Në mëshirën e kimikateve

redaktor

Fruta-perimet janë të përhapura gjerësisht në natyrë. Pjekja e tyre është një proces fiziologjik i cili i bën ato të përtypshme, të ngrënshme, të pëlqyeshme dhe mbi të gjitha të ushqyeshme. Në natyrë fruta-perimet piqen pas arritjes së pjekurisë të duhur. Gjatë pjekjes, fruta-perimet zbuten, ndryshojnë ngjyrën dhe zhvillojnë një aromë dhe shije karakteristike që, veç të tjerave, ka lidhje me uljen e aciditetit dhe rritjen e ëmbëlsisë.

 

Fruta-perimet dhe përdorimi me kriter i kimikateve

Që të piqen fruta-perimet, duhet të ushqehen dhe të mbrohen nga sëmundjet dhe dëmtuesit që cënojnë prodhimtarinë dhe rendimentin e tyre. Për këtë përdoren kimikate, që janë plehrat kimike për plotësimin e mungesave të tokës, si dhe pesticidet, insekticidet dhe herbicidet për të ruajtur prodhimin nga humbjet e shkaktuara nga agjentët përkatës, insekte, gjallesa e mikroorganizma që dëmtojnë prodhimin. Mospërdorimi i tyre do të kishte për pasojë prodhime me rendiment të ulët dhe pamjaftueshmëri të ushqimeve bimore në treg.

Çdokush që do të lexonte sa më sipër, do pyeste: A duhen përdorur kimikatet dhe a ka mënyrë tjetër? Mospërdorimi i kimikateve të sipërpërmendura është në bazën e Bujqësisë Biologjike ose Organike. Por përgjigjen për këtë e ka dhënë Norman Borlang, (Çmimi Nobel, 1970): “Kombet e pasura mund të jenë në gjëndje të marrin pozicione elitare dhe të paguajnë më tepër për ushqimet me anë të metodave të quajtura natyrale; një miliard njerëz të varfër dhe të uritur të kësaj bote nuk munden…..”.

Prandaj, përdorimi i plehrave kimike dhe pesticideve në nivele të caktuara dhe të kontrolluara me rigorozitet, quhet si një “e keqe e domosdoshme”. Për të reduktuar sa më shumë efektet negative të përdorimit të kimikateve, është zhvilluar “Bujqësia e Integruar” ose “Bujqësia e Arsyeshme”, që përdor kombinime të kimikateve dhe metodave biologjike, si për plehrimin, ashtu dhe për mbrojtjen e prodhimit bujqësor. Në vijim të këtij shkrimi do të përqëndrohem tek “Rregullatorët e pjekjes artificiale” të fruta-perimeve.

 

“Rregullatorët e pjekjes artificiale” të fruta-perimeve

Kërkesat e tregut dhe konkurenca e lirë në fushën e tregtisë së fruta-perimeve, ndër të tjera sjellin tri pasoja të dëmshme:

(1) Rritjen e rendimenteve me hormone.

(2) Nxitjen për të “kapur” tregun (furnizim i tregut me produkte bujqësore përpara konkurrenteve), gjë që sjell sjell si pasojë tregtim produktesh bujqësore jashtë sezonit natyral dhe vjeljen e tyre shumë kohë para ciklit të pjekjes.

(3) Nxitjen për të tregtuar produktet bujqësore në vende të largëta të botës, gjë që sjell nevojën e ruajtjes së tyre artificiale mbi kohën normale të ciklit të tyre natyral.

 

Në kuadrin e një tregtie botërore të motivuar nga kriteret e mësipërme, praktikat e reja, si të pjekjes artificiale të frutave, ashtu dhe të zgjatjes sa më shumë të fazës së pjekjes për të mos u prishur shpejt, janë bërë “shkencërisht” të legalizuara. Plehrave kimike dhe pesticideve, u janë shtuar edhe elementë të tjerë kimikë që shërbejnë si “rregullatorë të pjekjes”, si dhe për shtimin në peshë të produkteve. Për më tepër, këto kimikate përdoren në fruta-perime të mbjella e të vjela jashtë sezoni apo përpara se të arrihet një fazë e caktuar e pjekjes. “Rregullatorët e pjekjes artificiale” përdoren në rreth 60 vende të botës dhe në rreth 80% të prodhimit bujqësor të fruta-perimeve. Por çfarë janë këta rregullatorë të pjekjes artificialë?

Produktet e përdorura për rregullimin artificial të pjekjes së fruta-perimeve janë rreth 15 lloje të ndryshme kimikatesh, me emërtimin atraktiv “rregullatorë të pjekjes”, që përmbajnë etilen si nxitës të pjekjes dhe kalçium si faktor zgjatës të periudhës së pjekjes, që frutat të mos prishen shpejt. Rregullatorët artificialë të pjekjes janë promotorë të rritjes, rregullatorë, hormone, plehërues, insekticide ose herbicide etj, të tillë si karbidi i kalçiumit, etileni, acetileni, ethephoni dhe disa herbicide, dyhidrogjensulfati i potasit etj. Ndër emrat e përmendur, etileni gjendet në fruta në momentet e pjekjes natyrale në sasi shumë të vogla. Kimikatet e tjera e kanë etilenin në përbërjen e tyre dhe e çlirojnë gjatë zbërthimit të tyre në brendësi të bimës ose përmbajnë acetilen që konvertohet në etilen. Karbidi i kalçiumit është i ndaluar në shumë vende, si agjent kancerogjen (përmban arsenik dhe fosfor organik) por përsëri përdoret me emra të tjerë ose ilegalisht. Në përbërjen e karbidit të kalçiumit ka acetilen që nxit pjekjen dhe kalçium që e mban frutin të pjekur më gjatë se e zakonshmja që të mos prishet shpejt. Ethephoni përdoret në fruta dhe perime për pjekjen artificiale të tyre dhe për rritjen e përmasave. Ethephoni është pesticid, prandaj nuk rekomandohet të përdoret si nxitës artificial i pjekjes. Dyhidrogjensulfati i potasit është pleh kimik, por përmban edhe elementët e sipërpërmendur që shërbejnë për pjekje artificiale. Përdorimi i tyre justifikohet me furnizimin më të mirë të tregut, për t’u “shërbyer më mirë” konsumatorëve. Ato përdoren para vjeljes, pas vjeljes, gjatë transportimit, magazinimit etj. Kimikate të tilla përdoren për rritjen dhe pjekjen e fruta-perimeve, veçanërisht para sezonit apo dhe jashtë sezonit të prodhimit dhe pjekjes natyrale të tyre, për t’i bërë që të duken më të freskëta dhe më të mëdha, që të pranohen më lehtë nga konsumatori duke lehtësuar marketimin e tyre. Por, megjithëse cilësia e pamjes (ngjyra, madhësia) e tyre përmirësohet, cilësitë e tyre organoleptike (ngjyra natyrale, aroma, shija, ëmbëlsia etj) dhe raportet e elementëve ushqyes nuk mund të arrihen, veçanërisht kur frutat e vjela janë trajtuar pa marrë parasysh gjendjen e tyre të maturimit (pjekjes). Por çfarë efekti kanë “rregullatorët e pjekjes artificiale” në shëndetin e njeriut? Efektet në shëndetin e konsumatorëve

Literatura shkencore botërore raporton për kontaminimin toksik të fruta-perimeve me kimikatet e përdorura për nxitjen artificiale të pjekjes, me pasoja në shëndetin e njeriut, sidomos kur këto kimikate përdoren në mënyrë të papërshtatshme. Dhe sa më të papjekura dhe jashtë sezoni të jenë produktet bujqësore, aq më e madhe duhet doza e përdorimit të nxitësve artificialë të pjekjes.

E njëjta literaturë raporton për efekte të dëmshme në shëndetin e konsumatorëve, Ato ndikojnë në sistemin neurologjik me dhimbje koke, marramendje, luhatje emocionale, përgjumje, konfuzion mental në terma afat-shkurtër; dhe në terma afat-gjatë mund të shkaktojnë humbje të memorjes dhe edema cerebrale. Për më tepër, kimikatet e përdorura për pjekjen artificiale të fruta-perimeve mund të shkaktojnë ndryshime (mutacione) të rrugëve metabolike të funksionimit të organizmit të njeriut, me pasojë sëmundje të ndryshme metabolike deri në kancer. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC – International Agency for Research of Cancer) ka hartuar lista me një numër agjentësh kimikë ose pesticidesh që mund të shkaktojnë kancerin. Askush s’ka pse të habitet e të jetë mosbesues për këtë fakt, sepse për të përftuar mutantë përdoren agjentë kimikë, ndër të cilët edhe ngjyrues. Por a përdoren ngjyrues tek fruta-perimet? Një video, që qarkullon kohët e fundit në rrjetet sociale, tregon shumë qartë ngjyrimin e bizeleve, shalqirit etj, që produkte të tilla, të kenë ngjyrë të pëlqyeshme për konsumatorin!!!

 

Në Shqipëri…

Gjithçka përshkruaj më lart po ndodh edhe me produktet shqiptare. Konkurrenca dhe etja për fitim i shtyn tregtarët e produkteve bujqësore të rrisin sasinë e prodhimit me kimikate, duke i përdorur ato para sezonit për të “kapur” tregun, pa marrë parasysh gjendjen e tyre të maturimit. Më keq akoma ndodh kur produkte që normalisht duhet të mbillen në pranverë dhe të vilen në verë, kultivohen në serra dhe i serviren tregut jashtë sezoni. Që prej disa vitesh domatet, kastravecat, specat, patëllxhanet, kungujt e serrave shqiptare arrijnë në treg që në janar, shkurt, mars e prill. Gjithashtu, tregu shqiptar furnizohet me luleshtrydhe përgjatë nëntë muajve duke munguar në tremujorin e pjekjes natyrale të tyre (?!); furnizohet me shalqi në kohën e qershive, me pjepër në kohën e kumbullave të hershme! Fruta që vilen të papjekura sot, të nesërmen i gjen në treg me ngjyrë dhe pamje të pjekur! Shalqi i vjelë i bardhë sot, çfaqet i kuq kur pritet të nesërmen! Dhe populli tregon për kastraveca që rriten gjatë natës apo domate që mbijnë pas prerjes, për lule në majë të kastravecit, për njolla të çuditshme në portokalle, për karrota me gunga apo rrepa të vogla (rilka) të çara në dysh (shiko fotografitë) etj etj.

Serrat nuk janë krijuar për të prodhuar e furnizuar në dimër prodhimin e verës, por për të marrë prodhim më të hershëm se ai i fushës, sipas stinëve. Këtu qëndron dhe duhet të përqëndrohet edhe efektiviteti ekonomik i tyre. Që para rreth 5 vjetësh, emisioni Fiks Fare pasqyroi dhe faktoi se fermerët që përdornin nxitës artificialë të pjekjes, produktet e trajtuara nuk i përdornin për ushqimin e tyre, por linin disa rreshta pa trajtuar për vete. Të trajtuarat i shisnin!!!

Në një intervistë rreth një vit më parë, një agronom i vjetër, konfirmonte të njëjtin problem. Por çfarë bëjnë një pjesë e agronomëve? Kush e kush të tregëtojë sa më shumë kimikate! Po fermerët? Kush të tregtojë sa më shumë fruta-perime jashtë sezonit dhe të papjekura për të kapur tregun çdo ditë! Rezultati: të gjithë e pësojmë si anekdota e Nastradinit me qershitë! Por të parët e pësojnë fermerët që përdorin kimikate të tilla, pa përdorur syze mbrojtëse, veshje të posaçme, doreza etj. Ata vetë janë të rrezikuarit e parë.

Në Shqipëri, të dhënat e pakta të projekteve me pjesëmarrje të KE tregojnë për rritje të alergjive dhe azmës tek fëmijët e moshës 6-7 vjeç për vitet 1995-2001. Ndërkohë, po nga të dhënat e këtyre projekteve, ndjeshmëria ndaj alergjentëve eshtë rritur ndjeshëm nga 15% në 1999 në 24,3%  në 2012-ën. Po për sëmundje të tjera? Në mungesë të studimeve, që mund të realizohen edhe me diploma të studentëve të mjekësisë, mund të mbështetemi në faktin që citostatikët (kimioterapia) e perdorur tek të sëmurët me kancer nuk mjaftojnë për vitin pasardhës, sepse planifikohen në bazë të numrit të sëmurëve të një viti më parë, gjë që tregon për rritjen e përvitëshme shqetësuese të kancerit në Shqipëri, sidomos të kancerit të stomakut, zorrës së trashë apo mëlçisë, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ushqimin.

Fruta-perimet janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për ushqimin e shëndetshëm të njeriut. Duke përmbajtur të gjithë elementët ushqimorë në formë shumë të përshtatshme për organizmin e njeriut, si dhe faktorë të domosdoshëm rregullatorë të rritjes, ato janë pjesë e dietës së balancuar dhe paraqesin një potencial shumë të lartë të kufizimit të shumë sëmundjeve që kanë shpërthyer anë e mbanë botës së sotme si obeziteti, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, parkinsoni, alzhaimeri, katarakti, plakja e parakohshme dhe sigurisht, kanceri. Por, kontaminimi toksik i tyre, shpesh i pakontrolluar, me kimikatet e përdorura për pjekjen artificiale, i kthen në të kundërtën, në rrezik për shëndetin e njeriut. Faktori kryesor në ruajtjen e shëndetit janë ushqimet e shëndetshme. Pa ushqim të shëndetshëm nuk ka qeliza të shëndetshme, nuk ka inde të shëndetshme, nuk ka… shëndet. Ushqimi i pasigurtë është shëndet i pasigurtë.

Tablloja që paraqitet më lart duket e zymtë dhe e frikshme. Çfarë mund të bëjmë?

 

Krijimi dhe mbështetja e një “Sistemi Tregtar Lokal Optimal” (STLO)

Fruta-perimet e pjekura në mënyrë të natyrshme kanë periudhë të shkurtër jete pas vjeljes së tyre që varet, sipas llojit nga dy faktorë kryesorë: Temperatura dhe lagështia ajrore e magazinimit ose ruajtjes së tyre. Pas kësaj kohe, ato prishen relativisht shpejt, gjë që ndikon në vlerën ekonomike të tyre sepse kufizon tregëtimin në tregjet e largëta.

Për të shmangur këto vështirësi, në kuadrin e një tregtie lokale dhe për produkte të caktuara, p.sh. për domatet (e theksoj, të fushës ose të serrës para prodhimit fushor) vjelja më parë bëhej disa ditë para pjekjes së plotë (kur fruti ka arritur maturinë e duhur) dhe produktet piqeshin natyrshëm në arkat e ambalazhit deri në momentin e tregtimit. Në këtë mënyrë, koha e vjeljes mund të përcaktohej në funksion të distancave të tregtimit. Kjo praktikë shumë e thjeshtë, e varësisë së kohës së vjeljes nga distanca e tregtimit, nënkupton në të vërtetë kufizime zbatimi shumë rigoroze, që imponohen nga parametrat biologjikë të produkteve bujqësore me të cilat natyra nuk luan: “pjekja në arka” mund të realizohet vetëm nëse pjekja në fushë ka arritur në një nivel të caktuar. Ky nivel për domaten është shfaqja e një “ylli të kuq” në majë të domates.

Ndërkaq, ka produkte të ndryshme, një pjesë e të cilave ngjajnë me domaten e marrë si shembull dhe të tjera, pjekja e të cilave zgjat më shumë apo më pak se rasti i domates. Pavarësisht nga këto veçori, në kushtet e një tregtie të bazuar në prodhimin lokal/stinor (me sipërfaqen që ka Shqipëria, e gjitha mund të quhet tregti lokale), asnjë trajtim kimik plotësues nuk do të ishte i nevojshëm para dhe mbas vjeljes. Në këtë mënyrë, produktet do të mbeteshin “kimikisht të pastra”.

Për të nxitur fermerët shqiptarë që të investojnë në mënyrë masive në prodhime bujqësore të përshtatura me klimën e Shqipërisë, që të jenë kimikisht të pastra dhe  me vlera të plota ushqimore, një koordimin efikas ndërmjet fermerëve, qendrave të grumbullimit, tregtisë, fabrikave të përpunimit, dhe restoranteve është i domosdoshëm.

Ky organizim që do mund të quhej “Sistem Tregtar Lokal Optimal” (STLO) jo vetem do garantonte fermerët me sigurinë e nevojshme për investimet e tyre, por edhe do evitonte humbje të panevojshme të prodhimeve “të tepërta” apo të pashitura. Një sistem i tillë do krijonte mundësine e një ekonomie efikase dhe fitimprurëse për të gjithë aktorët e STLO-së dhe mbi të gjitha, do krijonte mundësi për të ruajtur të paprekur shëndetin e konsumatorit.

Krijimi i një STLO-je të tillë do të kërkonte sigurisht një kohë të caktuar. Në këtë drejtim, Shteti ka rolin e tij si forcë e pakundërshtueshme financiare dhe ligjvënëse. Por le të mos harrojmë që çdokush prej nesh si konsumator i përditshëm përbën një aktor aktiv, të domosdoshëm dhe të paevitueshëm për të mbështetur sipërmarrjen e shtetit. Në lidhje me këtë do përmendja shprehjen e militantëve të shquar francezë në luftë për mbrojtjen e planetit: “Nuk ka gjest të vogël kur jemi me miliona që e bëjmë”. Pra, le të hedhim çdo ditë nga një “hap” në drejtim të një bujqësie dhe tregtie të shëndetshme, duke bërë nga një “gjest” fare të thjeshtë, disa shembuj prej të cilëve mund të shihen këtu më poshtë. Shëndeti i secilit prej nesh, i fëmijëve tanë dhe pasardhësve të tyre, në masën dërmuese varen vetëm nga ne.

Për ta mbyllur, po përdor një analogji që ka lidhje me mosrespektimin dhe kundërvënien ndaj natyrës: Rrëshqitjet e tokës nga prerja e pyjeve pa kriter, sollën fatkeqësi tek shumë njerëz, të cilave shteti me shumë të drejtë iu kundërvu nëpërmjet Moratoriumit për Pyjet. Mbase është koha që moratoriumin për pyjet ta shoqërojë një moratorium për disa kimikate dhe mbjellje jashtë sezoni!

Po iu përshtate natyrës, po e respektove atë, ajo ta shpërblen, po iu kundërvure asaj, ajo të dënon!

 

*Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë, UBT

 

 

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *