Në fushën e mediave elektronike sot, pas 23 vjetësh të ndryshimit të sistemit, ka një numër të madh radiosh dhe televizionesh kombëtare e lokale, të cilët me informacionet që përcjellin, emisionet, programet artistike e sportive duket se janë në një garë të heshtur se cili do të fitojë audiencën më të madhe. Me sa duket, për fat të keq, këtë lloj nxitjeje nuk e ka televizioni më i madh e me sinjal në çdo skaj të vendit, Televizioni Shqiptar. Nuk dua të flas këtu për programet dhe cilësinë e tyre, se mjafton që të qëndrosh para televizorit për pak orë dhe do konstatosh se me një emision të ashtuquajtur “Drejtpërsëdrejti”, nga 3-4 moderatorë, në orë të ndryshme e në të njejtën studio me të ftuar gjithfarëllojësh bëhen biseda pafund që nuk i dëgjon askush, që janë mjaft të dobta e pa cilësi, qoftë nga përgatitja e drejtuesve të tyre, që na janë bërë “specialistë për gjithçka”, qoftë edhe nga struktura e programit.
Ajo që doja të nënvizoja ndër të tjera është një çështje e karakterit më teknik. Po të hapësh faqen e RTSH në internet, pavarësisht nga rubrikat që ka aty nuk gjen asgjë të nevojshme, përveç 2-3 lajmeve të rëndomta. Provo të kërkosh programin ditor ose atë javor dhe nuk gjen asgjë, për të mos thënë që paradoksalisht mund të gjesh programin e disa muajve më parë (!). Po kështu në teletekstin e TVSH-së nuk gjen asgjë të azhornuar me ditën, por ca njoftime që freskohen shumë rallë dhe që janë të dyshimta për saktësinë e tyre.
Ky me përvojen mbi 40-vjeçare, me një staf të madh në numër e të kualifikuar të mos jetë në gjendje të mbajë në korent e të përditësojë faqen e tij të internetit dhe teletekstin e vet, është e papranueshme dhe e pafalshme. Dikush mund të thotë se këto janë gjëra të dorës së dytë. Po, por këto tregojnë seriozitetin dhe profesionalizmin e një televizioni. Në rast se janë parëndësi, atëhere më mirë t’i heqin (t’i mbyllin) fare se t’i lënë në atë gjendje.
Për të gjitha këto përgjegjësia bie mbi drejtuesit e këtij institucioni, të cilët dje dhe sot kanë rendur pas qeverive e politikës duke harruar se jemi ne qytetarët që paguajmë drejtpërsëdrejti një shumë jo pak modeste (1200 lekë në vit), por edhe subvencionet që shteti jep për këtë TV janë kontribute të taksapaguesve shqiptarë, ndaj na lind e drejta të kërkojmë me forcë që ata, të cilët kanë marrë përsipër të drejtojnë këtë institucion të rëndësishëm e mbarkombëtar t’u dalin zot punëve.
Shihni televizionet private për këto që sapo thamë dhe do të konstatoni seriozitet, përkushtim, profesionalizëm dhe kërkesa gjithnjë në rritje, që për fat të keq i mungojnë RTSH-së, kjo për faj të atyre që kanë drejtuar dhe drejtojnë këtë institucion. Ka ardhur koha, bile jemi të vonuar, që RTSH-në me gjithë programet e saj dhe elementët e tjerë përbërës t’ia kthejmë publikut, i cili e ka dashur atë, sepse ishte i vetmi TV në Shqipëri, por që ka kohë që është larguar prej tij. Për këtë nuk duhet të heshti e të pajtohet me gjendjen Komisioni i Medias pranë Kuvendit, sepse gjendja e krijuar është jo pak por edhe përgjegjësi e tyre.
Email nga adresa
nuk ka mo TVSH por TVSH private dhe provinciale milatantisteqe jane vetem per te marre rrogat jo nga shteti por nga taksat shqiptareve qe paguajne per tvsh jo paguajne por qe ja marrin me zor nje televizion qe mund ta shikojne vetem 2% e njerezvesepse aty kishti zyren saliu dhe shpura e tij.