Jo vetëm derbi. Me të drejtë vëmendja është përqendruar në duelin ku Tirana sfidon Partizanin pretendent. Por, kur kanë mbetur 4 javët e fundit në Kategorinë Superiore, ndeshjet e tjera të mesjavës që do të zhvillohen në orën 15:30 mund të japin verdiktin e parë zyrtar.
Në stadiumin “Ismail Xhemali”, Tërbuni dhe Flamurtari luajnë një finale për mbijetesë. Pukjanët janë surpriza e gjysmës së dytë të kampionatit, ku nga një ekip drejt shpërbërjes thanë fjalën e tyre në garën për titull. Megjithatë, një humbje ose barazim përballë vlonjatëve do të vuloste rënien matematikore nga kategoria. Diferenca prej 11 pikësh nga Flamurtari dhe Bylisi që luftojnë për t’iu larguar vendit të parafundit do të bëhej e parikuperueshme në 3 javët e fundit. Kuqezinjtë e Ramadanit në anën tjetër luajnë më tepër për veten. Me rrezikun e largimit nga elita që është më prezentë se asnjëherë, fitorja është detyrim ndaj klubit dhe tifozëve.
Në garën për mbijetesë, Bylisi pret Teutën. Një sfidë delikate për mallakastriotët e Zildzoviç, që pas 7 pikëve në 4 ndeshjet e fundit rindezën shpresat. Bylisit nuk i lejohen më hapa fals në shtëpi, edhe pse përballë ka Teutën, surprizën absolute të sezonit, që vazhdon të besojë te bileta e fundit drejt Europa League. Përballje mes garës për Europën dhe mbijetesën edhe në Kukës, aty ku vendasit do të presin Vllazninë. Skuadra e Klodian Duros tregoi në Vlorë se nuk dhuron asgjë, në objektin që të ruajë vendin e tretë. Ndërkohë, Vllaznisë së Cungu-t i nevojiten me patjetër pikë, me situatën që është komplikuar pas 4 humbjeve në pesë ndeshjet e fundit.
Në Korçë, Skënderbeu pret Laçin, ku shpreson të shfrytëzojë faktorin fushë dhe pse jo një dhuratë të mundshme nga Tirana. Me qetësinë e rikthyer, 5 herë kampionët nuk pritet të kenë vështirësi përballë kurbinasve që i janë larguar disi zonës së rrezikshme dhe janë totalisht të përqendruar në finalen e Kupës së Shqipërisë.
