga rafti i moçëm i librave, që tani ka mbetur zbrazët, nga tavani, që motet e kanë kthyer në një dëshmitar të heshtur. Vështron tavolinën dhe të vjen të ulësh kokën para saj. Aty këndoi me zë të lartë muza e poetit. Aty lindi, ndoshta Milosaoja, Rina, Serafina e Bozhdari… Aty buçiti së pari thirrja e ngazëlluar arbëreshe. “Erdhi dita e Arbrit!” dhe të vjen ta përsëritësh sa të gjëmojë shtëpia. Po çdo gjë përqark hesht!
Çapitesh nëpër shtëpi sa padashur ndien se muret zgjerohen dhe marrin përmasat e jetës dhe të këngës së poetit.
– Prej këtej Gerolamoja vrente detin…
Është prapë zëri i nënë Nikolinës që na sjell në vete. Ajo na tregon ballkonin e vogël që sheh nga lindja. Përtej në horizont kaltërojnë ujërat e Jonit, që duken mes maleve të Polinit e të Silës. Edhe prej këtu duket ajo dritare e përjetshme që vështron nga Arbëria. Më këtej vjen Mbusati, vendlindja e Varibobës, pastaj kodra e lugina radhazi, derisa peizazhi afrohet dhe ne shohim Zhurëzën, arën që e punonte poeti, Fjokatin, një nga krojet e dashura të tij dhe, në fund, nën ballkon, kopshtin e shtëpisë, të mbytur në lule e blerim. Në kujtesën tonë gjallërohen vrulltazi kangjelet e “Milosaos”.
Rrimë të heshtur e të magjepsur, mbështetur në parvazin e ballkonit, ndërsa puhia që vjen nga deti na përkëdhel fytyrën. Vetë poeti, duke ndenjur këtu, ndiente, siç thotë, një qetësi të gëzueshme dhe vërente si alternoheshin erërat e maleve me flladet e detit. Janë çaste të një përjetimi të thellë, që na fal De Rada nga ballkoni i shtëpisë së tij të moçme.
Nënë Nikolina na gostit dhe s’di si të na gëzojë. Pastaj këput lule nga saksitë e ballkonit dhe na i dhuron. Një lule nga shtëpia e poetit s’është vetëm një kujtim. Siç nuk është një kujtim i thjeshtë dhe një degë thane, që vjen nga kopshti dhe zgjatet në ballkon. Çdo gjë e kësaj shtëpie dhe e këtij kopshti kthehet vetiu në relikte. Zbresim nëpër shkallët e gurta me zonjën e shtëpisë për krahu. Para se të ndahemi, na rrok në qafë dhe na porosit:
– Shkoni dhe te Gerolamoja. Është me të bijtë atje…
Ne shohim njëri-tjetrin në sy dhe nuk e marrim vesh se ç’do të thotë me ato fjalë, po Kamiloja e vë re dhe na sqaron:
– E ka fjalën për vendvarrimin e De Radës. Tani vemi…
Vendvarrimi i De Radës
Pak më poshtë shtëpisë së Radenjve ngrihet kisha e shën Mërisë. Aty është vendvarrimi i poetit. Kur vdiq ai, e varrosën në varrezat e Shën Mitrit, që shihen edhe sot majë një kodre. Vonë, pas lufte, ia sollën eshtrat në Maqi.
– Shkoi në Shën-Mitër sa për të vdekur. – na tregon ngadalë stërnipi, – sepse vetëm pesë muaj para se të vdiste iku nga Maqi. Ditët e fundit i kaloi në shtëpinë e varfër të një bariu shënmitriot që kishte punuar në shtëpinë e tatrave tanë. Aty nuk jetoi gjatë, se e mundonte veten. Shkonte çdo ditë në kolegj e u mësonte fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën e mëmës. Kështu dhe vdiq, ditën e prapme të shkurtit, kur në këto anë pranvera ishte te pragu. Tregojnë se tërë gjindja arbëreshe ra në zi dhe gjithë sa mundën u mblodhën për ta përcjellë. Vërtet vdiq në një pleqëri të thellë, por ajo që kishte bërë për arbëreshët dhe atdheun stërgjyshor, s’kishte vdekur. Prandaj gjindja derdhte lot dhe arkivoli përcillej sup më sup, nga një dorë në tjetrën. Thonë se atë prag pranvere pemët kishin lulëzuar herët. Njerëzia me arkivolin në krahë, ngjitën kodrën përpjetë, të pikëlluar në mes të pemëve të ngarkuara me lule. Papritur, fryu era, një erë e forte. Disa thonë se erdhi nga malet e Polinit, po tani të gjithë besojnë se fryu nga deti. Era e Jonit shkundi lulet dhe ato mbuluan arkivolin. Të gjithë u çuditën dhe në mes atij pikëllimi një hare ndriti në sytë e tyre. Natyra po i plotësonte dëshirën: hidhte lule mbi të. Këtë e bënte era që frynte nga deti e gjithkush e dinte se nga vinte kjo erë…
Tregimi i Kamilos na kishte tërhequr aq fort, sa nuk pamë nga kaluam, veç kur u gjendëm para derës së kishës. Kur hymë brenda, përpara nesh u hap një sallë e madhe, që kundërmonte nga temjani i sapo djegur. Në murin jugor, në krah të djathtë, dallojmë një pllakë të madhe mermeri. Aty prehen eshtrat e De Radës. Në pllakën e bardhë janë skalitur këto fjalë:
“Përgjigju arbëresh! Këtu pushon Jeronim de Rada, këngëtar i Shqipërisë, Udhëheqës i parë i Lirisë. Gerolamo de Rada (1814-1903).”
Dhe ne ulim ballin. Fjala na pritet në mes. Nëpër trup na kalojnë të përqethura dhe gjunjët janë gati të përthyhen. Ndjejmë gjoksin të na gufojë nga kangjelet e tij edhe më shumë të na buçasin plot triumf fjalët që lindën këtu plot njëqind e pesëdhjetë vjet më parë: “Erdhi dita e Arbërit!”. Vallë, ç’forcë qe ajo që i zgjoi e i ndezi poetit këto fjalë profetike!
Mendimet të venë te ajo jetë prej luftëtari, që iu kushtua e tëra çështjes së shenjtë të atdheut, po nuk harron dhe jetën e tij prej martiri, të tronditur nga sa e sa fatkeqësi. Ta kujtojnë këtë dhe dy pllaka të tjera mermeri që i rrinë në krah. Aty janë dhe eshtrat e dy djemve, Mikelanxhelos dhe Zefit. Të bijtë e kanë vënë tatën në mes dhe flenë të qetë pranë tij. Po dhembja e tatës së përvëluar nuk fle. Ajo nuk ka mort, po të mendosh se ç’dramë i shkaktoi poetit vdekja e tyre, në një kohë kur ai kishte varur tek ata aq shpresa! Zefin e përgatiti ta dërgonte në Shqipëri dhe, kur s’i arriti dot kësaj, për shkak të pengesave të pakapërcyeshme të kohës, e frymëzoi të shkruante vargjet arbërisht e të hartonte një gramatikë të gjuhës amtare… Donte që i biri ta zëvendësonte, po vdekja ia rrëmbeu dhe ai provoi gjëmën më të madhe.
E mprehtë e më tronditëse është dhe dhembja për vdekjen e djalit tjetër, Mikelanxhelos, që poeti e ka derdhur në këto vargje të përvajshme:
“Preju këtu… Mikelanxhelo, biri im
Shkove n’tetëmbëdhjetë vjeç
Si një yll që shkrihet natën.
Syt’ e panë, po nuk ditën
Nga doli dhe ku u shua,
Vetëm se e bën më të madhe errësirën
E shpirtit të prindërve…”
30 Shën-Mitër 1873 Gerolamo i Radenjve
Si ngremë sytë nga mermeri ku dridhen këto fjalë, nuk guxojmë të shohim njëri-tjetrin. Salla na bëhet e vogël dhe era e temjanit na zë frymën.
Kur dalim te porta e kishës ngopemi me frymë. Na presin plot pleq e fëmijë. Na përshëndetin arbërisht, na shtrëngojnë duart, na hidhen në qafë dhe ne sikur e marrim veten. Vendin e heshtjes e zënë bisedat e hareshme në gjuhën tonë. Për poetin kjo ishte një nga ëndrrat më të përmallshme, të vinin në Maqin e tij vëllezër nga Arbëria dhe të gëzoheshin shqiptarisht! Ja, në sup ndiej dorën e stërnipit të De Radës. Njërin krah ma mban të shtrënguar një plak. Nga poshtë më vështrojnë tërë gaz sy të bukur fëmijësh. Një vajzë e vogël zgjat lule të sapo këputura në brigjet e katundit.
“Doemos do të takohemi”, duket sikur thonë sytë e tyre.
– Ju vrejtët shtëpinë e Radenjve, vreni dhe katundin e tyre, – thotë dikush. – Është i bukur.
– Më i bukuri katund arbëresh, – ia pret tjetri gjysmë buzagaz.
Këtë katund e kemi njohur e dashur që kur s’mbahet mend. Falë poetit. Maqi, përmes kangjeleve të tij ka ardhur deri te ne në Shqipëri…
– De Rada, kur shkroi “Milosaon”, desh t’u japë arbëreshëve një copë Shqipëri, duke i vendosur ngjarjet në Shkodër, – thotë Kamiloja. – Po kjo mbeti vetëm një dëshirë, sepse ai dha Maqin, ja, këtë katund që shohim…
Katundi më i bukur arbëresh
Dhe vërtet, gjithë sa kemi lexuar te “Milosaoja” e kemi tani përpara. Është po ajo topografi e janë po ato toponime për të cilat flet poeti. Katundi majë kodrës që rrihet nga flladet e erërave dhe vështron përtej detin. Ne shkelim nëpër rrugëzat e sheshet e tij e kundrojmë nga afër, thithim aromat e jetës arbëreshe. Po prapë ashtu siç thotë poeti, edhe pse kanë lulëzuar e janë tharë sa e sa lisa, përsëri jeta këtu gjallon e vazhdon. Maqi është i kredhur në gjelbërim e në lule. Peizazhin e Milosaos e kemi para syve në këtë ditë të kaltëruar prilli. Ja ku janë vreshtat verdhullore, ullishtet gjetheargjendta, plepat hollakë, shelgjet delikate, manat krahëhapur… Ecim në mes tyre, dalim nga një rrugicë e hyjmë në një tjetër, qëndrojmë në një shesh e gjithnjë sikur kërkojmë dikë në heshtje. Na bëhet se këtej pari do të na shfaqen Milosaoja dhe Rina. Madje, çdo vajzë dhe djalë arbëresh na duket se ka diçka pej tyre. Kangjelet e poetit na krijojnë mirazhe fluturake. Vallë, në cilat prej ketyre ullishtave shkoi Rina për të mbledhur ullinj dhe zuri të qante nga dashuria?
Ja dhe një krua, dhe mendja menjëherë na shkon të kroi ku u takua për herë të parë Milosaoja me Rinën. Pyesim Kamilon. Ai buzëqesh dhe ngre supet.
– Katundi ynë, – thotë, – ka shumë kroje… Është Fjokati, Pokfili, Kroi i Ri… Njëri nga këta është me siguri.
Dikush nga maqiotët që na shoqëron e dëgjon e thotë:
– Ata janë takuar në Fjokat. Ja, është ai kroi atje poshtë, që shihet edhe nga shtëpia e Radenjve.
Më tej, kur dolëm te një shesh i lartë, pyesim:
– Po Rodhi ku gjendet?
Disa të rinj që na vijnë pas qeshin dhe njëri prej tyre shpjegon:
– Te Rodhi jemi tani. Ky është sheshi ku mblidhen burrat!
– Dikur këtu frushullonte elbi dhe poeti vinte e frymëzohej, apo jo?
– Jo, – ia pret një djalë. – Ai shkonte te Zhurëza. Atje rrinte vetëm dhe mendohej.
Maqiotët e njohin historinë e katundit të tyre, e dinë jetën e poetit dhe krenohen për këtë. “Milosao” dhe veprat e tjera të De Radës nuk janë për ta vetëm poezi, por edhe histori. Në to është shpirti i tyre. Është “bota e madhe që s’qetësohet nga erërat dhe fjalët”. Kështu thotë diku poeti i tyre.
Kur hyn në Maqi, harron të dalësh prej tij. Humbet nëpër hapësirat plot ngjyra e transparencë, të joshin burimet e poezisë së De Radës. Sa më tepër rri dhe endesh brenda e rreth katundit, aq më shumë ndien se Maqi është djepi që lindi dhe përkundi kangjelet e “Milosaos”; “këtu dita i buzëqesh detit dhe kodrave si një valle”. Po mbi të gjitha Maqi nuk mund të kuptohet pa atë dritare që hapet në lindje mbi ujërat e Jonit. Ajo shihet nga çdo kënd i katundit. E shohin nga çdo shtëpi. Atë e kundronte i mahnitur nga ballkoni i tij dhe De Rada. Andej ishte Arbëria dhe kjo i jepte kuptim jetës së poetit, por edhe një mision të shenjtë poezisë. Me siguri këtë pamje ka pasur parasysh poeti kur Milosaoja në çastin e fundit u kërkon ushtarëve të tij t’i hapin tendën që “të shoh Shkodrën dhe time motër…”
Në të dalë të katundit përshëndetemi me Kamilon dhe vëllezërit e tjerë maqiotë. Rrugës së kthimit na shoqëron përsëri De Rada. Dikush nga ne mban mend fjalë për fjalë një copë nga rrëfimet e tij për kohën që shkruante “Milosaon”, dhe e thotë me zë:
“Ecja i tronditur ëmbëlsisht nëpër pyje, nëpër brigje, nëpër vrija. U ngjitesha kodrave dhe një mendim lavdie më dehte. Shpesh ndër ditët e kthjellëta… rrinim në bregun e fshatit, flladi i jugut lëkundte degët e zbardhemëta të ullinjve dhe gjithë sipërfaqja e detit ishte kthyer në shkumë. Ajo anë e tokës së braktisur më dukej sikur tronditej e fishkullonte e më sillte ndër mend rrënjët e brezave njerëzorë”.
Kthehemi në Shën -Mitër. Ai është i shtrirë në shpatet e malit Sante. Edhe sot pjesa më e madhe e rrugëve dhe e rrugicave të kalldrëmta mbajnë emrat që u pati vënë dikur De Rada në ngjallje. Ja Sheshi, po dhe udha e madhe me emrin e Skënderbeut, udha “Morea”, “Marko Boçari”, “Shkodra”, “Domeniko Mauri”… Në qendër, në një shesh pak të pjerrët, ngrihet busti i Skënderbeut. Aty kryqëzohen të gjithë udhët e katundit. Shënmitriotët kanë ditur ku ta vënë Heroin.
Ja dhe shtëpia ku vdiq De Rada. Është e atij bariut që e strehoi muajt e fundit. Një strehë e vjetër, e brejtur nga koha. Shën-Mitri është dhe vendlindja e arbëreshit të famshëm Domeniko Mauri. Ky katund ka plot gjëra me vlerë për të na treguar. Po kohën nuk e kemi në dorë. Në kolegjin e Shën-Adrianit na presin.
Kolegji i Shën Mitrit
Kolegji nuk është larg, vetëm 2-3 kilometra nga Shën-Mitri i sotëm, në krahun e djathtë të rrugës kryesore. Duket që nga larg pozicioni i bukur që zë. Është një ndërtesë e madhe, si një kështjellë mesjetare, që zotëron tërë vendin. Përqark shtrihen fusha e bokërima, toka të valëzuara e hone të vogla. Përballë, në anën tjetër të rrugës, është Pyllëza, që e njohim nga De Rada, një kodrinë e mbuluar me drurë të gjelbër. Zbresim në sheshin para kolegjit. Dielli i prillit bie nëpër faqet e ndërtesës së lashtë. Muret lëshojnë hije dhe heshtje të rëndë. Ne sillemi nëpër shesh dhe e vështrojmë pa fjalë. Para nesh ngrihet monumenti prej nga nisën rrugët e lirisë dhe të emancipimit arbëresh.
Ti që vjen këtu nga larg dhe e di se ç’është kjo shkollë, ti që e njeh historinë e saj, nuk je një vizitor i thjeshtë. Ajo është pjesë e historisë dhe e kulturës së vëllezërve të tu. Prandaj, kur gjendesh pranë saj, s’ke si të mos biesh në mendime. Të kujtohen fjalët e De Radës:
“Kolegji u hap si një derë e madhe drite të ëmbël e të re për të gjithë shtëpitë arbëreshe… Aty filloi të shkruhej gjuha shqipe… Ishte ky agim i ri i ditës sonë…”
Ti, natyrisht, nuk ke ardhur në agim të jetës së kolegjit, por në perëndim të tij, kur kanë kaluar 250 vjet. Një perëndim ky i purpurt e me hije, madhështor për diellin që lëshoi në jetën dhe historinë arbëreshe.
Porta e kolegjit është e madhe, me harqe guri e sipër saj qëndron një kambanë e vjetër. Kapërcejmë pragun dhe gjendemi menjëherë në një oborr të mbyllur. Nga të gjitha anët dritare e dyer të mëdha. Më tepër se oborr, ai sot është si një lulishte e harruar. Në mes ngrihet busti i De Radës. Prania e poetit në këtë vend merr kuptim domethënës, pothuajse simbolik. Historia, nga të gjithë ata burra të shquar që dolën prej këtej caktoi De Radën t’i përfaqësonte. E kush tjetër do të ishte më i denjë se ai!
Në kolegj De Rada erdhi fëmijë 8 vjeç dhe u largua djalosh 18-vjeçar. Këtu u mëkua e u përgatit për jetën e luftën që e priste. Pas disa vjetësh ai u rikthye rishtas këtu, po kësaj here me një mision të madh. Në vitin 1849 hapi të parin kurs të gjuhës shqipe, të cilin e mbajti me mundime të mëdha për katër vjet me radhë.
– Këtu kam mësuar edhe unë, – thotë me zë të thekshëm Vinçensi, kur largohemi nga busti i poetit. – Të gjithë brezat tanë këndej kanë kaluar. Historia e kolegjit është historia e përpjekjeve arbëreshe për të dalë nga errësira në dritë. E nga kjo pikëpamje, ka qenë më shumë se shkollë, po të kemi parasysh se ç’ndodhte brenda mureve të tij dhe ç’rrugë të guximshme ndiqnin nxënësit kur dilnin në jetë. Nuk e teproj po të them se në kohën e ndritur të Rizorxhimentos italiane të gjithë lëvizjet kryengritëse në Kalabri këtu e kishin fillin e prej këtej frymëzoheshin. Këtë ka parasysh historiani R. de Çezare kur thotë se kolegji “ishte fidanishte djemsh të ndezur nga ndjenjat e lirisë… nga dëshira për të shembur botën e vjetër dhe për të ngritur një botë të re”. Prandaj mbretëria e Napolit herë pas here do ta mallkonte e do ta ndëshkonte kolegjin, do ta quante “fole nepërkash e farkë djajsh”. Po kjo kështjellë e mendimit të lirë dhe e ndjenjave liridashëse nuk donte t’ia dinte. Ajo, si thonë historianët, “shkëlqeu si fener në natën e tiranisë” dhe përgatiti luftëtarë për lëvizjet kryengritëse. Këtu Rilindja arbëreshe do të rridhte e do të zhvillohej në një shtrat me Rilindjen italiane.
– Nuk mund të rri pa ju thënë, – vazhdon të na tregojë Vinçensi, – meritat e mëdha të mësuesve dhe të drejtuesve arbëreshë, që ç’nuk bënë që kolegji të mbahej nëpër shekuj në këmbë e të qëndronte burrërisht. Një nga drejtorët e tij arbëreshë, Franko Buljari, i njohur si jakobin, dha jetën për mbrojtjen e kolegjit. Rrugën e tij e ndoqën dhe drejtuesit e tjerë arbëreshë si Domeniko Belushi, Gabriele de Markes, Anton Markianoi e të tjerë. Këta e tok me ta një plejadë e tërë mësuesish i dhanë shkollës frymë demokratike, mbajtën ndezur pishtarin e lirisë, i ushqyen të rinjtë me dashurinë për Shqipërinë dhe kulturën amtare. S’e teproj po të them se kolegji rriti atë pemë të kulturës arbëreshe, që dha aq fryte në kohën e Rilindjes. A nuk dolën prej këndej sa e sa poetë, gjuhëtarë, folkloristë, studiues, po dhe sa burra trima, para të cilëve sot përulemi të gjithë me nderim! Ja, shikoni se ç’thuhet në këtë pllakë…
Ngremë kokën dhe në murin e brendshëm të hyrjes vëmë re një pllakë mermeri, në të cilën është shkruar dekreti i Xh. Garibaldit, hartuar në Kozerta më 28 tetor 1860. Në të thuhet se, duke marrë parasysh “shërbimet e shquara që shqiptarët trima e zemërmëdhenj i kanë dhënë çështjes kombëtare, vë në dispozicion 12 000 dukatë për zgjerimin e kolegjit të Shën-Adrianit”.
Ky dekret u nënshkrua nga Garibaldi në valën e kryengritjes, kur ende nuk ishte krijuar shteti i bashkuar italian. Dhe kjo të bën të mendosh se në qoftë se udhëheqësi revolucionar ua shpërbleu menjëherë arbëreshëve gjithë sa kishin bërë për kombin e përbashkët, borgjezia italiane do t’i harronte sakrificat dhe meritat e tyre.
Një pllakë tjetër mermeri është më tutje. I afrohemi dhe lexojmë. Na duket për një çast sikur ngrihet perdja e historisë shqiptare sapo shohim emrin e Luigj Gurakuqit. Ai jetoi e mësoi këtu, qe nxënës i De Radës, pastaj u bë dhe mësues i shqipes. Rrugën e tij për në kolegj ndoqën dhe djem të tjerë nga Shqipëria. Mbi njëqind intelektualë shqiptarë kaluan nga bankat e kësaj shkolle. Mjaft të përmendim disa emra që e nderojnë kolegjin: A. Rustemi, K. Cipo, vëllezërit Martini, K. Kamsi… Mësues i kolegjit ishte për disa vjet dhe A. Xhuvani.
Lëmë pas oborrin e mbyllur dhe kalojmë nëpër një korridor gjysmë të errët.
– Është interesante si lindi ky kolegj arbëresh, – thotë Vinçensi. – Shkolla e parë arbëreshe në të vërtetë u ngrit më 1734 në katundin Shën-Benedikt, pas afro tre shekujsh lufte e përpjekjesh. Më prapa, u shpërngul prej andej dhe u vendos këtu për t’u shërbyer më mirë arbëreshëve. Ndërtesë e saj u bë manastiri i vjetër i Shën Adrianit, e cila me kohë erdhi duke u zgjeruar dhe mori këtë pamje që ka pak a shumë sot. Siç po e shihni, në mes qëndron një kishë e vjetër e shekullit të njëmbëdhjetë, kurse në një krah ngrihet shkolla e në tjetrin konvikti.
Ndërtesa e kolegjit është e madhe, me një shtrirje të gjerë dhe, kur hyn brenda, të lë menjëherë përshtypjen e një ngrehine të lashtë mesjetare, të një kështjelle a manastiri, siç ka qenë në të vërtetë. Dhoma të mëdha e të larta, korridore të gjata e herë-herë të ngushta, dyer të rënda, qoshe gjysmë të errëta. Ndihet një atmosferë e zymtë, që padashur të kujton një kohë të largët.
Ne u vërtitëm, s’di për sa kohë, nëpër korridore e salla, u ngjitëm dhe zbritëm shkallëve të panumërta. Kudo s’na ndahej mbresa se kishim hyrë në një labirint, që nuk e dinim se ku niste e ku soste.
Mbresa e rëndë që të krijohej brenda sikur shpërndahej dhe merrje frymë lirisht, sapo qëndroje para dritareve dhe vështroje jashtë. Dritaret janë të mëdha dhe sytë nuk ngopen së pari e së sodituri. Kodra ku ngrihet kolegji zotëron një pamje të rrallë. Është si një ballkon natyror prej nga mund të soditësh viset rreth e rrotull. Malet e Polinit, me kësulën e përhershme të dëborës, e ke përballë. Poshtë vjen sa gjatë e gjerë fusha e Sibarit. Më afër ngjiten e zbresin shpatet e kodrinave të buta dhe hapen hone të vogla. Përtej hapësirave të pamata duket gjiri i ndritshëm i detit Jon. Sytë të prehen në blerimin e dendur e të ëmbël të agrumeve, te farfuritja e argjendtë e ullishtave, e kaltërsia e hapësirave.
Mendja të shkon te poezia arbëreshe dhe te poetët që jetuan e mësuan nën këtë strehë. Me këtë bukuri e dritë, me këto hapësira që ndjellin mall nga deti, me ndjenja e mendime fisnike që ngjall natyra këndej, janë të mbushura kangjelet e De Radës e vargjet e Serembes.
Zgjat trupin dhe zë tërë dritaren. Më mbeten sytë te fusha e pafund e Sibarit. Ajo s’është vetëm toka më pjellore e Kalabrisë, po edhe pjesë e Magna Grecias së famshme, vend me histori e kulturë të lashtë. Nxënësit e kolegjit këtu mësonin edhe Tuqididin e Polibin, Plutarkun e Euripidin, këta autorë të shquar që kishin jetuar dhe vetë në këto vende dhe kishin shkruar për to. Pikërisht këtu pati ardhur dikur Platoni dhe diku në fushën e Sibarit kishte mbyllur sytë Herodoti. Mjaftonin këto, që t’i bënin djemtë e kolegjit të ndiheshin krenarë dhe të frymëzuar nga idetë e lirisë të antikitetit, të urrenin tiraninë dhe absolutizmin e çdo monarkie. “Isha kaq i magjepsur nga vegimi i lirisë (së antikitetit), – shkruan De Rada – sa nuk mund të mos më dukej arbitrare dhe shtypëse çdo monarki absolute”. Kultura klasike që merrej këtu, u ndizte të rinjve fantazinë dhe mendja e tyre pastaj fluturonte te rrënojat e Magna Grecias që zbuloheshin poshtë në fushën e Sibarit.
Rri e sodis nga dritarja dhe përbrenda më zgjohet poezia e De Radës. Vetëm kjo hapësirë plot dritë, them me vete, ky peizazh i butë e i ëmbël si grigje delesh e qengjash mund të bëhej djep, ku lindën e u përkundën kangjelet e tij. Atëherë i jap të drejtë N. Tomazeos, studiuesit të poetit tonë, që thotë se poezia e De Radës, solli para lexuesit “gjelbërimin e freskët e të gëzuar të fushave të mbjella e të kodrave, fluturimin e zogjve, atmosferën e fshatit, kujtime gazmore të rinisë, vizionin e detit, përtëritjen e tij nga lëvizja e valëve”. Gjithë sa vë re ai, i sheh e i ndjen edhe ti nga kjo pikë e lartë e horizontit. Vërtet këtu “dita i buzëqesh detit dhe kodrave si një valle”, natyra është plot tone të gëzuara. Pushteti i poetit këtu është i gjithëfuqishëm.
Shëtitim nëpër mjediset e gjera e të shumta të kolegjit. Kolegji që kërkojmë ne, është në histori. Atje janë njerëzit, ngjarjet, mendimet, veprat. Këto mure të trasha që shohim, këto dritare me harqe, bankat e orenditë e moçme janë vetëm dëshmitare të heshtura. Biblioteka e kolegjit është e madhe dhe e pasur, me vepra të rralla dhe me emër të njohur, dikur në mes kolegjeve të mbarë Italisë së Jugut.
Ja dhe zilja e moçme që thërriste për mësim, po që më shumë se zile ishte kambanë. Kambanë që ushtonte fuqishëm nëpër katundet arbëreshe dhe i mblidhte djemtë e tyre në këtë vatër diturie e lirie. Zilja tani është kthyer në një relikte, që evokon kujtime dhe zgjon historinë.
Poshtë, në katin e parë, në krah, është teatri i kolegjit, një vend historik, po të kemi parasysh se mjaft nga ngjarjet historike e dramatike që kaluan nëpër Kalabri, jetuan fuqishëm dhe këtu gjatë Përlindjes italiane. Vinçensi na tregon se në këtë sallë të madhe, të vjetër, me skenë të shekullit të kaluar, janë zhvilluar mbledhje e mitingje të paharruara. Breza të rinisë arbëreshe këtu kanë shpërthyer në revoltë e zemëratë kundër tiranisë e pushtuesve. Çaste fitoreje e triumfi, po dhe kërcënime e shtrëngime ka parë kjo sallë. Në këtë sallë të heshtur e gjysmë të errët kanë buçitur arbërisht zërat e atyre të rinjve që më vonë bënë emër. Ja, kjo ishte tribuna e parë e tyre! Ky ishte dhe auditori! Këtu hodhën hapin e parë drejt luftës!
Në ditët tona kolegji është një shkollë e zakonshme, pjesërisht me profil bujqësor, që nuk shquhet për asgjë të veçantë. Të veçantën e ka në të kaluarën, dhe gjurmët e saj mund t’i hasësh kudo nën këtë strehë. Rastësisht, kohë më parë, me zellin e profesorit arbëresh Franko Altimari, u zbuluan disa afreske murale të piktorit tonë të njohur Ndoc Martini. Kishim dëgjuar për to qysh në Shqipëri dhe shkuam e i pamë. Gjendeshim në pjesën anësore të kolegjit, në krahun e majtë, kur dikur ishte administrata e shkollës. Pikërisht në zyrën e rezidencës së rektorit të kolegjit, në tërë tavanin, piktori kishte punuar afresket e veta. Aty tani ishte një nga klasat e shkollës bujqësore dhe, kur shkuam ne, po bëhej mësim. Mbi kokat e nxënësve dukeshin peizazhe dhe portrete; vendlindja e Martinit, Shkodra, malet me dëborë të Polinit, autoportreti, portrete të Dantes e të Rafaelit etj. Mundohemi t’i kundrojmë me kujdes dhe, sado që koha i ka dëmtuar, ndihet dora e një piktori të talentuar, bota e tij, frymëzimi që i kanë ngjallur vende e njerëz të dashur.
Kur dalim në sheshin e madh , përballë nesh qëndron Pyllëza, ajo kodrinë pa të cilën nuk mund të merret me mend kolegji. Nëpër drurët e saj sapo kanë çelur sythet e pranverës.
– Pyllëza ka mbetur ashtu siç ka qenë, – thotë Vincensi, duke vështruar me nostalgji nga kodrina. – Po ajo pamje, përherë e freskët dhe e përtërirë. De Rada, thonë, vinte këtu, lexonte e frymëzohej. S’ka nxënës të kolegjit të mos ketë ëndërruar nën hije të këtyre drurëve…
Në rrugën e asfaltuar që ndan kolegjin nga Pyllëza, ne u përshëndetëm me Vinçensin. Kishim kaluar ditën më të shënuar gjatë shtegtimit tonë arbëresh. Tani na prisnin në Shën-Sofi të Epirit.
