“Në një jetë tjetër? Do ta zhdukja”

redaktor

Monika Lubonja, Drejtore e Teatrit Kombëtar të Kukullave, deklaroi në studion e Arian Çanit se aktorja që do donte ta zhdukte nga qarkullimi, ishte Shegushe Bebeti.

E ftuar në “Zonë e Lirë”, ndonëse u përpoq të shpjegohej se si aktore, vartësja e saj është mjaft e mirë, shprehja e drejtoreshë Lubonjës, nuk tingëlloi mirë për publikun.

Por deklaratës së drejtoreshës i është përgjigjur vetë aktorja në fjalë, e cila e cilëson të mjerueshme deklaratën e shefes së saj.

“Duhej të dilte publikisht që publiku ta njohë dhe ta kuptojë se kush e drejton institucionin më të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, Teatrin e Kukullave. Mjerim!,”- deklaron Bebeti.

“Të them të drejtën nuk jam aspak e frikësuar nga deklaratat e papërgjegjshme të titullares, sepse unë e kam bërë karrierën me talent, përkushtim dhe punë të palodhur. Edhe pse për momentin shtanga kur më thanë, pasi e pashë në ritransmetim, thashë me vete që zoti i rregullon gjërat me dorë. Duhej të dilte publikisht që publiku ta njohë dhe ta kuptojë se kush e drejton institucionin më të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, Teatrin e Kukullave. Mjerim!”– ka shkruar Bebeti.

Mosmarrëveshjet mes aktores dhe drejtoreshës kanë ekzistuar që prej ardhjes në krye të Lubonjës në Teatrin e Kukullave. Por, tashmë sulmi me sa duket mori përmasa publike.

Shegushe Bebeti ka 34 vite që punon në Teatrin e Kukullave.

Në korrik të këtij viti, aktorja u nderua nga Presidenti i Republikës me Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm, pasionin dhe përkushtimin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e Teatrit të Kukullave, duke qenë aktive jo vetëm në skenë, por edhe duke iu ardhur në ndihmë fëmijëve shqiptarë në nevojë e me sëmundje të rënda në vendin tonë dhe në Itali”.

“Jam ndjerë shumë mirë dhe emocionuar për këtë vlerësim që më është bërë. Sigurisht është edhe një stimul për të bërë gjëra më të mira. Mbi të gjitha më vjen mirë kur njerëzit më thonë: Ne jemi rritur me rolet e tua”– ka thënë Bebeti.

Pinoku, është një nga rolet që i ka dhënë sukses qysh herët.

“Pinoku është një rol që unë e kam realizuar në dy kohë. Herën e parë në kohën e diktaturës, në fillimet e mia në teatër, në vitin 1987. Kanë qenë dy pinokë të ndryshëm. Ky rol më ngjiti dhe më ka pëlqyer shumë që në fillim dhe që për fatin tim të mirë e kam vazhduar për një periudhë të gjatë kohë. Mbi të gjitha është një figurë e dashur për fëmijë”- shprehet aktorja, për një nga rolet e saj më të spikatura.

Borëbardha është një nga rolet që ajo po ashtu e ka për zemër. Kësulëkuqen e do po njësoj.

Byreku nuk bëhet pa brumë. Si kudo, edhe Teatri i Kukullave e ndjenë mungesën e një dramaturgjie të mirëfilltë.

Bebeti thotë se suksesi i një shfaqjeje kuptohet shumë nga fëmijët.

“Nëse ata nuk e pëlqejnë reagojnë menjëherë. Pasi ikin, qajnë, bërtasin. Në të kundërt, kur e pëlqejnë, qëndrojnë aty, përqendrohen dhe mbajnë mend batutat duke i përsëritur ato. Sot Teatri i Kukullave mendoj se duhet të eci me hapa galopant dhe jo me këto hapet e breshkës siç ecim ne, pasi fëmijët janë shumë të zhvilluar. Teatri duhet të luftoj shumë për të sjell shfaqje cilësore. Tashmë ka ardhur koha që është më mirë të bësh pak e saktë se sa shumë e për lumë”.

Teatri

Teatri Kombëtar për Fëmijë është krijuar si trupë profesioniste në vitin 1950. Teatri që prej krijimit ka realizuar rreth 300 premiera të autorëve të vendit dhe të huaj. Çdo vit jep rreth 500 shfaqje në të gjithë vendin.

Premiera e parë e Teatrit të Kukullave ishte “Fatbardha”, e shkrimtarit rus Shnejdor. Ndërsa regjisori i parë ishte Xhemal Broja, i cili mblodhi aktorët e parë si: Marta Burda, Eleni Plasari, Ana Kçira, Myftar Armiri, Avni Resuli e Tiftire Keta, Qenan Toro, Enver Dauti, Melpomeni Çobani etj. Kukullat u përgatitën nga piktori Ndoc Kodheli, dekoret nga piktori Rrok Dabërdaku dhe kostumet nga Veta Stillu.

Teatri i parë profesionist i Kukullave, ishte i përbërë vetëm nga 12 persona nga të cilët: Një regjisor, një piktor për kukullat e skenat, pesë aktorë, një marangoz, një rrobaqepës, një elektricist, një mashinist dhe një llogaritar. Nga shfaqja në shfaqje trupa e teatrit punoi vazhdimisht për futjen e formave dhe teknikave të reja për t’ju përshtatur cilësive të kohës. Vit pas viti filluan të përdoren kukulla me tela, marioneta, maska, teatri i hijeve, pantonima dhe shfaqjet me aktorë. Në 65 vite numërohen 60 regjisorë shqiptarë dhe të huaj që kanë vënë premiera në Teatrin e Kukullave. Regjisorët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për konceptimin e shfaqjeve për fëmijë, gërshetimin e teknikave dhe lojës së aktorëve. Regjisorët e parë të Teatrit janë: Xhemal Broja, Llazar Verria, Pandi Stillu, Selman Vaqari, Xhavit Sallaku, Pleurat Armiri, etj.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *