Përtej kornizës së bukur me ojna dhe ngjyrë floriri, ajo që më përnguli mbi të, ishte emri i autorit, i shënuar dobët në fundin e djathtë të asaj tabloje të vetme dhe zotëruese në atë hapësirë.
E papritura ishte aty; aq e beftë sa edhe tepër e bukur për ta besuar. Por ishte…!
Madje zbukuronte me kaq elegancë dhe finesë këtë shtëpi të madhe dhe të zotët e fismë. Ai pra, ishte këtu…! Apo edhe këtu…? Sigurisht, i mirëseardhur shumë kohë para meje. Dhe jo si unë, si mik që do shkoja pas ca orësh…Jo! Ai tashmë qe bërë njësh me të zotët, edhe më zot se ata…!
I kundron nga sipër, sheh dhe dëgjon përditshmërinë e tyre, pret dhe përcjell hyrjedaljet e shumta të kësaj shtëpie të madhe, fikson gjithë historitë e njerëzve aty dhe…Nënqesh me vogëlsirat e kësaj bote që ecën ngutshëm drejt harresës. I sheh dhe i përcjellë nga përjetësia ku është ngritur e…hesht! Apo buçet; në heshtjen e ngjyrave që u përcjellin shekujve “poezitë memece” të gjenisë së piktorëve…!?
…Tabloja është nga krijimet e fundit të Mjeshtrit të madh, “Nderi i kombit” shqiptar, Ibrahim Kodrës, i cili nga 88 vjetët e jetës së vet, rreth 70 vjet i çoi si milanez. E filloi në Milano si student i Akademisë së arteve për ta sosur me një emër të madh dhe me një vepër të paçmuar arti, shpërndarë sot në tërë globin si pasuri e gjithë njerëzimit. Ja, pra! Nga kjo pasuri, paska zgjedhur edhe miku im italian, pa e ditur se një ditë do gëzonte një tjetër shqiptar, duke i bërë bashkë zërin dhe genin e një kombi në të njëjtën çati, kaq larg dhe afër njeri tjetrit.
Vëzhgoj tablonë dhe përfytyroj gjenialitetin e këtij artisti, emri dhe vepra e të cilit, kapërxen shtete dhe kontinente duke shpalosur shpirtin shqiptar….Bashkë me fëmininë kishte marrë me vete imazhin e paharrueshëm të vendlindjes dhe detin përballë…
“…Shtëpia jonë në kodrën e Ishmit, ishte rrethuar me kumbulla. Çdo behar oborri ynë mbushej e mbulohej me një shkumbë lulëzimi të bardhë … E shihnim nga larg dhe na dukej si dallgë deti..” kujtonte Mjeshtri. “…Në fëmini, më pëlqente të futesha në det me sytë hapur… Deti ishte pelena ime. E kam brenda vetes, si qarkullim të gjakut atë… detin e vendlindjes…”
I zoti i shtëpisë thotë se djali që studion dhe krijon pikturë, këtë tablo e mban veç. Por…se qenka shqiptar dhe…kaq i madh!? Zihet pak ngushtë miku kur i them se Mjeshtri shqiptar kishte miqësi me Pikasson e famshëm, me italianin e madh Dino Buzatin, me Pol Elyarin…
Madje edhe rrugën për studime arti në Milano ia hapi një artiste e shquar italiane. Maria Denis kishte ardhur në Shqipëri më 1938 të promovonte një film në oborrin mbretëror të Zogut. Djaloshi njëzetëvjeçar Ibrahim Kodra, i bëri një vizatim portret me kostum popullor shqiptar aq të bukur sa…Kaq u desh! Artistja italiane ndërhyri ku duhej dhe piktori i ardhshëm, erdhi në Milano.
…Ndërsa flas, me sytë mbi tablo, kujtoj verën e ca vjetëve të shkuara kur pata rastin ta shoqëroja Mjeshtrin Kodra në Tiranë për të hapur një ekspozitë. Mbaj si kujtim foton e njerës nga tablotë e tij të njohura titulluar “Shqipëria kështjellë”, një pikturë kubiste si shumica e krijimtarisë së tij. Ndaj i madhi Pikasso e quante “kubisti i fundit” ndërsa shkrimtari Pol Elyar “primitivi i një qytetërimi të ri”.
Pas ekspozitës që hapi në Tiranë (gusht, 1997) dhe titullit të lartë “Nderi i kombit” që i dha Presidenti i vendit, ndjehej i gëzuar, aq sa e lejonte pezmi i artistit shqiptar si ai, që për pesëdhjetë vjet nuk qe lejuar të ekspozonte asgjë në vendlindje ndërkohë, që pikturat e tij stolisnin sallonet dhe zyrat e njerëzve të famshëm në Itali dhe gjithë botën.
…Ky njeri i madh që lindi pranë detit, jetoi i dyzuar mes dy vendeve ndarë dhe bashkuar pikërisht nga deti. Por, paçka kësaj, asnjëherë nuk harroi kush ishte dhe nga vinte.
Gjithë arti i tij i madh, mbart një kryepersonazh me të cilin mjeshtri Kodra luan herë si Shqipëri, herë si Skëndërbe, si Kosovë a Nënë Terezë, si vashë nga Myzeqeja a Malësia…
“…Unë marrë shenja nga vendi im dhe i vendos në telajo”, do shkruante vet Kodra.
Pikërisht ky personazh, ngjizur dhe bërë njësh me qënien, asnjëherë s’e la vetëm. As atëhere kur këmbente piktura me pjatën e supës, as kur brohoritej dhe merrte kurora lavdie nga majat e artit botëror. Edhe në fund, tek mbyllte sytë në spitalin “Fate bene fratelli” të Milanos, i çuditi mjekët me çka tha – apo deshi të thotë, në grahmat e fundit të shpirtit… Mjekët pyesnin të habitur, ndërsa Mjeshtri në kllapi pëshpëriste në një gjuhë të çuditshme, të pakuptueshme..
.Rrokëzonte fjalë, fjali…Shqip ë r i , D u rrë s, det…!
Atëhere dikush kujtoi se Mjeshtri i madh Kodra, kjo ikonë e pikturës botërore, ishte… shqiptar!
Pra fliste shqip! Në fundin e jetës së vet, njeriut i rikthehet fëminia. Rikthehet dëshira njerëzore e foshnjërisë, për ta përcjellë ajo që e solli në këtë botë; fjala e parë e nënës që e lindi, geni dhe djepi i stërgjyshit që nxit gjallesën dhe rrit njeriun.
Arti i madh dhe artistët që e krijojnë, janë si meteorët; nuk njohin kufij shtetesh, kombesh dhe detesh…Përkundër gjithë ndarjeve të kësaj bote, këta bashkojnë artin dhe shpirtrat, siç bëri sot në këtë festë të ngrohtë të mikut tonë italian, këtu, në Milanon e zbardhur nga bora, Mjeshtri i madh i penelit; Kodra-mal, një kulm i admirueshëm i genit dhe i kombit tim.
