NË PRAG TË NJË KTHESE HISTORIKE…

anazapta

 “Unë besoj se ajo që pengon përparimin dhe të mirën e këtij vendi, është mentaliteti i ndryshkur, karakteri i dobët dhe morali i ulët i një klase politike të degjeneruar, që është sot në drejtim të këtij vendi – Ismet TOTO

Kur lexon njeriu këtë frazë përcaktuese , që Ismet TOTO e shkruante në vitin e largët 1931, të duket sikur koha e paska ndalur ecjen e vet në këto anët tona të dënuara të qeverisen thuajse përherë nga  një klasë drejtuese dështake, e papërgjegjshme, e paqytetëruar dhe antikombëtare, një kastë e sëmurë që gjakon vetëm për pushtetin vetjak  dhe e mban këtë vend në prapambetje të detyruar, në varfëri të pamerituar e në një përçarje të shëmtuar.

Se jemi në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të XXI e përsëri përcaktimi i Ismet TOTOS duket aq i përpiktë dhe sot për kastën tonë sunduese të këtij tranzicioni rropatës e fyes njëherësh. Rropatës për mundimin e humbur të shqiptarëve të thjeshtë dhe fyes për intelektin e një kombi të tërë brenda e jashtë kufijve të truallit të vet të cunguar. Të cunguar  aq keq, sa duket që atë cungim të truallit e kanë marrë dhe drejtuesit e tij pushtetarë dhe të shkon mendja se ata që e morën vendimin e kobshëm një shekull më parë, kishin jo vetëm merakun e pakë muajve paqe për Europën e asaj kohe të mbarsur me ethet e luftës, por synonin edhe ta katandisnin Shqipërinë zyrtare në një shtet të paaftë për t’u dhënë mirëqenie qytetarëve të vet, në një shtet të paaftë për t’u mbrojtur e në një shtet të dështuar, gjë që do ta bënte më të lehtë si plaçkë këmbimi pas mbarimit të luftës…

Them kështu, se jemi në vitin 2013, e përsëri Shqipëria e kufijve shtetërorë ka thuajse po ato tipare, që i imponuan fuqitë e mëdha në vitin 1913. Ka po atë kastë sunduesish të sëmurë për pushtet vetjak e prandaj dhe është përsëri vendi më i varfër i Europës. Ka po atë kastë të sëmurë për sundim vetjak të pakufizuar e ka po atë kastë drejtuese me mendësi të ndryshkur, me karakter të dobët e me moral të ulët, që përshkruan i madhi Ismet TOTO në vitin e largët 1931.

Them kështu , se mjafton të shikosh vetëm se si e dhunon ligjin që ka miratuar vetë pushteti aktual i Tiranës për një institucion aq të rëndësishëm sa Komisioni Qendror Zgjedhor, dhe bindesh që ky pushtet nuk jeton në këtë shekull si tërë bota e qytetëruar. Bindesh që ky lloj pushteti ka të gjitha ato tipare të shëmtuara që përshkruan Ismet TOTO për klasën drejtuese shqiptare të kohës së tij. Bindesh që ky palo pushtet i sëmurë për sundim vetjak me çdo kusht e me çdo çmim, është duke jetuar jo më në kohën tonë e në mes të Europës së lirive, por në kohën e bejlurçinave mendjemykur të Shqipërisë së prapambetur të viteve ’30 të shekullit të kaluar.

Dhe nuk ka aq shumë nevojë të mundohemi për të vërtetuar të gjithë tok sa thamë më sipër. Se Komisioni Qendror Zgjedhor ishte vërtet  një institucion i zgjedhur nga Kuvendi i Rruzhdies me ato përpjesëtime që ra në ujdi politika, por pasi u miratua nga politika, ai institucion  (thotë ligji de!) duhet të veprojë vetëm sipas ligjit e nuk ka më të drejtë askush, përfshirë dhe vetë Kuvendi i Rruzhdies, për ta ndryshuar. Ai institucion na thonë që është dhe kushtetues e kjo dëshmon që pushteti aktual i Tiranës, sado  i papërmbajtur që është për të nëpërkëmbur ligjet që i pengojnë orekset e veta, nuk duhet të shkojë deri në shkeljen e Kushtetutës së këtij vendi evropian.

Po ja që ky lloj pushteti , me të gjitha cilësitë e përshkruara nga Ismet TOTO në vitin e largët 1931(!), nuk përmbahet dot as në shkeljen e Kushtetutës. Dhe duket që këtë mospërmbajtje këtë herë e ka nga e keqja. E ka nga frika e humbjes që po i afrohet më datën 23 qershor 2013. E ka nga frika e krimeve që ka bërë në kurriz të këtij populli të duruar, krime që i dalin kur është zgjuar e kur është në gjumë. Krime që nuk e lejojnë të bëjë gjumë të qetë. Krime që nisin me dhunimin e zgjedhjeve  dhe arrijnë kulme të frikshme me të vrarët e Gërdecit e me protestuesit e pushkatuar pa gjyq nga Garda e Republikës  , mu aty në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e me urdhër të këtij pushteti në atë 21 janar, që përgjaku e njollosi historinë e tranzicionit shqiptar. Është ai gjak që i shtyn pushtetarët aktualë të Tiranës të mos përmbahen dot as në shkeljen e ligjeve që kanë miratuar vetë dhe as në shkeljen e Kushtetutës së Republikës.

Është ajo frikë e madhe që ka ky lloj pushteti nga krimet e veta, që i shtyn pushtetarët aktualë të Tiranës të cenojnë standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit njërin pas tjetrit , ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore. Të gjithë shqiptarët e dëgjojnë përditë prej muajsh të gjatë e të zhurmshëm atë parullën e shtërzuar të këtij lloj pushteti të sëmurë aq rëndë nga megalomania, sa arrin të na rrahë gjoksin se “Ne jemi ndryshimi! Përpara!” Dhe nuk është aq e çuditshme pastaj të dëgjosh edhe që ky lloj pushteti na paska të drejtë të ndryshojë dhe historinë e të ndryshojë dhe vendin ku duhet të rrijë historia e shkretë : gjithmonë prapa pushtetit si shërbëtore e bindur e pushtetit(!)

Se nuk kanë asnjë kuptim tjetër ato britmat e ngjirura të pushtetarëve aktualë nëpër ato mitingjet e tyre ambulante,ku edhe pleq që mezi mbahen më këmbë na paskan arritur të jetojnë deri 83 vjeç, “sepse kemi për kryeministër Skënderbeun e Dytë!” dhe ky deli-skënderbe i fabrikuar në farkën e propagandës pushtetare nuk i thotë dot të mbyllë gojën atij plaku të matufjepsur , por shkrihet lumturie e na mallëngjen të gjithëve ne shqiptarëve të thjeshtë. Na mallëngjen shumë , kur marrim vesh se Skënderbeu ynë i madh e i vetëm në historinë shqiptare, nuk qenka dhe aq i vetëm se na e prodhon pushteti në seri me propagandën e tij bajate. Dhe kjo mani e pushtetarëve tanë të sëmurë nga të gjitha cilësitë e shëmtuara që përshkruan Ismet TOTO në vitin e largët 1931,del që na paska ndjekur në këtë shekull të shtetit të pavarur shqiptar brez pas brezi…Seç bela kanë me Skënderbeun pushtetarët çyrykë të Tiranës, që nga agai i Matit, tek dendi i Sokakut të të Marrëve e deri tek brigadieri i pushtetit aktual, i marrosur nga ëndrra për t’u bërë mbret me teserën e Partisë së Punës, ecë e merre vesh!

Por një gjë më duket e qartë për të gjithë. Afrimi i zgjedhjeve të 23 qershorit e ka futur në panik pushtetin aktual të Tiranës. Dhe është ai panik i humbjes, që i bën pushtetarët aktualë të dridhen e të humbasin dhe arsyen minimale . Është një frikë e madhe që i bën t’u duken dhe votuesit e shumtë të 23 qershorit si një lumë i madh e i rrëmbyer , që do t’i marë me vete   për t’i shpurë përpara drejtësisë së rimëkëmbur, përpara se t’i përcjellë në humbëtirën e harresës së historisë. Është frika e madhe nga lumi i fryrë i votuesve të këtij vendi më 23 qershor, lumi i atyre votuesve të thjeshtë e të duruar, të cilëve ua kanë prurë shpirtin në majë të hundës harbimet e zullumet e rënda pushtetare, është pra ajo frikë e madhe e këtij pushteti, që i bën pushtetarët aktualë të përçarten deri në atë shkallë , sa të na thonë :”Nuk duam të na votoni për gënjeshtrat që ju kemi thënë, por për gënjeshtrat që do t’u themi këtej e tutje!”…

Është ajo frikë që e bën këtë pushtet të kalbur, të ngulmojë për të mos dëgjuar as këshillat e miqve tanë strategjikë të demokracive të zhvilluara. Demokracitë e zhvilluara të botës, që e ndiejnë se fillimi i fundit të tranzicionit tonë të gjatë mund të nisë vetëm me zhvillimin e zgjedhjeve normale më 23 qershor 2013.

“Bota po ju vëzhgon!” – është thirrja e përsëritur e miqve tanë të demokracive të zhvilluara në Amerikë e në Europë, por pushteti aktual është i mbërthyer aq keq nga frika e humbjes, sa nuk dëgjon fare nga ai vesh. Dhe duket që ka ca të drejtë pushteti i inkriminuar të trembet nga humbja e 23 qershorit. Duket që e ndien dhe ky pushtet i kalbur nga zullumet e veta se ajo humbje e pritshme do të shënojë dhe mbarimin e mbretërisë kriminale të tranzicionit shqiptar e tok me atë mbarim do të shënojë ndoshta dhe një kthesë historike në udhën e përparimit të vërtetë të Shqipërisë sonë. Ajo humbje e këtij lloj pushteti nuk shmanget dot as nga shkeljet e ligjeve e të vetë Kushtetutës, shkelje me të cilat pushteti aktual përpiqet te bëjë me zor fitimtarin . Nuk shmanget dot ajo humbje më 23 qershor të këtij viti as me sazet e daullet e çara të mercenarëve të kalemit e të ekranit, saze dhe daulle që e bëjnë me të zhurmshme humbjen e sigurt të këtij pushteti në zgjedhjet e 23 qershorit. Sikurse e bëjnë më të afërt e më të madhe kthesën historike, që do të shpëtoj demokracinë nga deformimet e do të shpëtojë shtetin e të gjithë qytetarëve nga kthetrat e pushtetit të një grushti pushtetarësh të sëmurë.

 

Share This Article
9 Comments
  • Nuk mund te kete injorance me dashje apo pa dashje me te madhe se sa nje njeri qe quan veten te burgosurn politik te komunizmit qe beson se kthesa e madhe eshte po u kthuen ne pushtet ata dhe bijte e atyre qe e kane burgosur.
    Njeriu thone eshte kafshe me arsye.
    Kur ujku kape nje dele i ngul dhembet ne qafe dhe si fillim i thith gjak. Ujku e leshon dhe largohet ngadale 3 apo 4 metra duke e shikuar delen e plagosur.Delja per cudi niset mbas ujkut.Perse thone psikolloget? Pergjigja eshte:Shkon mbas gjakut qe i ka pire ujku.
    Edhe ky Gumeni ne se nuk eshte njesoj si ujku me delen atehere hajde gjeje cfare eshte kjo puna e tije.Te jete efekti i lugeve te Corbes te Prishur ?Se di nuk e kuptoj dot.Por njera nga te dyjat me siguri

  • Me vjen mire per referimin qe Z.Gumeni i ben Ismet Totos ,njerit nga vellezrit e shquar antizogiste prej Gjirokastres.Per kontributin e tyre te shquar,ne sherbim te perparimit te Shqiperise dhe kunder rregjimit te zog-morracakut te fatime-morracakes, kam mesuar ne librin e Xhelal Staraveckes,-“Perpara gjyqit te historise”.
    Sa here qe lexoj artikulime mediatike te zotit Gumeni,aq here me forcohet bindja se ky burre ka qene i persekutuar politik i vertete (kam pare zorraxhin,j qe jane turpi i termit te persekutuar politik) dhe do te jete pareshtur ne perpjekjen e mbrojtjen e te drejtave te njeriut per popullin shqiptar,ne te gjithe spektrin e tij politik,pa dallim.Ashtu si ne 1997-en me kontributin e vyer te “Forumit per demokraci” edhe ne keto momentet qe po jetojme ai reflekton hapur dhe ne sinkron me dhembjet dhe meraket e popullit te vet,te etur per demokraci funksionale.Ashtu si shumices se shqiptareve edhe z.Gumeni i intereson shteti i se drejtes ne sherbim te perparimit dhe prosperimit te jetes se shqiptareve.

  • Nje Kelmendas pa mend ( i cili nuk le blog pa komentuar ), nje njeri emocional, pa arsye dhe me nivel te ulet kulturor, don te perbalte nje njeri dinjitoz si zoti Gumeni. ” Kelmendasi ” nuk ka arritur te kuptoje ende se ne PS ka aq bij dhe bija komunistesh sa ka edhe ne PD; se bijt, bijat, niperit dhe mbesat nuk jane pergjegjes per fajet e prinderve apo gjysherve; se shumica e ish-anetareve te PPSH nuk kane asnje pergjegjesi per fajet e regjimit; se regjimi i tij i dashur i sotshem eshte nje regjim kriminal dhe anti-atdhetar ( por Kelmendasit vazhdon t’i pelqeje, sepse ai s’ka parime por vetem pasione ); se idhulli i tij Sali Berisha ka qene 22 vjet antar i PPSH dhe 6 vjet sekretar byroje dhe ka dale edhe deshmitar ne gjyqin e te denuarit politik Hysen Shoshori; se po ky Sali berishe ka burgosur, rrahur, fyer, vrare kundershtare politike, ka djegur redaksi gazetash, ka tentuar te tjetersoje territorin e Shqiperise, ka dhunuar zgjedhjet, ka ” humbur ” 230 milion Euro te rruges Durres-Kukes, ka.kja.ka dhe s’ka lene gje pa bere. Megjithe keto, Baca i tij duhet te vazhdoje te jete ne krye, edhe pse 65 % e shqiptareve nuk e duan, por e don Kelmendasi dhe disa kelmendas te tjere, e don Mafia, e duan nja 200000 vete qe kane shkelur ligjet duke zene toka e ndertuar pa leje keto 22 vjet dhe ai ua ben te ligjshem etjetj.

    • “se bijt, bijat, niperit dhe mbesat nuk jane pergjegjes per fajet e prinderve apo gjysherve; se shumica e ish-anetareve te PPSH nuk kane asnje pergjegjesi per fajet e regjimit”

      ata dhe familjet qe e kane patur mire me ish-regjimin shkojne dhe votojne per idhullin e vjeter PPSH,
      mos me thuaj qe te persekutuar apo familjet e tyre votojne majtas, me qene realist.

  • Je shume i nderuar z Gumeni, dhe me nje kjelltesi mendimi per tu pasur zili
    Uroj qe Vlora t’u votoj, dhe mos te turren pas siglave te Partive te Katovices

    Suksese!

  • po cthua o mavri.daut gumeni beri aq burg sa berisha beri sekretar partie.i vrane baben,i shkaterruan shtepine,familjen e fisin.ka treguar qe eshte burre ne ate kohe e ne kete kohe kur u bene trima edhe lepujt.kam respekt per personalitetin,jeten dhe punen e tij dhe i uroj sukses ne punen qe ka nisur.

  • Kelmendas ndryshimi i Daut Gumenit me ty eshte se ai eshte malesor Kurveleshas dhe jo malok kelmendi , nuk eshte spiun sigurimi si ty dhe lokalist i trash si xhinsi yt qe pershkruante patrioti perparimtar Ismet TOTO , nje mbiemer ky qe tmerroi malokun A.Zagolli me maloket e tij .

  • Urime per shkrimin Daut ! edhe
    I gezohem kthjelltesise se mendimit dhe analizes se spikatur politike, po aq sa dhe perdorimit te figuracionit te gjetur dhe ironise tipike e te mencur labe.
    Mos ua ver veshin komentuesve si kelmendi, ate pune kane, nuk e kane personale repliken me ty. Cdo kohe ka sherbetoret e vet dhe ty i di me mire nga ne sepse i ke vuajtur ne kurriz bemat e tyre.
    Miliarda dollare nga taksat tona hodhi (miliona vodhi) ne rruget e Shqiperise se siperme (veriore) nje kelmendas, keto 8 vjete. Asnje nga akset rrugore te shqiperise se poshtme (te jugut) te cilat kishin filluar qysh para 2005, nuk perfundoi, as Fr-Vl e as Fr-Gj e Sr me te cilat gjasme mburet si rajone turistike.
    Ndaj, ne lule e brinje me brinje mbajuani (kuptohet qe penen) ketyre qe maten me diellin e mengjezit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *